Misioni, Porosia e madhe!
| 21 Qershor, 2023Misioni, Porosia e madhe!
Ditët dhe momentet e fundit të dishepujve me Zotin Jezus ishin të rëndësishme ashtu si edhe gjithë të tjerat, por edhe të veçanta, për mësimet, porositë dhe urdhërimet me të cilat Ai i la para se të ngjitej në të djathtë të Atit në qiell. Ai i porositi ata duke u thënë: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”, Mateu 28:19. Ata iu bindën porosisë dhe e sollën Ungjillin deri në trojet tona dhe sot disa nga gjiri ynë po e çojnë në kombe të tjera. Po si mund ta përkushtojmë jetën si misionar? Çfarë sfidash dhe bekimesh ka në jetë një misionar? Cili është roli i kishës shqiptare në mision?
Si e kam përkushtuar jetën si misionar?
Konvertimi im ishte mjaft drastik në vjeshtë të vitit 1997 dhe mbaj mend që nga muajt e parë të besimit, edhe pse s’e kuptoja qartë në atë kohë zemra më prirej për t’ia dedikuar plotësisht jetën Atij që më deshi dhe dha jetën për mua. Mbaj mend që në dhomën time shkruaja vargje si: Fisnik, a më do ti mua? Kulloti qengjat e mi, ashtu si Ati më ka dërguar mua në botë, kështu unë po ju dërgoj juve.
Unë dalëngadalë po dalloja që konkluzioni që apostulli Pal flet te 2 Korintasve 5:15, mishërohej në jetën time dhe akoma jam bashkë me ju në këtë proces, ashtu si edhe shumë të tjerë që janë thirrur dhe i janë bindur thirrjes që të shkojnë në mision.
Më lejoni t’ju shpreh që secili prej nesh sot që është i shpëtuar është gjithashtu edhe i thirrur në një thirrje të shenjtë, secili prej nesh është në mision aty ku jemi. Jeta ime dhe e familjes sime në këtë fazë të caktuar të ecjes sonë me Perëndinë, thjesht është mbjellë në Bosnjë Hercegovinë derisa Perëndia të na drejtojë diku tjetër.
Çfarë sfidash dhe bekimesh kam parë në jetën si misionar?
a- Gjendja e errësirës frymërore, sfidë e përbashkët. Efesianëve 6:12
b- Rezistenca ndaj ungjillit, refuzimi, distancimi, ndjenja e vetmisë dhe izolimit, mungesa e trupit lokal, gjendja e brishtë e kishës: janë 25 kisha në të gjithë vendin, 4 milionë banorë, 400-500 besimtarë të krishterë, barriera e gjuhës.
c- Hyrja, qëndrimi në vend, kultura, gjuha dhe viza.
Bekime në mision:
a- Mishërimi i fjalës. Mateu 9:36, Isaia 41:10, 2 Korintasve 4:8-9, Luka 9:62 unë mund të kem predikuar dhjetëra herë më parë mbi këto vargje por tashmë ato janë reale në jetën time.
b- Njohja e Perëndisë më nga afër, puna e Tij hyjnore në mua në: maturi, durim, këmbëngulje në një vend ku ka shumë betejë dhe errësirë frymërore.
c- Besnikëria e Perëndisë, suksesi i fëmijëve, dashuria e tyre për vendin, njerëzit e paqtë. Gjithashtu bekimi që na ka bërë Perëndia për pjesën tjetër të trupit të Krishtit në vend përmes shërbesës sonë.
Roli i kishës shqiptare në mision
Ajo se çfarë na gëzon ne nga larg është:
a- Të falënderojmë natyrshëm Perëndinë kur dëgjojmë për besimin tuaj të jehojë në gjithë Shqipërinë, Ballkanin e gjithë botën.
b- Kur luteni dhe ndërmjetësoni për ne që të na hapen dyert për Ungjillin e Krishtit. Jini të përkushtuar në të.
c- Na vizitoni personalisht ose me ekipe, kjo na ngushëllon dhe na jep zemër.
d- Sakrifica frymërore e miqve nga Shqipëria, Filipianëve 4:18
Unë besoj që kisha shqiptare ka rol të veçantë në zemrën e Perëndisë për kombet përreth.
Dhëndri që e pret nusen e vet që është në fron në të djathtën e Atit është në të njëjtën kohë Luan dhe Qengj dhe ne bashkërisht dhe individualisht jemi të thirrur që të jemi të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të Tij, të reflektojmë lavdinë e Tij, të sillemi në mënyrë të denjë në Ungjillin e Krishtit, të sigurohemi që Ungjilli nuk korruptohet dhe komprometohet, të qëndrojmë të fortë në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e Ungjillit.
Sot jemi të bombarduar nga të gjitha anët jo vetëm nga ligësia por shpesh edhe nga pretendimi i vlerave që dominojnë si: Humanizmi, aktivizmi, vullnetarizmi, toleranca, shpirti pozitiv e të tjera si këto. Nëse apostulli Gjon do të shikonte vizionin në ditët tona çfarë do të shikonte ai në jetën e kishës? Ja disa prej tyre që mund të na përulin ne. Ai pa ata që mbajtën dëshminë e Jezusit, ata që mbajtën deri në fund fjalën ë Tij dhe nuk e mohuan. Ai pa besnikërinë, durimin, lotët, vuajtjet dhe gjakun e tyre. A do të thoshte të njëjtën gjë apostulli Pal për ne sot: ”Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës.”?
Më lejoni t’ju kujtoj që unë e ti sot jemi fryt i besnikërisë së atyre që luftuan dhe fituan betejën shpirtërore, mendore dhe fizike, betejë që vazhdon edhe sot dhe shkakton agoni, por ne jemi thirrur të ndjekim njeriun e vuajtjes, të parëlindurin prej së vdekurish që nuk turpërohet të na quajë vëllezër, Zotin tonë Jezu Krisht.
Filipianëve 1:29
Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të,
Unë nuk e shkruaj këtë për të thirrur dikë në mision, ky është roli i Frymës së Shenjtë i cili do ta kryejë kur i jepet liri e plotë të veprojë në trupin e Krishtit, por mund t’ju nxis nga zemra vëllazërore:
Hiq bashkë më mua për Ungjillin e Krishtit!
Përgatiti: Fisnik Zenelaj, qershor 2023
Fisniku dhe Manjola kanë shërbyer në Kavajë shtatë vjet, pastaj në Kosovë, në Gjilan katër vjet dhe tani me tre djemtë e tyre si një familje misionare po shërbejnë në Bosnjë Hercegovinë prej dhjetë vitesh.