Të jetojmë e të shërbejmë me frikën e Zotit. Ligji 10:12-13
| 20 Shkurt, 2025
Në jetën e përditshme njerëzit kanë frikë nga gjëra të ndryshme: Nga kafshët, nga sëmundjet, nga lufta, nga pasiguria për të ardhmen, apo nga dentisti. Ne do të donim që këto frikëra të mos jenë te ne. Por ka një frikë, për të cilën Fjala e Zotit thotë se duhet të jetë te ne, dhe ajo është Frika e Zotit. Po çfarë është ajo? Pse duhet të jetë në jetën tonë? Çfarë sjell ajo te ne dhe çfarë do të na mungojë nëse frika e Zotit nuk është në jetën tonë dhe në kishën tonë?
Perëndia e zgjodhi Izraelin për shkak të dashurisë që kishte për ta dhe besëlidhjes me Abrahamin. Ai e ka zbuluar veten e Tij si: Krijuesi, i plotfuqishëm, i kudondodhur, i madh, shpëtimtar, i mirë, i drejtë, gjykatës, falës, i mëshirshëm, i shenjtë, zjarr që konsumon, xheloz. Në këtë realitet populli i Zotit thirret që të ecë me Të, ta dojë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, të respektojë urdhërimet e Zotit dhe këto fillojnë me: Ta kesh frikë Zotin. Pse? Për të mirën tënde (v.13). Të ecësh me Të, t’i shërbesh Atij, ta duash Atë, t’i respektosh urdhërimet e Tij, është shumë e rëndësishme, por është e paplotë nëse nuk kemi frikën e Zotit.
Çfarë është frika e Zotit? Frika e Zotit është një druajtje e shenjtë, një nderim i thellë në zemrën tonë, që shprehet me dashuri, bindje, respekt, nënshtrim dhe adhurim ndaj Zotit, për shkak të zbulesës dhe veprës së Tij në jetën tonë.
Në Besëlidhjen e Vjetër dhe në Besëlidhjen e Re, Perëndia që është i njëjtë e ka mësuar popullin e Tij të jetojë e të shërbejë në frikën e Zotit (Heb 12:28-29). Njerëzit e mëdhenj të besimit si: Moisiu, Davidi, profetët dhe apostujt e shenjtë dhe dishepujt e tyre e kishin frikën e Zotit në zemrën e tyre dhe të dukshme në dëshmi. Frika e Zotit nuk i largoi ata nga Perëndia, por i afroi ata me Të, ajo i largoi ata nga mëkati dhe ligësia, nga krenaria dhe egoizmi dhe i bëri më të ngjashëm me Krishtin. Frika e Zotit nuk i bëri ata më të dobët në besim por më të fortë. Si të mos e kesh këtë frikë kur e njeh shenjtërinë e Perëndisë të gjallë dhe fuqinë e Tij!
Në Fjalën e Tij Frika e Zotit është fillim i njohjes (Fja 1:7), është të urresh të keqen (Fjal 8:13). Fja 10:27, 19:23: Frika e Zotit t’i zgjat ditët, të jep jetë. Fja 14:26: Ajo është një siguri, nuk të lë të rrëshqasësh në mëkat. Fja 22:4: Frika e Zotit në jetën tonë ka shpërblimin e saj. Psalmi 33:18, 34:7 thotë se syri i Zotit është mbi ata që e druajnë. Malakia 3:16, kujtimi i atyre që kanë frikën e Zotit zgjat përjetë dhe një libër shkruhet për ta. Ef 5:21: Bashkësia jonë e krishterë është në frikën e Perëndisë. Mbrojtja, drejtimi, përkujdesja, hiri, shërimi, mëshira e Zotit është mbi ata që e kanë frikën e Zotit në zemrën e tyre. Vlen të themi këtu, se krenaria dhe frika e Zotit nuk mund të jenë bashkë në zemrën tonë. Perëndia u jep hir të përulurve, atyre që kanë frikë nga Ai, por Ai është kundër krenarëve që nuk kanë frikën e Tij dhe sa serioze janë këto fjalë!
Në Veprat 10:1-4 mësojmë për Kornelin, një ushtarak por një burrë i perëndishëm, që e druante Perëndinë, bujar dhe që lutej. Sa më shumë e njoh, përjetoj frikën e Zotit, aq më shumë i përjetoj frytet e saj në mua por dua të them se kam përjetuar edhe pasoja kur frika e Zotit nuk ka qenë në mua. Në kishën shqiptare ka shumë besimtarë dhe udhëheqës që e shpalosin frikën e Zotit në jetë dhe në dëshmi, sa bekim që janë ata për kishën dhe shoqërinë! Po ashtu marrëdhëniet e prishura, konfliktet, ndarjet e kishave për interesa egoiste, të jetuarit në mëkat për disa drejtues na tregon se ka raste kur frika e Zotit nuk është në zemër dhe pasojat janë të mëdha. Frika e Zotit dhe dashuria për Krishtin janë bashkë, por dashuria e nxjerr jashtë frikën e lidhur me mëkatin (1 e Gjonit 4:18).
Kur ne e njohim, e zbatojmë Fjalën e Perëndisë dhe lutemi, ne njohim Atë më shumë, atëherë ne e kemi dhe e shpalosim frikën e Zotit. Kur ne i njohim por nuk i zbatojmë urdhërimet e Zotit, kur ka mëkat të parrëfyer në zemrën tonë atëherë Frika e Zotit nuk është në ne dhe Fryma e Shenjtë nuk vepron në jetën tonë. Dhe kur Frika e Zotit nuk është në ne, frikëra të tjera do të jenë tek ne. Frika e Zotit na afron me Atin qiellor, ajo na mbush me nderim dhe adhurim, na largon nga mëkati dhe rritemi në perëndishmëri, ndërsa frikërat e tjera na largojnë nga Perëndia. Qoftë lutja jonë ashtu si psalmisti! Psalmi 86:11: “Bashkoje zemrën time me frikën e Emrit Tënd”. Predikuesi 12:13 thotë: Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e Tij, sepse kjo është tërësia e njeriut”.
Përgatiti: Pëllumb Ranxha