TË MENDUARIT NË MËNYRË TË KRISHTERË PËR FAMILJEN
| 14 Prill, 2026
Jeta nuk ishte e lehtë për ne në verën e vitit 1963. Ja si e kujton Barbara atë verë:
Kent ishte njëkohësisht student i kolegjit me kohë të plotë, dhe punonte me turne me kohë të plotë në një fabrikë në Los Anxhelosin Lindor. Isha dy javë para lindjes së fëmijës sonë të parë.
Megjithëse kishim kursyer me kujdes dhe jetonim me shumë pak, shkolla ishte aq e shtrenjtë sa, sipas llogaritjeve tona, do të kishim vetëm rreth 160 dollarë kur të vinte foshnja – aspak mjaftueshëm krahasuar me koston e parashikuar të spitalit prej 250 dollarësh dhe tarifën e mjekut prej 250 dollarësh. Nuk kishim asnjë ide se çfarë të bënim – përveçse të luteshim.
Ajo që ndodhi është e paharrueshme. Shkova te mjeku për kontrollin tim të radhës. Ndërsa mjeku, i cili nuk ishte njeri që shkonte në kishë, lexoi kartelën time, ai vuri re se Kenti po planifikonte të ndiqte seminarin. Ai bëri disa pyetje, pastaj rastësisht tha: “Nuk e faturojmë petkun”. U hutova: “Çfarë është petku?”. Ai shpjegoi se petku nënkuptonte klerin – predikuesit. Gjithçka që na duheshin tani ishin 250 dollarët për spitalin.
Kur mbërriti nata për lindjen e vajzës sonë të bukur Hollit, Kenti u vesh me rrobat më të mira të së dielës, dhe më shoqëroi në spital për ngjarjen e bekuar. Ndoshta doktori ishte treguar thjesht i sjellshëm kur tha se Kenti ishte babai më i emocionuar që kishte parë ndonjëherë. Na pëlqen të mendojmë se ishte e vërtetë.
Kishte vetëm një problem: Kenti kishte vetëm 163 dollarë në portofolin e tij. Kur u kthye për të marrë dy “vajzat” e tij dhe po rrinte i nervozuar para arkëtares në pritje të faturës, ai u përpoq të mendonte se çfarë të thoshte për ta bindur atë se do ta paguante. Pastaj ajo i paraqiti atij shumën totale: 160 dollarë. Ajo i shpjegoi se unë isha shtruar pikërisht në kohën e ndërrimit të ditëve, kështu që ishim faturuar për një ditë më pak.
Me tre dollarët e mbetur në dorë, Kenti vrapoi nga arkëtarja tek luleshitësja me para të mjaftueshme për t’i dhuruar një buqetë gruas së tij.
Këto ngjarje që lidhen me lindjen e fëmijës sonë të parë nuk janë vetëm një moment historik në historinë tonë familjare, por gjithashtu parashikojnë temat kryesore të këtij libri. Ja cilat janë ato:
• Familja është nën kujdesin e veçantë të Perëndisë. Madje mund të themi ndoshta se Zoti është në anën e familjes kundër peripecive të jetës.
• Duke folur realitetin, në një botë të rënë familja është gjithmonë në një gjendje të pasigurt (financiare dhe në mënyra të tjera).
• Një familje e krishterë varet nga hiri dhe kujdesi i Zotit për ta ndihmuar atë përmes vështirësive që janë pjesë e pashmangshme e jetës familjare. Asnjë familje nuk është aq e fortë sa për t’i menaxhuar vetë punët e saj jashtë dispozitave të Perëndisë.
• Duke pasur parasysh këto gjëra, prindërit duhet t’i përqafojnë uljet dhe ngritjet e jetës familjare si një nga arenat kryesore në të cilat ata lidhen me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin.
• Prindërit duhet ta organizojnë me vetëdije historinë e familjes së tyre si një tregim i përkujdesjes hyjnore; ata nuk duhet të lënë që ngjarjet e historisë familjare thjesht të humbasin ose harrohen.
10 gushti i vitit 1963 u bë një gur i çmuar kujtese për ne të dy. Perëndia i plotësoi nevojat tona për mrekulli, duke na dhënë një shenjë thelbësore të buzëqeshjes së Tij mbi familjen tonë. Dhe gëzimi i pashuar i atij rasti u përsërit edhe tri herë të tjera në vitet e ardhshme – secilën herë me një intensitet të shtuar gëzimi. Në fakt, lindja e fëmijës sonë të parë caktoi tonalitetin për të gjithë përvojën e rritjes së familjes sonë prej katër anëtarësh drejt pjekurisë. Ka qenë një kremtim i vazhdueshëm.
Të gjithë fëmijët tanë lindën përpara se Kenti të mbaronte seminarin; kështu që ato vite të hershme ishin të dobëta. Edhe pse mjeku me të cilin linda Hollin nuk i faturoi pagesë “petkut”, të tjerë ofrues shërbimesh dhe shitës me pakicë duheshin paguar! Por përmes një sërë makinash rrangalla, dhe “duke bërë edhe pa ca gjëra” ndërkohë që të tjerët kishin para për shumëçka, ne kishim gëzim. . . dhe gëzimi vazhdoi. Sot, mbasi kemi kaluar mesomoshën, pas më shumë se dyzet vitesh martesë dhe tetëmbëdhjetë nipërve e mbesave, mund të themi se familja jonë, me gjithë ulje-ngritjet e natyrshme, është një burim i pashtershëm hareje. Kemi vetëm një keqardhje – që nuk patëm më shumë fëmijë.
Sigurisht, jo të gjithë ndihen si ne për prindërimin. Jetët e figurave të dukshme publike të kohës sonë, që nga Uinston Çurçill te Gloria Stainem, janë kronika të tragjedisë së atyre që kanë patur një prind ose prindër që, për një arsye ose një tjetër, e kanë neglizhuar rolin e tyre. Nuk është për t’u habitur që babai i sëmurë dhe i zhytur në vetvete i Çurçillit ishte kaq neglizhues ndaj djalit të tij mjerisht nevojtar, ose që neveria e Gloria Stainem për mëmësinë lidhej me nënën e saj mjerueshëm në nevojë. Një neglizhencë e tillë tani është mëse e zakonshme në botë.
Megjithatë, ajo që befason është se një sëmundje e ngjashme gjendet shpesh tek besimtarët që e deklarojnë se janë të krishterë. Ne kemi këshilluar personalisht burra dhe gra, prindërit e të cilëve, që ishin frekuentues të kishës dhe lexonin Biblën, u kanë thënë sinqerisht fëmijëve të tyre se do të kishin dëshiruar të mos i kishin lindur kurrë. Të tjerë akoma kanë besuar se, megjithëse prindërit e tyre nuk ishin shprehur kurrë kaq drejtpërdrejt, megjithatë e kanë përçuar të nënkuptuar që fëmijët e tyre ishin bërë pengesë për potencialin e tyre. Një djalë i ri na tha se nuk mbante mend asnjë ditë kur nëna e tij misionare të mos i kishte kujtuar se kishte sakrifikuar potencialin e saj për të shërbyer, për të pasur një familje. Ajo në fakt besonte se fëmijët po e mbanin të frenuar. Por shumë shpesh, shenja treguese tek prindërit e krishterë të një këndvështrimi prindëror të dëmtuar, është një ndërdyshje për familjen. Nga pamja e jashtme, këta prindër me fjalë shprehen për privilegj të prindërimit, por në brendësi mbartin qëndrimin se prindërimi është një barrë për t’u duruar.
MBAS KONFUZIONIT
Si ndodh që qëndrime të tilla zënë vend në zemrat e krishtera? Së pari, shumë njerëz janë robër të një kulture që e përkufizon vetëvlerësimin dhe përmbushjen në termat e kontributit, emrit, shkollimit dhe parave. Shoqëria duartroket më shumë personin që projekton një ndërtesë sesa atë që kujdeset për arkitekturën e shpirtit të një fëmije. Kultura jonë vlerëson një fytyrë të njohur për publikun shumë më tepër sesa një fytyrë të pasqyruar në sytë e një fëmije. Bota i vendos një prioritet më të lartë arritjes së një diplome sesa edukimit të një jete. Ajo vlerëson aftësinë për të dhënë gjëra më shumë sesa aftësinë për të dhënë vetveten. Kjo qasje ndaj vetëvlerësimit është mbjellë në mënyrë të pamëshirshme nga kultura moderne dhe ka zënë rrënjë në shumë zemra të krishtera, kështu që nuk ka vend për një vete tjetër – edhe nëse bëhet fjalë për fëmijën e tyre.
Një faktor tjetër që rregullisht kontribuon në qëndrimin e tipit “prindërimi është barrë”, është shqetësimi i shtatzënisë dhe mosha e hershme e fëmijëve. Eriku dhe Xhuli kishin kaluar bashkë tre vite të shkujdesura martesë kur Xhuli mbeti shtatzënë. Të dy e pritën me krenari shtatzëninë dhe e njoftuan me gëzim, përmes urimeve të familjarëve, miqve dhe kishës. Shumë shpejt, megjithatë, entuziazmi fillestar i Xhulit u zbeh nga të vjellat e mëngjesit, të cilat për të u bënë si një zënie deti e përhershme – marramendje mbi dallgë, pa port në horizont. Gradualisht, të vjellat e Xhulit u rralluan dhe ajo filloi të hante, dhe të rritej e të rritej. Tani ishte shtatzënë dhe e shëndoshë, dhe ndihej e shëmtuar – pavarësisht kundërshtimeve të Erikut. As njëri e as tjetri nuk ishin shumë të kënaqur. Jeta e tyre seksuale kishte marrë të tatëpjetën që kur ajo ishte e sëmurë, dhe tani, kuptohet që nuk ishte në maksimum.
Eriku ishte i zemëruar fshehurazi, dhe Xhuli ndihej e mërzitur dhe disi e trembur. Asaj i mungonin miqtë e vet të punës dhe pyeste me vete se si do ta përballonte lindjen. “Ai njeriu i vockël aty, – mendonin ata, – sigurisht që ka ndryshuar shumë gjëra.”
Lindja e Kalebit shkoi mjaft mirë, por ai kishte dhimbje barku dhe ishte i ndjeshëm ndaj infeksioneve të veshit. Xhuli dhe Eriku kaluan disa muaj kur u duhej ta bënin gjumin me ndërprerje dhe detyra të pakëndshme, të cilat që të dy i kishin zët. Sigurisht, të dy e donin shumë Kalebin. Kjo nuk ndryshoi kurrë.
Por Xhuli nuk ndihej se ishte një nënë e mirë dhe filloi t’i dukej vetja e mangët. Pra, ajo bëri gjënë e natyrshme – ajo filloi të minimizojë dhe madje të shmangë ato që e bënin të ndihej e papërshtatshme. Mungesa e lumturisë te ajo e bëri mbajtjen e dietës të vështirë, kështu që mbipesha vazhdoi. Një mëngjes, ndërsa po përkundte Kalebin, Xhuli tha me shpoti: “Ti më ke kushtuar – për ty kam humbur linjat”. Ky ishte një refren që fëmija Kaleb do ta dëgjonte përsëri dhe përsëri. Ndërkohë, Eriku po e ndiente veten pak xheloz për Kalebin. Kalebi po merrte vëmendjen që dikur ai kishte marrë nga Xhuli.
Qëndrimet mbizotëruese ndaj familjes të bëra bashkë me problemet që shoqërojnë shtatzëninë dhe rritjen e fëmijëve, kanë helmuar këndvështrimin e shumë çifteve të rinj, megjithëse janë bij e bija të kishës. Jo vetëm që ka shumë prindër që e konsiderojnë familjen si frenuese, por ka edhe një numër në rritje të çifteve të rinj që po e shtyjnë krijimin e familjes derisa të kenë arritur suksesin profesional që kështu të jenë në gjendje të minimizojnë problemet nëpërmjet pasurisë së tyre ose duke e kufizuar familjen e tyre në një ose dy fëmijë. Ajo që nevojitet është një kuptim i rinovuar i parimeve themelore të familjes së krishterë – parime mbi të cilat mund të ndërtohen disiplinat e një familjeje të perëndishme. Pa një themel të fortë, disiplinat nuk kanë gjasa të lulëzojnë. Themeli i duhur është ai i rrënjosur në Fjalën e Perëndisë.
ÇFARË THOTË BIBLA PËR FAMILJEN
Kur mbërriti fëmija ynë i parë, ne e njoftuam lindjen e saj me një varg të hareshëm me lëvdata të psalmistit për fëmijët: “Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti” (127:3). Kjo deklaratë është një shprehje e përmbledhur e respektit të lashtë që populli i besëlidhjes së Perëndisë kishte për fëmijët. Në të vërtetë, kapitulli hyrës i Shkrimit të Shenjtë shënon urdhrin hyjnor: “Jini të frytshëm dhe shumëzohuni” (Zan 1:28), dhe kapitujt e mëvonshëm të Zanafillës tregojnë ankthin e gruas shterpë dhe lavdërimin e atyre që lindnin. Princesha e moshuar e Izraelit, Sara, dhe burri i saj, Abrahami, e quajtën të parëlindurin e tyre Isak, që do të thotë «qeshje», sepse gëzimi i tyre ishte i madh për dhuratën e Perëndisë.
Shkrimet jo vetëm që i kremtojnë fëmijët, por ata i lavdërojnë si të bekuar ata të cilëve u janë dhënë shumë fëmijë. Psalmi 127:3-5 ngazëllen:
Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti,
fryti i barkut është një shpërblim.
Si shigjeta në dorën e një trimi,
kështu janë bijtë e rinisë.
Lum ai njeri
që e ka kukurën e tij plot.
Qëllimi i një familjeje: Lavdërimi i Perëndisë
Deklarata e Shkrimit se fëmijët janë një bekim thekson rëndësinë e tyre për popullin e Perëndisë këtu në tokë dhe përmbledh se cili duhet të jetë qëndrimi i të krishterëve në lidhje me prindërimin. Por fëmijët kanë gjithashtu një domethënie vertikale, e cila shpesh anashkalohet në diskutimin e sotëm të familjes – domethënë, lavdërim për Perëndinë.
Teologët e Westminsterit, pas një soditjeje të gjatë dhe të matur të Shkrimeve, njëzëri deklarojnë se “qëllimi kryesor i njeriut është të përlëvdojë Perëndinë dhe ta gëzojnë Atë përgjithmonë”. Ky parim rregullon çdo marrëdhënie njerëzore, por ai fillon tek struktura e shenjtë e familjes, ku njerëzit formohen më thellësisht. Perëndia lavdërohet, sigurisht, kur jeta e bijve të Tij rrezaton karakterin e Tij – gjë që vetëm Biri mund ta bënte në mënyrë të përsosur, sepse Ai është “shkëlqimi i lavdisë së Tij dhe vula e qenies së Tij” (Hebrenjve 1:3). Për shkak se Krishti përfaqësoi në mënyrë të përsosur Perëndinë, fëmijët tanë, nëse ata vijnë vërtet te Perëndia me besim, me anë të hirit mund të rrezatojnë gjithnjë e më shumë karakterin e Tij. Është detyra jonë e hareshme qiellore që t’i çojmë ata te Krishti dhe më pas të ndikojmë në jetën e tyre, në mënyrë që ata të ecin gjithnjë e më shumë në rrugën e hirit.
Kjo është puna jonë më e madhe, siç ka shkruar Robert Dabney shumë kohë më parë:
Edukimi i fëmijëve për Perëndinë është puna më e rëndësishme që bëhet në tokë. Është biznesi i vetëm për të cilin ekziston toka. Kësaj duhet t’i nënshtrohen e gjithë politika, e gjithë lufta, e gjithë letërsia, e gjithë bërja e parave; dhe çdo prind veçanërisht duhet të ndiejë, në çdo orë të ditës, se për të siguruar thirrjen dhe zgjedhjen e tij, ky është qëllimi për të cilin ai mbahet gjallë nga Perëndia – kjo është detyra e tij mbi tokë.
Sa lartësuese është të kuptosh se familja jote është mjeti i caktuar hyjnisht dhe mënyra kryesore për t’i sjellë lavdi Perëndisë.
Si të ndikoni VËRTET në shoqëri
Në këtë drejtim, prindërimi – jo politika, as klasa, as laboratori, madje as foltorja – është vendi i ndikimit më të madh. Të supozosh ndryshe do të thotë të jesh rob i një iluzioni të tharë laik. Ne duhet të kuptojmë se është nëpërmjet familjes hyjnore që hiri i Perëndisë, një vizion i Perëndisë, një barrë për botën dhe një karakter i krishterë, transmetohen më fuqishëm.
Në Dhiatën e Vjetër, kur Perëndia zgjodhi të udhëhiqte popullin e tij, Bibla tregon vazhdimisht se ai kërkoi për një person (shih Isaia 50:2, 10; 59:16; 63:5; Jeremia 5:1; Ezekieli 22:30). Një individ i vetëm i shenjtë mund të bëjë të gjithë ndryshimin në këtë botë. Dhe ne nuk duhet të biem pre e “matematikës mashtruese të të menduarit” të kësaj bote që e konsideron derdhjen e jetës së dikujt mbi një pakicë të fshehur, si një humbje skandaloze të potencialit të dikujt.
Prindër, mos e braktisni vendin tuaj të ndikimit! Është ende e vërtetë se “dora që tund djepin sundon botën”. Besojeni këtë!
Shenjtërimi
Pali shkroi në 1 e Thesalonikasve 4:3 se “ky është vullneti i Perëndisë, shenjtërimi juaj”. Prindërimi është thellësisht shenjtërues. Kur sapo ishim martuar, marrëdhënia e re zbuloi dhoma egoizmi në jetën tonë – dhe brenda atyre dhomave dyer të dhomave të tjera, dhe në ato dhoma ende dyer dhe dollapë të tjerë. Zbulesa ishte fillimi i një pastrimi shtëpie të vazhdueshëm dhe të përjetshëm. Dhe shtimi i fëmijëve e thelloi vërtet procesin. Sikletet e prindërimit – dhënia e vetvetes, lutja, varësia nga Perëndia, rritja – mund të jenë një përvojë shenjtërimi si asnjë tjetër.
C. S. Lewis u shpreh në këtë mënyrë kur shpjegoi dashurinë familjare: “Qentë dhe macet duhet të rriten së bashku… Kjo ua zgjeron mendjen”. Disiplina e prindërimit mund të jetë rruga drejt një shpirti të zgjeruar dhe rruga drejt lartësive të paimagjinuara të zhvillimit shpirtëror. Kështu e ka planifikuar Zoti.
Kënaqësitë e një familjeje të krishterë
Këtu mund të themi kategorikisht se asnjë arritje profesionale, asnjë nder, asnjë “sukses” nuk i afrohet kënaqësisë së familjes. Sigurisht, fëmijët tanë të rritur nuk janë të përsosur. Në fund të fundit, ata na kishin ne për prindër! As ne nuk shihemi gjithmonë sy më sy për çdo gjë. Por velat e fëmijëve tanë janë të vendosura për të lundruar me Krishtin, për të përballuar erërat e kulturës, për ta ndjekur kudo që Ai i drejton – dhe ata janë detarë të mirë. Kënaqësi? Patjetër.
Ne jemi optimistë për familjen tonë, sepse ajo vazhdon të jetë një burim në rritje bekimi, lavdie, fuqie, shenjtërimi dhe kënaqësie.



