Ndero prindërit
| 23 Korrik, 2022Ndero prindërit. Eksodi 20:12
Gëzimi, përmbushja dhe paqja që kanë në zemër prindërit e nderuar nga fëmijët është vështirë që të shprehet me fjalë. Ky urdhërim i Zotit e ka shoqëruar popullin e Tij që nga fillimi. Perëndia, arkitekti i familjes e vendosi të vërtetën dhe shenjtërinë në themel të saj, kështu familja është e fortë, e perëndishme dhe i përmbush përgjegjësitë e saj. Megjithëse brezat janë të ndryshëm, pasardhësit janë urdhëruar nga Zoti të nderojnë prindërit. Vetëm Ai e di sa i madh, i çmuar dhe i pazëvendësueshëm është kontributi i tyre te fëmijët dhe vetëm Ai do të jetë plotësisht shpërblyesi i vërtetë i tyre.
Fëmijët të cilët janë kaq të bekuar nga prindërit që u kanë dhënë aq shumë, do ta kenë jo barrë por një dëshirë të vërtetë zemre për t’u kujdesur për ta. Në këtë kohë ka familje që janë themeluar në Ungjillin e Krishtit dhe janë të shëndetshme. Gjen dashuri, përkujdesje dhe nderim pavarësisht vështirësive. Prindërit nderohen kur i shohin fëmijët të ecin në rrugën e drejtësisë, kur ndërtojnë familje të perëndishme, kur janë shembull i mirë në shoqëri, kur janë të zellshëm në gjërat e Zotit. Buzëqeshja e prindërve që marrin këtë nderim mbetet në kujtesën time, ashtu siç e shoh edhe tek prindërit e mi. Një familje e tillë është bekim për kishën, për shoqërinë dhe lavdi për Perëndinë.
Po ashtu ka edhe familje të thyera ku me dhimbje vërejmë se brezi i ri nuk po përmbush përgjegjësinë për t’u kujdesur, për t’i nderuar prindërit, madje edhe me sakrificë ashtu si ata kanë sakrifikuar për fëmijët. Kjo ndodh pasi ka egoizëm, ka krenari, mungon dashuria dhe pasojat janë të mëdha aty Krishti nuk është në qendër të familjes. Por miq, Perëndia na urdhëron: “Nderoji prindërit”, Efesianët 6:1-3. Dhe ai që na ka urdhëruar, na jep çdo gjë që na duhet për ta përmbushur këtë përgjegjësi edhe kur është e vështirë. Perëndia do t’u kërkojë llogari atyre që i braktisin apo i çnderojnë prindërit, pasi po shkelet urdhërimi i Tij dhe kjo është shumë serioze në sytë e Zotit dhe duhet t’i sjellë zemrat aty ku duhet të jenë.
Falënderoje Perëndinë sot për prindërit e tu dhe lartëso vazhdimisht lutje për ta. Mëso dhe ruaj çdo gjë të mirë që Zoti ka vendosur në jetën tënde prej tyre. Transmetoju fëmijëve të tu bindjen dhe dashurinë tënde për Krishtin, nderimin për prindërit. Që t’u sjellë gëzim e përmbushje prindërve dhe po ashtu modelin e duhur fëmijëve. Bekimi i Zotit do të vijë mbi ata që i nderojnë prindërit pasi Ai vetë ka premtuar: “me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokë”, Eksodi 20:12. Ne e duam bekimin e Tij në familjen tonë.
Sa privilegj dhe bekim të kesh prindër! Sa privilegj dhe përgjegjësi të jesh prind! Qoftë dashuria, përkujdesja dhe nderimi i prindërve tanë për prindërit e tyre në të shkuarën një frymëzim e model për të bërë edhe më shumë për prindërit sot dhe në të ardhmen!
Krishti u përlëvdoftë në përkujdesjen për prindërit dhe për fëmijët! Bekimi i Tij u derdhtë mbi ne dhe lavdia e Tij të shfaqet në familjen që Ai vetë e ka themeluar dhe bekuar! Qoftë Ai në qendër të saj dhe Fjala e Tij vazhdimisht modeli ynë!
Lutje: O Atë qiellor, të falënderoj Ty që je krijuesi i familjes, se Ti ke vënë bekimin mbi të për breza të tërë. Të falënderoj për shembujt e mirë të atyre që i kanë nderuar prindërit. Të lutem më aftëso që të kujdesem e nderoj prindërit e mi në atë mënyrë që i përmbush nevojat e tyre, i bekon, i mbush me gëzim dhe përmbushje. Na aftëso që t’u lëmë bijve tanë një shembull sipas Fjalës sate, në dashuri për Ty në të ardhmen. Lutem t’i kthesh zemrat e prindërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek prindërit; që kisha, shoqëria të bekohet dhe Ti të lavdërohesh. Në emrin e Jezu Krishtit unë lutem, Amen
Gëzuar ditën e prindërve!
Përgatiti: Pëllumb Ranxha