Dëgjo vetëm zërin e Bariut
| 9 Korrik, 2022Gjoni 10:14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua
Pamjet kur bariu i prin një tufe dhe ajo e ndjek atë janë të bukura për ne. Bariu i prin në kullotë të mirë, i mbron nga egërsirat, nga sëmundjet, i ruan në vathën e përgatitur për to. Po ashtu delet, të cilat janë të paafta që t’i bëjnë këto gjëra vetë përfitojnë kaq shumë nga përkujdesja dhe dashuria e bariut, saqë e tërë jeta e tyre varet nga kjo marrëdhënie.
Nga marrëdhënia e kishës me Krishtin si Bariu është e qartë se varet tërë jeta e jonë nga miqësia me Të. Ai e thotë qartë se si Bari vjen të na japë jetë me bollëk, Gjoni 10:10. Pra, jetë frymërore, përkujdesje, mbrojtje, fryt, një karakter të perëndishëm, fuqi dhe fitore ndaj dobësive dhe tundimeve. Vetëm Ai e di se për çfarë ka nevojë çdo dele në tufën e Tij.
Ne e njohim zërin e Bariut që mbi çdo mënyrë tjetër na flet përmes Fjalës së Tij të pagabueshme, Biblës në ndriçimin dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë. Dhe ne jo vetëm që e dëgjojmë, por edhe bëjmë atë që na thotë Bariu ynë. Udhëhiqemi, shkojmë, apo edhe ndalojmë sipas këshillës së Tij.
Ai na mëson, na frymëzon, na urdhëron, na paralajmëron edhe na qorton në dashurinë që ka për kishën për të cilën ka derdhur gjakun e Tij në kryq, duke e dashur kaq shumë.
Megjithatë ka edhe zëra të tjerë që delet mund të dëgjojnë dhe ka raste që e bëjnë. Satani, armiku i Krishtit dhe i kishës, mashtruesi që nga fillimi, (Gjoni 8:44) vjen për të mashtruar, vrarë dhe përçarë bashkë me fuqitë e errësirës.
Për disa, Satani vrumbullon që të frikësojë prenë e tij, (1Pjetri 5:8) por zëri i Krishtit, Luanit të Judës, buçet për të shpallur fitoren e Tij mbi satanin, fuqitë demonike, mëkatin, botën dhe vdekjen. (Zbu 10:3). Nga kjo përndjekje disa vuajnë deri në vdekje, (Zbu 2:10), po humbës nuk janë se Krishti iu premton kurorën e jetës besnikëve të Tij.
Disa ai i mashtron si engjëll drite, (2Kor 11:14) duke nxitur natyrën e vjetër drejt gënjeshtrës, vjedhjes, lakmisë për para, imoralitetit apo të tjera neveri në sytë e Zotit. Kur i krishteri dëgjon këta zëra mashtrues dhe do të bëjë një apo disa nga këto gjëra, ai do të prishë miqësinë me Bariun dhe me kishën. Do të humbasë fuqinë, gëzimin, paqen, praninë e Frymës dhe disa herë favore që Zoti ia ka dhënë në miqësinë dhe marrëdhënien Atë – bir apo Bari – dele.
Por zëri i bariut që thërret dhe drejton tufën e Tij në dashuri është aty. Nxitja e Tij është e qartë që ta refuzosh zërin e të ligut dhe fuqive të tij dhe të dëgjosh e t’i bindesh vetëm zërit të Zotit, Bariut të shpirtrave tanë. A nuk është marrëzi të dëgjosh atë që do shkatërrimin tënd dhe të mos dëgjosh Atë që ka dhënë jetën për ty e me të cilin do të jesh përjetë, Jezusin, Zotin?
Ndërsa e ndjekim Bariun tonë, Ai jo vetëm që do të na mbrojë nga mashtrimi, nga rënia duke na mbajtur në fuqinë e Tij, (1Pje 1:5), por do të na udhëheqë që të kemi çdo ditë çdo gjë që na duhet në jetën tonë personale, dhe për dëshminë në kishë dhe në botë. Çfarë Miku, çfarë Bariu i mrekullueshëm e besnik që është Jezu Krishti, Zoti ynë!
Ku po të drejton Bariu yt në këtë kohë? A e kupton, dëgjon dhe bindesh zërit të Tij?
Sa e bukur, e thellë, përulëse dhe inkurajuese është kjo e vërtetë, që zëri që te ne vjen zë Bariu, të cilin e ndjekim, vjen zë luani për ata që janë kundër Tij e armiq të Ungjillit!.
Cilin zë po dëgjon sot? A është zëri i Krishtit për ty zë i Bariut të shpirtit tënd? Sa i bukur është ai zë! Sa nevojë kemi për të! Ai flet më bukur se kushdo tjetër dhe depërton në thellësinë e shpirtit. Tani që Ai më do, më bekon, më ka dhënë jetë, nuk dua të dëgjoj tjetër zë.
A të frikëson zëri i satanit që kërkon prenë e tij, ndërkohë që është një armik i mundur? A të mashtron zëri i tij ndërkohë që kundërshton Jezusin, veprën e Frymës së Shenjtë në ty dhe të tërheq te mëkati që shkatërron? Dëgjoje o mik zërin e Bariut tënd, Jezusit Zot dhe kërkoji të buçasë që i ligu dhe forcat e tij të errësirës t’ia mbathin e të dinë se Krishti është Mbret dhe ne do të mbretërojmë fitimtarë me Të përjetë.
Lutje: O Atë faleminderit që më shpëtove me anë të Hirit nëpërmjet besimit e më bëre bir dhe shërbëtor. Faleminderit që më flet o Zot, Bariu im! Megjithatë, disa herë kam dëgjuar zë tjetër dhe kam mëkatuar, faleminderit për faljen dhe përtëritjen. Më aftëso të dëgjoj vazhdimisht vetëm zërin Tënd, e me fuqinë e Frymës t’i bindem këtij zëri. Më aftëso që ta dalloj e ta kundërshtoj zërin e mashtruesit dhe fuqive të errësirës, më ruaj nga i ligu e më bëj gati për mbretërinë Tënde. Faleminderit për mësimet, premtimet, paralajmërimet, urdhërimet dhe qortimet! Në bindjen dhe dashurinë time ndaj Teje dua të eci fitimtar me Ty. Në emrin e Krishtit lutem, Amen.
Përgatiti: Pëllumb Ranxha
Faleminderit per inkurajimin vella! Eshte nje pasqyre e qarte e jetes me Krishtin dhe sfidave qe hasim ne kete rrugetim! Krishti eshte Mbreti dhe rruga e vetme per tek Ati! Te bekoj 😊👍
Faleminderit shumë për inkurajimin dhe vlerësimin! Zoti e bëftë ndërtim për kishën e Tij mesazhin!
Eshte pjesa me e bukur. Nje nga pjeset qe nuk kalon as 3 muaj pa u predikuar ne kishe. Shtjellimi i vargjeve dhe nderthurja e tyre perfekte. Zoti te bekofte shume
Faleminderit shumë për inkurajimin! Zoti e bëftë ndërtim për kishën e Tij mesazhin edhe aty ku ti po shërben!
Shume bekim dhe inkurajim. Sa e rendesishme eshte te degjojme zerin e bariut tone. Zeri i tij na drejton ne qender te vullnetit te tij. 🙏
Faleminderit shumë për inkurajimin! Kemi nevojë çdo ditë të dëgjojmë e t’i bindemi atij zëri. Bekime!
Eshte shume e rendesishme qe delet e Krishtit te dine se cfare te degjojne, cfare te injorojne dhe ke te ndjekin. Faleminderit per kete rikujtim per te degjuar zerin e Bariut. 🙂
Faleminderit për inkurajimin dhe Zoti na bëftë gjithnjë të tillë që ta dëgjojmë Atë!
Mesazh shpresëdhënës për meditim, për ndërgjegjësim dhe reflektim!
Faleminderit Pëllumb që e ndave me ne!
Bekime!
Të lutem, Zoti e bëftë ndërtim për shumë zemra!