Gati për Betejë Parathënie
| 30 Qershor, 2022Kape çastin
Po jetojmë në një periudhë unike në historinë e botës. Kombet po riformësohen nga ndryshime të shpejta, ndërkohë që ideologjitë e vjetra po shkërmoqen duke i lënë vendin një boshllëku ideologjik, moral dhe shpirtëror në zemrën e njeriut. Por kjo mund të jetë edhe mundësia më e madhe që ka njohur kisha e krishterë për ungjillëzimin e botës. A do të jetë gati kisha për ta shfrytëzuar këtë mundësi?
Para disa vitesh u takova me disa drejtues të kongresit të SHBA dhe u prezantova me një zyrtar të lartë, anëtar i parlamentit të sapoformuar moldav. Parlamentari Nicolai Kostin u tha drejtuesve amerikanë, “Perëndimi duhet të veprojë me shpejtësi dhe me vendosmëri për të na ndihmuar. Nëse ndryshimet nuk vijnë shpejt në vendin tonë, populli mund të arrijë në përfundimin: Ishim më mirë gjatë komunizmit. Dhe Perëndimi do ta ketë humbur mundësinë më të madhe, për ta ndryshuar historinë e këtij shekulli.”
Kostin po fliste për ndryshimet vendimtare në Moldavi, një ish-republikë e Bashkimit Sovjetik. Nëse Moldavia ka nevojë për ndryshim në sferën politike, ndryshimi është më i nevojshëm dhe më urgjent në sferën frymërore. Koha është e duhura, por detyra nuk është e lehtë. Një betejë zien për mendjen dhe shpirtin e burrave dhe grave. Trumbetat e betejës buçasin për luftë frymërore. Ato i bëjnë thirrje besimtarit dhe kishës së krishterë të vuajë, të përgatitet,
të organizohet dhe të mobilizohet për t’i fituar njerëzit, komunitetet dhe kombet për Krishtin.
Kjo është një thirrje për të vepruar. Kisha nuk mund të qëndrojë ulur në mënyrë pasive e thjesht të shohë historinë teksa bën përpara. Ne duhet të jemi bërësit e historisë. Ka ardhur koha që ky brez besimtarësh t’i marrë seriozisht fjalët e apostullit Gjon “për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë:
për të shkatërruar veprat e djallit” (1 Gjoni 3:8b). Duhet të shkojmë në cepat më të errët të qyteteve dhe të kombeve tona me dritën e ungjillit të Jezus Krishtit. Duhet të lutemi për lavdinë e Perëndisë dhe të shpallim mbretërinë e Perëndisë. “Gati për betejë” identifikon, përshkruan dhe e udhëzon besimtarin në katër fusha themelore të luftës frymërore: (1) natyrën e betejës, (2) karakterin e ushtarit, (3) armatimin e ushtarit, dhe (4) strategjinë e betejës. E paraqes me përulësi këtë vepër në lutje, që kisha e krishterë të mund të rrokë vizionin e asaj që Perëndia dëshiron të bëjë në këtë brez.
Është e domosdoshme të kemi një pikëpamje biblike të ekuilibruar për këtë betejë të zjarrtë, për të dalë fitimtarë në këtë moment strategjik të historisë.
E prezantoj këtë libër me një ndjesi të thellë urgjence. Kam pasur rastin të shoh dritën të mposhtë errësirën në qytetet e largëta siberiane, ku krishterimi ishte i panjohur. Kam parë sesi ka gufuar besimi në zemrat e mijëra ateistëve. Por, i drejtoj kishës të njëjtën pyetje që Kostin u bëri drejtuesve politikë: “A do të ngrihet nga gjumi kisha perëndimore, a do të veshë gjithë armatimin e Perëndisë e të marshojë drejt betejës? Nëse nuk e bëjmë këtë, bijtë, nipërit dhe mbesat tona mund të përballen me errësirë si bota nuk ka përjetuar
kurrë më parë. Zgjohu! Beteja është e ashpër!
Mund ta marrim dhe lexojmë librin këtu: https://ibsh.al/product/gati-per-beteje/
Mund ta dëgjojmë këtu: https://ibsh.al/gati-per-beteje-audio/
https://www.facebook.com/342300439956113/videos/432607457850449
Mëso më shumë nga Sammy Tippit në: https://www.youtube.com/playlist list=PLiXNG48iirZX6LCJZOUYpin_Gw7-y1q5B