Rizgjimi: Nevoja jonë më e madhe
| 16 Qershor, 2022Rizgjimi: Nevoja jonë më e madhe
Rizgjimi nis në zemrën e dikujt.
Wilburn Smith, “Rizgjimi i lavdishëm në ditët e Ezekias”
Pasazhi nga Shkrimi:
HABAKUKU 3:2
“O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën”.
Të dëshirosh për të marrë më shumë nga Perëndia
A të ka ndodhur gjatë jetës tënde që të kesh dashur të marrësh më shumë nga Perëndia; por nuk ke ditur se çfarë të bësh? A ka ndodhur ndonjëherë në jetën tënde apo në familjen e Kishës tënde, që të kesh dëshiruar më shumë nga Perëndia, por nuk ke ditur se çfarë bësh për realizimin e kësaj dëshire?
Unë kam qenë në këtë situatë në disa raste dhe njoh edhe shumë persona të tjerë që e kanë përjetuar këtë. Çështja është: Çfarë duhet të bësh kur nuk e di se ç’duhet bërë? Përgjigjja vjen nga të njohurit e asaj që dëshiron në mënyrë të veçantë.
Ajo që dëshiroj kur dua të marr më shumë prej Perëndisë është thjesht kjo: Kam një dëshirë të zjarrtë që prania e Perëndisë të jetë reale dhe e dukshme në jetën time. Unë dëshiroj të kem një vetëdije të ndërgjegjshme të Perëndisë që lëviz në jetën time dhe në Kishën time gjithashtu. Unë dëshiroj të dëgjoj Perëndinë të flasë dhe të më japë zbulesë, ndriçim dhe kuptim. Unë e dëshiroj Perëndinë. Në kohë të tilla, i kam kërkuar Perëndisë rizgjim dhe i jam lutur që të lërë erën e Frymës së Tij të Shenjtë të fryjë mbi mua. Rizgjimi në të vërtetë fillon në një person, dhe më pas mund të shtrijë krahët e tij dhe të fluturojë në të gjithë Kishën dhe në komunitet për lavdinë e Perëndisë. Ai gjithmonë fillon me një person. Një person që i klith Perëndisë. Një që i përgjigjet Atij duke u bindur dhe duke pritur Zotin. Oh, fuqia e një besimtari të vetëm.
Perëndia përgjigjet
Në vjeshtën e vitit 2006, Kisha ku shërbeja si pastor u bekua nga një lëvizje e fuqishme e Perëndisë. Ne takoheshim fillimisht çdo ditë për dyzetë ditë, e megjithatë rizgjimi vazhdoi për njëmbëdhjetë muaj. Kjo prekje nga Perëndia nuk ndodhi rastësisht. Përgatitja shpirtërore është thelbësore për çdo rizgjim, ose për çdo përvojë tjetër që mund të shpresojmë të arrijmë me Perëndinë. Perëndia kërkon ata që kanë një zemër të pastër dhe duar të pastra. Ne duhet të jemi të gatshëm për të qenë në rregull me Perëndinë. Nëse do ta fshehim mëkatin, është njësoj sikur të ndodhemi në një dhomë të errët ku vetëm rrëzohemi nga pengesat, megjithëse mund të kërkojmë dëshpërimisht për drejtim dhe dritë. Prandaj është kritike për ne, si trupi i Krishtit, që të mblidhemi së bashku për të kërkuar fytyrën e Perëndisë dhe për të larë hesapet me mëkatet tona si bashkësi, si mëkatet e kaluara ashtu edhe ato të tashme. Kisha ime i dedikonte kohë rrëfimit publik të mëkateve dhe rrëfimit të mëkatit si bashkësi.
Rrëfimi i përbashkët i mëkatit është identifikimi personal dhe pranimi i mëkateve në rang grupi. Joeli 1:14 na tregon shembullin: “Shpallni agjërim, thërrisni një kuvend solemn. Mblidhni pleqtë dhe tërë banorët e vendit në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe i klithni Zotit”. Nga ky varg dhe pasazhi që pason Joeli 2:12-17, ne arrijmë ta kuptojmë urgjencën dhe rëndësinë e rrëfimit si bashkësi.
Në Kishën time, ne i rrëfenim mëkatet tona si bashkësi. Ne mblidheshim së bashku në këto takime solemne: të mërkurave në mbrëmje, mëngjeseve të së Dielës dhe të Dielave në mbrëmje. Mëkatet që rrëfenim dhe për të cilat pendoheshim ishin krenaria, mungesa e respektit ndaj Perëndisë dhe Shtëpisë së Tij, mungesa e lutjeve, mungesa e përkushtimit, thashethemet dhe cektësia me njëri-tjetrin dhe Perëndinë.
Gjatë këtyre mbledhjeve solemne, ne bashkoheshim më shumë me Perëndinë, ndërsa përgatiteshim për rizgjim. Çfarë ishte e mrekullueshme ishte se pas shumë rrëfimeve plot pikëllim të thellë dhe pastrimit që Perëndia derdhte në zemrat tona, ne përjetonim bindje që të çonte në rrëfime edhe më të thella. Gjatë rrëfimeve të përbashkëta si bashkësi, shumë persona rrëfenin mëkatet personale dhe Perëndia i falte dhe i pastronte edhe ata. Thellësia e bindjes lëvizte aq fuqishëm gjatë këtij rizgjimi sa që Perëndia u zbuloi shumë personave mëkate të fshehura për një kohë të gjatë, dhe rrëfime të reja vërshonin.
Megjithëse nuk i kishim kërkuar askujt që të rrëfente mëkatet publikisht, Perëndia i prekte personat që t’i rrëfenin mëkatet para të gjithë bashkësisë. Një besimtar tha “Që të mund të jem në rregull me Perëndinë, unë duhet t’i rrëfej mëkatet e mia para tërë Kishës”. Besimtarët rrëfenin mëkate të tmerrshme e të turpshme, disa prej tyre madje të kryera para disa dekadash. Megjithatë, Perëndia falte, pastronte dhe i restauronte besimtarët përpara syve tanë. Dhe gjithçka nisi me bindjen një besimtari të vetëm.
Parimet e rizgjimit
Gjatë kësaj kohe rizgjimi, dhe në periudha të tjera të lutjes, Perëndia filloi të më zbulonte parimet e rizgjimit të vërtetë dhe se si ato lidhen me rizgjimet në Bibël. Në librin e tij “Rigjallërona Përsëri”, Walter Kaiser, Jr. përmend gjashtëmbëdhjetë rizgjime biblike. Ernest Baker, në librin e tij “Rizgjimet e Biblës”, përmend tetëmbëdhjetë rizgjime. Duke i kombinuar të dyja këto burime unë zbuloj nëntëmbëdhjetë rizgjime në Bibël dhe shtova gjithashtu dy parime të tjera të rizgjimit që gjenden në Shkrimin e Shenjtë.
Por lista ime e parimeve nuk është aspak e plotë. Secili kapitull shpjegon një farë parimi që gjendet në një rizgjim biblik dhe të nxit të shqyrtosh jetën tënde në dritën e këtij parimi. Ndonëse do të gjeni një sërë parimesh në shumë rizgjime, unë kam vendosur të përqendrohem vetëm në njërin prej parimeve të çdo rizgjimi. Së bashku me parimet e rizgjimit, përqendrohem gjithashtu te lutja dhe përdorimi i Shkrimit si bazë për lutjet e rizgjimit. Shpresoj që do t’i përdorni lutjet biblike që i kam përfshirë në çdo kapitull dhe madje do të shkoni edhe përtej atyre dhe të shihni se çfarë Perëndia po ngjiz në zemrën tuaj. Kini parasysh se Perëndia e përdor përsëritjen për përforcimin e të vërtetave.
Si të lutesh me vargjet e Shkrimit
Të lutesh me vargjet e Shkrimit do të thotë të lutesh me Fjalën e Perëndisë. Tek Hebrenjve 4:12 thuhet: “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe”. Kur ne flasim dhe lutemi me vargje të Biblës, ne pajtohemi me Perëndinë dhe Ai lëshon fuqinë e tij për t’iu përgjigjur lutjeve tona.
Si të lutemi me vargje apo pasazhe të Biblës? Para se të lutesh, është e rëndësishme që të lexosh kontekstin e pasazhit. Për të përcaktuar kontekstin, merr kohë për të lexuar vargjet para dhe pas pasazhit që dëshiron të përdorësh si bazë për lutjen tënde. Bluaji në mendje që t’i kuptosh sa më mirë.
Pasi të kesh kuptuar kontekstin, atëherë fillo të lexosh apo të recitosh Fjalën e Perëndisë me një shpirt lutjeje. Lëre kuptimin e vargjeve të bëhet lutja jote teksa ato përpijnë mendimet e tua. Ndërsa lexon një fjali ose një frazë, ndalo pak për të medituar, për t’u lutur ose për të lavdëruar. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis nivelit të brumosjes së mendjes sonë prej Shkrimit dhe përgjigjeve që marrin lutjet tona prej Zotit. Te Gjoni 15:7 thuhet: “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t`ju bëhet”.
Ndërsa tek 1 Gjoni 5:14 thuhet: “Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson”. Jo vetëm që Perëndia i dëgjon lutjet tona, por Ai gjithashtu premton se do t’u përgjigjet atyre kur ato janë në përputhje me vullnetin e Tij. Ai nxiton të përmbushë Fjalën e Tij. Nuk mund të jesh më afër lutjes sipas vullnetit të Perëndisë se sa kur lutesh me vargjet e Biblës.
Rodney Smith, një ungjilltar anglez i periudhës së fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, u pyet një herë se çfarë duhej për të filluar një rizgjim. Ai u përgjigj: “Shko në shtëpi, mbyllu në dhomë, dhe ulu në gjunjë në dysheme. Bëj një rreth rreth vetes me një shkumës dhe kërkoji Zotit që të nisë një rizgjim brenda këtij rrethi. Kur Ai t’i përgjigjet lutjes tënde, rizgjimi ka filluar tashmë”2. Oh, sikur ta bënim të gjithë këtë rreth në dysheme dhe të futemi në të.
Lutje biblike për rizgjim
Atë, a nuk do ta rigjallërosh veprën tënde përmes viteve? O Atë, a do të më gjallërosh në mesin e jetës sime? Më trego si të të kërkoj Ty. Mësoje zemrën time që të shkrihet para Teje. Shpoje shpirtin tim që të bashkohem me Ty. Atë, në mes të punëve të shumta të përditshme, më gjallëro. Në emrin e Jezusit, amen.
Mund ta marrësh dhe lexosh librin këtu: https://ibsh.al/product/te-lutesh-me-zjarr/
Mund ta dëgjosh librin këtu: https://ibsh.al/te-lutesh-me-zjarr-audio/ https://youtube.com/playlistlist=PLWiG1BF07Ez0IdNvrELJtycXE6cF6ASOd
https://www.facebook.com/342300439956113/videos/658475561444167