Miq të mirë për kohë të vështira
| 30 Qershor, 2023Miq të mirë për kohë të vështira 2Tim 1:15 – 18
Shumëkush që lexon Biblën dhe mëson për jetën dhe veprën e apostullit Pal me siguri bekohen prej tyre. Jeta, shërbesa dhe dëshmia e Palit lanë gjurmë në jetën dhe shërbesën e atyre që e njohën atë. Pali i shërbeu kishës në Efes për rreth tri vite (Veprat 20:31) dhe Ungjilli u shpall mjaft, kjo edhe përmes shkollës që ai ngriti atje. Ai caktoi në Efes dishepullin e tij, Timoteun, për të shërbyer në një kishë e cila pati një ndikim të madh në botë.
Por për hir të Ungjillit, Pali vuajti ashtu si shumë të tjerë; 2Tim 1.8, 2:9. Ndërsa vuante, ai i besonte Zotit dhe mbahej në premtimet e Tij, por edhe na flet për miqtë që u kujdesën për të në burg, v 16-18, siç ishte familja e Onesiforit. Madje ai përmend edhe ata që e kishin braktisur në ditët e tij më të vështira, v 15. Sa turp që emrat e tyre përmenden në Bibël si braktisës të Palit!
Jeta dhe shërbesa e Palit kishte lënë gjurmë në zemrën e Onesiforit. Me siguri që ai lutej për Palin, i kishte shërbyer në Efes, ai nuk ndaloi me kaq por shkoi në Romë ta gjejë. Ky veprim mund të kishte pasoja për të, për shkak të përndjekjes së madhe ndaj kishës. Ai e dinte se dashuria për të tjerët ishte edhe sakrifikuese. Shpesh të burgosurit në atë kohë ia dilnin në burg me ndihmën e familjes, disa vdisnin nga kushtet e këqija dhe çnjerëzore në burgjet romake. Familja e Palit ishte ajo e besimit dhe Onesifori ishte pjesë e saj dhe nuk pati turp nga prangat e Palit.
Perëndia vetë është miku më i mirë dhe më besnik ndaj bijve të Tij. Ai u kujdes për Palin në ditët e tij të vështira dhe kur Pali u braktis ai dëshmoi se: “Por Zoti më qëndroi pranë dhe më dha fuqi” 2Tim 4:17a. Jezu Krishti kujdeset për bijtë e Tij pasi Ai është besnik me ta dhe Palit i dërgoi Onesiforin për t’u kujdesur për të. Kohët e vuajtjeve mund të na thyejnë dhe të jenë tepër sfiduese për jetën dhe besimin tonë. Ato janë kohë kur ne, ashtu si Pali, duhet t’i drejtojmë sytë tek Krishti që është i mirë e besnik. Kohë për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me dashuri të madhe e të vërtetë siç na ka mësuar Zoti.
Miq të mirë, besnikë, të dashur e të sakrificës janë kaq të nevojshëm edhe sot në kishën e Zotit. Në vende të ndryshme ka përndjekje dhe duhet të lutemi e të kujdesemi për ta. Pastorë, udhëheqës të tjerë me familjet e tyre kanë nevojë për inkurajim, lutje dhe përkujdesje. Po ashtu ka besimtarë të cilët kanë situata të vështira dhe kanë nevojë për lutje, inkurajim dhe përkujdesje praktike. Në kishën shqiptare dhe në vende të tjera kam njohur shumë “Onesiforë” dhe sa bekim që janë ata. Fatkeqësisht kam njohur edhe braktisës e mosmirënjohës si Figeli dhe Hermogeni, v 15, dhe nuk dua të jem si ata.
Por ata si Onesifori kanë lënë gjurmë në jetën dhe shërbesën tonë. Më kanë frymëzuar të kujdesem për të tjerët edhe kur nuk kam shumë për vete dhe i pari ndër ta ishte pastori im Joe Litton. Jam i vetëdijshëm se nuk mund t’ua shpërblej disave prej tyre por lutemi që Zoti do t’u japë hir e mëshirë ashtu siç veproi Pali dhe që Ai do të jetë shpërblyesi i tyre.
Cilët janë një shembull përkujdesjeje për ty? A po lutesh dhe kujdesesh për pastorin tënd ashtu siç bëri Onesifori për Palin? Po për të tjerë nevojtarë në kishë dhe shoqëri? Po ashtu ruaje veten nga sjellja që veç kërkon ndihmë e ankohet por pyet si mund të kujdesem për të tjerët? Ki kujdes nga krenaria dhe mosmirënjohja ndaj atyre që të kanë bërë mirë! Nuk e di çfarë përjetuan ata që e braktisën Palin, por ata që u kujdesën për të provuan se është “Më shumë gëzim të japësh sesa të marrësh” (Veprat 20:35). Për ta u ngritën lutje në qiell dhe na mësojnë të mos mendojmë vetëm për interesin tonë por edhe për interesin e të tjerëve.
Kur kujdesemi për të tjerët e vërteta e Ungjillit zbatohet, nevojat përmbushen, të tjerët marrin zemër, ngushëllohen, frymëzohen të shërbejnë madje edhe me sakrifica. Bota sheh se nuk kujdesemi vetëm për ata që na duan dhe i duam. Ajo sheh një dashuri pa interes, me zemër të pastër, si të Zotit Jezus dhe për lavdinë e Tij. Kur Onesifori u kujdes për të, Pali përveçse u ngushëllua edhe e përjetoi faktin se miqtë e mirë njihen në kohë të vështira.
Zoti bëftë që shumë, ashtu si Pali, të na shërbejnë me Fjalën e Perëndisë dhe ta zbatojnë atë! Zoti bëftë që shumë “Onesiforë” të ngrihen në kishën e Tij mes shqiptarëve! Ai na mbroftë nga fryma e mosmirënjohjes dhe braktisjes ndaj të tjerëve siç ndodhi me Figelin dhe Hermogenin.
E ndërsa u shërbejmë të tjerëve, Ati na mbushtë me gëzim, forcë, dashuri, e na dhëntë hir që ta përmbushim shërbesën e të mos njihet emri ynë por më tepër ai i Krishtit! Amen!
Përgatiti Pëllumb Ranxha
Shumë faleminderit për këtë inkurajim dhe nxitje . Shumë inkurajuese dhe gjithashtu na drejton të fokusohemi në disa drejtime të jemi si Pali apo Onesifori. Të.jemi gjithashtu mirënjohës për ata që.kanë investuar dhe ndikuar në jetën tonë shpirtërore dhe janë.shembuj të gjallë jo vetëm me fjalë por me vepra që flasin më shumë se fjalët . Inkurajuese që të jemi jo vetëm ndikues në.drejtime të ndryshme por edhe të jemi lutësa. Mirënjohëse për ju Pëllumb . Perëndia vazhdoftë të tju përdori sikurse ju ka përdorur deri tani edhe më.shumë .
Faleminderit shumë për mendimet Elona! Lutemi që do të vazhdojmë që të jemi edhe më shumë të tillë duke iu shërbyer të tjerëve siç na ka mësuar dhe urdhëruar Jezu Krishti. Plot bekime!
Me pelqen nxitja per te qene krah njeri tjetrit si nje familje e madhe, por edhe per te qene edhe per te jashtmit si nje deshmi e mire e nje dishepulli te vertete te Krishtit. Gjithashtu dashuria dhe perkujdesja e ndihmojne edhe cuarjen para te ungjillit.
Me pelqen edhe fjalia: “ Po ashtu ruaje veten nga sjellja që veç kërkon ndihmë e ankohet por pyet si mund të kujdesem për të tjerët”.
Faleminderit Sajmir për vlerësimin! Po është e vërtetë që të kujdesemi e shërbejmë është të jesh si Krishti dhe bindje e dashuri për Të. Plot bekime!