Të përgatitesh për një rizgjim personal: Të praktikosh përuljen
| 21 Korrik, 2023
Të përgatitesh për një rizgjim personal: Të praktikosh përuljen
Por kush do të lartësojë veten, do të ulet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet (Mateu 23:12).
Pasazhet nga Shkrimi:
JAKOBI 4:1-4, 6-11
“Nga vijnë luftërat dhe përleshjet te ju? A nuk vijnë, nga qejfet, që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Ju dëshironi dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk arrini gjë; ju përlesheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk lypni. Ju lypni dhe nuk merrni, sepse lypni keqas që të shpenzoni për qejfet tuaja. O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që do të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.
Por ai jep hir më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve”.
Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të arratiset prej jush! Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe shenjtëroni zemrat, o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!
Mos flisni keq për njeri-tjetrin, vëllezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e tij, flet keq kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës”.
Të praktikosh përuljen
Në pasazhin më të famshëm mbi rizgjimin, tek 2 Kronikave 7:14 na thuhet që të përulemi dhe të lutemi. Përulja është kërkesa e parë për një rizgjim shpirtëror. Nëse refuzon të përulesh, as nuk do të lutesh si duhet. Përulja e vetes është kritike për rizgjimin. Është një akt nënshtrimi ndaj sundimit të Jezu Krishtit. Është një akt dorëzimi i të drejtave tona ndaj Perëndisë. Është një akt besimi dhe bindjeje ndaj Frymës. Rezultati përfundimtar do të jetë nënshtrim edhe ndaj të tjerëve.
William Temple, kryepeshkopi i Kantërbërit gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore ka thënë: “Përulje nuk do të thotë të mendosh më pak për veten se sa për të tjerët, dhe as të kesh një mendim të ulët ndaj dhuntive të tua. Do të thotë liri nga të menduarit për veten, në një mënyrë apo në një tjetër”. 41 Sot në botë, kemi një krizë uniteti, për shkak të mungesës së përuljes. Krenaria e bën të vështirë që njerëzit të punojnë së bashku sepse çdo njeri bën atë që i duket e mirë në sytë e tij. Secili dëshiron të jetë bosi, dhe asnjeri nuk do që të jetë një punëtor i thjeshtë. Një nga arsyet kryesore pse martesat dështojnë sot është pikërisht mungesa e përuljes midis bashkëshortëve. Kishat gjithashtu kanë konflikte të brendshme për shkak të mungesës së përuljes. Një nga nevojat tona më të mëdha është përulja.
Çfarë do të thotë të jesh i përulur? Në greqisht, do të thotë “të jesh në një gjendje të ulët” dhe “t’i shohësh të tjerët më lart se vetja”. Fjala në greqisht “tapeinoo” do të thotë literalisht “të sheshosh një mal ose kodër”. Njerëzit e përulur janë ata që nuk i kanë këto “kodrat” dhe nuk janë mbushur me arrogancë e krenari.
Nëse nuk e praktikojmë çdo ditë përuljen, atëherë ne nuk jemi afër rizgjimit. Të mos e praktikosh përulësinë do të thotë se jemi duke praktikuar krenarinë, të cilën Perëndia e urren. Te Jakobi 4:6 thuhet: “”Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve”. Bibla na urdhëron që të përulemi. Po si mund të përulesh? Përulja është një zgjedhje që bëjmë. Ti mund të zgjedhësh që të jesh i përulur, ose mund të lësh Perëndinë që të të përulë. Të zgjedhësh që të jesh i përulur është ajo që ne duhet të bëjmë.
Nënshtrimi në veprim dhe qëndrim ndaj Perëndisë është mënyra se si përulemi para Perëndisë. Ne ia nënshtrojmë veten dhe stilin tonë të jetesës Fjalës dhe vullnetit të Perëndisë. Prandaj, unë i nënshtroj Perëndisë kohën, burimet, financat, talentet dhe aftësitë e mia. Përulja ndaj Perëndisë do të shihet ndërsa i nënshtrohem udhëheqjes që Ai ka vendosur në Kishën time lokale. “Dëgjoni udhëheqësit tuaj dhe bindjuni atyre, sepse ata rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi” (Hebrenjve 13:17). Ndërsa përulem, unë duhet të kem një qëndrim falënderimi dhe gëzimi. Unë jam besnik ndaj trupit të Krishtit, Kishës lokale dhe jam i gatshëm për të shërbyer. Ne nuk mund t’i nënshtrohemi Perëndisë dhe të përulemi para Tij pa ia nënshtruar jetën tonë Shkrimit. Ne nuk mund të zgjedhim se si do t’i bindemi Perëndisë. Ne nuk mund t’u shërbejmë Kishave tona sipas qejfit dhe në të njëjtën kohë të jemi të nënshtruar dhe të përulur para Perëndisë.
Përulja e vërtetë i përgjigjet udhëzimit hyjnor dhe pastaj bindet. Kurse përulja e rremë merr një qëndrim të përulur nënshtrimi vetëm nga ana e jashtme por nuk bindet. Jakobi 4 na tregon dy mëkate që e shkatërrojnë përuljen. Njëri është përdorimi i fjalëve për të folur keq ndaj të tjerëve dhe për të qenë gjykues (Jakobi 4:11). Të duket vetja sikur je më i mirë se të tjerët. Kurse mëkati tjetër është arroganca, që do të thotë të kesh një shpirt mendjemadh apo arrogant (Jakobi 4:13-16). Përsëri, ti pandeh se je më i mirë se të tjerët.
Kur përulja nuk gjendet në jetën tënde, atëherë ti nuk mund t’i afrohesh Perëndisë ose ta adhurosh Perëndinë, dhe rizgjimi nuk mund të vijë. Nënshtrimi ndaj Perëndisë është akti i përuljes së vetes sonë ndaj Perëndisë. Kur përulemi, Perëndia do të na ngrejë. Por edhe kur Perëndia na ngre, është për lavdinë e Tij. Kur Perëndia na përul, ne do të përulemi me të vërtetë. Përulja është zgjedhja jonë.
Kur ne i nënshtrohemi vullnetarisht Perëndisë me besim, Bibla premton se djalli do të arratiset prej nesh. Nëse djalli nuk largohet prej jush, atëherë pyeteni veten nëse i jeni nënshtruar me të vërtetë Perëndisë. A ka ndonjë sferë në jetën tënde që nuk ia ke dhënë Jezu Krishtit? Rizgjimi kërkon përulje.
Në planin personal
Kur Perëndia po lëvizte, Kisha jonë takohej çdo ditë për dyzetë ditë në shërbesa të vazhdueshme rizgjimi. Ishte e vështirë të përfundoje shërbesat e përditshme. Gjëja më e afërt me të cilën mund ta krahasoj është kur dikush vendos të agjërojë për një kohë të gjatë, dhe për ditë dhe javë të tëra vendos që të mos hajë asgjë, por vetëm të kërkojë Perëndinë. T’i japësh fund një periudhe të gjatë agjërimi është e vështirë, por duhet të bëhet patjetër sepse ndryshe vdes. Kur e ndalon agjërimin, ke atë ndjenjën e humbjes së intimitetit.
Kur duhet t’u jepja fund takimeve tona të vijueshme, unë duhej të dëgjoja Perëndinë të më fliste. Pas dyzetë ditësh, e dija se kishim përmbushur atë që Perëndia donte. E dija këtë në zemrën time sepse që nga dita e njëzetenjëtë, e kisha kërkuar vullnetin e Perëndisë mbi mënyrën dhe kohën e mbylljes së takimeve.
Perëndia më vuri në mendje që duhet të kishim një shërbesë të larjes së këmbëve. Nuk e njoftova këtë që më parë, sepse nuk ishte një praktikë tipike për Kishën, megjithëse është biblike. Vura njëzetë legenë përreth altarit, bashkë me disa peshqirë. Pastaj u shpjegova se çfarë do të bënim. Lexova pasazhin te Gjoni 13 kur Jezusi u lan këmbët dishepujve të tij. Kërkova prej tyre, që nëse do të vendosnin të merrnin pjesë, duhet t’i luteshin Perëndisë se këmbët e kujt do të lanin. I udhëzova që më parë, të merrnin pëlqimin e personit të caktuar. Nëse personi do të binte dakord, i’u kërkova që ndërsa i lanin këmbët atij, të luteshin për të.
Pas një periudhe lutjesh përreth altarit, njerëzit filluan t’u lanin këmbët njëri-tjetrit dhe të gjithë morën pjesë. Bashkëshortët u lanë këmbët bashkëshorteve të tyre, dhe këto të fundit u lanë këmbët bashkëshortëve të tyre. Burrat u ulën dhe filluan të lanin këmbët e burrave të tjerë. Shumë njerëz erdhën për të më larë këmbët. Por çuditërisht, unë zbulova se ishte më e lehtë që të laja këmbët e një tjetri se sa të më lanin këmbët. Pse? Për shkak të krenarisë. Është gjithnjë më e lehtë të bësh diçka për të tjerët se sa dikush të bëjë diçka për ty. Ky është rreziku i madh i të bërit të gjërave; futet krenaria. Duhej të pendohesha për krenarinë time. E falënderova Perëndinë që ma tregoi këtë dhe i kërkova falje.
Një familje kishte marrë pjesë në çdo shërbesë. Ata ishin të varfër, vishnin rroba të vjetra dhe shpesh vinin erë e keqe. Pashë njërin nga besimtarët më të perëndishëm në Kishën tonë, që ishte edhe biznesmen në komunitetin tonë, të shkonte te burri i leckosur. Po e shikoja kur ai i kërkoi që t’i lante këmbët dhe e pashë kur ia hoqi këpucët dhe çorapet. I mrekulluar, e pashë teksa ia lau këmbët këtij njeriu të varfër, të palarë e që vinte erë të keqe, dhe kur u lut për të. Perëndia e përdori këtë skenë për të më sëmbuar zemrën, duke më thënë: “Po ti pse nuk e ke bërë këtë ndaj këtij personi?” Qava ndërsa iu binda Perëndisë.
Jezusi dëshiron të na lajë këmbët, por ashtu siç kundërshtoj të tjerët për të më larë këmbët, ashtu mund t’i rezistoj edhe Krishtit që të më lajë. E vetmja mënyrë që do të mund të jemi të përulur para Perëndisë është kur jetojmë përulësisht para të tjerëve. Vetëm kur jetojmë në përulje e lëmë Krishtin të jetojë në ne dhe të shërbejë përmes nesh.
Mos lejo që rizgjimi të ndodhë afër teje, dhe ti vetë të mos përfshihesh prej tij. Lëre që të ndodhë edhe në ty. Përulu, lutu, kërko fytyrën e Perëndisë dhe largoju çdo gjëje që nuk i ka hije Krishtit. Perëndia do të dëgjojë dhe do të përgjigjet, dhe rizgjimi do të vijë.
Pasazhe të tjera biblike mbi të praktikuarit e përuljes
Levitiku 26:40-41; Fjalët e Urta 16:19; 29:23; Isaia 57:15; Mateu 18:4; 1 Pjetrit 5:5-6.
Lutje biblike për rizgjim
O Atë gjithnjë i pranishëm, unë vij para Teje duke të kërkuar që të lëvizësh në një rizgjim në mes të popullit Tënd. Më mëso, tani, që të ndalem dhe të pres për Ty. Ma bëj të qartë sa shumë kohë po i jap kënaqësive të mishit dhe më trego ndonjë qejf që nuk të pëlqen ty (Jakobi 4:1-3). A jam, o Zot, mik i botës? A merrem më shumë me veprimtaritë sociale se sa me të shpenzuarit e kohës duke të kërkuar dhe shërbyer Ty (v.4)?
O Atë, unë duhet të heq dorë çdo ditë nga krenaria dhe të vendos për të jetuar në përulje. Më ndihmo të dalloj mundësitë që Ti dërgon për të praktikuar përulje, sidomos me bashkëshortin apo bashkëshorten (v.6).
Ekspozo në mua ndonjë sferë ku nuk të jam nënshtruar dhe më trego se ku jetoj në mosbindje ndaj Fjalës Tënde. Më lejo që të sjell çdo gjë që jam para Teje. O Atë, më ndihmo që të jem i zgjuar ndaj metodave që përdor djalli dhe ta kundërshtoj atë me besim. Më trego se ky kundërshtim lidhet gjithnjë me nënshtrimin ndaj Teje dhe Fjalës Tënde (v.7).
Mos më lejo që të pushoj kur i lë vend djallit në jetën time. Ekspozoma krenarinë time. Më lër të kuptoj se sa e urren krenarinë dhe i kundërshton mendjemëdhenjtë. Më pastro nga krenaria, krenaria për aftësitë, pamjen time të jashtme, arritjet e mia, familjen dhe zotërimet e mia (v.6).
Më laj, o Zot. Më lër të vij tek Ty me duar të pastra, duke qenë në rregull me Ty nga jashtë, dhe me një zemër të pastër, duke qenë në rregull nga brenda në të gjitha motivet e mia. Më mbush sërish me Frymën e Shenjtë dhe le të të pasqyroj Ty. Le ta njoh lartësimin Tënd dhe të të lavdëroj Ty (v.8).
Atë, të lutem për rizgjim. Ti ke premtuar në Fjalën Tënde se “Po të përulemi dhe të lutemi” Ti do të përgjigjesh. Le ta kuptojë Kisha Jote nevojën e madhe të përuljes. Le të kuptojmë nevojën e madhe të kësaj ore. Le të përulem dhe të të thërras që të vish në rizgjim (v.10). Le të shfaqet përulësia në mua dhe në popullin Tënd. O Zot, kemi nevojë për Ty në këtë orë e në këtë çast. Eja, o Zot, me fuqinë e rizgjimit. Na pastro dhe na ripërtëri. Në emrin e Jezusit, amen.
Pyetje për reflektim
1. Cilat veprime specifike ke ndërmarrë për t’u përulur para Perëndisë?
2. Kur ka qenë hera e fundit që ke pranuar dobësinë tënde ose dështimet e tua para një personi tjetër? Kujt ia ke rrëfyer dhe çfarë ke ndarë me të?
3. Në ç’mënyra tundohesh për të marrë duartrokitjet e botës ose të njerëzve?
4. Si përlëvdohet Krishti në jetën tënde?
5. Përulja është një zgjedhje që duhet të bëjmë çdo ditë. Cilat mund të jenë disa mënyra se si mund të jesh i sigurt se po e praktikon përuljen me të tjerët? Me fjalët e tua? Kur i jep makinës? Apo me bashkëshortin ose bashkëshorten?
6. Çfarë është duke të thënë Perëndia sot?
7. Krenaria kultivohet shpesh në kulturën tonë. Si mund ta trajtosh këtë kur Shkrimi na bën thirrje për përulje?
Mund ta dëgjojme AUDIO këtu: https://ibsh.al/te-lutesh-me-zjarr-audio/ https://youtube.com/playlist?list=PLWiG1BF07Ez0IdNvrELJtycXE6cF6ASOd https://www.facebook.com/342300439956113/videos/658475561444167