Hyjësia e Krishtit
| 22 Maj, 2023DJ-të, meqenëse e mohojnë Trininë (shih tek kapitulli 6), nuk besojnë se Jezui, Biri Perëndi, ka ekzistuar që nga përjetësia, por thonë që Ai ishte një krijesë e Atit Perëndi. Ata thonë se Perëndia Jehova krijoi së pari perëndinë Jezu. Kjo, sigurisht që është e gabuar, por ata përpiqen ta mbështesin këtë në fraza të tilla si p.sh. te Kol. 1:15 ku thuhet se Krishti është i parëlinduri mbi gjithë krijimin. Ata e interpretojnë në mënyrë të gabuar fjalën “i parëlindur” duke thënë se ajo ka kuptimin “gjëja e parë e krijuar”; mirëpo fjala “i parëlindur” në Shkrimet nuk ka të bëjë aspak me krijimin apo me të qenët i krijuar, por flet në fakt për “një përparësi në pozitë, një pozitë sunduesi, një pozitë autoriteti”. Fjala është “i parëlindur” dhe jo “i parëkrijuar”! (Shih tek Rom. 8:16-17,29 për të parë kuptimin e vërtetë të fjalës “i parëlindur”).
Ata përpiqen gjithashtu që më kot të argumentojnë këtë ide me atë që thuhet te Fjalët e Urta 8:22-26, ku e shikojmë Krishtin si personifikimin e urtësisë së Perëndisë. Ata, duke u nisur nga v22, thonë se Krishti duhet të ketë pasur një fillim, d.m.th. Ai është krijuar. Por folja hebreje “më kishte ndë kryet” [sipas përkthimit të vjetër të Kristoforidhit] (ose, “më zotëroi” sipas përkthimit Diodati i Ri), ka kuptimin “më lindi” (në anglisht “begat”), jo “më krijoi”. Këtu ata bëjnë edhe dy gabime të tjera: së pari, para krijimit të botës nuk ekzistonte koha, por përjetësia, prandaj Krishti duhet të jetë që nga përjetësia si në v23 (dhe kështu jo i krijuar, por, në lidhje me faktin e mësipërm që u lind, i lindur nga përjetësia – shih edhe te Gjoni 1:18); dhe së dyti, nëse ata thonë që Krishti është personifikimi i urtësisë së Perëndisë dhe se Ai kishte një fillim, ata duhet që logjikisht edhe të thonë se Perëndia nuk kishte urtësi nga përjetësia dhe iu desh të krijonte urtësinë e Tij. Sigurisht që ky është një budallallëk trashanik.
Nëse Perëndia nuk pati urtësi që nga përjetësia, atëherë Ai thjesht nuk është Perëndi!
DJ-të thonë disa gjëra që tregojnë se ata besojnë që Jezui është princi kryeengjëll, Mikaeli, që përmendet te Danieli dhe Juda 9. Në revistën e tyre Kulla e Rojës të datës 1 maj 1994, në faqen 6 thuhet: “Libri i Zbulesës shpjegon: «Pastaj në qiell shpërtheu një luftë: Mihaeli [Jezu Krishti i ringjallur] dhe engjëjt e tij…»”. Por kjo është e pamundur pasi engjëjt nuk mund të adhurohen, vetë ata thonë se vetëm Perëndia mund të adhurohet (Zbul. 22:8,9) kurse ne shohim se Jezui u adhurua dhe e pranoi adhurimin (shih te kapitulli 11); gjithë engjëjt e Perëndisë urdhërohen që të adhurojnë Krishtin (Heb. 1:6). Kështu, si mund të jetë Jezui Mikaeli? Jezui është më i madh se engjëjt (Heb. 1:4-6) dhe kështu, më i madh edhe se Mikaeli.
Ka shumë thënie në Bibël të cilat na flasin qartë për hyjësinë e Jezu Krishtit, d.m.th. që na tregojnë hapur se Ai ishte Perëndia i shfaqur fizikisht, apo që Ai ka natyrë hyjnore. Le t’i shohim ato me radhë.
Isaia 9:5 “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”.
Gjithë mësuesit e Biblës dhe në të vërtetë edhe vetë DJ-të bien dakord në atë që ky varg i referohet Jezu Krishtit. Fjalët e tij janë të qarta: “Perëndi i fuqishëm”. Këtu Jezu Krishti quhet Perëndi. Vini re që Ai nuk quhet një perëndi por Perëndi d.m.th. Perëndi në kuptimin më të plotë të fjalës. DJ-të përpiqen t’i shmangen kuptimit të këtij vargu duke thënë se Ai quhet i fuqishëm dhe jo i gjithëfuqishëm dhe se për këtë arsye nuk mund të themi se e quan Jezuin Jehova. Po vallë, sa Perëndi ka? Një apo dy? Sa Perëndi kanë DJ-të? Mos vallë janë politeistë?
I pari dhe i fundit
Ky është një nga emrat e Perëndisë në DhV-në që gjendet tek Isaia 44:6. Jehova është i Pari dhe i Fundit (“dhe përveç meje nuk ka Perëndi”). Është më se e qartë që vetëm Perëndia mund ta quajë veten kështu. Sidoqoftë, shohim se Jezui e përdor pikërisht këtë titull për veten e Tij tek Zbul. 1:17 dhe 22:13. Gjithashtu tek Zbul. 1:8 Zoti Perëndi e quan veten Alfa dhe Omega. Përsëri, Jezui i referohet vetes së Tij në të njëjtën mënyrë tek Zbul. 22:13. Kjo na tregon mjaft qartë se Jezui është Perëndi.
Gjoni 8:54-59
Vini re mënyrën se si shprehet Jezui në këto vargje: “para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”. Jo “unë isha” por “unë jam”. Nënkuptimi këtu është ky se Jezui po i referohej vetes si UNË JAM-i i Eksodit 3:14 d.m.th. si Jehovai. Dhe pikërisht kjo ishte edhe mënyra si judenjtë e kuptuan. Prandaj donin ta vrisnin me gurë për blasfemi.
Pati një ngjarje të ngjashme me këtë te Gjoni 10:30-33. Jezui bëri një deklaratë që u interpretua nga judenjtë se Ai po e quante veten Perëndi, interpretim të cilin Ai nuk e mohoi. Kështu ata u përpoqën ta vrisnin me gurë duke thënë: “të vrasim me gurë… për blasfemi, sepse ti duke qenë një njeri, e bën veten Perëndi”.
Nëse judenjtë e kishin gabim në kuptimin e fjalëve të Tij në këto dy raste, patjetër që Jezui do ta kishte mohuar dhe do të kishte thënë që nuk i kishte thënë ato fjalë me këtë kuptim. Vërtet, kur shohim përshkrimin e kryqëzimit, kuptojmë se arsyeja e shfaqur për të cilën judenjtë e donin Jezuin të kryqëzuar ishte ngaqë Ai e kishte pohuar se është hyjnor (Mateu 26:63-66). Shih gjithashtu edhe një ngjarje tjetër të ngjashme te Gjoni 5:16-18.
Zoti drejtësia jonë (JEHOVAI TSEDAKA) (Jer. 23:5-6)
Përsëri, gjithë mësuesit e Biblës bien dakord se ky varg i referohet Jezu Krishtit. Ai është Filizi i premtuar i Shkrimeve të DhV-së (Isa. 4:2; 11:1-3; Jer. 23:5; 33:15-16; Zek. 3:8-9; 6:12). Shih emrin që i jepet Jezuit këtu – Jehovai Tsedaka. Kjo është mjaft e qartë dhe e pamohueshme. Unë vetë nuk kam gjetur asnjëherë një DJ që mund të ma shpjegojë këtë. Nëse Jezui nuk ishte Perëndia i trupëzuar, atëherë pse këtu quhet Jehova?
Emanuel
Ky është emri që gjejmë për Jezuin te Mat. 1:23 që është një përmbushje e profecisë tek Isa. 7:14. Përsëri një referencë shumë e qartë. Jezui quhet Emanuel që do të thotë Perëndia me ne. Jezu Krishti ishte Perëndia i trupëzuar në mish.
Biri është vula e qenies së Perëndisë
Ka disa fjalë shumë të rëndësishme që i gjejmë te Hebrenjtë 1 mbi këtë çështje. Që në kapitujt e parë të Hebrenjve shkruesi u tregon lexuesve të letrës se kush është Jezui. Ai është më i madh se profetët (1:1-2); Ai është më i madh se engjëjt (1:4-14); Ai është më i madh se Moisiu i DhV-së (3:1 e në vazhdim) etj.
Vini re që te 1:8 Ati Perëndi i thotë Birit: “Froni yt, O Perëndi…” Ati Perëndi këtu e quan Birin (d.m.th. Jezuin) Perëndi! Kjo është një deklaratë e pamohueshme që na tregon se Jezui është Perëndi! Gjithashtu, në vargun 3 thuhet që Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë dhe vula e qenies së Tij. Në vargun 6 shtohet se Ati Perëndi urdhëron engjëjt ta adhurojnë Jezuin. Vetëm Perëndisë i takon adhurimi. Ç’vargje më të sakta se këto të Hebrenjve mund të gjejmë që të na tregojnë hyjësinë e Krishtit? Këtyre mund t’u shtojmë ato që tha Jezui te Gjoni 12:45: “Kush më sheh mua sheh atë që më ka dërguar”, dhe te Gjoni 14:7,10: “Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim… A nuk beson se unë jam në Atin dhe Ati është në mua?”
Shëmbëllesa e Perëndisë të padukshëm
Te Kol. 1:15 Krishti përshkruhet si “shëmbëllesa e Perëndisë të padukshëm” d.m.th. Ai është zbulesa e plotë e gjithçkaje që Perëndia është. Ç’është Perëndia, është edhe Krishti. Nëse duam të dimë si është Perëndia, le të shohim Krishtin! Pali vazhdon me këtë te Kol. 1:19 ku thotë se “Perëndisë i pëlqeu që gjithë plotësia e Tij të banonte në Krishtin” dhe te Kol. 2:9 ai vazhdon të thotë se “tek Krishti banon gjithë plotësia e Hyjnisë”.
Gjoni 1:1,14
Gjoni 1:1 na tregon mjaft qartë se Krishti është Perëndi. Krishti na përshkruhet si Fjala: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi”. Siç e kemi përmendur edhe në një vend tjetër, i vetmi përkthim i saktë i frazës së fundit të këtij vargu sipas studjuesve më të njohur të Biblës është Fjala ishte Perëndi. Asnjë thënie nuk mund të jetë më e qartë se kjo që të na tregojë se Jezui është Perëndi, por është pikërisht ky vargu që DJ-të e ndryshojnë qëllimisht në përkthimin e tyre për ta bërë atë të thotë se Jezui nuk është Perëndi, por vetëm “një perëndi”. Gjoni 1:14 pason për të thënë se “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne”. Pra është e qartë se Krishti është Perëndia i trupëzuar në mish; Perëndia, në Krishtin, u bë njeri; Krishti është Perëndi-njeriu.
Gjoni 20:28 “Zoti im dhe Perëndia im”
Kjo është thënia e famshme e Thomait, ajo që ai i tha Krishtit pas ringjalljes. Thomai e adhuron Atë si Zotin e tij dhe Perëndinë e tij. Vini re që Jezui këtu nuk i refuzon fjalët e Thomait dhe as i thotë se kjo që ai po thotë nuk është e vertetë, gjë që do ta kishte bërë nëse ato do të ishin vërtet të pavërteta.
Jezui është Jehova
Mund të shohim, duke krahasuar disa vargje të DhV-së me disa nga vargjet e DhR-së, se Jezuit i atribuohen disa fakte, emra dhe tituj që i atribuoheshin Jehovait në DhV-në, gjë kjo që vërteton hyjësinë e Krishtit.
Tek Isaia 44:6, Jehovai quhet i Pari dhe i Fundit. Por shohim që Jezui thotë për veten e Tij se është i Pari dhe i Fundit te Zbulesa 22:13. Tek Isaia 9:5, Jezui quhet Perëndi i fuqishëm; tek Isaia 10:20-21 Jehovai quhet Zot i fuqishëm.
Tek Isaia 43:11 Jehovai thotë: “përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër”; po a del kështu se Jezui nuk është Shpëtimtari i botës? Jehovai thotë te Zak. 12:10 se Ai do të theret. A nuk ishte Jezui Ai që u ther mbi kryq?
Ashtu siç dihet mjaft mirë, te Gjoni 10:11,14 Jezui tha se Ai vetë ishte Bariu i vërtetë i popullit të Perëndisë. Por pasazhe të tilla në DhV-në si: Psalmi 23:1, Isaia 40:10,11 dhe Ezekieli 34:11-16 thonë se Jehovai është Bariu i popullit të Perëndisë.
Tek Isaia 43:10 thuhet se besimtarët do të jenë dëshmitarët e Jehovait, por tek Veprat 1:8 thuhet se besimtarët do të jenë dëshmitarët e Jezuit.
DJ-të i kanë sjellë problem vetvetes në përkthimin që i kanë bërë Gjonit 17:11,12 te BR-ja e tyre. Edhe pse përkthime të ndryshme i japin në mënyra paksa të ndryshme këto fjalë – disa versione thonë se Ati ia dha dishepujt Jezuit dhe të tjerë thonë se Ati i dha emrin e Tij Jezuit – DJ-të vetë, në BR-në e tyre, i kanë përkthyer këto fjalë në mënyrën e dytë d.m.th. që Ati i jep emrin e Tij Jezuit. Ja se çfarë thotë BR-ja e tyre: “O Atë i shenjtë, ruaji ata për hesap të emrit tënd të cilin ma ke dhënë mua… Kur isha me ta i kam ruajtur për hesap të emrit tënd që ti ma ke dhënë…”. Sigurisht, për të krishterët, që besojnë në Trininë, kjo çështje ka pak rëndësi (sepse Jehova është emri i Trinisë dhe, për këtë, emri i çdonjërit nga Personat e Trinisë); por për DJ-të, që nuk besojnë në Trininë, kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Ata thonë se Jezui nuk është Jehovai, por këtu, sipas tyre, Ati i jep emrin e Tij, Jehova, Jezuit. Kështu, Jezui është Jehovai sipas vetë versionit të tyre të Biblës!
Tek Isaia 45:23-24 thuhet se Perëndia është betuar se çdo gju do të përkulet para Tij dhe çdo gjuhë do të betohet për Të. Pali e merr këtë frazë nga DhV-ja dhe e përdor atë për Jezu Krishtin te Fil. 2:10-11 kur thotë se çdo gju do të përkulet dhe çdo gju do të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.
Tek Isaia 44:6,8; 45:6,14,21, Jehovai thotë se Ai është Perëndia i vetëm dhe se përveç Tij nuk ka Perëndi tjetër. Atëherë, çfarë jemi të detyruar të themi për doktrinën e DJ-ve që thotë se Jezui është “një perëndi” i krijuar prej Jehovait? Është mjaft e thjeshtë; kjo do të thotë se ata janë duke kundërshtuar DhV-në dhe se janë politeistë! Ata besojnë në dy Perëndi.
Natyra e dyfishtë e Krishtit
DJ-të nuk mund të konceptojnë që Jezui është Perëndi për shkak të racionalizmit të tyre. Ata duan të kuptojnë gjithçka me limitet e kufizuara të mendjes së tyre dhe, meqë ata nuk mund ta kuptojnë Trininë (shih tek kapitulli 6) apo ta pranojnë se Jezui është Perëndi
Biri, atëherë ata thjesht i mohojnë të dyja këto dhe kështu mohojnë gjithë thëniet tepër të qarta të Biblës, të cilat i përmendëm më sipër.
Në përpjekje për ta mohuar hyjësinë e Krishtit, DJ-të u referohen gjithë vargjeve që flasin për natyrën njerëzore të Krishtit apo atyre vargjeve ku Jezui tha se Ati ishte më i madh se vetë Ai, dhe pastaj pyesin se si mund të jetë Jezui Perëndi. Kjo thjesht tregon se DJ-të nuk kanë arritur të kuptojnë aspak faktin që Krishti kishte dy natyra. Kjo është arsyeja pse ne flasim për natyrën e dyfishtë të Krishtit.
“[Krishti], edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit…” (Fil. 2:6-7).
Këto janë vargje shumë të rëndësishme për të kuptuar kush është Jezui në natyrën e Tij. Ai përshkruhet se është “në trajtë Perëndie” dhe në vargun tjetër se mori “trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit”. Kjo na tregon qartë për natyrën e dyfishtë të Krishtit d.m.th. se Ai i ka të dyja, natyrën hyjnore dhe atë njerëzore. Ai kishte natyrën hyjnore dhe veshi edhe natyrën njerëzore. Prandaj dhe Bibla flet për të si Perëndi dhe si njeri. Ka ato vargje që flasin për hyjësinë e Tij, vargje të cilave iu referuam më sipër, por ka edhe shumë vargje që na flasin për natyrën e Tij njerëzore.
Për shembull, tek 1 Timoteu 2:5 flitet për “Krishtin Jezu njeri”. Në ungjijtë e shohim Jezuin shumë herë të hajë, të pijë, të jetë i lodhur, të jetë duke fjetur; Ai u rrit dhe u bë zdrukthëtar; Ai kishte mish e kocka etj. Natyra njerëzore e Krishtit, siç tregohet në Shkrimet, është e pakundërshtueshme. Në fakt, nëse Krishti nuk do të kishte pasur natyrë njerëzore, d.m.th. nëse Ai nuk do të kishte qenë njeri i vërtetë, atëherë Ai nuk mund t’i shlyente mëkatet tona. Flijimi i Tij do të kishte qenë i pavlerë për ne. Si njeri Ai mori ndëshkimin që ishte për ne si njerëz, në mënyrë që ne si njerëz të mërrnim faljen (Heb. 2:14-18, 1 Tim. 2:5) – zëvendësim! Po kështu, nëse Ai do të kishte qenë vetëm njeri, flijimi i Tij zëvendësues do të kishte pasur vlerë vetëm për një njeri, por fakti që Ai kishte edhe natyrë hyjnore do të thotë që flijimi i Tij ka vlera pajtuese për gjithë njerëzit. Gjithë njerëzit që besojnë mund të falen sepse zemërimi i Perëndisë për mëkatin u shua krejtësisht për arsye të vdekjes së Krishtit. Krishti mbajti mëkatet e gjithë njerëzve (Isa. 53:4-6,12).
Kështu gjithë vargjet dhe fjalët që Jezui tha gjatë jetës së Tij tokësore, duhet të kuptohen në dritën e këtij fakti, që Ai kishte dy natyra, jo thjesht një. Ai gjithmonë flet si Perëndi-njeriu. Kështu, shumë nga fjalët e Tij mund të kuptohen në dritën e natyrës së Tij njerëzore dhe shumë të tjera në dritën e natyrës së Tij hyjnore. Ai mund të fliste për Atin si “Perëndia i Tij”; Ai mund t’i lutej Atit dhe ta adhuronte Atë çdo ditë; Ai mund të thoshte se Ati ishte më i madh se Ai; por gjithashtu Ai edhe mund të bënte deklarata të qarta për hyjësinë e Tij që judenjtë kërkonin ta vrisnin me gurë për shkak të atyre që thoshte; Ai mund të thoshte se Ai dhe Ati ishin një; Ai mund të thoshte se gjithkush që kishte parë Atë, kishte parë Atin, e kështu me radhë.
Nëse DJ-të nuk duan ta pranojnë faktin që Jezui është Perëndi-njeriu, d.m.th. Perëndia i trupëzuar në mish, detyrohemi ta bëjmë pyetjen: “Çfarë është Krishti atëherë? d.m.th. çfarë lloj krijese është Ai?” Ai është “një perëndi” thonë DJ-të, duke iu referuar Gjonit 1:1 në versionin e tyre (fals) të Biblës (shih te kapitulli 3). Por çfarë duan ata të thonë me këtë? Çfarë është “një perëndi”? Dhe si ky “perëndi” u bë njeri 2.000 vjet më parë? Kur u bëhen këto pyetje, DJ-të nuk dinë si të përgjigjen.
Dhe vërtet, mund të shkojmë edhe më tej. Nëse Jezui është “një perëndi”, atëherë sa Perëndi apo perëndi ka? DJ-të besojnë në 2 perëndi. Njërin ata e quajnë Jehova (d.m.th. Ati Perëndi) dhe tjetrin Jezu (një “perëndi”). DJ-të qenkan politeistë! Për çudi, ata e mohojnë të vërtetën e Isaias 43:10 (pikërisht të atij vargu prej të cilit ata marrin edhe emrin e tyre!): “Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër”. Ka vetëm një Perëndi, i cili ka ekzistuar qysh nga përjetësia si një Trini; Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë (shih tek kapitulli 6). Jezu Krishti ishte Perëndia i trupëzuar në mish si Perëndi-njeriu.
Për më tepër, ashtu siç e pamë edhe më sipër, nëse Krishti nuk kishte të dyja natyrat, edhe atë hyjnore edhe atë njerëzore, atëherë është e pamundur që ne të shpëtohemi. Shlyerja ishte e mundur vetëm ngaqë Krishti i kishte të dyja natyrat. KJO ËSHTË NJË ÇËSHTJE SHUMË E RËNDËSISHME! Nëse DJ-të besojnë se Krishti nuk kishte natyrë të vërtetë njerëzore, atëherë është e pamundur që ata të shpëtohen, pasi ai duhej të vdiste si njeri për mëkatet; dhë nëse nuk besojnë se Ai kishte natyrë hyjnore, po ashtu atëherë është e pamundur që ata të shpëtohen pasi flijimi i Tij do të kishte vlerë vetëm për një njeri!
Çfarë lloj shlyerje mund të bëhet prej “një perëndie” që nuk ka as natyrë të vërtetë njerëzore dhe as natyrë të vërtetë hyjnore? Mjaft thjesht përgjigjja është kjo: ASNJË shlyerje nuk mund të bëhej që ta shuante zemërimin e Perëndisë mbi mëkatin dhe të sillte shpëtim për gjithë ata që besojnë! Nëse Jezu Krishti nuk ishte Perëndi-njeriu, atëherë ne të gjithë mbetemi në mëkatet tona dhe nuk ka asnjë shpëtim për asnjërin prej nesh! DJ-të nuk kanë një Shpëtimtar i cili mund t’i shpëtojë vërtet prej zemërimit të Perëndisë! E vetmja gjë që u mbetet atyre është një fe për shpëtim me anë të veprave, në të cilën ata duhet të përpiqen dhe të mundohen për të fituar shpëtimin e tyre! DJ-të gabojnë kur mendojnë se Jezui është “një perëndi” – kjo është një doktrinë e gabuar dhe e pavlerë që nuk mund t’i shpëtojë, por që thjesht i dënon për të kërkuar shpëtimin me anë të forcave të tyre. Mjerë ata!
Për të mësuar më shumë për këtë temë lexoni librin e plotë në: https://ibsh.al/product/pergjigjet-per-deshmitaret-e-jehovait/