T’I THËRRASËSH PERËNDISË
| 11 Qershor, 2026
Lexoni Eksodi 2:1-25
Ai i numëroi delet edhe një herë dhe sërish i doli i njëjti numër. Më mungon një, mendoi Moisiu. Qengji që lindi vetëm pak javë më parë, rri gjithmonë me nënën e vet, por sot nuk është. Duhet të jetë shkëputur gjatë stuhisë. Duhet ta gjej unë para se ta gjejë ndonjë luan. Moisiu lë në vend të sigurt kopetë e Jethros dhe shkon në shkretëtirë për ta kërkuar qengjin që mungon.
Moisiu e njeh shumë mirë këtë shkretëtirë; ai ka kaluar aty dyzet dimra. Ndërsa ecën, ai mendon, mediton dhe lutet. “Pse, o Perëndi? Për sa kohë mund ta bëj këtë gjë? Nuk e kuptoj. Mendova se po bëja vullnetin Tënd. Mendova se të dëgjova të thoje se unë do të isha çlirimtari i popullit Tënd. Gjithçka që bëra ishte që thjesht i katranosa gjërat. Unë mora edukimin më të mirë në botë. Kisha burime të pakufizuara në majë të gishtave. Isha Princi i Egjiptit. Kujt po përpiqesha t’ia hidhja? E dija që isha hebre, isha një nga burrat e popullit Tënd të zgjedhur. Faraoni më donte, por nuk isha unë i parëlinduri i tij.”
“Të gjitha pasuritë dhe kënaqësitë e Egjiptit ishin në dispozicionin tim, por Ti… Ti u sigurove që unë ta dija se kush isha. Ti më dhe nënën time që të ishte dadoja ime dhe të më rriste. Ajo më tregoi mrekullinë e lindjes sime. Ajo më tha që isha i veçantë, jo sepse isha djali i saj, por sepse jam fëmija Yt. Ti më nxore nga Nili dhe më mbrojte. Ti më fshehe poshtë hundës së armiqve të Tu.”
“Kur e pashë atë egjiptasin duke rrahur një skllav hebre, u tërbova, e humba kontrollin. I thashë të ndalonte dhe ai qeshi me mua, u tall me mua dhe më tha se hebreu nuk vlente asgjë. Ai kishte ndërmend ta vriste, prandaj duhej ta ndaloja. E vrava atë mbikëqyrës egjiptas. U përpoqa ta fshihja trupin; po përpiqesha ta mbuloja mëkatin tim, por kjo nuk bëhet dot, apo jo?”
“Ja kështu përfundova në shkretëtirë. Ia mbatha. Jo se pata frikë nga Faraoni, përkundrazi, pata turp nga vetja ime, isha i poshtëruar. Në fakt mendova se po bëja vullnetin Tënd. Gjithçka që bëra ishte që krijova një rrëmujë.”
Ndërsa Moisiu i përsërit vazhdimisht ngjarjet e asaj dite në mendjen e tij, ai sheh qengjin. Ai ka ngecur në një kaçubë me ferra. Ai e liron, e përqafon fort në gjoks dhe i pëshpërit në vesh për ta qetësuar dhe ngushëlluar, teksa kthehet dhe fillon të ecë drejt kopesë. Të nesërmen ai do ta çojë kopenë në anën tjetër të shkretëtirës, në një vend të quajtur Horeb.
Sërish, ku nuk i shkon mendja, dhe i thërret Perëndisë. “O Atë, nuk vlej më për asgjë. E vetmja gjë që mund të bëj është të kullos delet që edhe ato nuk janë të miat. Më mëso rrugët e Tua. Më jep të kuptoj pse jam këtu. Zemra ime të dëshiron Ty në këtë tokë të thatë dhe të etur.”
Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë, vdiq mbreti i Egjiptit dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri tek Perëndia. Kështu Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin. Dhe Perëndia shikoi bijtë e Izraelit, dhe Perëndia u kujdes për ta. (Eksodi 2:23-25)
GËRMIM NË THELLËSI: PERËNDIA E DËGJOI BRITMËN E TYRE
Perëndia është një Perëndi që i njeh nevojat e popullit të Tij. Tek Eksodi 2:23-25, na thuhet se ata rënkuan dhe bërtitën për shkak të skllavërisë së tyre, dhe Perëndia i dëgjoi. Çfarë do të thotë: “Dhe Perëndia e dëgjoi” britmën e tyre? Do të thotë që, duke qenë se je fëmijë i Perëndisë, Ai di gjithçka rreth teje. Ai e di se ku je si dhe situatën në të cilën gjendesh. Ai i di veprimet, qëndrimin dhe mendimet e tua. Ai e njeh dhimbjen dhe problemet e tua. Ai është Perëndia i Plotfuqishëm dhe Ai di gjithçka. Ai i dëgjon britmat e tua, edhe kur nuk po i thërret Atij. Teksti nuk thotë që izraelitët i klithën Perëndisë. Thjesht thotë se ata bërtitën. Vetëm tek Eksodi 14 thuhet se ata i klithën Perëndisë. Megjithatë, Perëndia e dëgjoi britmën e tyre; Ai e njihte pakënaqësinë e tyre. Perëndia e dinte saktësisht se ku ishin dhe pse ishin atje. Ai i kishte vendosur ata në Egjipt.
Pse bijtë e Izraelit u çuan në tokën e Egjiptit? Ka tri arsye. 1) Arsyeja më e dukshme ishte zia e bukës. Ata shkuan në Egjipt për t’i shpëtuar zisë së bukës. 2) Perëndia e kishte parathënë se do të kishte një periudhë ndërprerjeje para se ta pushtonin tokën (Zanafilla 15:16), duke i dhënë kështu pak më shumë kohë një kulture pagane për t’u kthyer tek Ai (Levitiku 18:2-4). 3) Perëndia e vendosi kombin e Izraelit në Egjipt për 430 vjet që t’i mbronte ata nga infiltrimi dhe korrupsioni i mundshëm, duke ruajtur kështu të sigurt destinacionin e tyre për madhështinë. Gjithmonë ekziston tundimi që populli i Perëndisë të bëhet si bota. Tundimi për të pasur në mendje gjërat e botës është gjithmonë i pranishëm. Në vend që të bëhej një komb i madh, Izraeli mund të kishte qenë në prag të përthithjes nga bota. Në Egjipt, Perëndia i ruajti ata. Në kohën e Tij, Perëndia do t’i nxirrte nga Egjipti.
Në Egjipt shkuan veçse shtatëdhjetë vetë (Eksodi 1:5). (Jozefi dhe familja e tij ishin tashmë atje.) Shtatëdhjetë vetë mund të humbisnin lehtësisht mes popullsisë kanaanease përreth tyre nëpërmjet martesave të përziera. Mirëpo egjiptasit nuk martoheshin me hebrenjtë. Egjiptasit i përçmonin barinjtë. Ata i shihnin barinjtë si një gjë të neveritshme. Tek Eksodi 12:37, kur Perëndia i nxori jashtë, 600,000 burra u larguan nga Egjipti pa llogaritur gratë dhe fëmijët e tyre. Kombi tani ishte mjaft i fortë në numër për t’i rezistuar gllabërimit nga bota përreth tyre.
Perëndia e di me saktësi se ku ndodhesh dhe se çfarë po përjeton. Ai e dëgjon britmën tënde. Perëndia e dinte saktësisht se çfarë po ndodhte në Egjipt me bijtë e Izraelit, Ai e dëgjoi britmën e tyre. Perëndia e dinte saktësisht se ku ishte Moisiu dhe e njihte gjithashtu edhe zhgënjimin e shpirtit të tij. Edhe pse Moisiu nuk e dinte, shkretëtira ishte vullneti i saktë i Perëndisë për jetën e tij në këtë kohë.
A e ke kuptuar se vendi ku je mund të jetë pikërisht vendi ku Perëndia dëshiron që të jesh, në mënyrë që Ai të të flasë një fjalë të re?
GËRMIM NË THELLËSI: IZOLIMI
Pse lejon Perëndia që të kalojmë stinë që duken si të pafrytshme? Pse na veçon Perëndia nga njerëzit dhe vendet? Pse na dërgon Ai në vende të shkreta? Pse kalojmë nëpër përvoja të shkretëtirës? Pse?
Një burrë e ka thënë mirë: “Nuk jemi shpëtuar për të shërbyer; ne piqemi për të shërbyer”. Mund të hetoni Shkrimet e Shenjta dhe do të zbuloni të njëjtin parim. Perëndia i përdor fuqishëm individët që kalojnë përmes periudhave në shkretëtirë. Jozefi ishte në një burg të nëndheshëm për tetëmbëdhjetë vjet, thjesht sepse po i bindej Perëndisë. Në Psalmin 105:19, na thuhet se Jozefi ishte në burg derisa “fjala e ZOTIT e vuri në provë”. Elia qëndroi tre vjet i izoluar te përroi i Kerithit, pasi i kishte predikuar mbretit. Davidi u arratis prej Saulit në shkretëtirë. Gjon Pagëzori erdhi nga shkretëtira duke predikuar Mbretërinë e Perëndisë. Pasi u shpëtua, Pali shkoi në shkretëtirën e Arabisë për tre vjet. Pas pagëzimit të Jezu Krishtit dhe pasi Fryma e Shenjtë kishte zbritur mbi të, Jezusi u çua në shkretëtirë për dyzet ditë; atje Ai u tundua nga djalli.
Ata që Perëndia i përdor fuqishëm, Ai i izolon, i veçon dhe i shkëput nga çdo varësi tjetër përveç Tij. Ajo që Perëndia sheh nuk është ajo që shohim ne. Ajo që shohim ne janë mundësitë që na kanë shpëtuar ose koha e humbur. Ajo që Perëndia kërkon nuk është ajo që ne kërkojmë. Vepra e Perëndisë është frymërore, dhe jo fizike. Ajo që Perëndia kërkon është jeta jonë frymërore, dhe jo veprimtaria jonë. Perëndia interesohet më tepër për enën sesa për detyrën. Ne kemi prirjen që të përpihemi nga detyra. Në shkretëtirë, Perëndia përgatit enën e gatshme. Rezultati përfundimtar nuk është detyra, por është që ena të zbrazet aq shumë nga vetja sa Perëndia i Shenjtë të punojë natyrshëm nëpër jetën e tij ose të saj.
Perëndisë iu desh ta çonte Moisiun në shkretëtirë për ta përgatitur frymërisht që t’i nxirrte bijtë e Izraelit nga skllavëria. Ai ishte trajnuar mendërisht dhe fizikisht në Egjipt, por kjo nuk do të mjaftonte për ta bërë punën e Perëndisë. Puna e Perëndisë është një punë frymërore. Perëndisë i duhej ta përgatiste udhëheqësin që bijtë e Izraelit të udhëhiqeshin jashtë Egjiptit.
Perëndia lejon që ne të jemi në vende të shkreta, në vende shterpë. Vullneti i Tij për ne është që të na bëjë burra dhe gra me një besim të fortë. Besimi i fortë nuk krijohet në një klimë rehatie. Ai nuk ndodh brenda natës. Kur Perëndia dëshiron të krijojë një pemë lisi, Ai harxhon 100 vjet. Një kërpudhë rritet brenda natës. Rritja e besimit të njeriut nuk është gjithmonë e njëtrajtshme; por mund të ndryshojë. Një pemë rritet shpejt në muajt e parë dhe pastaj rritja e saj ngadalësohet aq sa nuk mund ta dallojmë dot me sy të lirë. Gjatë kësaj kohe ndodh një forcim, pa të cilin druri i gjelbër do të ishte i padobishëm. Përgjegjësia jonë është që ta pranojmë vullnetin dhe kohën e Perëndisë. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për t’ia drejtuar klithmat tona Zotit dhe jo thjesht të ankohemi për situatën tonë. Moisiu mund të ishte larguar nga shkretëtira kurdo që të dëshironte. Askush nuk e detyronte të qëndronte. Moisiu priti, u lut dhe kur arriti në fund të forcave të vetes së tij, kur e kuptoi se kush ishte, më në fund ishte në gjendje që të dëgjonte nga Perëndia. Zbulimi i vetes i paraprin zbulesës hyjnore.
MË AFËR SHTËPISË
Në jetën dhe shërbesën time, unë kam përjetuar kohë dhe stinë shkretëtire. Do të ishte mirë nëse mund të thoshim që po e kalove një të tillë, nuk ka një tjetër, por nuk ndodh kështu. Kur isha veçse një djalë dhjetëvjeçar, reagova ndaj ungjillit dhe kështu linda sërish. E dija që isha i humbur dhe i dënuar me ferr që kur isha tetë vjeç. Prindërit e mi më çuan në kishë që nga lindja; ata ishin besnikë duke na marrë mua dhe vëllezërit në kishë sa herë që kishte takime të hapura.
Kur isha rreth katërmbëdhjetë ose pesëmbëdhjetë vjeç, ndjeva që Perëndia po më thërriste të predikoja. Refuzova kategorikisht. Jam disi tip i turpshëm dhe nuk më pëlqen të dal “përpara”. Ia mbatha nga kjo thirrje për rreth tre vjet. Ia mbatha, por nuk i shpëtova dot. Perëndia vazhdoi të më ndiqte derisa më në fund u dorëzova për të predikuar ungjillin kur isha tetëmbëdhjetë vjeç.
Studiova dhe u diplomova në një kolegj të krishterë dhe mora një diplomë master nga një seminar i akredituar. Isha gati për të predikuar. Isha gati për të shërbyer; sa më e madhe të ishte kisha, aq më mirë. Isha njëzet e pesë vjeç dhe gati. Këtë po mendoja. Mirëpo Perëndia mendonte ndryshe. Perspektiva e Tij është gjithmonë e drejtë.
Me një diplomë kolegji dhe një diplomë seminari, unë dhe gruaja ime shkuam në një kishë të vogël misionare në Apalaçet rurale. Kishim dhjetë anëtarë, njëzet e pesë karrige metalike të palosshme, disa libra këngësh, në një dyqan, jashtë një qyteti të vogël me 1,000 banorë. Qarku kishte vetëm 7,000 banorë. Për katër vjet i deshëm njerëzit tanë. U munduam, u përleshëm, ama aty mësuam që t’i thërrisnim Perëndisë.
Në mendjen time isha gati. I shihja miqtë e mi duke shkuar në kisha të themeluara, kisha më të mëdha, por unë isha në një vend të shkretë. Isha në një vend ku nuk shkonin komitetet e kërkimit të pastorëve. Në fund të fundit, “ke vetëm dhjetë anëtarë, po të ishe aq i mirë, do të ishe në një vend më të mirë, në një vend më të madh”. Prandaj u tregova besnik. Predikoja, vizitoja, vizitova çdo shtëpi në të gjithë qytetin. U luta. Bërtita me të madhe.
“Pse, o Perëndi? Pse e bëra gjithë atë shkollim dhe trajnim? Greqishtja dhe hebraishtja ime nuk i bëjnë përshtypje askujt këtu. Jemi 720 kilometra larg familjeve tona. Të gjithë miqtë tanë më të ngushtë të paktën kanë ndërtesa kishash, dhe ne takohemi në një dyqan. Pse o Perëndi? Çfarë dëshiron që të mësoj? O Perëndi, sa kohë do të rrimë këtu? Mos më ke harruar?”
Në atë kohë nuk e kuptoja që edhe pse kisha përgatitje akademike, Perëndia tani po më çonte në shkollën e Tij. Atje Perëndia do të më mësonte t’i këlthitja Atij. Atje Perëndia do të më mësonte t’i besoja Atij. Atje Perëndia më mësoi të përgjërohesha sipas Fjalës së Tij. Pikërisht atje Perëndia më mësoi rëndësinë e studimit të Fjalës së Tij. Atje Perëndia punoi me mua, duke më themeluar në të vërtetën e Tij, duke më forcuar. Po, mund të isha larguar kur të doja. Në fund të fundit, nuk ke pse të ikësh 720 kilometra larg shtëpisë dhe të gjithë atyre që i do dhe për të cilët kujdesesh, për të qenë pastor i një kishe të vdekur. Kishte shumë kisha të tilla në shtetin tim.
Perëndia nuk po më lironte. Për katër vjet, Perëndia më mësoi. Kur Ai më liroi, u futa në një shkretëtirë tjetër. Kjo kishte tridhjetë e pesë anëtarë dhe një sërë mësimesh të ndryshme për t’u mësuar.
Perëndia i udhëheq njerëzit në shtigje të ndryshme. Nuk vlen i njëjti model për të gjithë. Miqtë e mi shkonin në kisha të themeluara dhe nuk po i kritikoja për këtë. Në një kishë të themeluar, prapëseprapë përballesh me sfida dhe vështirësi. Çdo kishë ka problemet e veta unike. Shumë shpesh njerëzit me qëllime të mira, udhëheqësit e denominacioneve, duan t’i sforcojnë të gjithë duke i futur në një model identik, dhe i “inkurajojnë” të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. Familja dhe miqtë duan që të zhvendosesh më afër shtëpisë, me sa duket pavarësisht nga ajo që Perëndia dëshiron dhe po përpiqet të bëjë.
Është e mahnitshme se si Perëndia i thërret individët në mënyrë unike tek Ai. Ai i thërret dhe i pajis ata që të jenë ata që janë për lavdinë e Tij. Jo, kjo nuk e justifikon mëkatin ose përtacinë. Çdo person duhet të zhvillohet ndërsa Perëndia lëviz dhe punon në jetën e tij, ndërsa personi në fjalë reagon me bindje. Jo çdokush është një ungjilltar i talentuar, një shkrimtar i frytshëm, një ndërtues kishash apo një predikues shpjegues. Perëndia e thërret dhe e pajis secilin prej nesh. Ne duhet të përpiqemi të përshtatemi në modelin e Perëndisë dhe jo me idetë e njeriut. Çdo person duhet të ndihet rehat me atë që Perëndia e ka thirrur dhe e ka pajisur të jetë dhe të mos i dëgjojë më zërat e njeriut.
Kur Perëndia na dërgoi në një zonë rurale misionare, kjo na detyroi ta njihnim Perëndinë në një mënyrë që nuk do ta kishim njohur dot nëse do të kishim ndjekur rrugën tipike të kishës së themeluar. Kjo na shtyu, na shtrëngoi, të kërkonim fytyrën e Perëndisë në një mënyrë që nuk do ta kishim bërë në një mjedis tradicional.
Në kohët e izolimit arrini në fund të fuqive të vetes. Çfarë bën atëherë kur të gjitha planet, dredhitë dhe hiletë e njeriut nuk funksionojnë? Bërtet, lutesh. Arrin të kuptosh se kërkimi i Perëndisë dhe lutja është gjithçka që mund të bësh, dhe kjo është e mjaftueshme. Në kohë izolimi dhe ankthi mëson të lutesh dhe fillon të ecësh në rrugën e lutjes.
PARIMI I LUTJES
Kohët e izolimit nuk janë kohë ndëshkimi, por ato janë kohë për t’ju mësuar vetminë e lutjes dhe për t’i klithur Perëndisë. ‘Pastaj fjala e Zotit iu drejtua atij [Elias], duke thënë: “Largohu që këtej, kthehu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit. Do të pish ujë në përrua dhe unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje”. Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës së Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit’ (1 i Mbretërve 17:2-5).
ÇFARË MENDONI?
• Reflektoni për herën e fundit kur ju i keni klithur Perëndisë me dëshpërim. Si i është përgjigjur Perëndia lutjes suaj?
• Pse mendoni ju se të krishterët duhet të kalojnë nëpër periudha izolimi?
• Pse është e vështirë për ne të kuptojmë që Perëndia nuk është me nxitim?
• Çfarë përfshihet në të qenët në orarin e caktuar të Perëndisë?



