Ji gati për ardhjen e Krishtit, Zotit tonë!
| 17 Prill, 2023
Ji gati për ardhjen e Krishtit, Zotit tonë! Luka 21:34-36
Ndërsa Jezusi kaloi kohë pas ringjalljes me dishepujt duke i mësuar ata për shumë gjëra, ata ishin dëshmitarë të një ngjarjeje të veçantë, të ngritjes së Zotit në qiell. Fryma e Zotit na dëshmon se dy engjëj u thanë se “ai do të kthehet në të njëjtën mënyrë me të cilën e keni parë që të shkojë në qiell”, Veprat 1:11. Që nga ajo kohë Jezusi jo vetëm që u bë ndërmjetësi ynë në të djathtë të Atit, por edhe shpresa jonë e lume për të qenë me Atin dhe të mbretërojmë me Të përjetë.
Ka shumë mësime në Fjalën e Zotit për gjëra që do të paraprijnë ardhjen e Zotit si; mësues, profetë dhe krishtër të rremë, luftëra dhe ushtima luftërash, tërmete, zi buke, sëmundje, shenja në qiell dhe në tokë, por edhe predikim të ungjillit në mbarë botën. Ngjarje të veçanta me kombet në botë e sidomos me kombin e Izraelit. Mateu 24, Luka 21.
Po ҫfarë duhet dhe nuk duhet të bëjmë ne kisha e Zotit? A duhet të kemi frikë, panik, a duhet të rrimë e të mos punojmë? Ҫfarë pret Zoti nga kisha e Tij?
Çfarë duhet të bëjmë? 2Pjet 1:19, “kushtoji kujdes fjalës profetike”. Pra, studioje, besoje, shpalle Fjalën e Zotit. Shumë profeci janë përmbushur por ka ende të tjera për të ardhmen në Shkrimin e Shenjtë. Zoti ynë na ka treguar kaq shumë në lidhje me kohët e fundit. Kështu ne nuk e ndërtojmë besimin për ardhjen e Zotit nga lajmet edhe pse disa janë me rëndësi, por në fjalën e pagabueshme të Zotit. Ajo e ka udhëhequr kishën, e ka mbrojtur nga mashtrimi, i ka dhënë forcë në përndjekje dhe e ka bërë gati për shpresën e lume, ardhjen e Krishtit.
Luka 21:36, Lutuni! Përmes lutjes ne kemi bashkësi me Perëndinë, ne ushtrojmë besimin tonë. Përmes saj ne qëndrojmë në Zotin dhe jemi vigjilentë frymërisht. Madje Zoti është specifik duke i nxitur dishepujt të luten që të shpëtojnë nga mundimet që do të vijnë dhe të jenë besnikë e në besim kur Ai të vijë. Ne lutemi sepse mishi është i dobët, bie në mëkat, por fryma është gati; lutemi që të kuptojmë shkrimet, që mbretëria e Perëndisë të vijë. Lutemi për të pashpëtuarit, për çdo gjë që Fryma na zbulon, në çdo kohë, vend, me çdo lloj lutjeje. Është e dukshme se të jesh vigjilent, të lutesh, të njohësh dhe të zbatosh Fjalën shkojnë bashkë për kishën e Zotit.
Çfarë nuk duhet të bëjmë? Luka 21:34-35. Kujdes nga të llupurit, pijet: A nuk është sfidë që këto fjalë i drejtohen besimtarëve? E megjithatë ato janë për ne. Pra, ka rrezik që edhe të krishterët të kenë varësi apo të shfrenohen në zemrat e tyre me mëkatin që i rrethon, gjëra që i bëjnë dëm shpirtit, trupit dhe marrëdhënies me Atin qiellor. Prandaj Rom 14:17 thotë: “Mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët por drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë”. Kujdesjet, preokupimet e jetës, v 34 (varësia nga materializmi, teknologjia, karriera, lakmia për para apo shqetësimet) e mbysin gëzimin, shpresën, forcën dhe dëshminë tonë në Zotin. Zoti nuk po i mohon nevojat tona për ushqim dhe veshje, Ai na ka krijuar me nevojë për to. Ai po na mëson që të mos i kemi ato gjëra përparësi pasi kanë pasoja, por kërkimin e mbretërisë së Tij. Nëse përqendrohemi në këto gjëra, me siguri ardhja e Tij do të na zërë në befasi.
Vendosa t’i ndaj këto gjëra që siҫ thotë Bibla; “Të jenë siguri” Fil 3:1. Po ashtu edhe për faktin se ka një frymë hutimi, ngatërrimi, pasigurie, paqartësie, frike për atë që po ndodh në botë. Madje ka edhe qëndrime mosdakordësie mes të krishterëve se si ta kuptojmë Fjalën profetike. Bota është e pashpresë pa Krishtin dhe po bëhet gati për mundimin që do të vijë mbi të. Por ne kemi shpresë, ne presim Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin, një qytetari qiellore, një qiell dhe tokë të re ku banon drejtësia. Fil 3:20, 2 Pje 3:13. Kur jemi gati për ardhjen e Zotit, jemi të fortë në besim, me zell për Të dhe gjërat e Tij, e ruajmë veten nga mëkati i botës dhe punojmë fort për gjërat e përjetshme. Në këtë mënyrë e duam dhe i bindemi Zotit duke pritur në lutje ardhjen e Tij të bekuar duke i shpallur botës Ungjillin e Hirit. Çfarë shprese e mrekullueshme!
A po i kushton sot vëmendje Fjalës së Zotit dhe pjesës profetike të saj? A po ushtrohesh në lutje dhe vigjilencë? A po ecën me Zotin me shpresën e sigurt të ardhjes së Tij? Pra, a je gati për ardhjen e Tij?
Para gjërave që po ndodhin dhe do të vijnë, Fjala na mëson të ushtrohemi në perëndishmëri e të përdorim ҫdo gjë që Zoti na ka dhënë për ndërtimin e kishës, për dëshmi në botë dhe lavdinë e Tij. Kur Zoti të vijë, ne nuk duam të dëgjojmë të na thuhet: “Të pamend dhe të ngathët në zemër për të besuar Shkrimin” Lu 24:25, por të na thuhet: “Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotit tënd” Mt 25:21. Kjo varet nga Hiri dhe fuqia e Perëndisë që na mban dhe po ashtu nga bindja dhe dashuria jonë për Zotin që pret ardhjen e Tij. Maranatha Zoti Jezus!
Përgatiti Pëllumb Ranxha
Pershendetje Shume faleminderit qe ma dergove .Eshte shume e rendesishme te pregatisim zemrat per Ardhjen e dyte te Jezus Krishti per vete e per grigjen ne kishe . Ne duhet te fitojme shpirtrat per Krishtit se satine gati e ka deren per njerzit . Faleminderit Perendise per ardhjen e dyte te Jezusit qe nuk vjen per ndihem po per gjykim .bekime vella qe ndave .
Sa mire qe mesazhi ishte bekim per ty! Po eshte nje teme e rendesishme kjo. Dashte Zoti qe shume te tjere do te bekohen me te!