Data e Pashkës së Madhe
| 10 Prill, 2023Data e Pashkës së Madhe
Me kalimin e kohës mes të krishterëve lindi një ndryshim i madh date për festën e Pashkës së Madhe. Ata që vinin nga origjina hebraike e festonin ringjalljen menjëherë pas festës së Pashkës, që sipas kalendarit të tyre hënor babilonas binte në mbrëmjen e hënës së plotë (dita e 14 në muajin Nisan, muajin e parë të vitit). Sipas llogaritjes së tyre, Pashka e Madhe nga viti në vit binte në ditë të ndryshme të javës.
Mirëpo, krishterët me origjinë johebraike dëshironin ta përkujtonin ringjalljen në ditën e parë të javës, të dielën; sipas metodës së tyre, Pashka e Madhe binte në të njëjtën ditë të javës, por nga viti në vit binte në data të ndryshme.
Një rezultat i rëndësishëm historik i ndryshimit në llogaritjen e datës së Pashkës së Madhe ishte që kishat e krishtera në lindje, të cilat ishin më afër vendlindjes së fesë së re ku dhe traditat e vjetra ishin të forta, e festonin Pashkën e Madhe në të njëjtën ditë me festën e Pashkës hebraike. Kishat e perëndimit, pasardhëse të qytetërimit greko-romak, e festonin Pashkën e Madhe, të dielën.
Perandori romak Kostandini i Madh thirri Këshillin e Nikeas në 325. Këshilli vendosi në mënyrë unanime që festa e Pashkës së Madhe duhej të festohej, në të gjithë botën krishterë, të dielën e parë pas hënës së plotë, që vinte pas sanataditës pranverore; dhe që nëse hëna e plotë do të ndodhte të dielën, dhe kështu do të binte të njëjtën ditë me festën e Pashkës hebraike, Pashka e Madhe të përkujtohej të dielën vijuese. Kështu u shmang përkitja e festës së Pashkës së Madhe me Pashkën hebraike.
Këshilli i Nikeas vendosi gjithashtu që data kalendarike e Pashkës së Madhe të llogaritej në Aleksandri – qendra e atëhershme astronomike e botës. Sidoqoftë, përcaktimi i saktë i datës rezultoi të ishte një detyrë e pamundur për shkak të njohurisë së kufizuar të botës së shekullit të katërt. Problemi kryesor astronomik i përfshirë ishte mospërputhja ndërmjet vitit diellor dhe atij hënor. Problemi kryesor kalendarik ishte një mospërputhje në rritje ndërmjet vitit të vërtetë astronomik dhe kalendarit julian që përdorej atëherë.
Mënyrat e fiksimit të datës së festës prej kishës dështuan, dhe Pashka e Madhe festohej në data të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Për shembull, në 387, datat e Pashkës së Madhe në Francë dhe në Egjipt ishin 35 ditë larg njëra tjetrës. Rreth 465, kisha pranoi një sistem llogaritjeje të propozuar prej astronomit Viktorin (lulëzoi shek. 5), i cili ishte dërguar prej Papë Hilarit për të reformuar kalendarin dhe për të fiksuar datën e Pashkës së Madhe. Refuzimi i kishave britanike dhe kelte për të miratuar ndryshimet e propozuara çoi në një grindje të ashpër ndërmjet tyre dhe Romës, në shekullin e shtatë.
Reformimi i kalendarit julian në 1582 prej Papa Gregorit XIII, nëpërmjet pranimit të kalendarit gregorian, eliminoi shumë vështirësi në fiksimin e datës dhe në organizimin e vitit kishtar; që prej 1752, kur kalendari gregorian u zbatua gjithashtu në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, Pashka e Madhe është festuar në të njëjtën ditë në pjesën perëndimore të botës krishterë. Sidoqoftë, kishat lindore, të cilat nuk e pranuan kalendarin gregorian, e përkujtojnë Pashkën e Madhe ose një të dielë para, ose një të dielë pas datës së mbajtur në perëndim. Me raste datat përkasin; rastet më të afërta kanë qenë në 1865 dhe në 1963, dhe në 2001.
Marrë nga: MicrosoftÒ EncartaÒEncyclopedia99