Rizgjimi zbret mbi krahët e lutjes
| 8 Maj, 2024Ato kanë qenë disa nga momentet më të mrekullueshme në jetën time si i krishterë. Në fakt, gjatë atyre ditëve mësova kuptimin e vërtetë të agjërimit, përpara se të kisha njohuri intelektuale rreth këtij termi. Nuk mundja të haja, edhe pse përpiqesha. Kur zgjohesha mëngjeseve, zemra ime dëshironte të kalonte kohë me Shpëtimtarin. Kishte një ndjenjë të tillë të pranisë së Zotit, saqë shumë prej nesh nuk do të mund t’i rezistonin idesë për të kaluar orë të tëra në dhomën e lutjes. Ishte sikur koha të kishte ndaluar. Ato kanë qenë ditë të parajsës mbi tokë. Ishte takimi im i parë si një i krishterë i ri me atë që shumë veta e quajnë “rizgjim”.
Unë dhe gruaja ime, Tex, sapo ishim martuar kur rizgjimi ndodhi. Një pastor i perëndishëm nga Monroe, Louisiana më kishte kërkuar të drejtoja një takim ungjillizues të rinjsh në kishën e tij. Unë prisja të takohesha me këta të rinj, por nuk kisha shumë interes. Sidoqoftë, pastori i dashur vazhdonte të më inkurajonte.
“Unë jam lutur” thoshte ai, “dhe Zoti do të bëjë diçka të mrekullueshme.” Sa do të doja të kisha besimin e tij.
Takimi ungjillizues me të rinjtë filloi të mërkurën në mbrëmje në kishën e pastorit. Por shumë pak të rinj mund të gjendeshin. Ishte fillimi i vitit 1970 dhe të rinjtë po largoheshin nga kisha në masë. Droga psikedelike po përhapej në kulturën e të rinjve. Lufta e Vietnamit ishte ndezur. Tensionet raciale po përshkallëzoheshin. Kishte shumë pak interes për gjërat shpirtërore.
Por pastori nuk i mbante sytë tek kultura apo rrethanat. Vështrimi i tij ishte fiksuar te Shpëtimtari. Ai lutej, lutej dhe lutej. Ai refuzoi të hiqte dorë. Vetëm përsëriste vazhdimisht, “Unë jam lutur dhe Perëndia ka për të bërë diçka të mrekullueshme.” Por asgjë e mrekullueshme nuk ndodhi në mbrëmjen e së mërkurës. Unë i predikova me gjithë zemër atij grupi të vogël. Askush nuk u përgjigj. Predikova me gjithë forcën time të enjten. Përsëri asgjë nuk ndodhi. Askush nuk u përgjigj gjatë thirrjes që unë u drejtova njerëzve.
Sidoqoftë, teksa shërbesa ishte drejt fundit, një burrë doli përpara kishës dhe u lut me pastorin. Pastaj ai qëndroi dhe u kërkoi njerëzve, në mënyrë të veçantë të rinjve, që ta falnin. Ai rrëfeu se kishte qenë një shembull i keq për të rinjtë. Në momentin që u ul, diçka mjaft e veçantë ndodhi. Perëndia vizitoi kishën. Nuk kam ndonjë fjalë tjetër për të përshkruar atë që ndodhi në të vërtetë. Altari u mbush me të krishterë që i thërrisnin Perëndisë, duke rrëfyer mëkatet dhe duke marrë faljen.
Të premten në mbrëmje, kisha ishte plot e përplot. Perëndia veproi fuqishëm. Të shtunën në mbrëmje ishte sërish plot. Të dielën pati një numër rekord. Pastori i perëndishëm mu afrua edhe një herë. “Sammy.”, më tha ai, “Ky nuk është fundi i rizgjimit. Është vetëm fillimi. Duhet ta zgjasim shërbesën edhe një javë tjetër.”
Ne i vazhduam takimet. Sidoqoftë, na u desh të lëviznin në një tjetër ndërtesë për shkak se nuk kishim më hapësirë. Shkuam te kampusi i universitetit. Ndërtesa e parë nuk i nxinte dot njerëzit. Na u desh të lëviznim në një tjetër ndërtesë. As ajo nuk kishte hapësirën e duhur. Në fund përfunduam në qendër të qytetit me disa mijëra të pranishëm. Një nga shpërndarëset më famëkeqe të drogës në qytet u kthye në Krishtin. Mbi dyzet vjet më vonë, ajo ende jeton për Krishtin. Tensionet racore u lehtësuan ndërsa udhëheqësit e dy grupeve raciste erdhën te Krishti. Historia e atij rizgjimi u botua në faqen e parë të gazetës lokale. Lajmet e orës gjashtë treguan për atë rizgjim. E akoma edhe sot unë marr email-e dhe letra nga personat që besuan te Krishti gjatë atij takimi.
Ato takime nisën me një grusht njerëzish dhe përfunduan me mijëra. Por rizgjimi nisi me një pastor të përulur dhe të shenjtë që lutej. Rizgjimi fillon gjithmonë në këtë mënyrë. Studiojeni historinë e rizgjimeve të mëdha. Do ta shihni atë duke zbritur në krahët e një grupi të vogël burrash dhe grash që luten pa përjashtim. Kisha lindi në një takim lutjeje. Ajo u mbështet në një takim lutjeje. Lëvizja e madhe misionare në mbarë botën u nis në një takim lutjeje.
Ah, lavdia e Perëndisë zbret gjithmonë mbi krahët e lutjes.
Përgatiti: Sammy Tippit