Mësoji fëmijës tënd rrugët e Zotit
| 8 Mars, 2023Mësoji fëmijës tënd rrugët e Zotit 2Timoteu 1:5, 3:15
Shumë prindër bekohen kur e gjejnë veten në fjalët e Apostullit Gjon që tha: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky; të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” 3Gjoni 4. Kjo vlen edhe për çdo të krishterë kur sheh ata që kanë rilindur pasi e kanë marrë të vërtetën e Ungjillit me anë të dëshmisë së tyre. Ne e kuptojmë se pas një fëmije që ecën në rrugët e Zotit janë prindër që ia kanë mësuar të vërtetën, e kanë jetuar atë, qoftë kjo edhe nga një prind i vetëm.
Apostulli Pal ishte një burrë i perëndishëm që u përdor mjaft nga Zoti dhe bëri shumë dishepuj. Ai mbetet një shembull kaq i mirë në përmbushjen e porosisë së madhe. Në Veprat 16 mësojmë se ai gjeti një djalë të quajtur Timote me baba grek dhe nënë judease, dëshmia e mirë e të cilit i kishte kaluar kufijtë e qytetit të tij. Pali e dishepulloi, e përgatiti si udhëheqës dhe nga dy letrat që i shkroi Timoteut ne mësojmë shumë për marrëdhënien e tyre.
Megjithatë para se Pali t’i mësonte atij Shkrimet e Shenjta, dikush tjetër e kishte bërë këtë gjë. 2Tim 1:5 na tregon se besimi, zelli dhe dashuria e Timoteut për Zotin dhe gjërat e Mbretërisë, ishin më parë në gjyshen e tij Loide dhe nënën e tij Eunike. Ne nuk e dimë cili ishte roli i babait në besimin e tij. Por ajo që dimë është se këto gra hebreje i zbatonin shkrimet që urdhëronin prindërit t’u mësonin fëmijëve Fjalën e Zotit (Ligji 4:9, 6:6-7). Ato e përmbushën këtë detyrë të shenjtë në jetën e Timoteut, 2Tim 3:15. Me siguri ai pa një nënë dhe gjyshe që e donin Zotin, që luteshin, që i besonin dhe udhëhiqeshin nga Shkrimet në jetën e tyre.
Për moskryerjen e kësaj përgjegjësie të madhe ato mund të shfajësoheshin se kreu i familjes nuk po e bënte atë. Por, ato e kishin të qartë se Zoti, jetëdhënësi, që ua kishte dhënë Timoteun në gjirin e tyre, dëshironte që ai ta njihte Perëndinë e Izraelit, 1Tim 2:4. Edhe pse nuk do të jepnin mësim në sinagogë apo në kishë, ato u përkushtuan t’i mësojnë në shtëpi nipit dhe djalit të tyre rrugët e Zotit. Siç ka thënë dikush: “Timoteu e mori Ungjillin që me qumështin e nënës”. Çfarë dëshmie frymëzuese për nënat dhe gjyshet atëherë, por edhe sot!
Kur na lind një fëmijë ne nuk e kemi idenë se si do të jetë e ardhmja e tij apo e saj. Ne nuk e dimë se si do të jetë pamja e tyre në të ardhmen, çfarë aftësish apo profesioni do të kenë! Por ajo që dimë është se bashkë me përgjegjësinë që të ushqehen, të vishen, të shkollohen, të mbrohen nga ne për t’u përgatitur për këtë jetë, ne kemi një përgjegjësi edhe më të madhe, për t’i përgatitur ata për përjetësinë. Ishte e qartë për këto dy gra se në gjithë Shkrimin, Perëndia i urdhëron prindërit t’i mësojnë fëmijët e Tij në rrugët e Tij, Psalmi 78:1-8. I mëson fëmijët ta duan Zotin, të duan të afërmin, t’i nderojnë prindërit. Të reflektojnë për veprën e Zotit ndër breza, t’i besojnë Atij për të ardhmen e tyre, t’i qëndrojnë larg ligësisë së botës dhe të ecin në të vërtetën.
Timoteu i vogël i nënës Eunike dhe gjyshes Loide u bë një burrë i madh i Zotit. Ai u bë një udhëheqës në një ndër kishat me ndikim në atë kohë, ndërsa më vonë Efesi ishte një nga qendrat botërore të krishterimit. Me siguri shumë njerëz erdhën në besim në Krishtin përmes ungjillëzimit të Timoteut (2Tim 4:5), shumë të tjerë u pajisën dhe mësuan të ecin në rrugët e Zotit përmes shërbesës së predikimit dhe mësimit të Timoteut (2Tim 4:2). Fëmijë, prindër, burra, gra, vejusha, të pasur dhe të varfër, udhëheqës me përvojë dhe të rinj, ata që po përballeshin me betejë frymërore mësuan nga shembulli dhe mësimet e Timoteut. Nëna dhe gjyshe të tjera u frymëzuan nga shembulli i Loide dhe Eunike për t’i mësuar fëmijët e tyre në rrugët e Zotit, ashtu si frymëzohen edhe sot.
Megjithatë sot sfidat dhe nevojat frymërore të fëmijëve janë të jashtëzakonshme. Ata përballen me gënjeshtra nga më të mëdhatë e të çuditshmet. Shkatërrimi moral përmes medias, që po ndodh edhe me filmat vizatimorë, nga ngatërresat në lidhje me gjininë apo me pozitën që Zoti i ka dhënë babait dhe nënës. Ata përballen me një shtrembërim të vazhdueshëm të vërtetës së Zotit për shenjtërinë e jetës, apo zëvendësimin e martesës me bashkëjetesën. Në të gjitha këto dhe të tjera sfida, prindërit urdhërohen nga Zoti t’i mësojnë fëmijët me Fjalën e Tij. Veçanërisht nënat pa një bashkëshort besimtar si Eunike kanë një përgjegjësi të madhe për t’u mësuar dhe jetuar para fëmijëve të tyre të vërtetat e Biblës. Nëna, ju nuk e dini se çfarë do të bëhet me “Timotetë” tuaj, por ju duhet të bëni pjesën tuaj sepse Zoti gjithnjë e bën të Tijën që fëmijët të ecin me Të.
Perëndia bëftë që të gjithë prindërit të kenë dashurinë, urtësinë dhe zellin për t’i mësuar fëmijët e tyre në rrugët e Tij! Ai bëftë që nënat dhe gjyshet në dashurinë që kanë për Të, për fëmijët dhe fëmijët e tyre, t’i mësojnë për këtë jetë dhe për përjetësinë! Unë po gëzoj si Gjoni ndërsa i shoh të mitë të ecin me Zotin dhe t’i shërbejnë Atij. Po lutem dhe punoj që të vazhdojnë gjithë jetën. Gëzofshi edhe ju të gjithë kështu në fëmijët tuaj! Gëzofshi në veçanti ju nëna që keni edhe barrën e madhe të babait, që në urtësinë e fuqinë e Perëndisë t’i drejtoni bijtë tuaj tek Ati qiellor! Le të bëhet edhe me ne siç thotë Fjala: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”. Fja 22:6
Përgatiti Pëllumb Ranxha, IBSH, Durrës