Çfarë krijoi Perëndia në secilën nga ditët e krijimit?
| 25 Janar, 2022
Mësim: Çfarë krijoi Perëndia në secilën nga ditët e krijimit?
Hyrje: Ky mësim është një shqyrtim i Zanafillës 1-2 në lidhje me modelin biblik të krijimit.
Qëllimi: Të njohim më shumë modelin e krijimit biblik duke marrë përgjigje nga Bibla dhe materiale të tjera të krishtera. Të përgatitemi për t’iu përgjigjur pyetjeve për të dhe ta përdorim si një mjet për ungjillëzim. Të rritemi në besim dhe në marrëdhënien tonë me Perëndinë.
Si është krijuar gjithësia? Si ka lindur jeta? Pse jemi këtu? A ka qëllim dhe kuptim jeta? Në mënyra të ndryshme njerëzit janë përpjekur që të gjejnë përgjigje ose të paktën të mendojnë se i kanë gjetur.
Kisha e krishterë është ndërtuar dhe vazhdon që të ndërtohet mbi të vërtetën e Fjalës së frymëzuar dhe të pagabueshme të Perëndisë, Biblës. Ajo fillon me Perëndinë, krijues, jetëdhënës dhe me një informacion të veçantë në lidhje me krijimin e Perëndisë.
Ҫfarë është modeli i krijimit?
Është modeli që i është dhënë njeriut nga Perëndia, krijuesi, i cili përshkruan ngjarjet që kanë ndodhur në lidhje me origjinën dhe historinë e universit, tokës dhe të gjitha gjërave të gjalla që gjenden në tokë. Krijimin e botës materiale dhe të asaj frymërore.
Burimi i modelit krijimor vjen nga Bibla, zbulesa e shkruar e Perëndisë për njeriun, kishën. 2 Timoteu 3:16-17 16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.
Ҫfarë krijoi Perëndia ditën e parë? Zanafilla 1:1-5 Lexim
Vargu i parë i Biblës fillon me Perëndinë, shpalos ekzistencën e një Krijuesi, Projektuesi të plotfuqishëm, të përjetshëm, të gjithëdijshëm, para të cilit askush dhe asgjë nuk ka ekzistuar, Ai ka një plan dhe një qëllim të përcaktuar për krijimin e tij.
Bie theksi në faktin që gjithçka ka një fillim por Perëndia është i përjetshëm, Ai i vetmi ishte në krijim dhe na dëshmon për të neve sot.
Perëndia Atë dhe Frymë e Shenjtë, përmenden që në vargun e parë si krijues dhe Gjoni 1:1-3 na tregon se gjithçka u krijua me anë të Birit gjithashtu.
Ҫfarë bëri Perëndia kur krijoi? V 3 Ai foli dhe gjithçka u bë, erdhi në ekzistencë nga asgjëja
Hapësira = qiejtë = universi
Toka = lënda
Koha = hera e parë që koha filloi të ecë, të numërohet
Drita = gjithë spektri elektromagnetik, pra drita që shihet dhe që nuk shihet
Uji = që është shumë i rëndësishëm për ekzistencën e jetës në tokë.
Ҫfarë krijoi Perëndia në ditën e dytë? Zan 1:6-8 Lexim
Ditën e dytë Perëndia shtriu kupën qiellore, dhe atmosfera u krijua. U ndanë ujërat në tokë me ato në qiell. (Ujërat në qiell besohet se u derdhën mbi tokë në përmbytje)
Ҫfarë krijoi Perëndia ditën e tretë? Zan. 1:9-13 Lexim
Ndarja e ujit nga toka dhe mbledhja e tij në detet dhe oqeanet.
Krijimi i tërë botës bimore në tokë në tërë shumëllojshmërinë e saj, pra bari, pemët frutore dhe drurët e ndryshëm.
• Për herë të parë në Zan. 1:10 na thuhet se kjo ishte mirë.
• Pemët dhe bimët u krijuan në gjendje të përdorshme, të rritur, me fruta, fara.
• Për herë të parë jemi prezantuar me fjalën Lloj, v 11 Secila sipas llojit të vet.
• Fjala Lloj nuk është njësoj si Specie e përdorur në evolucion. Lloj = lloj i krijuar, kurse një specie është një variete, tip i bimëve ose kafshëve, i izoluar nga të tjerat, i paaftë që të kryqëzohet me anëtarët e specieve të tjera.
Ҫfarë krijoi Perëndia ditën e katërt? Zan. 1:14-19 Lexim
Krijmi në tri ditët e para Krijimi, mbushje e krijimit, tri ditët e dyta
Dita e parë: Universi u krijua
Dita e katërt: Universi u mbush me: diellin, hënën, yjet
Dita e dytë: Shtrirja e hapësirës. Atmosfera krijohet. Ndahen ujërat në qiell me ato në tokë.
Dita e pestë: Atmosfera mbushet me zogj. Ujërat mbushen më tërë gjallesat ujore, peshqit dhe krijesat në det.
Dita e tretë: Toka dhe deti ndahen
Shumëllojshmëria e bimëve krijohen në tokë
Dita e gjashtë: Kafshët në tokë krijohen.
Njerëzit krijohen: Një burrë dhe një grua
Ditën e shtatë: Perëndia pushoi dhe e shenjtëroi si një ditë, për adhurimin e tij dhe për pushim për njeriun. Eks 20:9-11
Dita e katërt është si astronomia e Biblës
V 14 Ndriçues në kupën qiellore, në univers dhe kemi dy arsye të qarta për krijimin e tyre.
Dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;
Për të ndarë ditën nga nata, dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën”.
Psalmi 19:1 Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
Dimë pak për numrin e yjeve në Bibël, ata u krijuan që të ndriҫojnë tokën por sipas këtyre psalmeve, mbi të gjitha për t’i dhënë Lavdi Perëndisë, Krijuesit të plotfuqishëm
Ҫfarë krijoi Perëndia ditën e pestë? Zan. 1:20-23 Lexim
Dita e pestë është si biologjia e Biblës, Perëndia krijoi jetën e gjallë në ujë dhe zogjtë.
Perëndia krijoi gjithë gjallesat, krijesat e deteve, oqeaneve, lumenjve, në tërë shumëllojshmërinë e tyre, sipas llojit të vet, nga më të voglat deri tek më të mëdhatë si balenat që njihen sot.
Perëndia krijoi gjithë zogjtë përmbi tokë, në tërë shumëllojshmërinë e tyre, madhësitë.
Ndryshe nga bimët dhe pemët, Perëndia i bekoi ata dhe i urdhëroi që: “Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë”.
Gjallesat në det dhe zogjtë, përshkruhen si qenie të gjalla, v. 20 dhe ka një ndryshim mes tyre dhe botës bimore në këtë aspekt.
Levitiku 17:11 Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën.
Po ashtu ka ndryshim mes njeriut si qenie e gjallë dhe kafshëve, pasi vetëm njeriu u krijua në shëmbëlltyrën e Perëndisë dhe jo kafshët.
Ҫfarë krijoi Perëndia ditën e gjashtë? Zan. 1:24-31 Lexim
Toka u plotësua në tërë shumëllojshmërinë e kafshëve, pasi gjallesat në ujë dhe zogjtë u krijuan në ditën e pestë.
Bibla nuk përmend dinozaurët (termi u përdor për herë të parë në 1841) por jemi të bindur që ishin pjesë e krijimit origjinal të Perëndisë. Zan. 1:24-25, Jobi 40:15-18.
Secili u krijua sipas llojit të vet v. 25, dhe kafshët ishin barngrënës dhe frutngrënës, por jo mishngrënës v. 30. Kafshët u bënë të tilla pas mëkatit, ishte pasojë e tij.
V. 25 gjithçka ishte mirë, pra nuk kishte armiqësi mes kafshëve të ndryshme.
Krijimi i njeriut, vula e krijimit të Perëndisë
Perëndia Trini u përfshi për të krijuar njeriun v. 26, Gjoni 1:1-3, Kolosianët 1:16-17, në dhe me anë të Krishtit u krijua gjithçka.
“Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne,
Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Që do të thotë se ai/ajo ka:
mendje, pra intelekt për ta njohur, komunikuar me Perëndinë.
vullnet të lirë, për të zgjedhur që të ndjekë ose jo Perëndinë.
ndjenja dhe emocione; për ta adhuruar dhe lavdëruar Perëndinë, arsyeja për të cilën Perëndia edhe e krijoi.
Njeriu u krijua mashkull dhe femër, detajet e krijimit jepen në Zan. 2. Një model i martesës së themeluar nga vetë Perëndia Zan. 2:24, pra një burrë dhe një grua. Bibla e bën të qartë se Jezu Krishti është shpëtimtari i të gjithë njerëzve.
Perëndia e bekoi burrin dhe gruan e parë dhe i urdhëroi që të shumoheshin dhe mbushnin tokën v. 28.
Perëndia i dha njeriut dominim, sundim mbi pjesën tjetër të krijimit, sundim jo shkatërrim siç shohim sot shpesh. V 28.
Perëndia e krijoi njeriun vegjetarian, v 29 çdo bar me fara dhe pemët me fruta si ushqim. Vetëm pas përmbytjes u lejua të hante mish. Zan. 9:3.
Detaje të veҫanta të krijimit të njeriut nga Zanafilla kapitulli 2
Kopshti i Edenit:
Perëndia e mbolli kopshtin e Edenit për njeriun në mënyrë të veҫantë, kuptojmë se ishte i ndryshëm nga pjesa tjetër me bimët dhe pemët në ditën e tretë. (2:8-9, 15) Një përkujdesje plot dashuri për njeriun nga Perëndia.
Perëndia vendosi dy pemë të veҫanta në kopsht, pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes v 9. Mosbindja do të sillte vdekje, pra ndarje nga Perëndia.
Gjeografia e kopshtit, është interesante por e vështirë që të kuptohet krejt, kjo pasi pas përmbytjes shumë gjëra kanë ndryshuar, v. 10-14.
Njeriu do ta punonte dhe të kujdesej për kopshtin e bukur që Perëndia i dha, v. 15.
Adami u vuri emrat tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; Adami nuk iu vuri emër ҫdo krijese që Perëndia kishte krijuar. Në këtë kohë ai i kuptonte ato, pra inteligjencë e madhe dhe së dyti ai kuptoi se nuk ishte njëlloj si kafshët, v. 19-20.
Perëndia krijoi Evën nga brinja e Adamit, ai përfaqësonte gjithë njerëzimin, ka kuptim
1Kor. 15:22. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.
Kjo pjesë e Zan. 2 është thelbësore për të kuptuar martesën, vetëm mes një burri dhe një gruaje përgjithnjë. Ky model mësohet në pjesën tjetër të Biblës, Mt. 19:5.
Duket se nuk binte shi (2:6) në këtë kohë, por avulli ujiste tokën, kjo ka kuptim kur njerëzit në kohën e Noeut nuk besuan se do të binte aq shumë shi, dhe më shumë për ylberin si një gjë e re pas përmbytjes; Zan. 9:12-14.
Ҫfarë ndodhi ditën e shtatë? Zan 2:1-3 Lexim
Gjithçka që Perëndia kishte krijuar ishte shumë e mirë (1:31), pra nuk kishte mëkat.
Është e rëndësishme të theksojmë se Perëndia krijoi edhe botën frymërore, pra engjëjt, për të cilët nuk e dimë saktësisht kohën kur u krijuan, por brenda gjashtë ditëve.
Nuk dimë as kohën ekzakte të rebelimit të luciferit, përveҫse pasi krijimi i Perëndisë kishte përfunduar, përndryshe nuk do të ishte shumë i mirë. Ata përmenden menjëherë pas rënies në mëkat të njeriut, në Eden. Zan 3:24
Pas gjithë kësaj Perëndia pushoi ditën e shtatë, dhe e shenjtëroi atë si një ditë pushimi dhe adhurimi. Kjo është e qartë nga ajo që Perëndia i thotë më vonë popullit të Zotit ndërsa i dha ligjin.
Eks 20:9-11 është shembulli dhe modeli për sot, pra gjashtë ditë pune dhe një ditë pushim. Shumë e rëndësishme sidomos në shërbesë, ku ka lodhje shpirtërore.
Literaturë në shqip për krijimin biblik:
1) Bibla, Fjala e Perëndisë
2) Libri i përgjigjeve: Ken Ham, Andrew Snelling, Karl Wieland
3) Mashtrimi evolucion: Ken Ham
4) Evolucioni fakt apo trillim? John Blanchard
5) A e ka hequr qafe shkenca Perëndinë? John Blanchard
6) A beson Perëndia tek Ateistët? John Blanchard
7) Darvini dhe darvinizmi pas 150 vjetësh: Ian McNaughton, Paul Taylor
8) Origjina: Sylvia Baker
9) Në kërkim të realitetit: Peter Hedley
10) Dëshmia për krijimin G.S Mclean, Rger Oakland, Larry Mclean
Materiale studimi në internet
http://www.answersingenesis.org
http://www.icr.org
http://www.albkristian.com
https://www.ibsh.al
Përgatiti: Pëllumb Ranxha