Rizgjim në Shqipëri a kemi nevojë për të?
| 17 Shkurt, 2022Rizgjim në Shqipëri a kemi nevojë për të?
Në vitet e fundit Perëndia më ka dhënë mundësinë të vizitoj, të predikoj në kisha të ndryshme në Shqipëri. Zemra ime bekohet nga vepra e Zotit mes nesh në këto 25 vite, jam plot mirënjohje për çdo arrijte të kishës tonë të re, për lavdinë e Perëndisë në këtë vend. Megjithatë në shumë raste duket që kisha shqiptare po fle, është indiferente dhe e pashqetësuar edhe pse ka disa besimtarë që kanë një marrëdhënie të fortë me Perëndinë. Në disa kisha Perëndia po punon në një mënyrë shumë pozitive dhe ka fryte besnikërie.
Gjithësesi shumë besimtarë dhe kisha janë në gjumë. Kjo është arsyeja se pse kemi kaq pak dishepuj seriozë që i përgjigjen thirrjes së shërbesës, kaq pak pastorë që ngrihen për të marrë rol udhëheqësie. Pjesëmarrja në adhurim bie dhe është rutinë për shumë njerëz. Në shumë kisha shërbesa e lutjes është ajo që ka më pak pjesëmarrje. A ka më pak nevojë brezi ynë për Perëndinë se 15 apo 20 vjet më parë kur kisha ishte më aktive në lutje?
Kjo gjendje pasive, e vakët e kishave tona është një realitet edhe pse shumica e kishave tona janë të zëna. Në fakt shumë të zëna. Aktivitete për burra, gra, adoleshentë, studentë dhe fëmijë.
Shumë kisha shërbejnë në fshatra apo edhe me shërbesa humanitare. Por parpësëprapë, shërbesa shpirtërore ka pak transformim jetësh. Ka pastorë të lodhur. Ka anëtarë të kishës që janë të pamotivuar, pasivë, të përgjumur. Bota nuk sheh te ne atë që duam që të shohë dhe ne po sjellim pak njerëz te Krishti.
Është e lehtë t’i fajësosh të tjerët për këtë varfëri shpirtërore. Besoj se pastorët dhe misionarët e kanë një pjesë të fajit. Disa punojnë pa u rritur vetë frymërisht dhe si pasojë, ata nuk kanë shumë për t’u dhënë njerëzve të tyre. Druaj se disa po “shërbejnë në tryeza dhe kanë lënë mënjanë shërbesën e lutjes dhe të fjalës”. Disa janë të shkurajuar për shkak të kësaj përgjumje në kishë, disa janë të rraskapitur apo disa janë dorëzuar. Disa mbase nuk janë të përqendruar në thirrjen e tyre të lartë në shërbesë. Disa janë të konsumuar nga konfliktet në kishë apo me njëri – tjetrin.
Sigurisht faj kanë edhe besimtarët, që janë të padisiplinuar në lutje dhe në studimin e Biblës. Ata nuk po marrin ushqim shpirtëror që i ndërton dhe pastaj presin që pastorët dhe drejtuesit e adhurimit të bëjnë diçka që t’i frymëzojë, kur ata nuk bëjnë asgjë ose bëjnë fare pak për të ushqyer veten e tyre apo edhe kanë mëkate të parrëfyera në zemër.
Përballë kësaj sistuate, ne duam që të shohim rizgjim në jetët tona si udhëheqës dhe në kishën Shqiptare. Në Shkrimin e shenjtë dhe në historinë e kishës, rizgjimet kanë filluar me ata që janë përulur, kanë shqyrtuar zemrat me ndershmëri para Zotit.
Ne ndoshta do të na duhet që t’u kërkojmë falje njerëzve për mëkatet tona dhe t’i falim njerëzit që nuk duam t’i falim. Të kërkojmë Perëndinë që të na ndryshojë, të shkatërrojë krenarinë tonë dhe të na japë forcë të jetojmë të dorëzuar ndaj vullnetit të Tij për ne. Ne duhet të jemi gati të braktisim idhujt modernë: varësinë ndaj internetit, ndaj televizionit, frikën nga opinioni i të tjerëve, marrëdhëniet e këqija që na pengojnë të ndjekim Zotin, jetesën e padisiplinuar dhe të pakujdesshme, neglizhencën e kohës personale me Perëndinë dhe fjalën e Tij, krenarinë, fiksimin pas parasë dhe gjërave materiale, ambicien për të lartësuar veten sesa të nderosh Perëndinë Perëndia duhet të jetë i pari në çdo gjë.
“Një rizgjim ndodh kur Perëndia i gjithëpushtetshëm derdh praninë e Tij mbi njerëzit e vet. Ai u jep bindje, shenjtëri, pastrim, ripërtëritje dhe fuqi njerëzve të Tij në mënyrë që t’i përdorë ata. Në momentin kur Perëndia hukat Frymën e Tij në një person ose në një kishë dhe jep një vetëdije dhe vajosje të re të pranisë dhe Frymës së Tij të Shenjtë, ndodh një rizgjim.”
Në një kohë të vështirë si kjo, ku nuk kemi shkelur më parë si një kishë re, le të kërkojmë Perëndinë që të na zgjojë dhe ta bëjë Emrin e Tij të madh mes nesh, ta sjellë zgjimin në popullin e Zotit dhe përmes nesh në shoqërinë tonë që është e zhytur thellë në mëkate!
Citmi: Mark D. Partin “Të lutesh me zjarr” faqe 5
Mund ta marrim dhe lexojmë librin këtu: https://ibsh.al/product/te-lutesh-me-zjarr/ Mund ta dëgjojmë edhe këtu: https://ibsh.al/te-lutesh-me-zjarr-audio/ https://youtube.com/playlist?list=PLWiG1BF07Ez0IdNvrELJtycXE6cF6ASOd https://www.facebook.com/342300439956113/videos/658475561444167
Përgatiti: Pëllumb Ranxha