Mbaji sytë te Krishti! Hebrenjtë 12:1-2
| 21 Prill, 2020Që nga momenti që kemi vendosur besimin tonë në Jezu Krishtin si Zoti dhe Shpëtimtari ynë e në çdo kohë të jetës dhe shërbesës ne duam t’i mbajmë sytë te Krishti. Po për më tepër në ditët e vështira që po kalojmë e ndiejmë edhe më fort këtë nevojë. Le të marrim sot disa mendime nga letra dërguar të krishterëve Hebrenj, kapitulli 12:1-2
Në kapitullin 11 ka një listë me njerëz të besimit, ata ishin frymëzim për kishën e hershme por janë edhe për ne sot. Ne i përfytyrojmë ata si fitimtarë, si dëshmitarë dhe jo si spektatorë. Për më shumë ata na frymëzojnë dhe dëshmojnë se si është Perëndia ynë dhe çfarë mund të bëjë Ai në dhe përmes jetëve tona kur ecim me Të.
Duket se autori në këtë pjesë ka në mendje garën e atletëve në kohët e lashta. Ai po e përshkruan ecjen me Krishtin për ne si kishë si në një garë, ku ka jo vetëm disa fitues, por se Zoti dëshiron që të gjithë të jemi fitimtarë me Të dhe të marrim kurorën e lavdisë. 2Tim 4:8
Patjetër që çdo atlet do të sigurohej që po e shikonte me kujdes veten, që të mos kishte ndonjë gjë që do të ishte e rëndë dhe që do ta pengonte të vraponte mirë.
Prandaj, hidhni tej çdo barrë dhe mëkatin na thotë teksti. Që të ecim si duhet në ecjen tonë me Perëndinë, që të jemi të frytshëm, ne duam të sigurohemi që kemi një zemër të pastër para Tij. Ai vetë na thotë: Lum ata që janë të pastër në zemër se ata do ta shohin Perëndinë; Mat 5: 8.
Po cilat janë këto barra? Çdo gjë që pengon përparimin tonë në Ungjillin, që nuk na lejon të rritemi, të jemi të frytshëm. Për dikë është të qenit i zënë, apo një mëkat i parrëfyer, apo mosfalja, apo mosbindja e vazhdueshme, apo varësia ndaj diçkaje që pengon bashkësinë tonë me Të si interneti dhe telefoni. Nën ndriçimin e Frymës së Shenjtë ne e kuptojmë cila është.
Ne duhet të përgjigjemi me ndershmëri se cila është ajo gjë apo ai mëkat që na pengon, në garën tonë nëse ka një të tillë dhe t’ia rrëfejmë atë Perëndisë që na fal dhe na përtërin.
Tani atyre që ishin të lodhur, të përndjekur, të ligështuar, pa fuqi, pa shpresë për të vazhduar përpara në jetën e tyre të krishterë autori iu thotë qartë:
V 2. Drejtoji sytë te Krishti: Në këtë varg Zoti ynë përshkruhet si kreu, apo themeluesi i besimit, si plotësonjësi i besimit, ai që fitoi mbi mëkatin, djallin, vdekjen me anë të kryqit dhe ringjalljes.
Pra, Ai që solli shpëtimin tonë, është në të djathë të Atit duke ndërmjetësuar për ne edhe në këto ditë, madje Ai rron përjetë duke e bërë këtë gjë. Sa e rëndësishme është kjo e vërtetë!
Të vështrosh te Jezusi përshkruan një qëndrim me besim. Më herët në kap 11, Zoti na thotë se: “besimi është siguria e gjërave që shpresohen”, v1 “se pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij dhe se kush i afrohet duhet t’i afrohet me besim” v 6.
Pra, të dashur miq është e qartë se me besim në Krishtin me anë të Hirit ne shpëtohemi dhe me anë të besimit po dhe të Hirit ne vazhdojmë të ecim me Të.
Heronjtë e besimit në kap 11 duruan shumë vuajtje, mbase më shumë sesa ne, po asnjëri prej tyre nuk vuajti aq sa Zoti ynë. V 2 na thotë se Jezusi duroi kryqin, mori mëkatin dhe vuajtjet tona.
Mbase disa prej nesh po përjetojnë vuajtje. Ajo është pjesë e jetës së krishterë. Mendoni për shembullin e Zotit tonë, i cili kur mori mëkatin tim dhe tëndin vuajti më shumë se kushdo tjetër. Çfarë vuajtjeje! Çfarë dashurie!
Po çfarë e aftësoi Jezusin që të shkojë deri në fund? Marrëdhënia e ngushtë me Atin. Ai pa atë që nuk kishte ardhur akoma, Ai pa me gëzim shpëtimin tim dhe tëndin, dhe kështu shkoi në kryq. Sa e thellë dhe sa e bukur është kjo e vërtetë!
Vini re se mund të ecim në vështirësi dhe të kemi gëzim, a nuk është Jezusi shembulli ynë dhe për këtë? V 2
Fjala na thotë se Perëndia na e shton besimin, se besimi vjen nga dëgjimi i Fjalës së Perëndisë. Në këtë mënyrë Ai na mban vazhdimisht të lidhur me veten, punon tek ne. Rom 10:17
Të besosh në Të do të thotë se Ai do të derdhë fuqi në jetën tonë për ta mposhtur mëkatin dhe për të na aftësuar që të përmbushim thirrjen e lartë për t’i shërbyer Atij.
Vëllezër dhe motra, nëse nuk i mbajmë sytë te Krishti do të ketë pasoja për jetën tonë. Ashtu si Pjetri u zhyt në ujë ndërsa i hoqi sytë nga Zoti dhe pati pak besim, po kështu mungesa e besimit mund të na bëjë ta pafrytshëm, pa gëzim në ecjen tonë me Zotin, për më shumë ka rrezik të jemi dëshmi e keqe dhe me pasoja për emrin e Krishtit dhe jetën e kishës.
Nëse nuk i mbajmë sytë te Krishti mund të ndodhë që barrët dhe mëkati të na sundojnë, me siguri ky nuk është plani i Zotit për ne si bijtë e Tij. Për këto gjëra Fjala e Zotin na paralajmëron që të ruhemi prej tyre. Madje qartazi na paralajmëron që të mos kemi një zemër të ligë mosbesimi e cila largohet nga Perëndia i gjallë. Heb 3:12
Po sa e veçantë është për ne që Zoti ynë është jo vetëm që është shembulli ynë më i mirë, por Ai edhe na aftëson që të bëhemi si Jezusi, na jep Frymën e Shenjtë për të vepruar tek ne, ndërsa i drejtojmë sytë tek Ai.
Të vështrosh te Jezusi do të thotë të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Të, siç e kishte Ai me Atin. Kjo do të thotë se jeta jonë do të karakterizohet nga lutja, bashkëbisedimi me Perëndinë. Sa shumë gjëra ka për t’u lutur në këto ditë të dashur miq! Ndërsa lutemi Zoti na zbulon edhe më shumë për t’u lutur.
Të vështrosh te Jezusi do të thotë të lexosh dhe të studiosh Fjalën e Perëndisë për të mësuar çdo ditë atë që Zoti ynë ka për t’i thënë zemrave tona apo duke studiuar libra të krishterë që na ndihmojnë në besimin tonë. Le të lutemi që ato që po i lexojmë do t’i vëmë në praktikë.
Të vështrosh te Jezusi do të thotë që do të kemi një frymë adhurimi, lavdërimi dhe nderimi për Zotin tonë, pasi Ai i vetmi është i denjë për të dhe Ai e pëlqen adhurimin e bijve të Tij.
Të vështrosh te Jezusi përshkruan një dëshirë për bindje ashtu si Ai vetë pati ndaj Atit. Karakterizohesh nga një dëshirë për të shërbyer pasi si të tillë jemi në mbretërinë e Tij.
Kjo marrëdhënie do të bëjë që Ati të formojë në ne një karakter të perëndishëm, si të Birit të Tij. Sa shumë punë ka bërë Zoti me karakterin tim, me tëndin! Po edhe sa shumë punë Ai ka për të bërë me ne aty ku jemi të dobët.
Perëndia, Ati ynë, i gjithpushteshëm, i gjithdijshëm, i dashur, plot mirësi, i shenjtë, i mëshirshëm, që fal; Ai i mban sytë e Tij vazhdimisht mbi ne. Sa bekim dhe inkurajim është kjo e vërtetë! Po, Ai i mban sytë e Tij mbi bijtë e Tij në të gjithë botën, në çdo kohë, në çdo situatë.
A po i mbajmë ne sytë tek Ai? A po tregojmë se e duam dhe kemi mall për Të? A po vazhdojmë të ecim me Të? Lutem që përgjigjja jonë do të jetë PO. Lutem që të tjerët do t’i shohin këto gjëra në jetën tonë dhe do të lavdërojnë Perëndinë.
Ata që i mbajtën sytë te Krishti në të shkuarën ishin instrumente në duart e Atit për të shpallur Ungjillin. Ishin dritë dhe kripë në kohë errësire. Ishin dishepuj që u karakterizuan nga bindja, dashuria, gëzimi, besnikëria dhe shpesh me fryte që i sollën lavdi Perëndisë. E përfunduan garën dhe e ruajtën besimin. 2Tim 4:7. Çfarë shembulli i mirë për ne!
Sot, ne ashtu si edhe ata e kemi të qartë se që të arrijmë këto gjëra madje edhe më shumë, sidomos në këto ditë duhet të vazhdojmë që t’i mbajmë sytë te Jezu Krishti.
Nëse po i dëgjon këto gjëra dhe nuk kanë kuptim për ty, pra Jezu Krishti nuk është Zoti dhe Shpëtimtari i jetës tënde, kam disa fjalë për ty. Perëndia na ka krijuar, po ne të gjithë jemi mëkatarë, të ndarë nga Zoti prej mëkatit tonë. Pranoje, rrëfeje mëkatin tënd sot para Perëndisë, pendohu për të. Vendose besimin tënd në Krishtin, duke i kërkuar të falë dhe të bëjë bir. Ai do të bëhet Zoti dhe Shpëtimtari yt, do të udhëheqë me anë të Biblës Fjalës së Tij dhe ti do të flasësh me Të në lutje.