Të lutemi për kishën e përndjekur
| 21 Prill, 2020
1: Koreja e Veriut. Koreja ka rreth 25.7 milionë banorë, me mbase 300 – 400.000 të krishterë. Për 19 vjet është vendi nr. 1 në botë për nivelin e përndjekjes. Nëse të krishterët zbulohen me një Bibël apo pjesë të saj ata burgosen ose internohen, ku torturohen apo punojnë si skllevër. Disa mijëra besimtarë janë në kampe pune dhe burgje. Ata nuk mund të takohen për të adhuruar apo të ndajnë Ungjillin edhe me fëmijët e tyre derisa këta të rriten. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike në rritje, asgjë nuk ka ndryshuar për të krishterët. Kisha koreane edhe pse në vuajtje të mëdha po rritet. Është një mrekulli që kisha të ekzistojë atje dhe më shumë akoma që të rritet. Ata luten që bashkë me të krishterët në Korenë e Jugut do të çojnë Ungjillin nëpër botë. Familja e Kim adhurohet dhe ai vetë e ka konsoliduar pushtetin e tij. Para viteve 90-të, Shqipëria ishte në krye të kësaj liste, tani jemi të lirë. Të marrim zemër nga hiri i Zotit dhe le të lutemi për Korenë.
Kërkesa lutje: Ta falënderojmë Perëndinë për besnikërinë e Tij ndaj kishës në Kore dhe po ashtu për dëshminë frymëzuese dhe besnike të kishës koreane për kishën e lirë dhe në Shqipëri.
* Lutemi për besim, urtësi, mbrojtje, një jetë me Frymën dhe vizion për udhëheqësit e kishës
* Për hir, forcë për tërë ata në burgje dhe kampe. Bashkësi, punë, ushqim, ilaçe për ata në liri
* Që Kim dhe qeveria do të njohin Perëndinë e vërtetë, që fuqia e ligësisë do të thyhet në Kore.
2: Afganistani. Është një shoqëri islamike, fisnore ku besnikëria ndaj fisit, familjes dhe klanit ka rëndësi të madhe. Largimi nga islami është i ndaluar me ligj. Ata që lënë islamin, nëse zbulohen dhunohen, dërgohen në psikiatri apo vriten nga vetë familja e tyre pasi iu sjell turp. Përndjekja vjen nga qeveria, drejtuesit e grupeve etnike e ato fetare. Talebanët kontrollojnë një pjesë të madhe të vendit po edhe grupe të lidhura me ISIS. Ata që vendosin të ndjekin Krishtin e bëjnë në fshehtësi. Disa të krishterë që u zbuluan u vranë vitin që kaloi. Në Afganistan përndjekja është e madhe dhe nuk ka ASNJË kishë të lejuar dhe pse ka 37 milionë banorë. Ka të krishterë në disa OJF, mes diplomatëve dhe ushtarakëve të huaj, po nuk ka të krishterë afganë që njihen në publik.
Kërkesa lutje: Për besim, guxim dhe mbrojtje për besimtarët që vijnë nga tradita islamike
* Për besim, vizion, urtësi për drejtuesit dhe për të krishterët që janë pa mundësi bashkësie.
* Që Ungjilli do t’u shpallet afganëve, e veçanërisht qeveritarëve, talebanëve dhe ISIS
* Që fryma e fortë kundër Krishtit do të thyhet dhe do të ketë uri për Ungjillin në Afganistan
3: Somalia. Vendi mbetet i trazuar në luftën mes klaneve, fiseve dhe islamizmit të dhunshëm. Islami dominon qeverinë dhe klanet fisnore, për shumë vite është një vend ku radikalizmi ka rrënjë të forta. Ka vetëm disa qindra besimtarë nga 15.6 milionë banorë në Somali. Nuk ka ende ASNJË kishë të lejuar. Militantët e al Shabab janë rregullisht në kërkim për të krishterët në vend dhe këmbëngulin që sheriati të zbatohet. Në jetën private, familjare, shoqërore dhe kombëtare të dalluarit se je i krishterë përbën rrezik të madh. Të krishterët e jetojnë besimin në fshehtësi të madhe. Ata që largohen nga islami përndiqen pasi konsiderohet tradhti. Qeveria, militantët islamikë, shoqëria por edhe nga familja janë përndjekësit. Kampet e të zhvendosurve nga lufta janë çnjerëzore, ku ka dhunë e pasiguri për gratë dhe vajzat.
Kërkesa lutje: Që Zoti do të ndërtojë kishën e Tij në mes të kësaj përndjekje të madhe.
* Që në mes të këtyre vuajtjeve Somalezët do të kthehen tek Krishti e të kërkojnë Zotin
* Që qeveritarët, talebanët dhe çdo përndjekës tjetër në shoqëri do të njohë Krishtin
* Për punëtorë në Somali dhe që kisha e lirë do të gjejë mënyra përkujdesjeje për kishën atje
4: Libia. Mungesa e një qeverie të vetme për të vendosur ligjin dhe rregullin sjell nivele të larta trysnie mbi kishën. Libianët që vijnë nga islami dhunohen, në një vend ku nuk ka liri të besimit, të fjalës dhe leje për kishat që të ekzistojnë. Emigrantët e krishterë lejohen që të adhurojnë bashkë, por ata janë vazhdimisht të rrezikuar nga militantë islamikë dhe diskriminohen në shoqëri. Ka rreth 36.000 të krishterë nga 6.5 milionë banorë në Libi. Libia është në një konflikt pushteti e si e tillë një vend me shumë përndjekje në Afrikën e Veriut. Janë grupet islamike dhe krimi i organizuar që i përndjekin të krishterët edhe punëtorët emigrantë. Në qendrat e ndalimit në kryeqytet ka shumë vështirësi, dhunë, sidomos ndaj të krishterëve. Shitja e njerëzve për punë apo prostitucion po sjell një skllavëri të re. Këto janë arsye madhore për t’u lutur për Libinë.
Kërkesa lutje: Për stabilitet e paqe në Libi, që Zoti do të prishë planet e të ligut për atë vend.
* Për punëtorët emigrantë të cilët janë objekt i diskriminimit të vazhdueshëm në Libi
* Që besimtarët do të gjejnë bashkësi, do të rriten në besim dhe kisha e lirë do t’i ndihmojë
* Që Libianët do të kërkojnë Zotin në këtë kohë krize, kaosi dhe lufte për pushtet.
5: Pakistani. Vendi ka 204 milionë banorë me rreth 4 milionë të krishterë. Që nga viti 1947 kur fituan pavarësinë dhe u bë një shtet islamik, të krishterët vuajnë përndjekje. Punët e vështira dhe trajtim i ashpër u ofrohet të krishterëve nga qeveria pavarësisht në çfarë shtrese të shoqërisë janë. Përndjekja vjen nga grupet islamike që ndikojnë qeverinë, në ushtri që kërkojnë për të konvertuarit. Dhe pse kishat historike, ajo anglikane dhe katoike kanë ca liri besimi të krishterët janë objekt i rrahjeve, dëmtimeve të pronës, kërcënimeve me vdekje, përdhunimeve, martesave me forcë të vajzave të krishtera me djem myslimanë. Ligji për blasfeminë dënon të krishterët edhe për t’i penguar në ungjillëzim dhe për t’i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. “Al-kaeda” ka goxha ndikim në këtë vend. Pavarësisht këtyre, dëshmi inkurajuese vijnë nga kisha në Pakistan
Lutje: Falëndero Perëndinë për besnikërinë e Tij ndaj kishës dhe të sajën ndaj Zotit Jesus.
* Për mbrojtje dhe për dishepullim për besimtarët e rinj; urtësi, hir, forcë, vizion për drejtuesit
* Që qeveria do të mbrojë të krishterët duke luftuar edhe grupet e ndryshme islamike në vend
* Për hir, drejtimin e Atit për situatat e vështira, për vajzat që martohen me dhunë me myslimanë
6: Eritrea: Regjimi totalitar është përgjegjës për vuajtjet e të krishterëve. Vendi ka 5.3 milionë banorë me rreth 2.4 milionë të krishterë, ai njihet si Koreja e Veriut e Afrikës. Kishat e lejuara nga shteti kanë pak liri, kjo kishë tradicionale Kopte i përndjek ata që largohen prej saj. Ungjillorët përballen me arrestime, burgosje, grabitje të shtëpive dhe tortura deri në vrasje. Ata detyrohen të punojnë orë të gjata në fusha apo mbahen izolim në kushte çnjerëzore. Regjimi i Isaia Afeurki e ka vështirësuar jetën për të krishterët pasi e mbikqyr ashpër kishën, ka dëbuar misionarë, ka mbyllur kisha dhe i sheh ata si agjentë të huaj. Të rinjtë merren me forcë për në ushtri, ata që largohen nga islami përndiqen ashpër.
Kërkesa lutje: Falënderoni Perëndinë për kishën besnike në Eritrea dhe lutuni për hir, fuqi, urtësi, kurajë e mëshirë për të krishterët atje, për ata të burgosur e të tjerët që përndiqen.
* Për rizgjim të kishës kopte dhe që ata do t’i duan të krishterët e tjerë, për paqe në Eritrea.
* Që kisha e lirë të lutet e të kujdeset për Eritrean, që diktatori Isaia Afeurki të njohë Krishtin.
* Për ndryshim të politikës që i sheh Ungjillorët si agjentë, kisha të vazhdojë të rritet në dëshmi
7: Sudani. Qeveria diktatoriale sundon me sheriatin dhe me ashpërsi për të krishterët. Vendi me rreth 42.5 milionë banorë ka rreth 1.9 milionë të krishterë. Kaosi politik i momentit i ka vendosur të krishterët në pozitë të vështirë. Udhëheqës të krishterë janë kërcënuar dhe arrestuar. Ka rrahje, burgosje, tortura, dëmtim të pronave, martesa me forcë të vajzave me myslimanë. Ajo vjen nga qeveria, nga grupet islamike dhe nga shoqëria sudaneze, ku afrikanët janë të krishterë dhe arabët myslimanë. Ata që lënë islamin përndiqen ashpër. Shumë të krishterë janë sulmuar, diskriminuar në disa zona malore ku qeveria ka konflikt me grupe rebele. Ndërsa Omar Hassan u rrëzua nga pushteti ka shumë pasiguri për qeverisjen atje.
Kërkesa lutje: Falënderoni për Hirin dhe besnikërinë e Zotit për kishën e lutuni për mbrojtjen drejtimin e Perëndisë për të krishterët dhe që drejtuesit të dishepullojnë besimtarët e rinj.
* Që besimtarët do të kenë ndërtesa për adhurim, e liri besimi pa frikën se do të shkatërrohen.
* Që kisha e lirë të lutet e të kujdeset për atë sudaneze; që përndjekësit të njohin Krishtin.
* Që një qeverisje më e mirë do të vijë për Sudanin, do të mbrojë të krishterët, për paqe atje.
8: Jemeni. Lufta civile ka shkaktuar një kaos dhe krizën më të madhe humanitare, me shumë pasoja, ku miliona njerëz sidomos fëmijët vuajnë nga uria. Ajo i ka shtuar vuajtjet për të krishterët, ndërsa grupet radikale islamike kanë fituar terren. Ka vetëm disa mijëra besimtarë, në një vend me rreth 29.5 milionë banorë ku nuk ka mbetur asnjë kishë. Ata vijnë nga tradita myslimane dhe mblidhen në fshehtësi, disa janë larguar nga vendi. Shumica e të krishterëve emigrantë kanë ikur për shkak të luftës. Ushqimi, uji dhe ilaçet mungojnë shumë. Jeta e krishterë në këtë situatë është mjaft e vështirë, ku qeveria, grupet radikale dhe shoqëria përndjekin kishën.
Jemeni dhe kisha atje kanë një nevojë të madhe për lutjet e kishës së lirë tani. Prandaj:
Kërkesa lutje: Falëndero Zotin për kishën në Jemen; lutemi për hir, mbrojtje, urtësi, përkujdesje
* Për paqen e Jemenit ndërsa është në një luftë të gjatë dhe që përndjekësit të njohin Krishtin.
* Që Zoti do të sigurojë për nevojat e të krishterëve të varfër në këtë kohë lufte.
* Të krishterët rrezikojnë të humbasin bashkëshorten/in apo fëmijët kur zbulohen, lutuni për këtë
9: Irani. Për shkak se është një republikë islamike shite, vendi qeveriset nga ligji islamik që i kufizon ashpër të krishterët. Irani ka 82.8 milionë banorë me rreth 800.000 të krishterë. Nuk lejohet që të ndash besimin me të tjerët dhe as botimi i literaturës së Krishterë. Armenët dhe asirianët mund të jenë të krishterë, po kur iranianët konvertohen, sjell përndjekje, ku as shërbesa nuk lejohet në persisht. Qeveria mbikëqyr ashpër, arreston, burgos, kërcënon; sidomos ndaj atyre që ungjillëzojnë dhe veçanërisht drejtuesit. Disa janë ndëshkuar si shkaktarë për krime ndaj sigurisë kombëtare. Disa kisha-shtëpi u zbuluan dhe besimtarët u arrestuan. Këto sjellin mjaft pasoja edhe për familjet e tyre. Përplasjet me fuqitë e tjera në rajon dhe sanksionet ekonomike ndaj Iranit, e kanë vështirësuar jetën edhe për të krishterët. Megjithatë kisha në Iran po rritet, po përjeton një rizgjim, shumë myslimanë po gjejnë Krishtin, duke i dhënë zemër dhe kishës së lirë.
Kërkesa lutje: Falënderoni Zotin që kisha po rritet, për besnikërinë dhe frytin e saj në Iran
* Për rritje shpirtërore për të krishterët, për hir, urtësi, mbrojtje dhe vizion për drejtuesit e kishës
* Që udhëheqësit e qeverisë e të islamit dhe përndjekësit e tjerë të njohin Krishtin
* Për mbrojtje për besimtarët që takohen në fshehtësi dhe që persishtja të lejohet në shërbesë
* Të gjitha kishat në gjuhën farsi janë mbyllur, janë arrestuar drejtuesit, lutuni për drejtues të rinj
10: India. Që nga ardhja në pushtet në 2014 e partisë që qeveris, hinduizmi është forcuar dhe përndjekja është rritur. Në Indi nga 1.36 miliardë banorë ku rreth 66 milionë janë të krishterë. Disa shtete të federatës e ndalojnë me ligj konvertimin në krishterim. Të mbështetur nga qeveria radikalët hindu shpallin se të jesh indian do të thotë të jesh hindu, kjo pikëpamje shfaqet në media e në shoqëri. Mijëra sulme ndaj të krishterëve ndodhën vjet, ndaj besimtarëve, udhëheqësve, ndërtesave të kishave, shkatërrime të pronës, përdhunime dhe vrasje. Ungjillëzimi është shkak për përndjekje në zonat me shumicë hinduiste dhe myslimane. Por kisha po rritet, pavarësisht përndjekjes, sidomos mes dalitëve të varfër. Dëshmitë inkurajuese që vijnë nga India janë frymëzim për kishën e lirë në Shqipëri që të marrim zemër e të shpallim më shumë Ungjillin
Kërkesa lutje: Falëndero Zotin për besnikërinë e Tij ndaj kishës dhe për vetë kishën indiane.
* Për përkujdesje, mbrojtje dhe për punë për të krishterët e varfër në Indi, ata janë pre sulmesh.
* Për mbrojtjen, drejtimin e Zotit për ungjilltarët në shtetet ku është i ndaluar me ligj konvertimi.
* Indianët do të marrin Ungjillin përmes medias, për ndalim të sulmeve ndaj medias së krishterë.
* Që kisha e lirë në Indi e në botë do të lutet dhe të kujdeset në mënyra të reja për ata që vuajnë.
11: Siria. Lufta e gjatë civile e ka lënë vendin me trazira ku të krishterët nuk janë të kursyer nga vuajtjet. Vendi ka 18.4 milionë banorë ku janë rreth 744 mijë të krishterë. Ata gjenden në mes të zjarrit të trupave qeveritare dhe atyre rebele, sidomos në vijën e frontit. Të krishterët janë në pozitë të vështirë në ato zona ku sundojnë forca armiqësore ndaj krishterimit. Edhe në zona të sigurta ata që konvertohen nga Islami, ndeshin diskriminim të madh. Udhëheqësit e kishave historike janë objekt i sulmeve. Kishat ungjillore janë në një pozitë delikate, pasi njihen për orientimin e tyre perëndimor, janë të fragmentuara, pa udhëheqje të fortë publike dhe pa një zë ndërkombëtar që t’i mbrojë. Në zonat e grupeve radikale islamike plot kisha janë shkatërruar ose shndërruar në qendra islamike. Shpallja publike e besimit është e ndaluar dhe po ashtu rindërtimi i kishave. Kjo ndodh në zonat me shumicë sunite por është më pozitive situata në zonat kurde.
Kërkesa lutje: Lutuni për arsimimin e fëmijëve pasi lufta ka shkatërruar shumë shkolla.
* Për vullnetarët që shërbejnë në 16 qendrat e shpresës në Siri, në përkujdesje të kishës siriane.
* Lutemi për paqe në Siri, që të gjithë faktorët do të punojnë për të, pasi ka një konflikt të gjatë
* Për urtësi dhe frymë dallimi tek udhëheqësit e kishës, ndërsa shërbejnë në kohë lufte, pasigurie.
12: Nigeria. Të krishterët në qendër dhe në veri përballen me dhunën e grupeve islamike si Boko Haram. Vendi ka 200 milionë banorë me rreth 93 milionë të krishterë. Sulmet janë ndaj besimtarëve, udhëheqësve dhe ndërtesave të kishës, pronave të të krishterëve ku ka patur edhe vrasje. Të rinjve iu mohohet arsimimi dhe shpesh për të gjetur një punë iu kërkohet mohimi i besimit në Krishtin. Shumë të krishterë në këto zona vishen si myslimanë që të mos jenë objekt i sulmeve publike ndaj tyre. Kërkesat për leje për një ndërtesë të re kishe shpesh injorohet. Besimtarët që vijnë nga tradita myslimane hasin përndjekje të madhe, disa largohen nga familja pasi familja vet i vret për turpin që kanë nga largimi i tyre prej islamit. Pavarësisht sulmeve, dhunës, dhimbjes nga grabitjet e vajzave, kisha po rritet dhe dëshmia e saj është inkurajim.
Kërkesa lutje: Për përkujdesjen dhe mbrojtjen e Zotit për besimtarët në këto zona të Nigerisë
* Për lirimin e mijëra grave dhe vajzave të rrëmbyera nga Boko Haram, për hir në familjet e tyre.
* Falënderojmë Zotin për lirinë e besimit në jug e lutemi që ata do të rriten në besim e dëshmi.
* Që udhëheqësit e kishës do të kenë urtësi, besim, vizion të drejtojnë kishën në këtë situatë.