Udhëheqësia e krishterë në Shqipëri
| 21 Prill, 2020Ne kemi patur mundësinë që të shohim veprën e mrekullueshme të Perëndisë në kombin tonë, duke na sjellë liri, duke na sjellë Ungjillin dhe duke sjellë mijëra tek Krishti. Vepra e Perëndisë në kombin dhe kishën tonë na sjell mirënjohje për Të, mirënjohje për ata që Zoti i ka përdorur për të ndërtuar në kishën shqiptare dhe për shembullin e tyre të mirë.
Po pse duam që të jemi në udhëheqësi? Çfarë standarti ka Fjala? Si mund ta përmbushim në realitetin shqiptar? A ka shembuj që mund t’i ndjekim nga Shkrimi, historia dhe e tashmja? Si mund të vendosim ne një shembull për brezat që do të vijnë?
Në kishën shqiptare ne jemi bekuar nga udhëheqës që kanë qenë një shembull i mirë dhe frymëzim por edhe të paralajmëruar nga ata që nuk kanë qenë apo nuk janë një shembull i mirë.
Megjithatë në të paktën dhjetë vitet e fundit në kishën shqiptare ka patur një krizë për drejtues të rinj, stabël, të përkushtuar, apo me thirrje për në shërbesë. Por edhe probleme deri në ndarje kishash dhe arsyeja kryesore për këto gjëra është udhëheqësia.
Që nga fillimi i saj, kisha ka qenë e bekuar me përkujdesje nga Perëndia dhe Ai ka vendosur në kishë njerëz me dhunti të ndryshme siç ka dashur vetë për ndërtimin e kishës dhe për t’i dhënë lavdi emrit të Tij. Ef 4:11, 1Kor 12.
Pali thotë: “Në qoftë se dikush dëshiron që të bëhet peshkop, punë të mirë dëshiron” 1Tim 3:1. Peshkop nuk ka kuptimin që kemi në mendje nga ortodoksia, katolicizmi, por ishte një udhëheqës, një shërbëtor që ishte një mbikqyrës i jetës së kishës, më vonë i disa kishave.
Historia tregon se njerëzit nuk e vlerësojnë titullin apo postin tonë por cilësinë e veprave, karakterin dhe zemrën tonë si udhëheqës. Prandaj në këto mësime ne duam që të përqendrohemi tek rritja e karakterit, një ekuilibër me dhuntitë, tek beteja frymërore dhe familja, pra në tërësi të shpalosim një udhëheqësi biblike.
Bibla na tregon se kur Perëndia gjen një njeri që është i gatshëm që të drejtojë, të përkushtohet plotësisht ndaj dishepullimit dhe të marrë përgjegjësi për të tjerët, atëherë ky person do të jetë një instrument në duart e Atit për të ndërtuar në kishë dhe për t’i dhënë lavdi Perëndisë në maksimum. Ai e vajos, e mbush me Frymën e Shenjtë, i jep urtësi nga lart, e thërret për një shërbesë të veçantë: Vep 9:17, 13:2,
Me autoritet, shpirtërorë dhe sakrifikues
Që shoqëria jonë ta dëgjojë zërin e kishës, nevojiten udhëheqës me autoritet, shpirtërorë dhe sakrifikues.
Autoritet që buron nga Perëndia, i cili vjen me thirrjen e Tij, kurajozë. Autoriteti nga Zoti i bën njerëzit të na ndjekin, të kuptojnë thirrjen tonë. Autoriteti i Zotit në kishë duhet respektuar, duhet përdorur me urtësi dhe drejt dhe jo të abuzohet me të. Është privilegj dhe një përgjegjësi e madhe. Mt 7:28-29, 1Tim 4:12
Shpirtërorë pasi duhet të ketë një marrëdhënie të fortë me Perëndinë me disiplinat frymërore si: lutja, leximi, studimi, adhurimi, agjërimi, të dhënurit, veçimi. 1Tim 4:13-16. Nga përkushtimi ynë në këto disiplina do të varet ecuria në jetën tonë personale, familjare dhe në shërbesë.
Sakrifikues pasi ndjekim shembullin e Jezusit duke ditur se shërbesa has kundërshti. Luka 9:23 Marku 10:38. Udhëheqësia është e shoqëruar edhe me vuajtje dhe pse Zoti na jep shumë momente gëzimi, lavdie, fryti. Jezusi e bën të qartë: Që të jesh ndjekës i Tij dhe udhëheqës në kishën e Tij do të vuash: 2Tim 3:10-12. Vuajtja e udhëheqësit vjen nga bota, satani, familja jobesimtare, por edhe nga kisha. Shërbimi dhe vuajtja janë një në mësimin dhe jetën e Zotit tonë.
“Autoriteti shpirtëror dhe udhëheqësia nuk fitohen me ngritje në detyrë, por me shumë lutje e lot. Arrihet me rrëfimin e mëkatit, me shumë shqyrtime të zemrës dhe përulje para Perëndisë, me vetëdorëzim, me sakrifikimin e guximshëm të çdo idhulli, me një përqafim të guximshëm e pa u ankuar të kryqit dhe me anë të një shikimi të përjetshëm dhe të palëkundur te Jezusi i kryqëzuar. Nuk fitohet duke kërkuar gjëra të mëdha për vete, por, si Pali, duke i llogaritur ato gjëra që na janë dhënë si humbje, vetëm e vetëm për të arritur Krishtin. Ky është një çmim i madh, por që duhet të paguhet nga drejtuesi, i cili nuk do të jetë i tillë vetëm në emër, por do të jetë edhe një drejtues i vërtetë shpirtëror i njerëzve; një drejtues, fuqia e të cilit njihet dhe ndihet në qiell, në tokë dhe në ferr”. Samuel Brengle, Udhëheqësia shpirtërore, fq 21.
Për të na mësuar të vërtetën dhe për të na mbrojtur nga shembujt negativë të udhëheqjes tek qeveritarët, Jezusi na mësoi:
Mark 10:42-45. Udhëheqës shërbëtorë: Madhështia dhe udhëheqësia e vërtetë është që ta japësh veten në shërbim të të tjerëve dhe jo t’i lajkatosh apo t’i shtysh që të të shërbejnë ty pasi Zoti vetë erdhi si shërbëtor. Ky mendim ishte shumë revulocionar, pasi edhe ata që ishin me Jezusin si Jakobi dhe Gjoni kërkuan një pozitë dhe nuk menduan për udhëheqësin shërbëtor.
Mark 10:40. Perëndia thërret, zgjedh: Perëndia cakton vende të shërbesës shpirtërore dhe të udhëheqjes sipas vullnetit të Tij sovran dhe jo planeve tona njerëzore sado të mira qofshin ato.
Duam të sigurohemi që është thirrja dhe vullneti i Perëndisë për ne dhe jo thjesht dëshira jonë. Gjoni 15:16; 1Kor 1:1. Perëndia na zgjodhi në shërbesë. Të kuptosh dhe t’i përgjigjesh thirrrjes së Perëndisë është jetike në shërbesë. Ajo është një bindje e fortë në ty e mbështetur nga udhëheqësit aktualë sipas dhuntive që Fryma të ka dhënë se ti do të shërbesh në atë fushë. Kur shërbejmë sipas thirrjes kemi gëzim, përmbushim nevojat e të tjerëve, kisha ndërtohet, ne e kuptojmë se është vendi ku Zoti dëshiron që të jemi.
Në kohën e Palit, vetëm dashuria e thellë për Krishtin dhe shqetësimi i vërtetë për kishën, pra dëshira për të ndërtuar në Kishë, ishin ato që i motivonin njerëzit për t’u bërë udhëheqës.
Por dëshira që përqendrohet në lavdinë e Perëndisë dhe në mbarëvajtjen, kujdesjen për kishën duhet të jetë ajo që na shtyn të përfshihemi në udhëheqësi dhe ajo është një forcë e fuqishme.
Rezulatet e një udhëheqësie të tillë do të jenë:
Fjala e Perëndisë po zbatohet: Ne do të tregojmë se e njohim dhe zbatojmë Fjalën e Perëndisë kur vjen fjala për udhëheqjen, caktimin e drejtuesve të rinj, ushtrimi i udhëheqësisë për ndërtimin e kishës dhe çdo gjë që ka të bëjë me këtë aspekt të jetës së kishës.
Udhëheqësit e rinj: Do të jemi një shembull i mirë për ata që duan të ngrihen në udhëheqësi duke siguruar një vazhdimësi të Fjalës së Perëndisë. Do ta mësojmë të vërtetën me fjalë dhe me vepra. 2Tim 2:2
Bekime nga Perëndia: Zoti do të bekojë një udhëheqës dhe udhëheqësi të tillë, sikurse ka premtuar në Fjalën e Tij dhe për pasojë do të ketë një kishë të fortë e të shëndetshme
Një kishë e fortë: Me anë të një udhëheqësie të tillë, Perëndia do të ndërtojë një kishë të fortë, që rritet, i bën ballë vështirësive, lufton betejën frymërore, siguron vazhdimësi.
Lavdi Perëndisë: Arsyeja pse Zoti na krijoi, shpëtoi dhe na thirri në shërbesë është që t’i japim Atij lavdi. Ky do të jetë rezultati i një udhëheqësie të tillë. Ef 1:12
Pyetje për shqyrtim të vetes, thirrjes së Perëndisë në jetën tonë
Cila është arsyeja që ti u përfshive apo dëshiron që të përfshihesh në udhëheqësi?
A ishte një vendim që e more me lutje, agjërim dhe konsultim me udhëheqës të tjerë?
A është e qartë se udhëheqësia biblike të kushton? Çfarë të ka kushtuar ty deri tani?
Cili është shembulli yt si udhëheqës në Bibël, në histori, në të tashmen që ti do ta ndjekësh?
SHËNIM: Ky material është një pjesë e seminarit, materiali i plotë ofrohet për një seminar në kishën lokale nga IBSH