Gëzohu në Zotin! Filipianët 4:4-9
| 27 Prill, 2020Hyrje: Fjalët e Zotit tonë kur tha se: “Gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi im të jetë i plotë” Gjoni 15:11, janë fjalë që na bekojnë mjaft po edhe na sfidojnë pasi ka jo pak raste kur gëzimi i Tij nuk është në ne, ose nuk është i plotë. Është e qartë se në marrëdhënien tonë me Të, Perëndia dëshiron që të kemi dhe të reflektojmë gëzim, paqe, dashuri. Me të vërtetë i mrekullueshëm është Zoti ynë!
Le të marrim disa mendime nga letra drejtuar kishës në Filipi, 4:4-9
A) Gëzohuni gjithnjë në Zotin, po jua them përsëri; Gëzohuni! v 4
Gëzimi i Zotit është temë që zë mjaft vend në këtë letër. Pali i cili ishte në burg me kushte çnjerëzore, po i nxit nga zemra e tij atërore – baritore që ata të gëzohen në Zotin. Ai lutej për ta me gëzim dhe ata ishin gëzimi i tij; 1:3, 4:1. Po a e dinte ai që ata kishin edhe vështirësi apo edhe disa probleme të brendshme? A e dinte ai se kishte gjëra që ju mungonin në jetët e tyre? Përgjigjja është PO. Pra edhe pse në vështirësi, ai dëshiron që ata të gëzohen në Zotin; po, Perëndia dëshiron që bijtë e Tij të përjetojnë gëzimin e Tij.
Madje Jezusi vetë është gëzim për Atin dhe për botën: “Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh” shpalli engjëlli në lindjen e Jezusit. Luk 2:10.
Megjithatë jemi dëshmitarë që ka momente kur gëzimi i Zotit na mungon apo nuk është në masën e duhur në jetën tonë. Ka kohë sfiduese si kjo që po kalojmë dhe me të drejtë pyesim: A mund të kemi gëzim në vështirësi? Cilat janë disa pengesa për gëzimin e Zotit në ne? Çfarë duhet të bëjmë që gëzimi i Zotit të jetë në ne ashtu siç Ai dëshiron që të jetë?
Ashtu si për çdo pyetje të rëndësishme kërkojmë përgjigje në Fjalën e Perëndisë
B) Mos u shqetësoni! v 6
Mësimi për të mos u shqetësuar është i qartë, kjo pasi ai sjell pasoja të mëdha. Ne mund të themi me bindje, se shqetësimi është vjedhësi më i madh i gëzimit. Ai po ashtu ka pasoja për shëndetin tonë; pasi na sjell dhimbje koke, qafe, shpine, ulcerë apo mjaft shpërqendrim. Shqetësimi është të menduarit në mënyrë të gabuar.
Profeti Nehemia tha: Mos u shqetësoni, gëzimi i Zotit është fuqia juaj; Neh 8:10, Zoti Jezus tha: Mos u shqetësoni për jetën tuaj, kërkoni Mbretërinë e Perëndisë, Mt 6:31,33
Ndërsa shqetësimi na shpërqendron, paqja e Perëndisë na mban të përqendruar tek Ai. Një mendje e sigurtë, e mbushur me mendimet e Zotit është e kundërta e shqetësimit.
C) Por lutuni, me anë lutjesh, përgjërimesh dhe me falënderim: V 6
Lutja na afron me Perëndinë. Ne fillojmë duke e lavdëruar Atin në hyrje të lutjes sonë për atë që Ai është dhe bën dhe kjo na përgatit për paraqitjen e lutjeve. Në përgjërim sjellim barrët tona, ato që na shqetësojnë, po edhe për të tjerët dhe kërkojmë ndërhyrjen e Zotit për to.
Në fund ne falënderojmë që Perëndia përgjigjet, vepron, ndërhyn në situatat që na bëjnë të shqetësohemi. Të tria këto janë në v 6. Mësimi në këto vargje është i qartë:
D) Mos u shqetëso për asgjë por lutu për çdo gjë.
Kur mbështetemi tek vetja ne mund të mbushemi plot me shqetësime, por kur mbështetemi tek Zoti, fjala na thotë se paqja e Perëndisë do të ruajë zemrat dhe mendjet tona; v 7. Ka shumë rëndësi kjo, pasi shqetësimi godet mendjen dhe zemrën tonë, ndërsa paqja i mban ato të sigurta.
Të kesh gëzim dhe paqe nuk do të thotë se s’do të ketë vështirësi, por do të thotë se në sprova ne mbahemi tek Zoti ashtu si Danieli iu lut Perëndisë dhe mund të flinte në paqe me luanët; Dan 6:10. Edhe ai lutej dhe falënderonte edhe pse ishte në një situatë tepër të vështirë.
Lutja jep rezultate të mira kur ajo shoqërohet me mendimet e duhura
E) Me mendimet e duhura; v 8
Paqja e Zotit përfshin zemrën dhe mendjen e besimtarit. Profeti Isaia tha: “Mendjes që pushon te Ti, Ti i ruan një paqe të përsosur, sepse ajo ka besim te Ti”. Isa 26:3.
Në përgjithësi një pjesë e vogël e gjërave për të cilat ne shqetësohemi janë të vërteta, shumica janë imagjinare. Fjala na nxite të mendojmë ato që janë të vërteta, duke u mbajtur fort në të vërtetën e Fjalës së Perëndisë që na bën të lirë nga të pavërtetat. Dhe jo thjesht të vërteta por të ndershme dhe të drejta, pra të denja për respekt dhe për vëmendje nga ana jonë. “Të pastra”, pra të tilla moralisht dhe “të dashura”, pra, të bukura dhe tërheqëse për mendjen. Me “famë të mirë dhe me virtyt dhe me lëvdim”. Edhe pse të vërteta ato duhet që të sjellin virtyt, karakter të Perëndishëm dhe të rezultojnë në lëvdim të Zotit tonë, në fillim në mendjen tonë dhe më pas të reflektohen në sjelljen tonë.
Prandaj psalmisti tha: “Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd” Ps. 119:165. Me siguri mendimet e duhura na vendosin ne meditim dhe do të rezultojnë në paqe e gëzim.
Të gjitha sa kemi thënë më sipër do të ishin të paplota pa u vënë në praktikë.
E) Jetesa e duhur; v 9
Dhe së fundi që të tilla përpjekje të sjellin gëzim dhe paqe, nevojitet jetesa e duhur: Pali thotë: “Ato që i mësuat dhe i morët dhe i patë në mua, i bëni.” v 9.
Këto fjalë janë si ato të Zotit Jezus kur tha: “Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia” Gjo 14:15. Pra, që të mund të kemi gëzim e paqe duhet bindje, po të dashur miq, gëzimi vjen ndërmjet bindjes ndaj Krishtit në jetën tonë. Ajo që Zoti na thotë është se nuk duhet të jemi në pozitën e atyre që thjesht e njohin Biblën, por në atë pozitë ku e njohim dhe e zbatojmë atë me qëllim që të marrin atë që Zoti dëshiron të derdhë në jetën e bijve të Tij, konkretisht gëzimin e Zotit.
Le të kujtojmë këtu që gëzimi dhe paqja shkojnë bashkë me dashurinë. Ato janë fryt i Frymës së Shenjtë në jetën tonë, pra edhe një tregues i një jete të mbushur me Frymën e Zotit dhe të udhëhequr nga Ai.
F) Çfarë sjell gëzimi i Zotit në jetën tonë? Më lejoni të them se gëzimi i Zotit i jep forcë jetës sonë, Neh 8:10
Gëzimi është qendror në jetën tonë kur vjen fjala për praninë e disiplinave frymërore, ato janë të mërzitshme dhe mund të jenë deri edhe vdekjeprurëse kur nuk ka gëzim brenda.
Gëzimi është një ilaç kundër trishtimit dhe shqetësimit në jetën e krishterë.
Gëzimi na bën që të rifitojmë ekuilibër në jetën tonë frymërore.
Gëzimi sjell një çlirim nga fryma e gjykimit ndaj të tjerëve.
Dhe në fund gëzimi sjell gëzim, paqja sjell paqe dhe kështu janë edhe më shumë në jetën tonë.
Vëllezër dhe motra në Krishtin, nëse në këtë kohë nuk keni gëzim dhe paqe dhe kjo ka të bëjë me shqetësim në zemrën tuaj, me ankth dhe stres. Nuk është koha për t’u shqetësuar por për t’u lutur për të gjitha shqetësimet.
Nëse mungesa e gëzimit në ty është për shkak të ndonjë mëkati, mos humb kohë por rrëfeje atë, që ashtu si Davidi të përjetosh sërish gëzimin e shpëtimit dhe të mbushesh me Frymën e Zotit.
Këto fjalë vijnë për ne në kohë të vështira që Shqipëria dhe mbarë bota po përjeton në këto ditë me situatën me virusin, me atë ekonomike apo të pamundësisë për t’u mbledhur bashkë si kishë. Dhe me të drejtë pyesim: A vlejnë këto të vërteta edhe për kohë të tilla? A mund të kemi gëzim edhe në vështirësi?
Le të kujtojmë se Pali që shkroi këto fjalë, i shkroi nga burgu kur ai po vuante, madje kur disa nga filipianët po vuanin dhe kishin arsye për t’u shqetësuar nga ana njerëzore.
Është me rëndësi të themi se këto fjalë vlejnë shumë veçanërisht për kohë të tilla. Dhe pikërisht në këtë situatë këto të vërteta janë një kujtesë se gëzimi ynë nuk varet nga ajo që ne arrijmë apo zotërojmë dhe nuk humbet nga ajo që humbim, por ai vjen nga marrëdhënia personale me Perëndinë e gjallë. Ai është tregues i një jete me bindje dhe të mbushur me Frymën Dhe ndërsa i bëjmë këto gjëra, pra lexojmë Biblën, lutemi, adhrojmë, shërbejmë Pali na kujton se: “Perëndia i paqes do të jetë me ju”. v 9. Sa e bukur, sa e çmuar, sa e rëndësishme, sa kuptimplotë dhe sa inkurajuese është kjo e vërtetë se Perëndia i paqes është me ne.
Nëse po i dëgjon këto fjalë dhe ato nuk kanë kuptim për ty, pra nuk e ke gëzimin e Zotit në ty, pra Jezu Krishti nuk është Zoti dhe Shpëtimtari i jetës tënde, kam disa fjalë për ty. Perëndia na ka krijuar, po ne të gjithë jemi mëkatarë, të ndarë nga Zoti prej mëkatit tonë. Pranoje, rrëfeje mëkatin tënd sot para Perëndisë dhe pendohu për të. Vendose besimin tënd në Krishtin, duke i kërkuar të të falë dhe të të bëjë bir. Kështu Ai do të bëhet Zoti dhe Shpëtimtari yt, do të udhëheqë me anë të Biblës, Fjalës së Tij dhe ti do të flasësh me Të në lutje. Dhe ti do të përjetosh gëzimin e shpëtimit, po do të përjetosh gëzimin e Zotit në jetën tënde.
Le ta bëjmë tani në lutje.