Kupto dhe rrëzo pengesat e lutjes
| 11 Maj, 2022Në predikimet dhe mësimet tona flasim për ecjen tonë me Perëndinë e Shenjtë dhe duam të jemi adhurues, të njohim dhe zbatojmë Fjalën, të ungjillizojmë, të bëjmë dishepuj, të lutemi duke marrë përgjigjet e lutjeve tona ashtu si edhe ta përjetojmë praninë e Perëndisë në jetën dhe shërbesën që Ai na ka besuar
Ka kohë kur jeta jonë e lutjes është e bukur, na pëlqen dhe ka raste kur duket monotone dhe ne s’ndiejmë shumë për t’u lutur.
Në kohë të tilla është edhe më e vështirë që të inkurajojmë të tjerët që të luten
Po cilat janë disa nga pengesat e lutjes në jetët tona si udhëheqës? Si mund t’i rrëzojmë ato në mënyrë që jeta jonë e lutjes të jetë jo vetëm si më parë por edhe më mirë? Shkrimi i Shenjtë na tregon për disa pengesa të mundëshme:
1: Mëkati: ISAIA 59:1-2,12-14, Jakobi 4:1-10
Ishte një kohë kur Izraeli po kërkonte me lutje Perëndinë, bekimet e tij por nuk po i gjente dhe profeti thotë se arsyeja është mëkati i tyre: v 2, 12 ë
Mëkate të vetëdijshme, v 12, ata i njihnin por nuk i kishin pranuar dhe penduar. Mëkate të pavetëdijshme: Lev 4:22-23, 5:17, ishin fajtorë për të, nevojitet pendesë: Ps 19:12
Ne e dimë se Ati ynë qiellor ka dëshirë për bashkësi me ne, e ka raste kur ne s’ndiejmë kënaqësi në lutje, apo dëshirë për lutje dhe shprehja se: “Më duket se lutja ime shkon deri në tavan”, është e vërtetë.
1.1: Mëkati shkakton këto gjëra në lidhje me jetën e lutjes
A: Na ndan nga Zoti
B: Perëndia fsheh fytyrën e Tij
C: Nuk e dëgjon më lutjen tonë
D: Ne nuk marrim përgjigje për lutjen tonë; Jak 4:2-3
E: Ne nuk kemi gëzim, jetë e gjallëri, fryte ashtu siç Zoti do që të kemi
F: Mund të shprehet me marrëdhënie të prishura me kishën, dëshmi të keqe
Shembull: Psalmi 51: Davidi, pranon, rrëfen mëkatin e tij, kërkon pastrim dhe restaurim të marrëdhënies me Perëndinë. Rezultati është: Gëzim i shpëtimit, dëshmi aktive v 12, 13
Si një disiplinë frymërore lutja është shumë bekim, miqësi, intimitet me Atin, ndërmjetësim, lavdërim por dhe luftë, pasi mëkati e prish këtë miqësi
Për Davidin kjo miqësi ishte më e rëndësishme se sa froni mbretëror
Në lutje mësojmë që Perëndia ynë është i shenjtë, të vijmë para Tij me zemër të pastër
Në kohën me Perëndinë shqyrtoje zemrën; pranoje, rrëfeje, pendohu, braktise mëkatin
Shih shembujt biblikë dhe të historisë së kishës për lutjen, ku tek zemrat e penduara Zoti derdh përtëritje dhe bekime. ( Kujto Davidin në Ps 51 )
2: Krenaria, egoizmi: Jakobi 4:6-8, 1 Pjetri 5:5-6
Kundërvihet—tregon seriozitetin me të cilin Perëndia merret me krenarinë tonë. Hir—favor i pamerituar ndaj të përulurve, kush nuk dëshiron të marrë hir nga Zoti!
Ka raste kur dëshira, motivi për t’u lutur vjen jo nga një ndjenjë përulje por superioriteti ndaj të tjerëve, e thënë ndryshe një qëndrim krenarie dhe egoizmi.
Krenaria na krahason ne me të tjerët për të gjetur dikë që nuk jeton sipas standardit tonë. Por përulja nuk shikon mes njerëzve, ajo shikon Perëndinë. Krenaria ka sjellë shumë probleme në kishën shqiptare, por sidomos mes udhëheqësve dhe pasojat nuk kanë qenë të vogla. Ajo duhet shmangur gjithmonë nga zemra dhe sjellja jonë
Shembull: Luka 18:9-14. Kush agjëron dy herë në javë dhe jep të dhjetën e çdo gjëje? E shihni se ai duket më i mirë se shumë prej nesh, por Zoti tha se ai largohet i pa shfajësuar sepse lutja e tij përqëndrohej tek dikush tjetër, jo tek Perëndia i shenjtë
Tagrambledhësi: Dhe kush nuk do të mendonte se ishte më i mirë se një nga personat më të urryer si tagrambledhësit me atë që ju bënin njerëzve të thjeshtë. Por ai tregoi frikë dhe përulje para Perëndisë dhe ai u largua i shfajësuar.
Ky shkrim na kujton se në zemrën në të cilën banon Krishti ka vend për përulje, këtë pëlqen dhe bekon Perëndia tek besimtari dhe udhëheqësi i krishterë
Ne jemi pjesë e një shoqërie krenare, ku krenaria kultivohet, nxitet, përgëzohet por Mbretëria e Perëndisë është ndryshe, ne vijmë tek Ati dhe jetojmë me përulje
Jini krenarë, mburruni, POR vetëm me Jezu Krishtin: Jer 9:23-24.
3: Marrëdhënie të prishuria: 1 Pjet 3:7
Këto fjalë nuk i përjashtojnë beqarët, as frikë për martesë por të bëhet në Zotin.
Për ne lutja nuk është shpëtim nga vështirësitë, as si një gjë magjike, por një marrëdhënie që na tërheq tek Perëndia e që na ndihmon që ta njohin, ta duam, ta lavdërojmë Atë, të kemi dashuri dhe harmoni me Zotin, me familjen, me kishën.
Kjo është ajo që na gëzon dhe bekon kur në familjen tonë dhe në kishë kemi dashuri dhe harmoni dhe kur ne vetë jemi faktor dashurie dhe harmonie.
Frytet e marrëdhënieve të shëndosha janë të shumta në jetën personale dhe si kishë, po ashtu pasojat e marrëdhënieve të prishura janë të mëdha. Më e rëndësishmja nga të gjitha është prishja e miqësisë me Perëndinë, pamundësia për të marrë përgjigje të lutjeve.
Shembull: Gruaja ime dhe unë kemi tentuar ta ndërtojmë martesën tonë mbi parime biblike. Kjo do të thotë se vendosëm që të mos shkonim kurrë për të fjetur me një mosmarrëveshje mes nesh. Një natë, shumë vite më parë, sidoqoftë, ne patëm një mosmarreveshje që nuk e zgjidhëm. Nuk më kujtohet se për çfarë bëhej fjalë por mbaj mend që besoja se gruaja ime e kishte gabim. Kur shkuam te flinim atë mbrëmje gruaja ime ra në gjumë të thellë shumë shpejt, ndërsa unë rrotullohesha e kthehesha në krevat. Fryma e Shenjtë po më bindte mua për qëndrimin tim të gabuar. U përpoqa të argumentoj. Unë u luta: Perëndi kam të drejtë! Ajo është gabim. Pse ajo ka paqe dhe unë ndjej dënimin tënd? Ndërsa lodhesha në mundim e kuptova se nuk mund të isha i lidhur me Perëndinë pa qenë i lidhur me gruan time. Unë i kërkova asaj falje dhe paqja ime u kthye. “Faktori lutje”, fq 49
Fjala na kujton se urdhërimi i madh është: Duaje Zotin dhe duaje të afërmin: Mr 12:28-34
Kujto se një marrëdhënie e prishur me vëllain/motrën është e prishur me Krishtin dhe e rregulluar me ata është e rregulluar dhe me Krishtin.
Mt 5:23-24. Para se të lutesh rregullo marrëdhëniet e prishura me të tjerët, nëse ka të tilla
Mua më është dashur t’u kërkoj falje gruas dhe fëmijëve të mi, po ti?.
Kujdes nga egoizmi që nuk kërkon ndjesë apo që nuk fal!. Mat 6:12-15. As Ati nuk të fal.
Rritu si faktor dashurie, përkushtimi, përulje, zemërbutësie, shenjtërie, besimi, durimi; në kishë, kështu ndërtohet kisha dhe lavdërohet Zoti, në kishë dhe në shoqëri.
4: Të qënurit i zënë: Ef 5:15-16
Pushtimi romak i kohës ishte shumë i vështirë ata duhet ta përdornin kohën mirë për t’u lutur dhe për të dëshmuar për Krishtin. Po ashtu sfidat frymërore ishin të mëdha, Ef 6:10-20, prandaj nxiten që të marrin armatimin shpirtëror
Por ne sot nuk jemi të pushtuar dhe a mund të themi përsëri se ditët janë të liga? Sot na duhet kohë për shkollën, punën, familjen, shoqërinë, TV, telefonin, internetin, kafen.
Dhe ka raste që kemi shumë gjëra në shërbesë sa nuk ka kohë për Jezusin në lutje. Ky është një rrezik për shumë udhëheqës dhe shpesh ka qenë sfidë edhe për mua në shërbesë.
Ne e dimë se Jezusi do që ne të lutemi, ai ka premtuar të jetë me ne por ja që duket se ka gjëra më të “rëndësishme “ sesa Ai, e kjo çështje është një problem serioz, sidomos për drejtuesit.
Shembull: “Zemra ime banesa e Krishtit” f 15-16.
Kështu mëngjes për mëngjes, unë do të zbrisja shkallët për në dhomën ku rrimë. Ai do të merrte një libër të Biblës dhe do ta lexonim së bashku. Ai do të shpaloste mrekullitë e së vërtetës së Perëndisë, ma bënte zemrën të këndonte ndërsa më tregonte çfarë ishte për mua. Ai më fliste përmes Biblës dhe Frymës së Shenjtë dhe unë përgjigjesha me lutje. Megjithatë nën presionin e përgjegjësive të shumta pak nga pak, kjo kohë filloi të shkurtohej. Mendova se isha shumë i zënë për të qenë rregullisht me Krishtin. Ky nuk ishte vendim me qëllim por ja ndodhi. Dhe jo vetëm periudha të shkurtra por herë pas herë disa ditë si p.sh gjatë provimeve. Ato që ishin urgjente kërkonin vëmendje dhe e linin jashtë kohën me Jezusin. Një mëngjes po zbrisja për një takim të rëndësishëm. Tek dera e pashë Jezusin pranë zjarrit, ulur atje. Papritur me tmerr më erdhi në mendje. Ai është mik në shtëpinë time, unë e ftova për të qenë shpëtimtari im por unë po e lë pas dore. Ndalova dhe hyra me ngurrim. Me sytë poshtë i thashë: Zot më fal, këtu ke qenë çdo mëngjes? Po- tha- të thashë që do të isha këtu për t’u takuar me ty. Sa turp më erdhi. Ai kishte qenë besnik pavarësisht nga mosbesnikëria ime. Iu luta të më falte dhe ai më fali siç bën gjithmonë.
Kërkon goxha disiplinë nga ana jonë që të ruajmë përparësitë në rregull
Si do ta përshkruaje përdorimin e kohës? Çfarë janë ato që e mbushin ditën?
Nëse je pak apo shumë i zënë, një gjë është e qartë unë jo vetëm që duhet të kem kohë për familjen, shërbesën, punën, Tv, lojra, miq, por mbi të gjitha për lutje me Perëndinë
Mëso të caktosh përparësi, t‘u thuash JO gjërave apo takimeve të parëndësishme
Mëso nga shembujt në Bibël: Jezusi, Pali, Pjetri, kisha e hershme tek Veprat, shumë besimtarë në historinë e kishës por edhe në të tashmen janë një shembull i mirë për ne.
5: Cilat janë rezultatet në jetën, familjen dhe shërbesën tonë, kur ne kuptojmë dhe rrëzojmë pengesat në lutje?
Marrëdhënia me Perëndinë: Përtëritje dhe forcim i marrëdhënies personale me Atin qiellor, duke e bërë atë më të fortë, me paqe, me gëzim, më kumtimplotë.
Marrëdhënia me të tjerët: Pendesa në marrëdhënie të prishura i ndreq ato, i forcon dhe na bën ne që të jemi një bekim dhe të shohim rezultatet e përtëritjes.
Shembull për të tjerët: Në këtë mënyrë jemi shembull i mirë për familjen, për kishën, për udhëheqësit e tjerë edhe për të afërmit jobesimtarë. Ky është një shembull bindjeje.
Ndihmë për të tjerët: Duke praktikuar pendesën, rrëfimin, shqyrtimin e zemrës para Perëndisë, ne mund të ndihmojmë të tjerët që kanë probleme me pengesat e mësipërme apo të tjera në jetën e tyre të lutjes, që edhe ata të fitojnë mbi to dhe të përmirësohen.
Fryte në jetë dhe në shërbesë: Marrëdhënia e mirë me Perëndinë dhe me njerëzit do të ketë me patjetër frytet e saj në jetën, familjen dhe në shërbesën tonë dhe e anasjellta do të jetë kur ne do të përpiqemi t’i fshehim pengesat dhe të mos i ndreqim ato.
KONKLUZION
Ji mirënjohës Perëndisë për lutjen, zbulo thellësinë e saj, bekimet që rrjedhin, njihi premtimet e Zotit për udhëheqësin që lutet
Ji i ndershëm me pengesat e tua dhe kërkoji fuqi Zotit që t’i rrëzosh, Ai do ta bëjë
Secili mund dhe duhet të jetë fitimtar mbi pengesat, Fjala na shpall fitimtarë.
Lexo nga Fjala, nga historia e kishës për njerëzit e lutjes, lutu rregullisht vetë, lutu me të tjerë, lutu në takimin e lutjes; Perëndia me të vërtetë i bekon kishat që kanë udhëheqës të tillë.