Mosfalja dhe pasojat e saj
| 18 Prill, 2022
Mosfalja dhe pasojat e saj 2 Korintasve 2:5-11
Fjalët e Zotit tonë i cili në vuajtjen e papërshkrueshme në kryq tha: “Atë, fali ata se nuk dinë ç’bëjnë”, Luka 23:34, qëndrojnë në themel të shembullit biblik të faljes në jetën e krishterë. Sa herë që përballem me hezitim dhe rezistencë në zemrën time për të falur, duke gjetur arsye për t’i dhënë të drejtë vetes, mësoj ashtu si shumë të tjerë se nuk po veproj biblikisht.
Në kishën e Korintit kishte një situatë me mëkat, i cili meritonte ndëshkim, 1Kor 5. Synimi i disiplinës ishte si gjithnjë përtëritja e personit dhe jo shkatërrimi i tij. Apostulli Pal i bën thirrje kishës që “ta falin dhe ta ngushëllojnë” v 7, “t’i tregoni dashuri”, v 8. Këtu përfshihet e gjithë kisha me qëllim që personi i disiplinuar të pranohet ashtu siç e ka pranuar Zoti atë që pendohet.
Pali e bën të qartë se mosfalja e tyre do t’i jepte vend satanit të vepronte në kishë, v 11.
A nuk është e habitshme që besimtari apo kisha që ka mësimin dhe shembullin e faljes në Zotin të mos falë!
Mbase shumë prej nesh duke më përfshirë edhe mua, kemi provuar vuajtjen që përjeton zemra jonë kur nuk falim. Ne gjejmë arsye të shumta të tilla si: vetëdrejtësi që nuk fal, lëndim apo fyerje e madhe, frikë se ai/ajo e bën përsëri, frikë se dukem i dobët nëse fal. Ka raste të një mungese reflektimi biblik për pjesën tonë e të tjerët dalin në mëkat. Ndonjëherë kultura përpiqet që të dalë mbi urdhërimin për të falur dhe kërkon hakmarrje apo arsye të tjera.
Pavarësisht sa bindës dukemi në mosfaljen tonë, ajo është mosbindje ndaj Zotit dhe si e tillë ajo ka pasoja të mëdha. Të tilla si: shtim i urrejtjes ndaj dikujt, kontrollon mendimet dhe qëndrimet tona. Ajo na heq gëzimin, na jep dhimbje koke e pagjumësi, na vjedh kohën dhe na zhduk energjinë. Me kalimin e kohës ne bëhemi skllevër të mosfaljes, ajo bëhet shkatërrimtare për besimin, familjen apo edhe për kishën e shërbesën. Për shkak të saj ne e privojmë veten nga bekimet e Perëndisë në ne. Mosfalja pengon jetën me bollëk të Zotit të derdhet në ne.
Qartazi mosfalja pengon lutjet tona, gjë që sjell pasoja të mëdha për jetën tonë frymërore, Mateu 6:12-15. Ajo i lë vend veprës së satanit në jetën tonë pasi ai gjen kënaqësi në të dhe e përdor që të sulmojë veprën dhe imazhin e Krishtit në kishën e Zotit. 2Kor 2:11. Kështu, mosfalja sjell dobësim të kishës, krenari, hakmarrje, mungesë dashurie, përçarje, grindje, moszbatim të Fjalës së Zotit dhe një sjellje e dëshmi që nuk e nderon Krishtin.
Historia por edhe e tashmja na tregojnë se sa shumë pasoja ka në jetën e dikujt, në një familje apo në një kishë kur mosfalja zë vend në zemrat e të krishterëve.
Madje disa nga këto gjëra kanë ndodhur me besimtarë apo kisha të ndryshme në Shqipëri.
A duam që të jemi në një pozitë të tillë jobiblike ne si të krishterë?
Mësimi dhe shembujt e faljes na mësojnë që në bindje e dashuri për Zotin të falim. Sa bekim që është të falësh! Nuk do të përballemi aspak me problemet e përmendura më sipër por do të jemi duke ecur me Zotin dhe me të tjerët në të vërtetën.
A po vuan sot nga mosfalja? A është e qartë se sa shumë pasoja ka mosfalja për ty, për familjen dhe për kishën? Reflekto për atë që thotë Zoti në Fjalën e Tij dhe mos e lejo veten të jetë standardi. Pavarësisht sjelljes së njerëzve të tjerë, lëri vend Fjalës e ndërhyrjes së Zotit dhe ushtrohu në lutje që sjell falje e liri dhe ti do të jesh sërish nën bekimin e Zotit ndërsa i bindesh Atij.
Lutje: Atë i dashur qiellor, faleminderit që më ke falur në Krishtin dhe po ashtu faleminderit për urdhërimin tënd për të falur të tjerët. Zot na aftëso të ecim me Ty në dashuri, në bindje, në integritet, në Frymë, në frikën e Zotit duke falur vazhdimisht. Na jep forcë të falim kur nuk mundemi pasi e dimë se nuk mund ta bëjmë nga vetja. Le të nderohet emri yt, të ndërtohet kisha jote në faljen tonë! Ne emrin e Krishtit, Amen.
Përgatiti: Pëllumb Ranxha
Për të mësuar rreth faljes, lexoni artikullin: https://ibsh.al/te-falesh-si-krishti-dhe-pali/