Të falësh si Krishti dhe Pali!
| 21 Mars, 2022Aleksandri, farkëtari, më bëri shumë të këqija; Zoti ia shpagoftë sipas veprave të tij. 2Tim 4:14
Apostulli Pal është një shembull i mirë për shumë gjëra; për besimin, për bindjen, për besnikërinë, për përkushtimin, për dashurinë për Zotin dhe kishën, po ai është një shembull dhe për qëndrimin që mbajti ndaj atyre që i bënë keq.
Çfarë do të bënim ne nëse Pali do të vinte në kishën tonë? Si do të kujdeseshim për të?
Shumë u kujdesën për të por edhe pse shërbesa e tij ishte plot fuqi, Frymën e Zotit dhe fryte disa jo vetëm që nuk u kujdesën por i bënë atij keq, ndër ta edhe Aleksandri.
Megjithatë ai ecte me Zotin, nuk u shkurajua dhe reflektonte Krishtin dhe i dorëzohet Atij. Ai nuk u hakmor, por i lë vend Zotit për gjykim.
Shembulli i keq i Aleksandrit na paralajmëron si të mos jemi dhe se Zoti do të gjykojë ligësinë. Dashuria, përkushtimi, zelli, besimi dhe bindja e Palit në shembullin dhe mësimet e Krishtit vazhdojnë të na frymëzojnë shumë. Me siguri si Zoti i tij ai lutej për ata që bënë keq.
Pali jo vetëm i mësoi të krishterët që të falin por ai e tregoi me shembullin e tij faljen.
Po miq, ne jemi urdhëruar që të falim ashtu si Ati ynë na na ka falur. Mat 6:12 -15.
Sa herë që mendoj për faljen e Perëndisë mendja më shkon te kryqi i Krishtit. Zoti zgjodhi këtë mënyrë që të shpengojë shpirtrat tanë dhe të na kërkojë të falim ashtu si Ai bëri me ne.
Falja na shëron, na rimëkëmb, ajo e zëvendëson urrejtjen me dashuri. Ajo na bën objekt të bekimeve të Perëndisë pasi është shprehje e një zemre të përulur dhe të bindur ndaj Tij.
Ajo çliron gëzim, paqe, liri nga dhembja dhe nga dëshira për hakmarrje. Ajo na vendos ne në pozitën ku të tjerët mund të mësojnë nga shembulli ynë.
Me siguri falja na bën të jemi para të tjerëve si Krishti, ashtu si Pali ishte me shembullin e tij.
Ndërsa është bindje ndaj Zotit, falja nuk është miratim apo pranim i ligësisë së atyre që bëjnë keq, ajo është një vepër që i lë vend ndërhyrjes, drejtësisë dhe ndëshkimit të Zotit në vend të asaj njerëzore. Romakëve 12:19.
Me të vërtetë, të jesh i falur dhe të falësh është një përvojë e mrekullueshme! Është e tillë për mua dhe për shumë miq të krishterë që i njoh.
A e ke të vështirë që të rrëfesh mëkatin tënd e të përjetosh faljen? Bëje atë që të përjetosh bekimin dhe lirinë që përjeton shpirti që pendohet dhe falet.
A e ke të vështirë që të falësh dikë sot? Fale siç na ka mësuar Zoti ynë dhe ashtu si bëri Pali. Pranoje pendesën e tjetrit se ai/ajo po i bindet Fjalës së Zotit dhe shërimi vjen pas saj.
A e kupton tërësinë bekimeve që vijnë nga një qëndrim falës? A mund të ndash me të tjerët se cilat janë disa bekime që ke përjetuar ti në falje?
Faleminderit Zotit për shembujt e faljes dhe rrëfimit që janë mes nesh! Jezusi na bëftë falës si Pali dhe frika e Tij qoftë në ne, që të mos i ngjajmë Aleksandrit, por Krishtit në fjalë dhe vepër! Sa shumë bekime kanë ardhur, po vijnë dhe do të vijnë në familje, në kishë dhe në shoqëri ndërsa të krishterët ushtrohen në falje siç i ka urdhëruar Zoti!
Lutje: Ati ynë qiellor, faleminderit për faljen Tënde në Krishtin! Faleminderit për mësimin për të falur ashtu siç na ke falur Ti! Sot na mëso dhe na aftëso që t’i bindemi Fjalës Tënde duke falur dhe duke rrëfyer shkeljet që të tjerët të na falin ne. Bëj të lutem o Zot që të jemi si Ti dhe t’i bindemi Fjalës tënde duke falur! Që kisha të forcohet, të shërohet dhe emri Yt të lavdërohet! Në emrin e Krishtit, Amen!
Përgatiti: Pëllumb Ranxha
Për të mësuar rreth mosfaljes, lexoni artikullin: https://ibsh.al/mosfalja-dhe-pasojat-e-saj-2-korintasve-25-11/