DISIPLINA E PERËNDISHMËRISË
| 16 Tetor, 2023
DIKUR NGA fillimi i verës, përpara se të hyja në klasën e shtatë, ika nga fusha e bejsbollit dhe kapa një raketë tenisi për herë të parë … dhe u fiksova! Nuk kaloi shumë kohë dhe u bëra një dhjetëvjeçar i marrosur pas tenisit. Pasioni im për këtë sport u bë aq i fortë, sa mbaja me nge një top tenisi në dorë dhe thjesht e nuhasja. Fësh-fësh-i dhe aroma e gomës kur hapja kanaçen e topave të rinj të tenisit u bënë dehëse. Kërcitja fap-fap dhe kumbimi i zgjatur i një topi të goditur ëmbël, veçanërisht në qetësinë e mëngjesit herët, për mua ishin simfoni. Kujtimet e mia për këtë dhe verën që pasoi janë me fusha tenisi përcëlluese, këmbë të përzhitura, djersë të kripura, thithje të gjata uji të shijshëm e të vakët me aromë gome nga një kanaçe topash bosh, hije të shkurtra të mesditës që drejtohen ngadalë drejt lindjes, ndjekur nga “agimi” në stadium prej dritave të fushës dhe lakuriqë nate të frikshëm e të kudogjendur, që vërtiten si bomba mbi topat e gjuajtur lart.
Atë vjeshtë vendosa të bëhesha tenist. I shpenzova kursimet e grumbulluara për një nga ato raketat e vjetra të petëzuara mjeshtërisht të markës Davis Imperial – një thesar që faktikisht e mbaja me vete edhe në krevat. Isha i disiplinuar! Luaja çdo ditë pas mësimit (përjashto sezonin e basketbollit) dhe çdo fundjavë. Kur erdhi pranvera, shkoja me biçikletë te fushat ku stërvitej ekipi i shkollës së mesme së qytetit dhe shikoja i përmalluar, derisa më në fund u dorëzuan dhe më lejuan të luaja me ta. Dy verat e radhës mora mësime, luajta në disa turne dhe stërvitesha rreth 6 deri në 8 orë në ditë –duke u kthyer në shtëpi vetëm kur fikeshin dritat.
Dhe u bëra i mirë. Aq i mirë, në fakt, saqë si djalosh dymbëdhjetë vjeç e gjysmë, me peshë pesëdhjetë kilogram, dola i dyti në ekipin e tenisit të shkollës së mesme me 3000 nxënës në Kaliforni.
Jo vetëm që luajta në nivel të lartë, por mësova se disiplina vetjake është çelësi i pazëvendësueshëm për arritjen e gjithçkaje në këtë jetë. Tashmë kam arritur të kuptoj edhe më shumë se disiplina vetjake është, në fakt, nëna dhe shërbëtorja e asaj që quajmë gjenialitet.
SHEMBUJ
Ata që e kanë parë Mike Singletary (i votuar gjithmonë në formacionin e vitit, dy herë Lojtari Mbrojtës i Vitit i Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan, si dhe pjesëtar i ekipit të Ëndrrave të Finales së Madhe XXV) “duke luajtur” – dhe kanë vëzhguar intensitetin e tij me sy të shqyer dhe goditjet e tij dërrmuese e shkatërruese prej samurai – zakonisht befasohen kur e takojnë. Ai nuk është një vigan i frikshëm. Mund të jetë rreth 1 metër e 82 centimetra i gjatë dhe peshon, ndoshta, 100 kg. Nga vjen gjithë ajo madhështi? Disiplina. Mike Singletary është nxënës po aq i disiplinuar i lojës sa çdo person tjetër që e ka luajtur këtë lojë. Në biografinë e tij, “Calling the Shots (Komandimi)”, ai thotë se, kur shikon filma me ndeshje, shpesh e rishikon një strategji të vetme loje 50 deri në 60 herë, dhe se i duhen tri orë për të parë gjysmën e një ndeshjeje futbolli që përmban vetëm 20 deri në 30 strategji të tilla! Sepse ai shikon çdo lojtar, sepse ai njeh mendërisht prirjen e kundërshtarit – duke ditur edhe sa strategji loje kanë mbetur, sa është distanca në cilën anë luhet dhe sa kohë ka mbetur – sepse ai e lexon mendjen e kundërshtarit përmes pozicionimit të tij, ai shpesh gjendet në lëvizje drejt destinacionit të planifikuar përpara të topit, para se strategjia e lojës të ekzekutohet. Suksesi legjendar i Mike Singletary është dëshmi e jetës së tij jashtëzakonisht të disiplinuar.
Jemi mësuar të mendojmë për Ernest Hemingway-n si për një gjeni pijanec dhe të padisiplinuar, që rrëkëllente 3/4 e shishes së uiskit në ditë për 20 vitet e fundit të jetës së tij, por megjithatë muza ishte mbi të. Ai vërtet ka qenë një i alkoolizuar i nxitur nga pasione të ndërlikuara. Por kur vinte puna për të shkruar, ai ishte mishërimi më i përsosur i disiplinës! Shkrimi i tij i hershëm karakterizohet nga përsosmëria e fiksuar letrare ndërsa mundohej të zhvillonte ekonominë e tij të stilit, duke kaluar orë të tëra për të lëmuar një fjali të vetme, ose duke kërkuar për mot juste – fjalën e duhur. Është fakt shumë i njohur se ai e rishkroi fundin e romanit “Lamtumirë armë” 17 herë në përpjekje për ta bërë si duhet. Kjo është karakteristikë e shkrimtarëve të mëdhenj. Dylan Thomas bëri mbi 200 versione dorëshkrimesh të shkruara me dorë (!) për poezinë e tij “Fern Hill”. Edhe nga fundi, kur Hemingway po korrte pasojat rrënuese të mënyrës së tij të jetesës, ndërsa shkruante në Finca Vigia në Kubë, ai qëndronte çdo ditë përpara një tavoline të improvizuar, në dyshemenë me pllaka të verdha, mbathur me galloshe të mëdha, nga ora 6:30 e mëngjesit deri në drekë, duke shënuar me kujdes prodhimtarinë e ditës në një tabelë. Mesatarja e tij ishte vetëm dy faqe – 500 fjalë. Ishte disiplina, disiplina e jashtëzakonshme letrare e Ernest Hemingway, që shndërroi mënyrën si bashkatdhetarët e tij amerikanë dhe njerëzit në të gjithë botën anglishtfolëse filluan të shpreheshin.
Skicat e panumërta të Mikelanxhelos, Da Vinçit apo Tintoretos, disiplina në sasi e veprës së tyre, përgatitën udhën për cilësinë kozmike të veprës së tyre. Mahnitemi me përsosmërinë anatomike të një pikture të Da Vinçit. Por harrojmë se Leonardo da Vinçi në një rast vizatoi një mijë drafte. Në shekullin e fundit Matisse shpjegoi mjeshtërinë e tij, duke vërejtur se vështirësia me shumë persona që donin të bëheshin artistë është se ata e shpenzojnë kohën e tyre duke ndjekur modelet në vend që t’i pikturojnë ato. Sërish faktori disiplinë!
Në kohën tonë Winston Churchill me të drejtë është shpallur folësi i shekullit, dhe pak nga ata që i kanë dëgjuar fjalimet e tij elokuente do të kundërshtonin. Edhe më të paktë janë ata që do të dyshonin se ai ishte “i natyrshëm” në këtë zotësi. Por e vërteta është se Churchill-i kishte një thuthuqësi bezdisëse, që e bënte shënjestër të shumë talljeve dhe rezultoi në paaftësinë e tij për të qenë spontan në të folurit në publik. Megjithatë ai u bë i famshëm për fjalimet e tij dhe batutat në dukje të improvizuara.
Faktikisht, Churchill-i shkruante çdo gjë dhe e praktikonte me zë! Ai madje “bënte koreografinë” e pauzave dhe ngurrimet kinse në kërkim të frazës së duhur. Në anët e dorëshkrimeve të tij gjendeshin shënime ku parashikoheshin “brohoritjet”, “dëgjojeni, dëgjojeni”, “brohoritje të zgjatura”, madje edhe “ngritje në këmbë me brohoritje”. Me të mbaruar këtë, ai praktikonte pa fund para pasqyrave mënyrën si do të përgjigjej dhe shprehjet e fytyrës. F. E. Smith ka thënë: “Winston-i ka shpenzuar vitet më të mira të jetës së tij duke shkruar fjalimet e improvizuara”. I natyrshëm? Ndoshta. Njeri natyrshëm i disiplinuar dhe shumë punëtor!
Dhe kështu vazhdon, cilado qoftë fusha e jetës.
Thomas Edisoni arriti te drita inkandeshente pas një mijë dështimesh.
Jascha Heifitz, violinisti më i madh i këtij shekulli, filloi të luajë në violinë në moshën tre vjeç dhe që herët filloi të praktikojë katër orë në ditë derisa vdiq në moshën 75 vjeç – kur për shumë kohë kishte qenë më i madhi në botë – me rreth 102 000 orë praktikë. Ai pa dyshim brohoriti “Dëgjojeni, dëgjojeni” pas përgjigjes që Paderewski iu dha lavdërimeve servile të një gruaje për gjeninë e tij: “Zonjë, para se të bëhesha gjeni, kam punuar si kalë”.
Ne nuk do të arrijmë gjë në jetë pa disiplinë, qoftë në arte, biznes, sport apo në fushën akademike. Kjo është dyfish e vërtetë në çështjet frymërore. Në fusha të tjera edhe mund të jemi në gjendje të pretendojmë për ndonjë përparësi të lindur. Një sportist mund të lindet me trup të fortë, një muzikant me shtrirje zëri të përsosur apo një piktor me sy për perspektivën. Por asnjëri prej nesh nuk mund të pretendojë një përparësi frymërore të lindur. Në të vërtetë, ne jemi të gjithë barazisht të disfavorshëm. Asnjë prej nesh nuk e kërkon në mënyrë të natyrshme Perëndinë, asnjë nuk është në thelb i drejtë, asnjë nuk bën mirë në mënyrë instinktive (khs. Romakëve 3:9-18). Prandaj, si fëmijë të hirit, disiplina jonë frymërore është gjithçka – gjithçka!
E përsëris … disiplina është gjithçka!
PALI PËR DISIPLINËN
Duke qenë kështu, porosia e Palit për Timoteun lidhur me disiplinën frymërore te 1 Timoteut 4:7 – “ushtrohu në perëndishmëri” – merr jo vetëm rëndësi të jashtëzakonshme, por bëhet edhe personalisht urgjent. Ka edhe pasazhe të tjera që mësojnë disiplinën, por ky është teksti madhështor klasik i Shkrimit. Fjala “ushtroj” vjen nga fjala gumnos, që do të thotë “lakuriq” dhe është fjala nga e cila përftohet fjala gjimnastikë. Në garat sportive tradicionale greke pjesëmarrësit garonin pa rroba, në mënyrë që të mos pengoheshin. Prandaj, fjala “ushtroj” fillimisht mbartte kuptimin fjalë për fjalë “ushtroj lakuriq”. Në kohët e Dhiatës së Re fjala i referohej të ushtruarit dhe stërvitjes në përgjithësi. Por edhe atëherë ishte, dhe është, fjalë që mban erën e palestrës – djersa e të ushtruarit të mirë. “Bëj gjimnastikë, domethënë ushtroje, stërvite, trajnoje veten me qëllim perëndishmërinë”, kjo përçon ndjesinë e asaj që po thotë Pali.
DJERSA FRYMËRORE
Me një fjalë, ai po thërret për ca djersë frymërore! Njësoj si sportistët hidhnin gjithçka dhe garonin gumnos – të lirë nga gjithçka që mund të bëhej barrë për ta – kështu edhe ne duhet të heqim dorë nga çdo pengesë, çdo lidhje, zakon apo prirje që pengon perëndishmërinë. Nëse duam të shkëlqejmë, duhet ta zhveshim veten në një lakuriqësi të pastër frymërore. Autori i Hebrenjve e shpjegon kështu: “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon kaq lehtë, le të rendim me durim në garën që është përpara nesh” (Hebrenjve 12:1). Burra, nuk do të shkojmë frymërisht askund ndonjëherë pa u zhveshur me vetëdije nga gjërat që nuk na lënë të shkojmë përpara. Çfarë gjërash po të rëndojnë? Thirrja për disiplinë kërkon që t’i hedhësh ato. A je aq burrë?
Thirrja për të stërvitur veten për perëndishmëri sugjeron edhe përqendrimin e gjithë energjisë sonë ndaj perëndishmërisë. Pali e portretizon këtë diku tjetër: “Dhe kushdo që merr pjesë në garë e përmban veten në të gjitha…. Unë, pra, kështu vrapoj, jo sikur jam në pasiguri; kështu luftoj me grusht, jo sikur rrah erën; madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj” (1 Korintasve 9:25-27). Djersë intensive, energjike! Duhet veçanërisht të vërejmë se një fjali më vonë në kontekstin e urdhrit të Palit për ta “ushtruar veten në perëndishmëri”, ai komenton urdhrin dhe fjalët ndërmjetëse dhe thotë: “për këtë mundohemi dhe përpiqemi”. “Mundohemi” do të thotë “bëjmë punë të rëndë”, ndërsa “përpiqemi” është fjala greke nga e cila vjen fjala jonë “vuaj në agoni”. Përpjekje dhe agoni kërkohen nëse do të bëhesh i perëndishëm.
Kur dikush stërvitet seriozisht, ai me vullnetin e vet duron orë të tëra disipline, madje edhe dhimbje, për të fituar çmimin – duke vrapuar më se 16000 kilometra për të qenë në formën më të mirë për garën e 100 metrave. Jeta e krishterë e suksesshme është punë djerse!
Pa burrëri nuk ka pjekuri! Pa disiplinë nuk ka dishepullim! Pa djersë nuk ka shenjtëri!
PSE DISIPLINAT?
Pasi e kemi kuptuar këtë, tani iu futemi arsyeve për këtë libër, që janë dy.
E para, në botën dhe kishën e sotme, jetët e krishtera të disiplinuara janë përjashtimi, jo rregulli. Kjo vlen për burrat, gratë dhe klerin profesionist. Nuk mund ta shfajësojmë veten duke thënë se kështu ka qenë gjithmonë. Nuk është e vërtetë! Sa u përket shkaqeve për këtë gjendje, mund të ofrohen disa arsye të logjikshme, të tilla si mësimi i dobët apo përtacia individuale. Por në themel të kundërshtimit të vetëdijshëm të disiplinave frymërore në një masë të madhe është frika e legalizmit. Për shumë veta, disiplinë frymërore do të thotë ta kthesh veten nën ligj me një sërë rregullash të rrepta drakoniane, sipas të cilave nuk mund të jetojë askush, por thjesht sjellin zhgënjim dhe vdekje frymërore.
Por asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës kur e kupton se çfarë janë disiplina dhe legalizmi. Ndryshimi qëndron te motivimi: legalizmi është përqendrimi te vetja; disiplina është përqendrimi te Perëndia. Zemra legaliste thotë: “Do ta bëj këtë gjë për të fituar merita para Perëndisë”. Zemra e disiplinuar thotë: “Do ta bëj këtë gjë sepse e dua Perëndinë dhe dëshiroj ta kënaq Atë”. Ka një ndryshim të pafund ndërmjet motivimit të legalizmit dhe disiplinës! Pali e dinte mirë këtë dhe i luftoi legalistët pa dorashka përgjatë tërë Azisë së Vogël, pa u lënë kusur! Dhe tani na thërret ne: “Ushtrojeni [disiplinojeni] veten për të qenë të perëndishëm!” Nëse e ngatërrojmë legalizimin dhe disiplinën, e bëjmë këtë duke vënë në rrezik shpirtin tonë.
Arsyeja e dytë për këtë libër është se burrat janë shumë më pak të prirur për t’u disiplinuar frymërisht sesa gratë. Një studim i kohëve të fundit i kryer në Kishën e Bashkuar Metodiste zbulon se 85% e të abonuarve në broshurën kryesore devocionale të atij denominacioni, “Dhoma e sipërme”, janë gra. Për më tepër, të njëjtat statistika vlejnë për broshurën tjetër devocionale që kanë ata, “Gjallë tani”, që ka 75% të lexuesve femra. Kjo konfirmohet nga fakti se shumica dërrmuese e librave të shitur në libraritë e krishtera blihen nga gratë. Gratë thjesht lexojnë më shumë literaturë të krishterë!
Është gjithashtu e vërtetë se shumë më tepër gra janë të shqetësuara për mirëqenien frymërore të partnerit sesa anasjelltas. Revista Today’s Christian Woman ka vërejtur se artikujt e përqendruar në zhvillimin frymëror të bashkëshortëve kanë pasur numrin më të lartë të lexuesve. Gjithë kjo mbështetet nga statistika të besueshme. Një anketë e Gallup-it e kryer në qershor 1990 zbuloi se 71% e grave të anketuara besonin se feja mund të japë përgjigje për problemet e sotme, ndërkohë që vetëm 55% e burrave pajtoheshin me këtë ide. Shërbesa tipike e kishës ka 59% frekuentuese femra kundrejt 41% frekuentues meshkuj. Për më tepër, gratë e martuara që frekuentojnë kishën pa bashkëshortët e tyre i tejkalojnë në shifrat 4 me 1 burrat që frekuentojnë pa bashkëshortet.
Pse? Sigurisht që kontribuon për këtë kredoja që e depërton mashkullin amerikan për vetëmjaftueshmërinë dhe individualizmin. Një pjesë e kësaj mund të jetë edhe falë shmangies së mashkullit nga gjithçka marrëdhëniesore (gjë që, natyrisht, krishterimi është!). Por ne nuk e pranojmë se gratë janë thjesht më frymërore nga natyra. Parada e shenjtorëve të mëdhenj (meshkuj dhe femra) përgjatë shekujve, si edhe burrat frymërorë shembullorë në disa prej kishave tona sot, qartësisht e hedhin poshtë këtë ide. Por fakti qëndron se burrat sot kanë nevojë për shumë më tepër ndihmë në ndërtimin e disiplinës frymërore sesa gratë.
Burra, çfarë do të them në këtë libër vjen drejtpërdrejt nga zemra dhe studimi i gjatë i Fjalës së Perëndisë – si burri burrit. Duke shkruar këtë kam përfytyruar bijtë e mi të rritur të ulur përballë në tryezë, me filxhanët e kafesë në dorë, ndërsa përpiqem t’u jap atyre çfarë mendoj për disiplinat thelbësore të perëndishmërisë. Ky libër është kryesisht miqësor ndaj lexuesit. Kisha (në Amerikë) ka nevojë për burra të vërtetë, dhe ne jemi burrat!
THIRRJE KOZMIKE
Nuk jemi duke e mbivlerësuar rëndësinë e kësaj thirrjeje për disiplinë frymërore. Dëgjojeni Palin sërish nga 1 Timoteut 4:7, 8: “edhe ushtrohu në perëndishmëri. Sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për gjithçka, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vij”.
Nëse e kemi disiplinuar apo jo veten, kjo do të bëjë një ndryshim të jashtëzakonshëm në këtë jetë. Ne jemi të gjithë gjymtyrë të njëri-tjetrit, prandaj çdonjëri prej nesh ose lartësohet, ose shtypet nga jeta e brendshme e secilit. Disa prej nesh ndikojnë te të tjerët si një baticë plot gëzim, duke i ngritur të tjerët lart, por disa prej nesh janë si rryma të nënujshme për Trupin e Krishtit. Nëse je i martuar, prania ose mungesa e disiplinës frymërore mund të shërbejë për të shenjtëruar ose mallkuar fëmijët dhe nipërit e mbesat. Prandaj, disiplina frymërore mbart premtim të jashtëzakonshëm për këtë jetë të tanishme.
Sa për “jetën e ardhshme”, disiplina frymërore ndërton arkitekturën e qëndrueshme të shpirtit të njeriut mbi themelin e Krishtit – ar, argjend dhe gurë të çmuar, që do t’u mbijetojnë zjarreve të gjykimit dhe do të mbeten monument për Krishtin në përjetësi (khs. 1 Korintasve 3:10-15).
Disa mund ta minimizojnë rëndësinë e disiplinës frymërore tani, por asnjeri nuk do ta bëjë këtë gjë atëherë! “Perëndishmëria ka vlerë për gjithçka!”. I krishteri i disiplinuar jep dhe merr më të mirën prej të dy botëve – botës së tanishme dhe botës së ardhshme.
Fjala disiplinë mund të ngjallë ndjesinë e detyrimit mbytës në mendjet e disave – duke sugjeruar një jetë të ndrydhur e të kufizuar. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës! Disiplina e fiksuar, pothuajse e sëmurë e Mike Singletary, e çliron atë për të luajtur si i papërmbajtur në fushën e futbollit. Ndjenja e ankthit të Hemingway për fjalën e duhur e liroi atë për të lënë shenjë në gjuhën angleze si askush tjetër përveç Shekspirit. Miliarda skicat e të mëdhenjve të Rilindjes i dhanë Mikelanxhelos lirinë për të krijuar qiejt e Kapelës Sistine. Përgatitja e mundimshme e Churchill-it i dha atij lirinë për të mbajtur fjalime madhështore “aty për aty” dhe për të kthyer përgjigje të shkëlqyera. Angaria e disiplinuar e të mëdhenjve të muzikës çliroi gjeninë e tyre. Dhe, vëllezër në Krishtin, disiplina frymërore na çliron nga rëndesa e kësaj kohe të tanishme dhe na lejon të fluturojmë me shenjtorët dhe engjëjt.
A kemi djersë për të derdhur? A do të hyjmë në gjimnastikën e disiplinës hyjnore? A do t’i zhveshim gjërat që na zmbrapsin? A do ta disiplinojmë veten përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë?
Ju ftoj në palestrën e Perëndisë në kapitujt në vijim – për ca djersë shenjtëruese – për ca dhimbje dhe përfitime të mëdha.
Perëndia po kërkon pak burra të mirë!
Mund ta dëgjojmë librin AUDIO këtu: https://ibsh.al/disiplinat-e-nje-burri-te-perendishem/ https://www.facebook.com/342300439956113/videos/3162301893993335
https://youtube.com/playlist?list=PLWiG1BF07Ez3SoH_4BCQ5rDu_UmsRuwdk