Dishepullizimi (Librat Jetë dhe Dritë me bollëk nga IBSH)
| 31 Tetor, 20231: Cila është rëndësia e dishepullizimit?
Zoti ynë Jezu Krishti na ka urdhëruar që të bëjmë dishepuj, Mat 28, duke ju mësuar gjithë gjërat që Zoti unë na ka mësuar ne. Pra është një urdhërim nga Zoti për kishën e Tij.
Dishepullimi është proces, që fillon kur ne vijmë në besim në Krishtin dhe vazhdon tërë jetën Në procesin e dishepullimit ne duam t’i mësojmë çdo gjë të nevojshme një besimtari në Fjalën e Perëndisë, në Bibël për jetën dhe shërbesën e Krishterë Me qëllim që ai/ajo të rritet në besim, të ecë me Perëndinë, të formojë një karakter të ngjashëm me atë të Zotit tonë duke përjetuar jetën e re,
Po ashtu pjesë e këtij procesi është përgatitja e besimtarëve për të shërbyer me dhuntitë që Fryma ju jep atyre dhe përdorimi i tyre në jetën e kishës. Pra, në këtë proces ne bëhemi më të ngjashëm me Jezusin, në këtë proces ne shumëfishojmë veten, në këtë proces ne sigurohemi që kisha si e tërë të rritet dhe që e lavdëron Emrin e Zotit
Për t’i ardhur në ndihmë kishës Shqiptare në këtë punë të rëndësishme të dishepullimit, Instituti Biblik i Shqipërisë në Durrës, ka sjellë serinë e librave të SEAN-it. Që është edukim teologjik me shtrirje, për besimtarë dhe mësimet bëhen në kishë, aty ku janë. Në këtë mënyrë ne i vijmë në ndihmë pastorëve dhe gjithë drejtuesve në kishën lokale në procesin e dishepullimit.
2: Çfarë do të thotë jetë me bollëk?
Zoti Jezus tha: “Unë kam ardhur që të keni jetë dhe jetë me bollëk” Gjoni 10:10 Kur ne mendojmë për dishepullimin si procesi kur bëhemi më të ngjashëm me Krishtin, pra kur Perëndia transformon karakterin tonë si ai i Zotit, ne mendojmë për të patur: Frytin e Frymës në ne, dashurinë, gëzimin, paqen, mirësinë, zemërbutësinë, besimin, durimin, vetëkontrollin.
Po ashtu ne mendojmë të jetojmë e shërbejmë si shenjtorë, të ndërtojmë martesa, familje të perëndishme, të shumëfishojmë veten si ndjekës të Krishtit. Pra, është një koncept me të vërtetë i gjerë, i thellë por që sjell plot bekime në jetët tona.
3: Po për çfarë bën fjalë libri “Jetë me bollëk”?
“Jetë me bollëk” ka për qëllim që t’i japë një besimtari të ri, gjërat bazë të besimit, jetës së re në Zotin. Libri është i përqendruar në tre pjesë kryesore:
A: Hapat e parë të besimtarit: Këtu flasim për Rilindjen, pendesën nga mëkati, besimin dhe faljen e Perëndisë, familjen e Perëndisë dhe të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë. Sigurohemi në këtë mënyrë që besimtari i ri i ka të qarta këto koncepte të besimit të krishterë para se të shkojë në hapat e tjerë, duke shmangur edhe keqkuptime të ndryshme.
B: Jeta e re e besimtarit: Këtu studiojmë tema të tilla si: Si mund të lexojmë Biblën? Si të lutemi, Si të mposhtim djallin? Si të mposhtim natyrën e vjetër? Si të mposhtim botën? Si të ndajmë lajmin e mirë me të tjerët?
C: Besimtari dhe kisha: Në këtë pjesë mësojmë se pse të pagëzohemi, cila është domethënia e tij? Pse e marrim darkën e Zotit? Çfarë simbolizon ajo? Po anëtarësia në kishë, Çfarë është kisha? Si të administrojmë paratë e të jemi dhurues? Si na udhëheq Zoti në të ardhmen tonë?
4: Për çfarë drite bëhet fjalë në librin dritë me bollëk?
Në Ps 119:105 thuhet: “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim”. Fjala e Perëndisë na prezanton me zbulesën e Perëndisë, e njohim Atë personalisht, na njeh me shpëtimin e Perëndisë dhe po ashtu na jep ne çdo gjë që i nevojitet besimit tonë. Në këtë mënyrë ajo është udhërrëfyese për ne, kur shkelim aty ku s’ kemi shkelur më parë e që të mos shkelim ku nuk duhet por të hedhim papa të sigurtë në jetën, në familje, në shërbesë.
5: Po për çfarë bën fjalë libri “Dritë me bollëk”?
Libri “Dritë me bollëk” ka për qëllim që t’i japë besimtarëve, gjërat bazë në lidhje me Biblën dhe përdorimin e saj nga besimtari dhe në jetën e kishës.
Libri është i përqendruar në disa aspekte kryesore:
A: Veçantitë e Biblës. Kujt i ngjan Bibla? Si ta përdorim Biblën? Këtu mësohet ta shohim atë si dritë, si udhërrëfyesja e jetës dhe si shpatë që sulmon errësirën. Si u shkrua Bibla? Cilët ishin autorët, sa libra ka? Në cilat gjuhë u shkrua Bibla? E vërteta e Biblës: Saktësia e shkrimeve, evidencat nga arkeologjia, ndershmëria në dhënien e ngjarjeve. Këtu mësohet se si janë sistemuar librat e Biblës dhe si kanë ardhur deri më sot.
B: Një studim i Dhiatës së Vjetër: Përqendrim tek Zanafilla, Populli i Izraelit dhe krijimi i tij, Ligji i Zotit, librat historikë, librat poetikë dhe mesazhi kryesor i tyre. Ka një përqendrim tek mesazhi i profetëve, duke e vënë theksin tek ndëshkimi dhe shpëtimi i Perëndisë.
C: Një studim i Dhiatës së Re: Në fillim paraqet sfondin e Dhiatës së Re. Cila ishte situata në kohën e ardhjes së Krishtit! Cilat janë gjërat bazë që shohim tek Ungjijtë për personin dhe veprën e Krishtit? Çfarë mësojmë mbi kishën e re tek Veprat e Apostujve? Në libër studiohen letrat drejtuar kishave dhe individëve dhe mbyllet me një mësim mbi mesazhin e zbulesës.
6: Cilët persona duhet ta studiojnë?
Çdo besimtar që nuk i ka marrë këto gjëra bazë për besimin e tij/saj, pavarësisht se sa kohë ka në një kishë, në mënyrë që të mund të jetë gati për të marrë më shumë
7: Cila është lidhja mes dy librave jetë dhe dritë me bollëk?
Librat e SEAN-it janë të lidhur me njëri-tjetrin. I pari na pajis me gjërat bazë për një besimtarë të ri dhe pasi hedhim atë themel në besim, ne duam që të hedhim një pjesë tjetër që ka të bëjë me Shkrimet e Shenjta pasi gjithë jetën tonë do ta shoqërojmë me Biblën. Në të parin mësojmë se si ta lexojmë Biblën po në të dytin mësojmë shumë më tepër mbi Biblën, por edhe si ta studiojmë dhe si ta përdorim atë në jetën tonë të përditshme ashtu si Zoti dëshiron që ne ta përdorim atë.
8: Si duhet të veprojnë ata që tashmë duan ta aplikojnë këtë studim në kishat e tyre?
Ka një numër të madh kishash në Shqipëri dhe kemi filluar dhe në Kosovë që janë përdorues të rregullt, në vazhdimësi të librave të SEAN-it. Pra, sa herë që ka një grup besimtarësh të rinj, drejtuesit fillojnë studimin me Jetë me bollëk, që është i rëndësishëm para pagëzimit të tyre.
Për kishat që nuk i kanë përdor ndonjëherë, duhet të na kontaktojnë ne në IBSH, pasi librat nuk janë në librari, ata shpërndahen vetëm nga IBSH, kjo pasi duam të sigurohemi që ata dinë si t’i përdorin këto materiale.
9: Nga kush mund të ushtrohet drejtimi i studimit?
Ne kalojmë kohë për të përgatitur drejtuesit e grupeve të studimit, sipas udhëzimeve që shërbesa ndërkombëtare e ETSH, ( edukimit teologjik me shtrirje ) ka, pra i pajisim ata me një kuptim të duhur në lidhje me çështje si: Çfarë është ETSH? Cilët mund të jenë drejtuesit? Përgjegjësitë e tyre, përshkrimi i punës, dhuntitë e tyre.
Po ashtu se si të drejtojnë punën e studimit në grup, me mësimin, kohën e diskutimit, planifikimi, ngritja e pyetjeve, roli i lutjes, njohjes së Biblës nga drejtuesi.
Pra, studimi duhet të drejtohet nga dikush që ka aftësinë për të dhënë mësim, më mirë akoma kur është një mësues me përvojë, dhe ata nxiten të mësojmë të tjerë për të bërë këtë punë.
I ftojmë pastorët të na kontaktojnë, i nxisim të dëgjojnë nga përdoruesit aktualë të SEAN
Përgatiti: Pëllumb Ranxha