Pse ekziston ferri, vendi i mundimit të tmerrshëm?
| 16 Shtator, 2023Edhe pse shumëkush mendon se do të shkojë në parajsë me Perëndinë e gjallë për të qenë me Të në përjetësi me të gjithë shenjtorët dhe engjëjt e Tij, ne e dimë nga Fjala e Perëndisë se nuk është kështu. Shumë njerëz në këtë jetë kanë zgjedhur të jetojnë në mosbesim dhe çdo lloj mëkati, duke e përcaktuar këtu në këtë botë fundin e tyre në përjetësi, në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur nga ku nuk mund të largohen më kurrë. Zbulesa 20:11-15
Ndërsa Perëndia e ka zbuluar veten e Tij si krijuesi ynë, se është dashuri, i hirshëm, i mëshirshëm dhe falës shumë njerëz ngrenë pyetjen: Pse dhe si ka mundësi që ekziston atëherë një vend mundimi i përjetshëm si ferri? Shkrimi i Shenjtë na tregon se ferri u krijua për djallin dhe engjëjt e tij dhe jo për njerëzit; Mateu 25:41. Fjala e Perëndisë, Bibla na zbulon se Perëndia ynë është edhe i shenjtë, i drejtë, gjykatës dhe ashtu siç i do njerëzit me dashuri të madhe po ashtu me fuqi të madhe urren mëkatin dhe askush nuk mund të hyjë në praninë e Tij në qiell me mëkat. Atëherë si i tillë ferri është një dëshmi e karakterit të drejtë të Perëndisë dhe se Ai do ta gjykojë mëkatin me drejtësi dhe do ta shpërblejë këdo sipas veprave të tyre. Ferri është një dëshmi e përgjegjësisë së njeriut, pasi ai/ajo zgjedh të mëkatojë. Perëndia nuk dëshiron që t’i dërgojë njerëzit në ferr, Ai dëshiron që ata të shpëtohen, 1Tim 2:4, por ata shkojnë në ferr për shkak të mosbesimit, duke refuzuar të besojnë në veprën shpenguese të Krishtit në kryq, duke mos e njohur Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar. Sa tragjike!
Ferri është gjithashtu një dëshmi e tmerrit të papërshkrueshëm të mëkatit njerëzor. Nëse ne do ta shohim mëkatin siç e sheh Perëndia ne do të kuptojmë se pse ekziston një vend i kobshëm si ferri, pasi njerëzit kanë bërë dhe bëjnë gjëra të tmerrshme. Pra, ferri është një burg i përjetshëm pa shoqëri, një vend ku ndërgjegjja i bren me turp njerëzit për mëkatin e tyre. Ata nuk kanë më asnjë të mirë dhe asnjë bekim dhe janë të pashpresë. Vdekja nuk vjen më dhe vuajtja nuk ka fund ndërsa jetojnë në mallkimin e mëkatit të tyre. Ata janë në tortura dhe agoni të vazhdueshme, larg Zotit dhe vajtojnë para zemërimit të drejtë e të shenjtë të Perëndisë. Është e vështirë të përshkruash me fjalë tmerret e liqenit të zjarrit. Kush dëshiron të jetë atje?
Ndonëse jeta jonë këtu është e shkurtër pasojat e mëkatit tonë janë të përjetshme. Ferri përshkruhet si vendi ku të ligjtë shkojnë pas vdekjes, ai është vendi “i zjarrit që nuk shuhet” Mateu 3:12, “i turpit dhe poshtërsisë së përjetshme” Danieli 12:2, “vendi ku zjarri nuk shuhet dhe krimbi nuk vdes” Marku 9:44, “ku tymi dhe zjarri i mundimit ngrihet përjetë” Zbulesa 14:10,11 dhe “Liqeni që digjet me zjarr dhe squfur” ku të ligjtë mundohen përgjithmonë, Zbulesa 20:10. Cilido që ka provuar të digjet pak në zjarr apo të nuhasë erën mbytëse të squfurit e di se sa e tmerrshme është dhe do të vrapojë prej tyre. Sa e tmerrshme do të jetë të kalosh përjetësinë në zjarr dhe mundim të tillë me një trup që nuk prishet dhe prej të cilit nuk mund të dalësh! Luka 16:20.
Por Perëndia vetë ka siguruar një rrugëdalje, që kushdo që beson në Birin e Tij Jezu Krishtin se u kryqëzua për mëkatet tona dhe u ringjall në të tretën ditë do të marrë faljen e mëkateve, do të pajtohet me Perëndinë, Krijuesin dhe Shpenguesin e shpirtrave tanë dhe do të ketë jetë të përjetshme me Të në qiellin dhe tokën e re. Aleluja! Çfarë shprese e bekuar! Çfarë sigurie se mëkati, vuajtja, vdekja, mundimi, sëmundja do të pushojnë një ditë përgjithmonë për ata që besojnë në Krishtin apo që vuajnë për Të sot dhe presin çlirimin e Tij!
Nëse nuk ke besuar ende në Jezusin si Zoti dhe Shpëtimtari yt, atëherë liqeni i zjarrit do të jetë fundi yt. Ferri është i tmerrshëm siç e meriton mëkati ynë, parajsa është e mrekullueshme siç është Zoti ynë. Unë vendosa besimin tim në Krishtin para 28 vjetësh dhe Ai është Zoti im ashtu si edhe për miliona të tjerë në botë. Ne mbahemi në premtimet e Tij edhe se Ai do të vijë sërish për kishën e Tij, për t’i dhënë fund mëkatit, sundimit të ligësisë dhe për të vendosur përgjithmonë mbretërinë e Tij. 2Pjetri 3:13. Maranatha Zoti Jezus!
Mos u mashtro nga mashtruesi se ferri nuk ekziston apo se një ditë do të jesh në parajsë edhe pse kurrë nuk je penduar për mëkatet e tua. Kush e mohon Krishtin këtu do të jetë i mohuar në përjetësi, kush e pranon Krishtin këtu do të jetë i pranuar në përjetësi. Gjoni 1:12. Nëse Jezu Krishti nuk është ende Zoti yt kjo është dita për ta vendosur besimin tënd në Të, nesër mund të jetë tepër vonë. Ai vuajti në kryq që ti të mos vuash në ferr, se Ai të deshi që ti të përjetosh dashurinë me Perëndinë këtu dhe në përjetësi. Sot mund të sigurohesh se do të hysh në prehje me Zotin duke i besuar Atij ose për shkak të mosbesimit shkon në mundim të përjetshëm. Cila është pra zgjedhja jote?
Përgatiti: Pëllumb Ranxha