Ka fitore mbi fuqitë e errësirës
| 29 Gusht, 2023
1Gjoni 4:4 Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë.
Sa e bukur është pozita jonë si bij të Perëndisë si fitimtarë e të lirë prej fuqisë së mëkatit dhe të djallit! Në kryq dhe me ringjalljen e Tij, Jezu Krishti ngadhënjeu mbi fuqitë e errësirës dhe fundi i tyre është mundimi në liqenin e zjarrit përjetë. Megjithatë ka njerëz pa Krishtin që vuajnë nga frymërat e liga dhe që besojnë doktrinat e tyre, ata janë të mbushur me frikë dhe tmerr. Edhe pse disa prej këtyre engjëjve janë të lidhur në pritje të ditës së gjyqit të madh, disa janë aktivë në botën tonë, për këtë arsye ne nxitemi të marrim armatimin frymëror (Efesianëve 6:10-20). Madje ka edhe të krishterë që i lënë vend djallit me mëkatin e tyre (Efesianëve 4:27), dhe vuajnë pasojat.
Deri kur Zoti të vijë dhe t’i nënshtrojë të gjitha pushtetet, ne e dimë se do të ketë betejë të ashpër frymërore. Ajo duket në tërë Shkrimin e Shenjtë e sidomos kur flitet për kohët e fundit, ku shumë njerëz do të ndjekin mësimet e demonëve (1Tim 4:1-3), dhe bota do të vuajë pasojat e mëkatit. Ndoshta në librin e Zbulesës ky ndikim i fuqive të errësirës del më shumë në pah dhe po ashtu edhe fuqia e Zotit tonë. Fuqitë e errësirës mashtrojnë, i drejtojnë njerëzit në idhujtari, imoralitet, vrasje, gënjeshtër, vjedhje dhe synimi i tyre është skllavërimi i njerëzve këtu në tokë dhe ndëshkimi i tyre në përjetësi larg Zotit. Fatkeqësisht shumë njerëz i kanë ndjekur rrugët e tyre dhe po i ndjekin duke na treguar edhe fundin e tyre në përjetësi, ndëshkim të përjetshëm bashkë me djallin dhe demonët (Mateu 25:41).
Fryma e Zotit përmes Gjonit na nxit të jemi vigjilentë për ndikimin dhe veprën e fuqive të errësirës (1Gjoni 4:1). Së dyti, na nxit të kuptojmë se ne jemi fitimtarë në Krishtin dhe se Ai, Zoti ynë është më i madh dhe më i fuqishëm se ai që është në botë, pra djalli dhe engjëjt e tij. Sa e rëndësishme është kjo e vërtetë! Ajo kurrë nuk duhet harruar. Të krishterët gjenden në këtë betejë dhe nxiten të bien në krenari, idhujtari, mosbesim, mosfalje, abuzim me autoritetin dhe financat, apo imoralitet. Ka vazhdimisht një betejë të ashpër për mendjen dhe zemrën tonë (2 Kor 10:4,5), me mendime të tilla mëkatare dhe fuqitë e errësirës janë pas tyre bashkë me djallin.
Për këtë arsye të krishterët duhet t’i afrohen Zotit me besim, me përulje, me rrëfim, me njohje të doktrinës së Krishtit, me fuqinë e Frymës së Shenjtë që banon në ne. Bibla na mëson se në emrin e Jezu Krishtit ka autoritet, shërim, çlirim, fuqi, shpengim, strehë, paqe, liri, hir, jetë të përjetshme, shenjtërim, mëshirë, dashuri, mbrojtje, përtëritje dhe nuk ka asnjë emër tjetër me anë të të cilit ne shpëtohemi dhe çlirohemi, përveç emrit të Krishtit. Amen! Prandaj, nëse po vuan prej veprës së fuqive të errësirës vendose besimin në Jezu Krishtin si Zoti dhe Shpëtimtari i jetës sate duke rrëfyer mëkatet sot. Besimi në veprën e Krishtit në kryq dhe ringjalljen e Tij sjellin falje dhe pajtim. Nëse Krishti është Zoti yt, eja tek Ai me besim duke i kërkuar që Ai të ndërhyjë, luftojë e fitojë për ty ashtu siç Ai të ka premtuar. Mos lejo frikën apo mashtrimin në ty, mos iu bind asnjë zëri që nxit mosbindje ndaj Perëndisë, Atit tënd, por vetëm zërit të Bariut të shpirtrave, Jezu Krishtit Zotit tonë.
Këto frymëra dridhen nga frika që kanë prej emrit të Krishtit dhe thirrja e emrit të Zotit në lutje me besim kur dikush vuan prej tyre, bën që fuqia e Krijuesit të manifestohet dhe çlirimi të vijë. Mos ji në pushtetin e tyre mashtrues, skllavërues e shkatërrimtar, por në pushtetin çlirues dhe jetëdhënës të Krishtit që thotë se ka ardhur të na japë jetë me bollëk! Sa të fuqishme dhe inkurajuese janë dëshmitë e njerëzve që kur kanë ardhur në besim në Krishtin dhe përjetojnë lirinë që Ai sjell në shpirtin e skllavëruar! Sa bekim janë dëshmitë e atyre që janë në besim që pasi i kanë lënë vend djallit (Efesianëve 4:27), e rrëfejnë mëkatin e tyre dhe përjetojnë lirinë dhe fuqinë e Zotit të plotfuqishëm me anë të Frymës së Shenjtë dhe ecin në liri dhe fitore (Gjoni 16:33). A po vuan sot prej fuqive të errësirës? Mbahu fort në mësimet dhe premtimet e Zotit tonë dhe ruaje veten nga mashtrimi i tyre!
Lutje: O Atë qiellor, të falënderoj për të vërtetën Tënde që më ka bërë të lirë, për fuqinë që sjell fitore mbi fuqitë e errësirës me anë të gjakut të Krishtit Birit tënd dhe ringjalljes së Tij. Më mëso ta njoh, besoj, zbatoj dhe shpall Fjalën tënde. Më mbro nga çdo përpjekje mashtruese dhe skllavëruese e djallit dhe e engjëjve të tij. Më aftëso të dalloj frymërat, të dalloj sulmet e tyre, të marr armatimin frymëror, të lutem me besim dhe në Frymë, i veshur me përulje dhe bindje. Bëji këto gjëra me të gjithë bijtë e tu sot që të gjithë të jenë të veshur me Krishtin, të mbushur me dashuri dhe të ecin në fitore për ta lavdëruar Emrin Tënd. Amen!
Përgatiti Pëllumb Ranxha