Dil nga burgu i mosfaljes! Mateu 18:33-35
| 7 Nëntor, 2023
Thuhet se burgu më i keq në botë është ai i zemrës mosfalëse. Po si mund të jetë kështu pikërisht me ato zemra të cilave iu është falur kaq shumë? Mosfalja është problem kudo në botë, e veçanërisht në një kulturë krenare dhe hakmarrëse si kjo në Shqipëri. Pasojat e saj nuk janë të pakta, qoftë në familje, në kishë apo në shoqëri dhe disa herë janë fatale.
Në këtë shëmbëlltyrë Zoti e bën të qartë nevojën për të falur. Borxhi që secili nga ne i ka Atij është kaq i madh saqë ne nuk mund ta fshijmë kurrë atë, mëkati ynë pa faljen e Atit qiellor na dërgon përjetë në liqenin që digjet me zjarr. Kujtoje përherë dashurinë dhe faljen e Zotit përmes kryqit dhe zemra të mbushet me mirënjohje dhe dëshirë për falje.
Kur ne refuzojmë që të falim të tjerët ashtu si Zoti na ka mësuar dhe na ka falur, ne po burgosim dhe po torturojmë vetveten. Disa nga njerëzit më të mjerë janë ata që edhe pse e dinë se iu është falur kaq shumë, nuk i falin të tjerët. Ata në vetëdrejtësi, i japin të drejtë vetes se për shkak se janë lënduar aq shumë duan të ushtrojnë drejtësi që t’i dënojnë ata të cilët u kanë bërë keq, por në fakt në dëshirën për hakmarrje ata dënojnë veten e tyre. Kështu ata janë pa paqe, pa gëzim, pa fuqi shpirtërore, pa praninë e Frymës së Shenjtë, vazhdimisht në ankesë, të dobët shpirtërisht dhe pa një dëshmi që frymëzon të tjerët.
Dëshira për t’ia treguar qefin tjetrit, është krenari, mosbesim, mosbindje ndaj Perëndisë, dhe nuk i lë vend ndërhyrjes së Zotit, i cili qartazi thotë se vetëm Ai ka të drejtë për hakmarrje dhe është i vetmi që e bën atë në drejtësi (Rom 12:19). Në mosfalje zemra thotë se e do dhe i beson Zotit por në realitet nuk do që t’i bindet Fjalës së Tij dhe të ndjekë shembullin e Tij për të falur ashtu siç Ati qiellor na ka falur me anë të Krishtit. Një zemër e tillë duhet të dijë se lutjet e saj nuk ngjiten lart në qiell dhe se Ati nuk do ta falë atë për shkak të mosfaljes (Mat 6:14-15), kjo është shumë serioze dhe ka pasoja këtu dhe në përjetësi.
Nëse je në këtë burg sot apo njeh dikë që është aty, dua të them se Perëndia dëshiron që të dalësh prej tij; bindju Fjalës së Tij, pra fal ashtu siç Jezusi të ka falur në fuqinë e Frymës së Zotit dhe do të jesh i lirë, me gëzim, me paqe dhe një shembull të mirë për të tjerët. Dashuria dhe mëshira e Zotit kur na fali ne është e jashtëzakonshme, le të jemi edhe të dashur dhe të mëshirshëm duke falur të tjerët! Ashtu siç e kam përjetuar vetë, kam njohur edhe të tjerë që kur kanë dalë nga burgu i tmerrshëm i mosfaljes kanë dëshmuar për dashuri e liri që ta përtërin shpirtin. Kjo liri shpirtërore është fantastike, sa mirënjohës jemi për të.
Ati ynë qiellor me shembullin e Zotit Jezus në fuqinë e Frymës dhe Hirin e Tij na aftësoftë që ta njohim Fjalën e Tij, urdhrin e Tij për të falur! Ai bëftë që të kemi dashuri dhe bindje për Të dhe dashuri për të tjerët që t’i falim ata dhe të pranojmë faljen e tyre. Një masë e madhe dashurie, çlirimi, lirie, bekimesh derdhen nga Ati kur nga zemra jonë falim dhe pranojmë faljen, kjo është liria në Krishtin, ajo është e mrekullueshme në krahasim me burgun e mosfaljes. Unë po eci në këtë liri me të vërtetën e Zotit dhe herë pas here me shqyrtim të zemrës sime. A ke dikë që nuk e ke falur ende? Bëje tani dhe prania, gëzimi, paqja dhe fuqia e Zotit rikthehen dhe mbushin jetën tënde për të të përdorur për lavdinë e Tij.
Përgatiti: Pëllumb Ranxha
Për të mësuar rreth faljes mund të lexojmë mesazhin:
https://ibsh.al/te-falesh-si-krishti-dhe-pali/