Liria dhe pavarësia e vërtetë! Gjoni 8:32
| 27 Nëntor, 2023Liria dhe pavarësia e vërtetë! Gjoni 8:32
Përshëndetje të dashur miq!
Këto ditë festash janë me rëndësi për popullin tonë. Është bekim të jetosh në një vend të lirë, të pavarur dhe të bekuar nga Perëndia, si Shqipëria.
Kjo është një kohë reflektimi për ata që kanë punuar shumë, madje disa mijëra kanë humbur jetën e tyre për të na siguruar atë që kemi sot.
Mirënjohja është e madhe, për të gjithë ata dhe po ashtu duhet të lutemi që Perëndia të ngrejë njerëz që do të bëjnë më të mirën për këtë vend.
Po edhe pse jetojmë në një vend të lirë, shumë njerëz nuk janë të lirë. Nuk e kam fjalën për ata që janë në burg dhe pse atyre iu është hequr liria.
E kam fjalën për ata që jetojnë mes nesh, kanë familje, shoqëri, punojnë por janë në pranga. Po flas për problemet e drogës, alkoolit, dhunës, imoralitetit, gënjeshtrës, mashtrimit, lakmisë, idhujtarisë, dëshirës për hakmarrje, zemërimit e mosfaljes.
Është e tragjike të jetosh në një vend të lirë, me zemër të skllavëruar! Pasojat janë individuale por edhe të gjithë shoqërisë. Po si mund të bëhemi të lirë nga këto gjëra?
Perëndia në Fjalën e Tij në Bibël thotë: “do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”
Kush sundohet nga këto mëkate e di se është në pranga. Po Zoti të ka krijuar që ta njohësh dhe t’i besosh Atij, por të gjithë jemi mëkatarë dhe paga e mëkatit është vdekja, ndëshkim e ndarje nga Perëndia përjetë.
Perëndia solli Jezusin Birin e Tij të jetojë pa mëkat, të vdesë në kryq, e të ringjallet ditën e tretë, të ngrihet në qiell. Kur ti pendohesh, e rrëfen mëkatin tënd, e vendos besimin tënd në Krishtin, Ai të fal, të bën bir të Perëndisë dhe të bën të lirë nga prangat e tua. Ti mund të përjetosh lirinë edhe lirinë shpirtërore.
Miliona njerëz në botë dhe mijëra në Shqipëri dëshmojnë për lirinë që Zoti ka sjellë në jetën tyre me anë të besimit në Jezu Krishtin. Bëhu pra, sot një prej tyre! Gjej një kishë ku mund të rritesh në besim dhe dëshmo për lirinë tënde në Zotin.
Kështu do të jesh i lirë në një vend të lirë dhe i bekuar nga Perëndia.
Gëzuar festat! Zoti ju bekoftë!