A të gëzon Krishtlindja? Luka 2:10-11
| 23 Dhjetor, 2023Urimi “Gëzuar Krishtlindjen” shoqëron këtë kohë feste, duke dashur t’i përcjellë tjetrit gëzimin që Krishtlindja sjell. Engjëjt lajmëruan një gëzim të madh kur lindi Jezusi, shpëtimtari, Mesia, Zoti i mishëruar. Ishte gëzim i tillë se fjala profetike po përmbushej, shpëtimi i Zotit po vinte për tërë ata që i afroheshin me besim në Izrael dhe tani në mbarë botën. Është gëzim se takimi personal me Perëndinë e qiellit përveçse të përul edhe të gëzon, madje bën të ketë gëzim në qiell nga takimi ynë me Të.
Në këtë kohë shumë njerëz shkëmbejnë dhurata, urime, do të marrin pjesë në programe dhe festa, disa kënaqen, janë të lumtur, e megjithatë ka shumë që nuk janë të gëzuar pavarësisht nga dhurata apo vlera e saj. Kjo ndodh se kënaqësia që të jep një dhuratë është e përkohshme, por gëzimi që të jep takimi me Zotin përmes besimit është i përjetshëm. Ky gëzim nuk varet nga ajo që zotërojmë apo që arrijmë por nga marrëdhënia personale me Perëndinë e gjallë. Për këtë arsye shumë të varfër që nuk marrin ndonjë dhuratë apo nuk zotërojnë gjë të madhe materiale kanë gëzim, madje gëzim që i sfidon të tjerët, po pikërisht atë gëzim që të jep Zoti kur e njeh Atë përmes besimit në Krishtin.
Shpëtimtari Jezus vjen të shpëtojë ata që janë të pashpëtuar, nga mëkati i tyre, nga vdekja, nga dënimi në ferr përjetë, siç e meriton mëkati ynë. Kur mendon tmerret e liqenit të zjarrit dhe ke vendosur besimin në Zotin Krisht e mëkati të është falur, je pajtuar me Perëndinë, ke dhuratën e Frymës së Shenjtë, frytin e Frymës me dashuri, gëzim dhe paqe, atëherë me të vërtetë urimi “Gëzuar Krishtlindjen” ka kuptim dhe sjell gëzim të vërtetë. Vetëm atëherë Krishtlindja ka kuptimin që Zoti dëshiron që të ketë për zemrën e njeriut. Nga mundimi i përjetshëm Ai të çon në gëzimin e përjetshëm, lavdi Zotit!
A e ke këtë gëzim sot? Nëse po, lavdi Zotit, shpalle atë me shumë të tjerë që nuk e kanë. Nëse nuk e ke këtë gëzim atëherë fjala e engjëllit se “sot lindi një shpëtimtar që është Krishti, Zoti”, është pikërisht për ty. Eja tek Ai me besim, me rrëfim të mëkatit dhe gëzimi i faljes do të rrjedhë në ty. Atëherë shpëtimi i shpëtimtarit Jezus që Ai e përmbushi në kryq dhe ringjallje do të jetë edhe për ty.
Edhe pse ka shumë dhurata në këtë kohë, dhurata më e madhe është Jezu Krishti vetë, Ai është qendra e Krishtlindjes, Ai erdhi të na pajtojë me Atin, të na shpëtojë përmes besimit me Të, të na bëjë të kemi një marrëdhënie personale të përditshme me Atin qiellor dhe atëherë ka gëzim. Atëherë jo vetëm në Krishtlindje por tërë ditët tona ka gëzim, fuqi për shpirtin dhe shenjë se Zoti banon në ty. Dijetarët kur e gjetën Jezusin u gëzuan me gëzim të madh, miliona në histori dhe sot në të tashmen gëzojnë me gëzim të tillë kur Zoti vjen në jetën e tyre, ashtu siç ka ndodhur dhe ndodh me mua personalisht.
I mrekullueshëm është Zoti ynë dhe i pamasë është gëzimi i Tij. Gëzuar Krishtlindjen!
Përgatiti: Pëllumb Ranxha
Fotoja është nga TV 7 Albania