Gratë e lutjes, bekim për familjen, kishën dhe kombin. 1 Samueli 1–2
| 22 Janar, 2024Vizita ime e fundit në Izrael ishte bekim, po, e sheh Biblën të gjallë e të vërtetë. U zhyta në mendime ndërsa vizituam Shilohun, vendin ku Tabernakulli i Zotit ishte për 369 vjet dhe ku ndodhën shumë gjëra. Nuk mund të shkosh atje dhe të mos mendosh për Samuelin e patjetër për Anën, nënën e tij, gruan e lutjes që i kërkoi nga ai vend një bir Perëndisë së Izraelit. Nga ajo lutje dhe ai përgjërim gjëra të mëdha ndodhën, jo vetëm për Anën por për mbarë kombin dhe botën.
Fjala na thotë se Ana nuk mund të lindte fëmijë, 1Sam 1:5. Ajo përballej jo vetëm me këtë dhimbje por edhe me përbuzjen e Peninës. Në trishtimin e shpirtit të saj, Ana i lutet me besim Perëndisë duke e dorëzuar barrën e saj mbi Atë që mban barrat tona. Është e dukshme ndërsa ne lexojmë për lutjen e saj në kapitullin 1 dhe ngazëllimin e saj në kapitullin 2 se ajo e njeh Zotin e Izraelit, e beson Fjalën e Tij. Ana është e përulur, ajo nuk dyshon, është këmbëngulëse dhe konkrete në lutjen e saj. Ajo dëshiron që thjesht të ketë një fëmijë, por një bir që do t’i shërbejë Perëndisë. Ajo po kërkon së pari Mretërinë dhe lavdinë e Perëndisë, çfarë shembulli që është Ana për ne sot!
Ana e mbajti fjalën dhe ia kushtoi Zotit djalin e saj të vogël duke e çuar në Shiloh, për t’i treguar Elit, priftit se Perëndia e kish dëgjuar lutjen e saj. Sa e vështirë mund të ishte për një nënë, që djalin e vetëm që ka ia kushton shërbimit të Zotit! Me siguri ndërsa nuk e shihte shpesh djalin, ajo lutej për të ashtu siç u lut për ta patur atë. Samueli, që do të thotë “Perëndia dëgjon” dhe Ana që do të thotë “e përkrahura” u bënë dritë e kripë në Izrael. Fryti i lutjeve së saj ishte i jashtëzakonshëm. Fjala e Zotit përmes Samuelit u dëgjua përsëri ndërsa mëkati kishte pllakosur vendin. Një rizgjim frymëror ndodhi në Izrael, njerëzit braktisën idhujt dhe u kthyen te Perëndia i vërtetë. Arka e besëlidhjes u kthye dhe filistenjtë bënë paqe me ta. Emri i tij është mes heronjve të besimit, Hebrenjve 11. Ai ishte një gjyqtar plot urtësi, një profet e prift që e bëri të njohur Perëndinë para popullit. Nga lutja e Anës në Shiloh deri fund të jetës së Samuelit, në varrin e tij në veri të Jerusalemit ndodhën shumë gjëra. Të gjitha këto gjëra, plotësinë e të cilave Ana e ka parë vetëm në qiell, e kanë zanafillën me një grua që lutet dhe i beson Zotit.
Në lutjen dhe në jetën e Anës shfaqet Perëndia i vërtetë dhe veçoritë e Tij. Ai është Zoti i ushtrive, Ai dëgjon lutjet dhe sheh pikëllimin e bijës së Tij. Ai është i fuqishëm dhe i përgjigjet lutjeve të bijve të Tij. Ai është i shenjtë, Ai është forca dhe shkëmbi ynë. Ai i shkatërron armiqtë por i bekon shenjtorët me bekime përjetësie, 1Sam 2:1-10. Kur kërkohet lavdia e Zotit, Perëndia bën shumë më tepër sesa ne kërkojmë, Ef 3:20, pasi Ai jo vetëm që i dhuroi asaj Samuelin, por i jep Anës dhe Elkanaut edhe pesë fëmijë të tjerë, 2:21. Nga bekimi i Zotit shtëpia e asaj që dikur qante, u mbush me jetë e me gëzim. Me siguri fëmijët e tjerë, por edhe nipërit e mbesat dëgjuan nga Ana për atë që Zoti bëri.
Elkanahu, një burrë që adhuronte Perëndinë e Izraelit, kishte përkrah një grua që lutej plot besim te Zoti. Sa bekim për të! Penina përbuzëse pa që Perëndia e dëgjon lutjen e zemrës së përulur. Fëmijët e Anës jo vetëm patën përkujdesje për ushqim e higjenë, por një nënë që e jetoi Fjalën e Zotit para syve të tyre dhe i përgatiti ata për këtë jetë dhe për përjetësinë. Populli i Zotit pa se çfarë ndodh kur një grua e do Zotin, i bindet Fjalës së Tij dhe e kërkon Atë me gjithë zemër. Kombi i Izraelit u bekua kaq shumë nga dëshmia e Anës dhe shërbesa e birit të saj. Burra, gra, djem dhe vajza janë frymëzuar dhe frymëzohen prej besimit, përuljes, bindjes dhe jetës së lutjes të Anës, po me të vërtetë themi: Gratë e lutjes janë bekim për familjen, kishën dhe kombin. Lavdi Zotit që në kishat tona në Shqipëri ka gra të tilla! Zoti bëftë që do të ketë edhe më shumë! Zoti bëftë që familja të jetë më e perëndishme, kisha më me shumë ndikim dhe shoqëria të drejtohet te Zoti përmes jetës dhe dëshmisë së grave të lutjes ashtu si edhe përmes Anës!
Përgatiti: Pëllumb Ranxha
Shume bekim dhe nxites! Faleminderit Pellumb!
Të lutem! Zoti bëftë të kemi sa më shumë gra të tilla në kishën shqiptare!