Normaliteti i ri
| 26 Qershor, 2020
Normaliteti i ri
Nga Lee Bradley
Kohët e fundit kemi dëgjuar pa pushim termin “Normaliteti i ri”, term që i referohet qasjeve të reja, mënyrës së re të të menduarit dhe terminologjisë së re si pasojë e përvojës sonë me krizën e COVID-19. Shumë gjëra në jetën tonë janë ndikuar nga kjo pandemi që kur u shfaq në vendin tonë, para pak kohësh. Një pjesë e madhe e jona, mund të thotë me plot gojën që jemi shumë të pakënaqur nga pasojat anësore të këtij virusi. Kemi qëndruar në shtëpi më gjatë. Shumë prej nesh kanë marrë leje nga puna. Të tjerë e humbën vendin e punës, që nuk do ta fitojnë më. Vizitat dhe procedurat mjekësore janë bërë thuajse të pamundura. Blerja e gjërave u ndërpre. Pushimet u shtynë. Dhe, fakti që nuk mund të shkonim tek berberi apo te parukierja ishte kulmi i vuajtjes që na bashkoi të gjithëve. Kam parë plot njerëz që mbanin modelet e viteve 1970. E, njërin prej tyre e pashë dje, përpara pasqyrës së tualetit tim. Faleminderit Zotit që berberët rifilluan punën!!!
Po hedh pak dritë në këtë situatë sepse është më mirë të qeshësh, se të zemërohesh për pasojat e kësaj sëmundjeje dhe përvojën e izolimit. Më duhet ta pranoj që jam i zemëruar. Ka shumë gjëra që s’kanë kuptim për mua. Mbase edhe ju mund ta pranoni këtë. Na thuhet vazhdimisht: “Asgjë nuk do të jetë më njësoj” pas COVID-19-tës. Pa reshtur, na thuhet që po hymë në “normalitetin e ri”. Çfarë do të thotë kjo? Çfarë është NORMALITETI i RI që flasin ad nauseum?
Jam i sigurt që as shkencëtaret, as komuniteti mjekësor dhe as politikanët nuk i kanë dhënë përkufizimin e plotë kësaj zakonshmërie të re, por unë si drejtues kishe, kam menduar për këtë dhe dëshiroj t’ju përshkruaj se si përkthehet kjo për kishat, një gjë që do t’i bëjë jetët tona shumë më të mira dhe më të dobishme. Pak prej tij ka zënë rrënjë gjatë izolimit. Pak kishte filluar edhe më përpara se të na zinin veshët për ndonjë virus. Por tani është e dukshme për sytë tanë.
Unë dëshiroj fort të shoh një kishë të re në Shqipëri. Madje, dëshiroj të shikoj shumë kisha të reja në Shqipëri. Nuk po bëj thirrje për kish-mbjellje, por për rifokusim, rigjallërim si dhe aftësim të kishave për misionin e tyre. Dëshiroj të shoh rrokjen e kësaj shprehie të re të qëndrojë me ne deri ditën e kthimit të Zotit. Kjo është zakonshmëria e re që na afron më pranë Krishtit e i sjell të humburit tek Ai. Kishte vite që e vjetra nuk po funksiononte, por një marrëdhënie e re me Krishtin do të na shpjerë në shtegun e kishës së shekullit të parë, e cila ndryshoi botën.
NORMALITET I RI DO TË THOTË, TË LËMË TË NGULURIT NË NJË VEND, E TË SHKOJMË ME JEZUSIN, NË ÇDO QOSHE ENDE TË PASHKELUR PËR TË.
Kemi dëgjuar termin “strehim” gjatë muajve të fundit. Madje u nxitëm, dhe morëm urdhra të izoloheshim në shtëpi, për të ndaluar përhapjen a marrjen e virusit. Nuk dihet nëse kjo ishte strategjia e duhur në rrafshimin e kurbës dhe pakësimin e vdekjeve dhe infektimeve. Sidoqoftë, nuk mund të mohojmë që ngulja në një vend është ajo që kemi bërë muajt e fundit. Shumë nga pasojat e ngadalta të këtij qëndrimi kanë qenë depresioni, izolimi, abuzimi me substanca, kequshqyerja, orë të tëra para televizorit dhe ekraneve të kompjuterit. Nuk kemi bërë shumë gjëra gjatë kësaj kohe. Natyrisht, jemi “takuar” me vëllezërit dhe motrat tona në Krishtin për studime biblike, lutje, bashkësi dhe adhurim.
Kam frikë që ky term, vendstrehimi e ngulja në një vend, do të jetë term i ri që do ta shoqërojë koronavirusin pa u ndarë, por nuk është praktikë e re. Kam frikë që kishat tona e kanë bërë këtë për një kohë të gjatë. Kemi qëndruar të mbyllur, brenda katër mureve të kishave tona dhe kemi mbajtur distancë nga njerëzit në botë. U ndjemë më rehat duke qëndruar me familjen, se të dilnim e t’i donim të tjerët, ata ndryshe prej nesh. Nuk u lamë të ditur njerëzve se ishin të mirëpritur, nuk bëmë shumë përpjekje për t’i dashur ata që s’ishin pjesë e kishës sonë. Kemi pritur të vijnë tek ne dhe i kemi thënë vetes që u takonte ATYRE të vinin. Nuk i thamë vetes se NE duhet të shkonim tek ata.
Kisha është një vend i sigurt. Ne mund ta kontrollojmë atë që hyn brenda mureve të kishave tona. Pjesëmarrësit në kishë nuk mallkojnë shumë. Herë pas here dëgjojmë gjëra që na japin zemër. Do gjejmë miq që na duan dhe miq që mund t’i duam fare lehtë. Zakonisht ka më pak dramë, më pak imoralitet mes njerëzve si ne, në kishën tonë të rehatshme. Përgjithësisht, sjellja e njerëzve është e mirë. Kjo gjë na rifreskon dhe na pëlqen. Ndihemi rehat. Këta njerëz bëhen streha dhe ngushëllimi ynë, veçanërisht nëse punojmë dhe jetojmë mes atyre që sillen ndryshe dhe kanë një jetë plot me dramë. Jemi të lodhur nga ata që janë rrëmujë dhe dramatikë. Reagimi ynë spontan është të mbrojmë veten, të mos kalojmë shumë kohë me njerëz të tillë.
Kjo na drejton te një pyetje shumë të rëndësishme për ne që kërkojmë të ndjekim Jezusin. A qëndronte në një vend, Jezusi? A banonte në një vend të sigurt e të mbrojtur? Përkundrazi! Ai la rehatinë e qiellit me gjithë lavdinë e saj të pakrahasueshme për të ardhur në mish, për të lindur në një grazhd, për t’i duruar fyerjet, mosmirënjohjen e njerëzve mëkatarë, si dhe ndëshkimin e padrejtë të kryqëzimit. Ai e bëri këtë për shkak të dashurisë PËR TË GJITHË NE, mëkatarë përçmues dhe mosmirënjohës. Jezusi erdhi dhe i deshi të gjithë njerëzit, pavarësisht nga vinin, kush ishin, sa mëkate kishin bërë, çfarë race apo etniteti kishin. Ai iu kushtoi kohë. Foli me ta, u përfshi në bisedë duke mos pritur që të shkonin tek Ai. Po, kishte nga ata që shkuan tek Ai, por nuk pati asnjë që erdhi e që nuk u thirr më parë nga Ati (Gjoni 6:44).
Për shumë kohë ne, si ungjillorë, kemi qenë aktivë dhe të zënë në kishat tona. Të jemi të sinqertë, kemi pasur programe të mrekullueshme për të rinjtë, fëmijët, muzikë të mrekullueshme që i prekte njerëzit. I kishim mjetet për të pasur një qasje që ftonte njerëzit, ndërsa mbështeteshim në programe dhe pastorë që t’i tërhiqnin turmat. Kjo qasje ka qenë e frytshme në vitet 90-të. Sidoqoftë, shumë nga ne shohim qartë, që tashmë kjo nuk funksionon njëlloj. Bota ka shumë për t’u ofruar njerëzve, mund t’i tërheqë e mbajë të emocionuar, të përfshirë dhe të lumtur. Le ta pranojmë. Sot nuk po konkurrojmë me efektivitet kundër gjithë kësaj. Në fakt në njëzet vitet e fundit, pak më shumë pak më pak, kemi qenë në anën e humbësit, bashkë me modelin tonë të sigurt “Të lutem eja”. Vit pas viti pasojat e mbështetjes në këtë model, po na afrohen me shpejtësi drite ndërsa kishat në Shqipërinë tonë bëhen më të moshuara dhe bien në një rutinë që është e sigurt, gati e mërzitshme, e parashikueshme dhe shpesh bëjnë duket që i bëjnë hapat në mënyrë robotike.
E vërteta më e trishtë është që nuk dimë model tjetër. Një program dhe strategji e re është reagimi ynë i parë. Kështu kërkojmë një program “më të mirë” dhe një pastor “më të mirë” që t’i sjellë njerëzit brenda. Shpesh fajësojmë drejtuesit dhe pastorët që nuk po e bëjnë punën e tyre kur njerëzit nuk vijnë. Edhe më keq, ngushëllohemi duke i fajësuar njerëzit që nuk duan të vijnë në kishë. I etiketojmë si “njerëz të botës”, dhe nuk hetojmë me kujdes nëse po ndodh diçka më e thellë se kaq.
Ja çfarë duhet të bëjmë. Duhet të ndreqim të menduarit tonë! Duhet të provojmë strategji të tjera, nga ato që kemi provuar në dekada të tëra. Zgjidhja nuk është shkencë. Nuk është marifet i ri. Është të kthehemi tek strategjia që Jezusi përdori për të ndryshuar botën. ASHTU SI SHPËTIMTARI, QË KËRKOJMË TË NDJEKIM DHE TË IMITOJMË, DUHET TË SHKOJMË TE NJERËZIT DHE TË ZHVILLOJMË MARRËDHËNIE ME TA. Jezusi kishte këtë qasje, apo jo? Ai shkoi ku ishin njerëzit dhe u shërbeu, i deshi, dhe kjo gjë u ndryshoi jetën. EDHE DIÇKA TJETËR? Jezusi asnjëherë nuk i ftoi ata të vinin te sinagoga që ta dëgjonin duke predikuar. Nuk kishte “Të lutem, eja” në qasjen e Jezusit. Ai shkoi tek pazari, mori pjesë në dasma dhe funerale, hëngri në shtëpitë e tyre, foli në rrugë dhe në vende publike, pa barriera. Lebrosët u prekën! Gratë kurorëshkelëse u shpenguan dhe u falën. Tagrambledhësit u ndryshuan.
Vërshimi, ky duhet të jetë qëndrimi i kishës. Vendngulja nuk po na shpie gjëkundi. Kishat që po bëjnë ndryshimin sot janë ato që i duan njerëzit ashtu siç i deshi Jezusi. Ato po krijojnë kontakte me delet e humbura të Shqipërisë. Ato i duan me sinqeritet dhe po kalojnë kohën e duhur me ta. Nuk heqin dorë. Nuk presin që njerëzit të vijnë tek ata. Ata shkojnë tek njerëzit.
Sa e mrekullueshme do të ishte sikur kisha të jetonte kështu, në këtë qëndrim vërshimi!!! Të vetmuarit, ata në depresion do të kishin miq që i duan dhe kujdesen për ta. Të lënduarit dhe të vuajturit në zonën tonë do kishin miq që i dëgjojnë dhe që mbajnë bashkë me ta trishtimin e tyre. Ata pa zë, të përjashtuarit do të merrnin pjesë e do të ndiheshin të vlerësuar. Fajtorët do gjenin hir dhe falje. Hapat e tyre do të ishin më të lehtë, sepse barra e mëkatit dhe faji do të largohej. Egoistët, apo ata që enden kuturu do të drejtoheshin nga një dëshirë më e lartë për të dashur Zotin me gjithë zemrën, mendjen dhe shpirtin e tyre. Ç’botë e mrekullueshme do të ishte!!!
Vendngulja. Distanca sociale. Frika e një vale të dyte nga Covid-i. Gjithë këto koncepte duhet të jenë të së shkuarës. Ne duhet të jemi ata që derdhemi te komunitetet tona me hir, dhembshuri, zell dhe dashuri për Krishtin. Ne duhet ta ngulim fort në mendje dhe zemër që Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë të humburit. Ai nuk priti që të tjerët të hidhnin hapin e parë. Le të vrasim distancën sociale dhe mendësinë e qëndrimit pa luajtur nga vendi. Le t’i prekim të tjerët me dashurinë e Jezusit dhe të jemi agjentë të vërshimit më të madh të mirësisë, dashurisë dhe hirit që bota pa, që prej ditëve më të hershme të historisë së kishës.