Libri i përgjigjeve
| 27 Maj, 2020Hyrje: Përshëndetje i dashur dëgjues i programit “zgjohu pozitiv” ne jemi përsëri në Rubrikën tonë: “Zbulo thesarin nëpër faqet e librit”. Do të flasim sot për një libër që ju nevojitet çdo të krishteri por në veçanti studentëve dhe intelektualëve në kishën Shqiptare. Ai titullohet Libri i përgjigjeve dhe është shkruar nga Ken Hem i cili është president i organizatës Përgjigje në Zanafillë dhe me bashkautorë, Andrea Snelling edhe Karl Wiland.
1: Më lejoni ta fillojmë këtë rubrikë me disa pyetje?
A jeni përballur ndonjëherë me një diskutim mbi temën e Krijimit Biblik dhe Evlucionit? A ke patur mundësi që të gjesh përgjigje Biblike por edhe shkencore mbi këtë temë madhore? Libri i sotëm bën fjalë pikërisht për këtë temë. Ai vjen me qëllimin për të pajisur të krishterët me një pikëpamje Biblike mbi Krijimin dhe përgjigje nga shkencëtarë të Krishterë mbi Krijimin dhe Evolucionin.
2: Po çfarë bën fjalë ky libër i veçantë e sfidues?
Autorët kanë për synim që të sjellin përgjigje Biblike dhe shkencore për 12 pyetje të zakonshme që kanë të bëjnë me librin e parë të Biblës, Zanafillën dhe Krijimin/Evolucionin. Pyetjet janë si më poshtë:
Çfarë ndodhi me dinozaurët? Të gjithë kemi kuriozitetin të dimë më shumë për ta. Kapitulli merret me çështje si: Zhdukja e tyre, çfarë dhe si ka ndodhur kjo? Çfarë mësojmë rreth tyre në historinë Biblike? Libri ka të dhëna mbi njeriun dhe dinozaurët dhe po ashtu disa referenca Biblike
Çfarë është shkarja kontinentale? Kur dhe si ndodhi ajo? Çfarë mësojmë në Bibël për të dhe si mund ta lidhim këtë informacion me gjeologjinë sot?
Të gjithë habitemi nga mosha miliona apo qindra miliona vjeçare e gjetjeve të ndryshme sot. Po si përcaktohet kjo moshë sot? Pra çfarë është datimi me karbonin 14? Cilat janë problemet me të?
A ka pasur me të vërtetë epoka të akullit? Çfarë mund të gjejmë në Bibël dhe në zbulimet shkencore për të?
Përse Perëndia zgjodhi gjashtë ditë kur Ai krijoi universin? Çfarë është një ditë në librin e zanafillës dhe në pjesën tjetër të Biblës? Cilat janë problemet me pikëpamjet e ditëve mijëra apo miliona vjeçare dhe jo 24 orëshe si sot? Kjo është një temë që trajtohet më hollësi në këtë kapitull, për faktin se ajo ka mjaft rëndësi për të kuptuar vetë Ungjillin.
Po si erdhën gjërat e këqija? Pse krijimi nuk është më miqësor sikur ishte kur Perëndia e krijoji atë? Marrim këtu përgjigje për pyetje që shumë njerëz në besim apo jashtë i kanë sot
Çfarë është përmbytja e Noeut? A ishte ajo globale siç thotë Bibla apo jo? Cilat janë disa detaje të rëndësishme për të, të cilat i gjejmë në librin e Zanafillës? Cila është lidhja e saj me Krishtin dhe Shpëtimin? Këto pyetje marrin përgjigje në këtë kapitull
Ne shohim njerëz me ngjyrë të ndryshme lëkure dhe pyesim. Si lindën të gjitha racat? Çfarë është një racë? Libri ka një shpjegim Biblik mbi ngjyrat e ndryshme të lëkurës dhe po ashtu për keqkuptimet që ka në botë sot.
Shumë interes ka pyetja se ku e gjeti Kaini, djali i Adamit dhe Evës gruan e tij!. Për këtë pyetje ka një kapitull në libër.
Ka interes të dimë se si u shpërndanë kafshët nga Arka e Noeut në pjesë të ndryshme të globit. Për të këtë çështje autorët kanë sjellë në libër një kapitull të tërë.
3: Si mund të përdoret ky libër?
Nevoja për t’u pajisur me njohuri Biblike mbi tema të tilla, dhe po ashtu për t’u dhënë përgjigje atyre që shpesh pyesin për besimin e Krishterë na bën të kërkojmë përgjigje.
Libri i përgjigjeve vjen për të na dhënë përgjigje për disa nga këto pyetje të mëdha të cilat e kanë zanafillën që në fillim të krijimit dhe janë po aq reale edhe sot.
1Pj 3:15 “Jini gjithnjë gati për mbrojtje ndaj kujtdo që ju kërkon fjalë për shpresën që është në ju”.
Dhe që të jemi gati, duhet të kemi përgjigje nga Bibla dhe nga materiale të tilla që janë goxha ndihmë për ne në kohën tonë sot.
Dëgjoje Ken Ham në Radio 7 në programin e tij mbi këtë temë dhe pasuroje bibliotekën tënde me libra të tillë ndërtues
Mbyllje:
Të dashur dëgjues: Unë do t’ju lë me nxitjen për të zbuluar më shumë nga Libri i përgjigjeve dhe po ashtu ta përdorni atë si një material ndihmës apo si një dhuratë për të tjerët që po kërkojnë përgjigje për pyetje të tilla madhore sot.
Ndërsa studiojmë një libër, le ta bëjmë atë të mbushur me lutje, që Zoti të na aftësojë të kuptojmë dhe të zbatojmë atë që po lexojmë. Studio vazhdimisht duke e bërë studimin një zakon të përditshëm. Studio mendueshëm duke i shmangur shpërqendruesit, përkushtohu me seriozitet në studim duke veçuar një kohë për të. Duke studiuar kështu do të zbulosh thesare nëpër faqet e librit
Ne jemi kështu në fund të rubrikës së librit: Nga unë Pëllumb Ranxha, bekimet e Perëndisë, Krijuesit të universit, që është burim i urtësisë dhe i përgjigjeve për jetën qofshin në ju!