Të adhurosh Krijuesin ndërsa sheh krijimin
| 26 Gusht, 2022
Pamjet e bukura nga teleskopi i ri James Webb janë mahnitëse për shumë njerëz. Të zakonshëm si ne, shkencëtarë apo gazetarë kanë folur mjaft për punën e teleskopit, pasi pamjet janë me të vërtetë të tilla. Unë vetë e pëlqej shumë krijimin dhe mahnitem me të e besoj se kështu është për shumë të tjerë. Po, a ka diçka tjetër, a mund të shohim dikë përtej bukurisë së krijimit? A nuk na bën çdo vepër e bukur të mendojmë për bërësin e saj?
Shumë kohë më parë Apostulli Pal tha: “Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm” Romakëve 1:20. Davidi tha: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë” Psalmi 19:1. Si është e mundur që pas çdo gjëje të bukur e madhështore ne shohim dorën e bërësve të saj, por kur shohim përsosmërinë dhe madhështinë e krijimit nuk shohim se ka një Bërës? Që nga fillimi i mëkatit njerëzit u mahnitën pas krijimit dhe u përulën dhe madje adhuruan krijimin duke shpërfillur Krijuesin që kaq bukur shfaqet në veprën e Tij.
Sa e trishtë është që shumë nga mendjet më të mprehta sot, të verbuara nga mosbesimi nuk shohin dot përtej bukurisë së krijimit, madhështinë dhe ekzistencën e Krijuesit! Cili piktor, skulptor, arkitekt apo çdo njeri që bën një vepër të bukur do të gëzohej t’i mohosh ekzistencën duke thënë se vepra e tij është bërë nga rastësia dhe se nuk ka një bërës? Për këtë arsye Zoti thotë se Ai jo vetëm shfaq Veten në krijimin e Tij, por se i mban përgjegjës ata të cilët e mohojnë ekzistencën e Tij.
Por edhe sa e bukur, e thellë dhe përulëse është e vërteta se Pali, Davidi apo profetët dhe gjithë bijtë e Perëndisë ndërsa shohin krijimin, pohojnë se ka një Bërës dhe shpallin lavdinë e Tij. Ne nuk lavdërojmë krijimin as ata që bëjnë zbulimet rreth tij, por Bërësin e universit, Perëndinë e gjallë. Ne nuk përulemi para krijimit, por në mahnitjen që ai na jep, shohim përtej një Arkitekt të përsosur, të plotfuqishëm, dhe sa më shumë mësojmë rreth krijimit të Tij aq më tepër shohim urtësinë e përsosur në krijim.
Jo vetëm kaq por ne gëzojmë në faktin që Krijuesi i universit kaq të madh, është edhe krijuesi ynë. Psalmi 139:14: “Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë”.
Ai që është Krijuesi ynë bëhet edhe Zoti e shpëtimtari ynë kur ne besojmë në Birin e Tij Krishtin që u kryqëzua në kryq për ne dhe u ringjall ditën e tretë, për faljen e mëkateve dhe na dhuron jetën e përjetshme. Si i tillë Ai nuk është vetëm atje larg në qiell, por banon në zemrën e atyre që besojnë në Të, Gjoni 14:23. Ai është në të njëjtën kohë Krijuesi i plotfuqishëm, i gjithëditur dhe i kudondodhur dhe po ashtu miku më i mirë e besnik i çdo biri të Perëndisë. Sa bekim dhe inkurajim është kjo e vërtetë dhe kjo marrëdhënie për të gjithë ne që e përjetojmë!
Është lutja dhe shpresa jonë për të qenë me Perëndinë në përjetësi dhe për të parë dhe shijuar universin e pamasë, duke vazhduar të adhurojmë atë që si Bërësi i tij është i denjë të adhurohet.
Dhe ne lutemi që edhe ata që sot shohin krijimin do të njohin Krijuesin dhe do të përjetojnë gëzimin e të qenit bij të Perëndisë. Do të shohin me sy shpirtërorë pasi me anë të besimit njohim se bota u krijua nga Perëndia, Hebrenjve 11:3. Le të jetë edhe për ta edhe si me shumë shkencëtarë të tjerë në histori dhe në të tashmen, që nuk mund të mohonin Krijuesin ndërsa studionin krijimin! Që të shpallin si psalmisti: “Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejt!” Psalmi 8:1. Mos qoftë fundi i tyre mes atyre që kanë parë por nuk kanë besuar, pasi për mosbesimin e tyre do të jenë të pafalshëm para Krijuesit ditën e gjykimit! Rom 1:20
Lutje: O Perëndi, Krijues madhështor i gjithësisë së pamasë dhe Krijuesi e shpenguesi i shpirtit tim me anë të gjakut të Birit Tënd Krishtit. Të falënderoj që me anë të krijimit më ke bërë të njohur veten Tënde. Të lutem m’i hap sytë të të shoh çdo ditë në bukurinë e krijimit Tënd! Të lutem na aftëso që të të shpallim Ty në veprën tënde të krijimit dhe në shpëtimin tonë. Hapi o Zot, sytë e atyre që ndërsa shohin krijimin mohojnë Krijuesin. Bëj që edhe ata të të njohin personalisht si Krijuesin e tyre, si Zot e Shpëtimtar. Ne emrin e Krishtit, Krijuesit të gjithësisë, Amen!
Përgatiti: Pëllumb Ranxha
Për të mësuar më shumë rreth krijimit mund të lexoni mësimin: