Çfarë po kërkon në këtë vit të ri?
| 4 Janar, 2023Çfarë po kërkon në këtë vit të ri?
1Korintasve 2:9 Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë“.
Në çdo fillim viti një gjë me vlerë për t’u bërë është një kohë reflektimi për atë që Zoti ka përmbushur në vitin që kaloi. Çfarë ka bërë Ai në jetën time personale? Si është rritur besimi im? Si e ka përdorur Ai jetën, punën, shërbesën time për mbretërinë dhe lavdinë e Tij? Ndërsa unë kthej kokën pas shoh se Zoti ka bërë shumë, madje siç thotë Ai në Bibël, Ai ka bërë më shumë sesa kam kërkuar apo menduar, Ef 3:20. Ai ka punuar me karakterin tim, ka vepruar me Fjalën dhe Frymën e Tij në mua. Edhe pse ka pasur disa sfida, Ai është kujdesur për nevojat e familjes sonë. Disa gjëra që i kisha planifikuar të ndodhnin përmes IBSH-së nuk ndodhën por disa gjëra të tjera që as nuk i kisha ne mendje ndodhën dhe u mrekullova që Zoti i bëri të mundura ato. Lavdia i shkon Krishtit për gjithçka. U bekofshin të tjerët edhe më shumë!
Po në këtë vit të ri çfarë po kërkoj, po punoj apo planifikoj që të ndodhë?
Vargu i mësipërm na thotë se para nesh janë gjëra që nuk i kemi parë apo dëgjuar akoma por mund të ndodhin. Disa gjëra madje as nuk i kemi menduar në zemër por që jo vetëm mund të hyjnë në të po edhe të përmbushen në jetën tonë, në vitin apo vitet që po vijnë. Madje Fjala e Zotit na thotë këtu se Ai i ka përgatitur ato gjëra, po ne duhet t’i zbulojmë, t’i marrim, e t’i përdorim. Është e vërtetë se Zoti na mëson që të kërkojmë prej Tij në lutje për nevojat tona, Mat 7:7, të kërkojmë me besim dhe jo keqas, Jak 4:2,3. Të kërkojmë për mbretërinë e Tij, për të ndërtuar të tjerët, për lavdinë e Perëndisë, Mat 6:33. Dhe ne kërkojmë me këmbëngulje, në Frymë për të dalluar gjërat e Zotit që na nevojiten t’i kemi.
Nga këto fjalë të apostullit Pal për kishën në Korint është e qartë se çelësi për të parë, për të marrë të tilla gjëra, që të përmbushen përmes nesh për të tjerët, është dashuria për Perëndinë, në fjalët; “për ata që e duan atë“, pra zbatimi i urdhërimit të madh. “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde”, Marku 12:30.
Edhe pse zemra jonë gëzohet me gjërat që përmbushen përmes nesh në mbretërinë e Perëndisë, fokusi nuk janë gjërat që vijnë nga Zoti, por vetë Perëndia, marrëdhënia jonë me Të para çdo personi tjetër dhe çdo gjëje apo arritje që duam të realizohet në këtë vit të ri.
Kështu e njohim më shumë Zotin, e duam më shumë, e përjetojmë më shumë. Bëhemi më të frytshëm dhe bekim për të tjerët me përvojën, dhuntitë apo arritjet tona. Ndërsa e duam Perëndinë Ai na bën të dashur dhe formon te ne një karakter si të Jezusit. Na aftëson të përmbushim përgjegjësitë tona në martesë, familje, në punë, në shërbesë, në shoqëri. Bashkë me këtë e shoqëron me gjërat që e plotësojnë jetën dhe shërbesën tonë, të tilla që nuk i kemi parë apo dëgjuar kurrë më parë. Po ashtu Ai bën që ndërsa këto realizohen njerëzit që i shohin të drejtohen te Zoti, si burimi i tyre dhe jo te ne si administratorë të tyre. Me të vërtetë i mrekullueshëm e besnik është Zoti ynë!
Çfarë po i kërkon Zotit Jezus në lutje në këtë vit të ri? A janë ato gjëra për ndërtimin e të tjerëve dhe lavdinë e Krishtit? A do të të afrojnë ato ty dhe të tjerët më shumë me Zotin? Frymëzohu nga këto fjalë të Zotit te 1Kor 2:9 dhe kërkoje Zotin me zemër të pastër e me besim. Merr zemër ndërsa kujton besnikërinë me të cilën Ai e ka bërë Veten të njohur dhe të ka dhënë e ka bërë gjëra në të shkuarën siç thotë vargu ynë. Merr zemër kur shikon veprën e Zotit në jetën e të tjerëve dhe sigurohu që vepra e Tij në ty po i bekon të tjerët dhe po i drejton ata te Krishti dhe po ndihmon në zgjerimin e Mbretërisë së Perëndisë.
Lutje: Ati ynë qiellor, faleminderit që të pëlqen ta bësh veten të njohur! Faleminderit për veprën tënde në vitin e kaluar! Na mëso të kërkojmë në Frymë sipas vullnetit tënd dhe largoji pengesat, zbuloje mëkatin kur ka dhe na i bëj të njohura rrugët e tua. Për më tepër dhe para së gjithash na mëso të të duam edhe më shumë në këtë vit të ri, që të tjerët të bekohen dhe Ti të përlëvdohesh. Amen.
Përgatiti Pëllumb Ranxha