Mos e ndalo veprën e Zotit para kritikës dhe shkurajimit! Gjoni 12:1-8
| 24 Janar, 2023Me siguri shumë shërbëtorë të Krishtit kanë përjetuar një apo disa herë çfarë do të thotë të kritikohen apo akuzohen në mënyrë të rreme. Dëgjoj dhe dëshmoj se është një kohë e vështirë dhe plot dhimbje. Shërbëtorë të tjerë janë akuzuar në shërbesën e tyre të tillë si: Moisiu, Davidi, profetët, Pali apo vetë Zoti ynë Jezu Krisht. Sa shumë vlen Hiri i Tij në kohë të tilla!
Gjoni na thotë se ndërsa Marta po u shërben miqve edhe Maria po shërben. Ajo vajos dhe fshin këmbët e Zotit me një vaj erëkëndshëm, shumë të kushtueshëm, v 3, që kushtonte sa paga vjetore e një punëtori. Maria përmendet tri herë në Ungjill dhe ajo gjendet tek këmbët e Jezusit, Luka 10:38-42. Ajo i kushtonte vëmendje Fjalës së Zotit dhe kishte një miqësi të ngushtë me Të. Në shërbimin e saj ajo dha me bujari, me dashuri dhe me sakrificë, pa turp për Zotin, që do të shkonte në kryq për të dhe mbarë botën. Jo vetëm gratë dhe vajzat por ne të gjithë shohim tek Maria një shembull të mirë për ta ndjekur.
Vepra e saj e adhurimit dhe nderimit ndaj Zotit Jezus e mbushi shtëpinë me aromë të këndshme. Ashtu si edhe ne me jetën dhe dëshminë tonë e mbushim shtëpinë Zotit dhe vendin ku jetojmë, punojmë e shërbejmë me aromë të këndshme, 2Kor 2:15-16. Po miq, në një botë ku era e shpifur dhe e keqe e mëkatit kundërmon, aroma e këndshme e bijve të Perëndisë është e çmuar, ashtu si vaji i Marisë që vajosi këmbët e Krishtit.
Dishepujt dhe jo vetëm Juda, mund të ishin bekuar, të lavdëronin Zotin, të ishin sfiduar se asnjë prej tyre nuk kishte menduar që të vepronin si ajo. Në fakt, pikërisht ata që i njihnin fjalët e Zotit, të shtyrë nga Juda, pa një frymë dallimi dhe mirënjohjeje, e kritikojnë veprën e Marisë, Mateu 26:8. Para këtyre fjalëve shkurajuese ajo e vazhdoi shërbimin ndaj Jezusit edhe pse ata burra të Zotit nuk kuptuan thellësinë e veprës së saj. Sa mirë që ajo nuk u tërhoq pas dhe nuk ndaloi! Sa mirë që ajo priti për fjalët e Zotit për aprovim dhe nuk u shkurajua para akuzës që dëgjoi!
Zoti Jezus e lavdëroi dhe e pranoi veprën e saj. Ashtu siç e njihte zemrën e korruptuar dhe pa besim të Judës, Ai e njihte edhe zemrën me dashuri dhe bindje të Marisë dhe e mbrojti atë. Nuk ka aq rëndësi se çfarë thonë të tjerët për adhurimin dhe shërbimin tonë ndaj Zotit, por ajo që ka më shumë rëndësi është që ato t’i pëlqejnë Perëndisë. Fakti që të tjerët kritikojnë apo akuzojnë, nuk duhet të na ndalojë që të tregojmë dashurinë tonë për Krishtin ashtu siç bëri edhe Maria. Pritja jonë e madhe në veprën tonë duhet të jetë vetëm aprovimi i Tij. Ndonjëherë heshtja para akuzës dhe vazhdimi i veprës në Zotin është gjë e mençur për t’u bërë.
Ata të cilët i kam njohur si inkurajues në jetën e shërbesën time janë modeli im për të tjerët. Madje edhe ata që nga dashuria për Zotin dhe për mua më kanë qortuar për ta përmirësuar veprën dhe dëshminë time janë shembull për mua. Kritika e drejtë, me motive të mira kur ka mëkat e mosbindje, duhet pranuar pasi ajo çon në ndreqje dhe përtëritje, 2Kor 13:11. Ne nuk mund t’i ndalojmë të tjerët të akuzojnë apo kritikojnë, por mund të sigurohemi që të mos lëmë asnjë shkas për akuza. Po ashtu ne kurrë nuk duhet të jemi ata që akuzojnë të tjerët. Sa mirë që është Zoti Ai që në fund do të shpallë dikë shërbëtor të mirë e besnik dhe jo njerëzit!
Kur është hera e fundit që ke inkurajuar dhe bekuar dikë në veprën e tij/saj për Zotin? A je akuzuar nga të tjerët me pa të drejtë? Fal ashtu siç Zoti të mëson dhe ji dëshmi e mirë! A ke akuzuar dikë në mënyrë të rreme, kërko ndjesë dhe pendohu sa më parë për të dhe vër një rojë në gojën tënde për fjalët e tua. Dita e Zotit po vjen për të qenë me Të, por dhe për të dhënë llogari, Mat 12:36. Qofshim ne inkurajues për të tjerët në veprën e tyre! Le të mbahemi në hirin, fuqinë dhe urtësinë e Zotit duke qëndruar te këmbët e Tij ndërsa duam të jemi aromë e këndshme për Të!
Lutje: O Atë i dashur, të falënderoj që Ti je me ne dhe na inkurajon në veprën tonë! Të lutem vendos në zëmrën time, në zemrën tonë një dëshirë që me dashuri, bindje, zell dhe sakrificë të të shërbejmë ty ashtu siç bëri Maria. Mos lejo frymën e akuzës, kritikës ndaj të tjerëve te ne, por na aftëso të jemi të dashur, ndërtues dhe inkurajues. Madje kur duhet të qortojmë na aftëso ta bëjmë atë me dashuri dhe me të vërtetën, që të tjerët të përtërihen dhe Ti të lavdërohesh. Bëj që jeta dhe dëshmia jonë të mbushin me aromë të këndshme këtë botë të ndotur nga mëkati. Në emrin e Krishtit, Amen.
Përgatiti Pëllumb Ranxha