Të shpallim lirinë në Krishtin!
| 28 Nëntor, 2022Të shpallim lirinë në Krishtin! Luka 4:18
Përshëndetje të dashur miq, në emrin e Jezusit, Zotit që sjell liri në zemra tona!
Ndërsa festojmë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë në këto ditë, jemi plot mirënjohje para Atit qiellor që jetojmë dhe shërbejmë në një vend të lirë e të begatë si Shqipëria.
Jemi falënderues për njerëzit që Zoti ka përdorur për t’i bërë gjërat kështu siҫ janë për brezin tonë.
Unë dhe të gjithë ata që e kanë Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e jetës së tyre dëshmojmë gjithashtu për lirinë frymërore, lirinë nga mëkati që Zoti ka sjellë në jetë tonë.
Megjithatë edhe pse jetojmë në një vend të lirë, ne jemi dëshmitarë se ka shumë bashkëkombës tanët që nuk janë të lirë. Ata janë robër të varësisë nga alkooli, droga, urrejtja, mosfalja, imoraliteti, dëshira për hakmarrje, vjedhja dhe mashtrimi. Por a ka shpresë për ҫlirim?
Zoti Jezus tha: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit. Luka 4:18
Dy mijë vjet më parë njerëzit panë dhe dëshmuan se Zoti ynë i bëri këto gjëra në Izrael.
Ka shumë që janë të varfër në shpirt, që e kanë zemrën të ndotur nga mëkati. Disa janë të burgosur nga vetë shkeljet e tyre apo nga mëkati në shoqërinë tonë. Edhe pse shohin, shumë janë të verbër frymërisht dhe nuk e përjetojnë lirinë në Zotin.
Prandaj, ndërsa festojmë pavarësinë dhe lirinë e atdheut le të shpallim se Zoti i thërret banorët e tokës sonë në pendesë për shkeljet e tyre dhe për të vendosur besimin në Jezu Krishtin.
Ky është gjithashtu një moment reflektimi ndaj premtimit të Perëndisë se ne presim një atdhe më të mirë, qiellin dhe tokën e re, ku banon drejtësia.
Zoti na dhëntë gëzimin që të shohim mesazhin e Ungjillit, në fuqinë e Frymës së Shenjtë të sjellë liri nga mëkati. Të sjellë gëzim, paqe, dashuri dhe shpresë në këto ditë të vështira.
Gëzuar festat dhe Zoti ju bekoftë!