REVOLUCIONI I DASHURISË
| 22 Maj, 2025
JEZU KRISHTI ISHTE REVOLUCIONARI më i madh dhe më i plotë që ka parë ndonjëherë bota. Ai nuk ishte një revolucionar politik, por një revolucionar shpirtëror.
Unë besoj se “Krishterimi” është një revolucion i dashurisë, një revolucion që Shpirti i Shenjtë dëshiron të sjellë në zemrat tona, ku Ai duke jetuar atje, të na ndryshojë rrënjësisht mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit. Jam i bindur se nuk ka asgjë tjetër më të rëndësishme në botë se kjo.
Po të shohim gjendjen e sotme të kishave dhe të besimtarëve në mbarë botën është e lehtë të shkurajohesh. Kërkojmë dishepullizim, kërkojmë të shohim ata që punojnë së bashku në unitet, në lutje, në pushtet…dhe shikojmë grindje dhe përçarje, vetëkënaqësi dhe mediokritet.
Shumë njerëz pyesin: “Përse ndodhet kisha në një gjendje të tillë? Përse krishterimi ka një ndikim kaq të vogël në ditët e sotme?” Disa mendojnë se në një farë mënyre kemi humbur disa mësime themelore. Në qoftë se do të rizbulojmë këtë të fshehtë nëpërmjet takimeve dhe librave, shpëtimit dhe përtëritjes shpirtërore, do t’i kthehemi sërish kishës.
Më duket se nuk do të ishte e drejtë që Perëndia të mbante të fshehtë një nga elementet kryesore të efektshmërisë së krishterë. Në të vërtetë, unë nuk besoj fare që ky element është sekret.
Le të lexojmë Galatasit 5:22-26: Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Por ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe epshet. Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe le të ecim. Le të mos kërkojmë lavdi të kotë, duke provokuar njëri-tjetrin dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.
Fryti i Shpirtit të Shenjtë është dashuria. Por çfarë do të thotë Bibla me fjalën dashuri? Në letrën e parë të Gjonit bëhet një përcaktim i qartë dhe i thjeshtë: Perëndia është dashuri.
Me fjalë të tjera, dashuria e vërtetë vjen nga Perëndia…ajo nuk ekziston e veçuar prej Tij. Ne e dimë se ekziston vetëm një Zot. Prandaj, nuk mund të konceptojmë Atin Perëndi, Jezu Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, të veçuar nga dashuria. Pra, nuk ka veçim. Perëndia nuk e dërgon dashurinë të shkëputur prej Tij. Ai nuk e prodhon atë. Perëndia, Zoti është dashuri.
Kjo duket sikur është një shpallje shumë e thjeshtë, por jam i bindur se vetëm një përqindje e vogël besimtarësh e kanë kuptuar siç duhet këtë të vërtetë.
Mesazhi themelor
Unë besoj se botës së sotme të krishterë i mungon në masën më të madhe një element themelor. Është pikërisht kjo mungesë, burimi i pjesës më të madhe të problemeve tona, është kanceri që po e gërryen kishën haptazi. Në fakt, ky fenomen është kaq i dukshëm sa për të është shkruar pothuajse në çdo faqe të Dhiatës së Re. Por megjithatë, zemrat tona janë kaq të gurta dhe të ftohta dhe ne jemi aq egoistë, sa nuk e shohim ose nuk e besojmë se ky mesazh themelor i Dhiatës së Re është dashuria!
Jam plotësisht i bindur se shumicës së njerëzve u ka shpëtuar ky mesazh i shumëpërsëritur, madje edhe atëherë kur mësimet e Biblës studiohen me përqendrimin më të madh.
Dëshiroj të bëj pyetjen: “Çfarë kuptojmë me mësim biblik?”. Ne zhvilllojmë diskutime të gjata rreth Ardhjes së dytë të Krishtit, qëllimit të kryqëzimit, bashkësisë së krishterë, Shpirtit të Shenjtë dhe kështu me radhë. Por, a flasim rreth dashurisë, përuljes dhe thyerjes shpirtërore? Këto tema zakonisht futen në një kategori të veçantë, por ta dini se, në qoftë se mësimet tuaja nuk përmbajnë dashurinë dhe përuljen, atëherë këto mësime nuk janë biblike.
Ka mijëra, madje miliona njerëz që pretendojnë se janë “të krishterë të mirëfilltë”, sepse janë kapur mbas disa rregullave të besimit, të cilat janë në përputhje me Biblën. Ata janë të vetëdijshëm se nuk e ushtrojnë shumë përulësinë dhe mendojnë se kjo nuk e dëmton formimin e tyre të krishterë. Ka gjithashtu nga ata që nuk i duan të krishterët e tjerë (veçanërisht ata që ndryshojnë prej tyre), por megjithatë mendojnë se mësimet e tyre janë në përputhje me Biblën.
Ata mund të pranojnë se nuk dinë asgjë, rreth asaj se ç’do të thotë t’u shërbesh të tjerëve, t’i konsiderosh të tjerët më të mirë se vetja dhe përsëri e quajnë veten “të krishterë të mirëfilltë” që jetojnë sipas mësimeve të Biblës.
Ky është një gabim i madh! Këtu nuk kemi të bëjmë me krishterim por me një parodi të krishterë, sipas së cilës mund t’i besosh Biblës edhe pa pasur përulësinë në karakter, pa shfaqur dashuri për të tjerët, apo fryte të tjera të Shpirtit. Në fakt unë besoj se ky është gabimi më i madh që ka goditur ndonjëherë kishën e Jezu Krishtit!
Mësimi s’mund të merret i veçuar nga jeta e përditshme. Nuk mund ta shikoj Jezu Krishtin si një personalitet të ndarë më dysh, pjesërisht dogmatik dhe pjesërisht të moralshëm, që përpiqet të sjellë në mendjet tona dy mbretëri të veçuara të së vërtetës. Ai nuk mund që njëherësh të kënaqë kuriozitetin tonë intelektual duke na mësuar gjëra rreth Perëndisë dhe të na plotësojë nevojën morale duke u përpjekur të na bëjë të ngjashëm me Perëndinë. Zoti nuk mund të kuptohet drejt kur nuk dëshironi të jetoni sipas mënyrës që e kënaq Atë.
Dikush thotë: “Njoh një të krishterë të mirë…që e njeh shumë mirë Biblën. Ai nuk ka shumë dashuri për të tjerët dhe s’është shumë i thjeshtë, por të siguroj se Biblën e njeh dhe e kupton shumë mirë.”
Unë ju them se ky i krishterë nuk mund ta kuptojë Biblën në qoftë se nuk ka dashuri për bashkëbesimtarët e tij. Ja çfarë shkruhet në 1 Gjonit 4:8: “Ai, që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.”
Dashuria është mësimi më i madh biblik. Jashtë saj nuk mund të ketë asnjë mësim tjetër biblik. Dashuria është themeli i të gjitha mësimeve të tjera biblike. Pa këtë themel nuk mund të ndërtohet ndërtesa e së vërtetës biblike.
Marrë nga libri “Revolucioni Shpirtëror” nga George Verwer
Librin mund ta dëgjojmë audio në: https://ibsh.al/revolucioni-shpirteror/