Duajeni njëri-tjetrin! Gjoni 13:34-35
| 11 Qershor, 2025
Prania e dashurisë në jetën tonë është një shenjë që ne jemi dishepuj të Krishtit, që po e zbatojmë Fjalën e Perëndisë. Ajo, bashkë me cilësitë e tjera është aroma e këndshme e Krishtit të gjallë në dhe përmes popullit të Tij në botën që kundërmon erën e keqe të çdo mëkati. Fjala e Zotit flet kaq shumë për nevojën për të pasur dashuri dhe për ta shfaqur në familje, në kishë, në botë dhe po ashtu paralajmëron ashpër për mungesën e saj. Sa shumë njerëz janë tërhequr nga dashuria e të tjerëve për Zotin dhe për njerëzit, duke e njohur edhe ata Perëndinë që është dashuri! Aromën e kishës që ka dashuri, e ndien sapo t’i takosh ata; sa bekim dhe e çmuar që është prania e saj mes popullit të Zotit!
Zoti Jezus i urdhëroi dishepujt e Tij që ta donin njëri-tjetrin por vetëm pas kryqit dhe ringjalljes ata kuptuan plotësinë e dashurisë së Atit për ta dhe për botën. Ata e deshën Zotin dhe popullin e Tij aq shumë saqë u munduan, u vranë por nuk e mohuan Zotin e tyre. Kisha ka qenë dhe është një komunitet ku kultivohet dashuria. Prania e saj është kudo në kishën shqiptare, është shfaqur në jetën dhe në dëshminë e saj publike edhe në përkujdesje për të tjerët që nuk janë pjesë e saj. Lavdi Zotit për praninë dhe bukurinë hyjnore të dashurisë! Por edhe mungesa e saj është shfaqur në grindje e përçarje, në ndarje të disa kishave ku jo dashuria e Krishtit por mëkati ka dalë në pah me shëmtinë e tij. Nëse Zoti na mësoi të duam edhe armiqtë si të mos duam njëri-tjetrin? Mateu 5:44. Nëse Ai na do me dashuri të pamerituar përse presim ne që të tjerët ta meritojnë dashurinë tonë? Të mos ankohemi për mungesën e dashurisë te të tjerët, por të sigurohemi që ajo është te ne.
Çfarë thotë Bibla për dashurinë e krishterë? Fjala e Zotit thotë se “Perëndia është dashuri” (1Gjoni 4:7-8). Perëndia na deshi ne dhe botën në Krishtin (Gjo 3:16, Rom 5:8). Fryma e Shenjtë e derdh dashurinë e Atit në ne (Rom 5:5). Dashuria është Fryti i Frymës në jetën e krishterë (Gal 5:22). Të krishterët mësohen ta njohin dashurinë e Krishtit, të rrënjosen dhe të themelohen në të (Ef 3:14-21). Ne urdhërohemi t’i duam të tjerët ashtu si Zoti na deshi (Gjoni 13:34), me një dashuri sakrifikuese (1Sel 1:3), porsi vetveten (Marku 12:30-31), me zemër të pastër (1Pjetri 1:22) dhe pa hipokrizi (Rom 12:9). Dashuria ndërton (1 Kor 8:1), ajo mbulon një shumicë mëkatesh (1Pjetri 4:8), ajo është më e madhja nga të gjitha, (1Kor 13:13), ajo nuk mendon vetëm për veten por për të tjerët. Bibla e bën të qartë se ata që identifikohen me Krishtin si Zoti dhe Shpëtimtari i tyre duhet të jenë të dashur ashtu si Ai dhe nëse nuk janë të tillë nuk e njohin Krishtin.
Çfarë sjell dashuria vëllazërore që shfaqet tek ne dhe në kishën e Zotit? Së pari ajo i tregon botës se ne jemi bij të Perëndisë, se po ecim me Të (Gjoni 13:34-35), kështu ne tregojmë vërtetësinë e besimit tonë në Krishtin. Ajo i sjell botës një të kuptuar të drejtë të zbulesës së Perëndisë dhe të dashurisë së Tij dhe hap dyer për ungjillëzim (Veprat 2:42-47). Dashuria sjell unitet shpirtëror (Ef 4:16). Ajo bën që kisha të shfaqë përkujdesje me: mikpritje, inkurajim, nxitje, bujari, durim, përulje, zemërbutësi, mirësi, mëshirë, falje, lutje, madje edhe qortime. Ajo sjell falje (Jak 5:19-20), ajo është ilaç kundër thashethemeve dhe përtërin marrëdhëniet e prishura. Në zemrën ku ka dashuri ka edhe gëzim, paqe, forcë, shpresë, besim, shenjtëri dhe Zoti bën që të ketë jetë me bollëk. Mbi të gjitha dashuria i sjell lavdi emrit të Perëndisë (Ef 1:12).
Perëndia na ndihmon që të bëhemi të dashur si Ai ndërsa kalojmë kohë me Fjalën e Tij, me urdhërimet, mësimet dhe paralajmërimet. Kur ne lutemi, adhurojmë, meditojmë rreth zbulesës së Zotit dhe i kërkojmë Atij që të na bëjë më shumë si Zoti Jezus, me fuqinë e Frymës së Shenjtë dhe hirit të Tij, Ai do të bëjë që dashuria të jetë e vërtetë edhe kur është e vështirë. Ashtu si Zoti na do, të tjerët e kanë dashur njëri-tjetrin edhe ne duam t’u tregojmë brezave të tjerë që ta duan njëri-tjetrin. Sa herë që lutesh, zhyte kovën tënde në pusin e dashurisë se Krishtit dhe do të pish prej tij që të bekohen të tjerët. A ke dikë që është e vështirë që ta duash sot? A je i/e fyer, lënduar, poshtëruar, braktisur nga të tjerët? Shiko te kryqi dhe reflekto për dashurinë e pamerituar të Zotit për ty që të kuptosh se sa e vogël është dashuria jonë dhe që të duash të tjerët. Zoti bëftë që të jemi më shumë si Ai edhe në dashuri! Ai të na transformojë që t’i bindemi dhe ta duam Atë dhe t’i duam të tjerët! Mungesa e saj do të na turpërojë, por atë ditë para Krishtit dashuria do të vlejë shumë, ajo e gëzon Zotin dhe e nderon emrin e Tij përjetë!
Përgatiti: Pëllumb Ranxha