A jemi gati të dalim para selisë së gjykatës së Krishtit? 2Kor 5:10
| 12 Nëntor, 2024Kur dikush është në gjyq dhe e fiton atë kjo është një arritje e madhe. Pavarësisht se këtu në këtë jetë gjykatësit jo gjithnjë janë të drejtë, ka një gjykatës që është i drejtë, madje i përsosur në drejtësinë e Tij, ky është Jezu Krishti, Gjoni 5:22. Ai vuajti dhe vdiq në kryq me qëllim që kushdo që beson në Të, të marrë faljen e mëkateve dhe jetën e përjetshme dhe të mos shkojë në gjyq; Gjoni 5:24. Por, 1e Pjetrit 4:17 flet për gjyqin që fillon nga shtëpia e Perëndisë dhe pastaj me botën. A ka një kontradiktë në Fjalën e Zotit nga këto pjesë të saj? A ka një gjyq për të krishterët apo jo? Çfarë thotë Bibla, Fjala e frymëzuar e Perëndisë?
Në tërësinë e saj Fjala e Zotit e bën të qartë se Perëndia do të gjykojë botën me drejtësi, madje edhe të krishterët do të gjykojnë botën bashkë me Të; 1e Kor 6:2-3. Në Profetët, Ungjijtë, (Mat 12:36-37, 25:31-46), letrat dhe te Zbulesa bëhet e qartë se ka një ditë gjyqi për botën dhe se askush nuk mund t’i shpëtojë atij, përveçse ata që kanë vendosur besimin e tyre në Jezu Krishtin, Zbulesa 20:11-15. Ky pasazh mëson se të gjithë jobesimtarët do të gjykohen dhe dënohen sipas veprave të tyre, me trup të ringjallur hidhen përjetësisht në liqenin e zjarrit dhe të squfurit. Për këtë gjyq Krishti thotë se ata që besojnë në Të nuk do të vijnë, sepse Ai ka marrë dënimin në vend të tyre në kryq. Lavdi Zotit! Çfarë dashurie e mrekullueshme!
Po atëherë për çfarë e ka fjalën 1e Pjetrit 4:17-19? Po Pali tek 1 e Kor 3:13-15, 2 e Kor 5:10, kur ata flasin për një gjyq për të krishterët? Së pari, siguria e Zotit se të krishterët nuk shkojnë në gjyq, Gjoni 5:24 nuk është një lejë për të mëkatuar, sepse në Bibël populli i Zotit thirret që të jetë i shenjtë (Lev 19:2). Ajo që Pjetri dhe Pali na zbulojnë është se do të ketë një kohë gjykimi, vlerësimi për të krishterët, pra edhe pastrimi për ta, e kështu nusja e Krishtit bëhet pa njolla dhe rrudha. Selia e gjykatës së Krishtit shihet edhe si një kohë shpërblimi për besnikërinë, për sakrificën, për frytin, për dashurinë për Zotin dhe të afërmin. Ajo do të jetë një kohë llogaridhënie për atë që kemi bërë këtu në tokë. Llogaridhënie për shkeljet e papenduara, për gjërat që nuk duhet t’i bënim dhe i bëmë apo për gjëra të cilat duhet t’i bënim por nuk i bëmë (Jak 4:17). Ky gjyq nuk është për shpëtimin tonë pasi ne kemi një shpëtimtar dhe avokat tek Ati, por për vlerësimin e jetës dhe veprës sonë. Ai nuk është i njëjti me Zbulesën 20 për gjykimin e botës.
Kjo e vërtetë biblike se ka një gjyq për të krishterët është me mjaft rëndësi. Ajo duhet të na afrojë më shumë me Atin qiellor këtu, e të na nxisë që ta duam më shumë Perëndinë dhe të afërmin. Ajo na kujton që të jemi besnikë, të zellshëm dhe të frytshëm për Mbretërinë e Perëndisë. Ne nxitemi që të bëjmë më të mirën me dhuntitë dhe përgjegjësitë tona, me qëllim që të tjerët të bekohen dhe emri i Zotit të lavdërohet. Kjo e vërtetë na bën që të kemi një qëndrim përulës, dashamirës dhe falës ndaj të tjerëve. Ajo na nxit që të kemi një zemër ku banon frika e Zotit dhe dashuria e Tij. Ajo na ndihmon të mos jetojmë në dembelizëm shpirtëror, në mosbindje, në krenari apo egoizëm. Ndërsa presim që t’i shërbejmë Perëndisë në përjetësi dhe ta adhurojmë Atë, ne mësojmë që t’i bëjmë këto gjëra këtu në tokë, përpara se të na jepet më shumë në qiell (Lu 19:11-26).
Lavdi Zotit për të krishterët që kanë jetuar dhe po jetojnë sipas Fjalës së Zotit, me një perspektivë të përjetshme në tërësinë e asaj që bëjnë! Çfarë shembulli frymëzues për ne! Sa keq që jo pak të krishterë, duke mos e njohur si duhet Biblën apo duke e njohur dhe nuk e zbatojnë atë; kanë jetuar dhe jetojnë në mëkat, me idenë se nuk do të shkojnë në gjyq sipas Gjonit 5:24, por në fakt ne do të shkojmë në gjyq sipas 2 e Kor 5:10 dhe 1 e Pje 4:17. Kuptojmë nga Bibla se çfarë bëjmë në këtë jetë ka një shpërblim apo pasoja përpara Zotit, 1 e Kor 3:13-15.
A po jeton, punon dhe shërben si bir dhe shërbëtor i Krishtit? A është e qartë që ne do të japim llogari për veprimet dhe mosveprimet që janë mëkat sipas Fjalës së Zotit? Ne nuk do të humbasim, por çdo shkelje e parrëfyer e ka turpëruar emrin e Krishtit atje para selisë së gjykatës së Tij do të na turpërojë ne. Zoti na bëftë të jetojmë me bindje ndaj Fjalës së Tij, me hirin dhe me fuqinë e Frymës së Shenjtë! Ai na dhëntë dashuri, besnikëri, perëndishmëri, shenjtëri, zell dhe çdo gjë që e nderon Atë dhe i bekon të tjerët! Zoti bëftë që frika e Tij të jetë në ne, që atë ditë para Tij të ketë sa më shumë gëzim, nder, shpërblim dhe sa më pak turp e keqardhje!
Përgatiti: Pëllumb Ranxha