Trinia
| 7 Tetor, 2022 Trinia
Jemi marrë edhe gjetkë, në kapitujt 4 dhe 5, me temat: “Hyjësia e Krishtit” dhe “Fryma e Shenjtë është Person hyjnor”, kështu që nuk ka përse të merremi prapë me këto tema në këtë kapitull. Rezultatet e këtyre studimeve të mësipërme na çojnë logjikisht në temën e këtij kapitulli, Trininë.
DJ-të gjithmonë e kanë mohuar doktrinën e Trinisë dhe ky mohim është një nga temat e tyre kryesore. Në revistën e tyre Kulla e Rojës, botuar më 15 shkurt 1994, në faqen 30, thuhet: “A është, pra, Triniteti një mësim nga Bibla? Jo… Ai nuk gjendet në Bibël, dhe as që nuk është pjesë e «mënyrës së krishterë të të menduarit»“. Në kopjen e kësaj reviste, botuar më 1 maj 1994, i gjejmë këto fjalë të mëposhtme: “duke qenë të mësuar prej Perëndisë, ne nuk besojmë në Trinitetin, por njohim se Jehovai është Më i Larti, se Jezui është Biri i tij dhe se fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë”.
Ata gjithmonë thonë se fjala trini nuk gjendet në Bibël, dhe, për këtë arsye, kjo doktrinë nuk mund të jetë e vërtetë. Sigurisht, ky është një argumentim fals. Fjala trini është thjesht një term teologjik i përdorur për të përshkruar mësimet që Bibla na jep mbi natyrën e Perëndisë. Fakti që një fjalë nuk gjendet në Bibël nuk do të thotë që kjo fjalë nuk mund të jetë e vërtetë ose nuk mund të përdoret! Në fakt, duke përdorur këtë argumentim DJ-të kundërshtojnë e hedhin poshtë vetveten, sepse edhe vetë atyre u pëlqen shumë të përdorin disa fjalë që nuk gjenden në Bibël. Për shembull, fjala teokraci, e cila përdoret për të përshkruar mënyrën në të cilën qeveriset organizata e tyre, nuk gjendet në Bibël. Pra, a duhet ta përdorin ata këtë fjalë në atë masë që e përdorin?
Një arsye tjetër kryesore që ata nuk besojnë në Trininë është për shkak të racionalizmit të tyre. Ashtu siç e kemi thënë edhe gjetkë, nëse DJ-të nuk mund të kuptojnë diçka me kapacitetin e kufizuar të mendjes së tyre njerëzore, atëherë hamendësojnë se kjo nuk mund të jetë e vërtetë. “Ne mund të kuptojmë të gjitha misteret!” – thonë ata. Përsëri kjo është diçka e gabuar. Ka shumë gjëra të Perëndisë, natyrës, universit dhe jetës gjithashtu, të cilat as i kuptojmë dhe as mund t’i kuptojmë, por kjo nuk do të thotë se thjesht mund t’i mohojmë ato. Do të ishim të marrë po ta bënim një gjë të tillë! DJ-të mendojnë se gjithçka rreth Perëndisë është zbuluar dhe prandaj mund të kuptohet; kështu, nëse diçka nuk mund të kuptohet, atëherë kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Por ne thjesht do të thoshim: a e ka kuptuar dhe a do të arrijë njeriu të kuptojë plotësisht ndonjëherë Perëndinë e përjetshëm dhe të pakufi që krijoi këtë univers në të cilin ai jeton vetëm me mendjen e tij të kufizuar, të vogël (dhe madje mëkatare!)? Jo, sigurisht që jo! Le ta lëmë Perëndinë të jetë Perëndia dhe të pranojmë se gjithmonë do të ketë shumë gjëra rreth Perëndisë, të cilat nuk do t’i kuptojmë dot. Te LiP. 29:29 lexojmë: “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe bijtë tanë për gjithnjë”.
Problemi tjetër kryesor që kanë DJ-të është se ata nuk duan të pranojnë zbulesën e Biblës mbi Perëndinë. Meqenëse nuk mund ta kuptojnë atë plotësisht, ata i mohojnë ato që s’mund t’i kuptojnë, dhe pastaj fillojnë të imponojnë idetë e tyre në Bibël e përpiqen ta bëjnë që Bibla të thotë atë që ata dëshirojnë të thuhet prej saj, në vend që të pranojnë thjesht dhe me përulësi atë që Bibla thotë. Vendosin ata se ç’duhet të thotë Bibla, në vend që të lënë Biblën të thotë saktësisht atë që thotë pavarësisht nga fakti se sa e vështirë është nganjëherë për të kuptuar atë që thotë.
Kështu racionalizmi i tyre thotë: “Si mund të jetë Perëndia 3 në 1, ose 1 në 3? Mos ka 3 Perëndi?” Dhe, meqenëse nuk e kuptojnë mësimin e Biblës mbi Trininë, ata e mohojnë atë plotësisht.
TRINIA
Janë tre Persona
Ka vende të shumta në shkrimet e DhR-së ku shohim tre Personat përbri njëri-tjetrit. Më poshtë po japim disa nga referimet.
Mateu 28:19 “duke i pagëzuar ata në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë…” Vini re që këtu thuhet në emër (njëjës) të tre Personave. Një emër, tre Persona! Dhe, cili është ky emër?
2 Kor. 13:13 “Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë”. Fjala Perëndisë në këtë varg duket që përdoret për Atin, por nuk do të thotë se Zotit Jezu dhe Frymës së Shenjtë u mungon natyra hyjnore pasi vargje të tjera në Shkrimet, siç e kemi parë tashmë, na tregojnë për natyrën e tyre hyjnore.
Mateu 3:16-17 “Dhe Jezui, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur»“.
Secili Person ka natyrë hyjnore
Kemi parë në kapitullin 4 se Jezui është Perëndi, d.m.th. që Ai ka natyrë hyjnore. Ai është Perëndi-njeriu. Gjithashtu, kemi parë në kapitullin 5 se Fryma e Shenjtë është Qenie frymore, një Person me natyrë hyjnore, d.m.th. që është Perëndi. Dhe, sigurisht, fakti që Ati është Perëndi është i pakundërshtueshëm. Atëherë ç’mund të themi? Kemi tri Perëndi të veçantë, apo një Perëndi triun?
Ka vetëm një Perëndi
Fakti që ka vetëm një Perëndi na jepet mjaft qartë në Bibël. Shih tek LiP. 6:4: “Dëgjo, Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm”; Rom. 3:30: “sepse ka vetëm një Perëndi…”; Jakobi 2:19: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen!”
Jehovai është Perëndi triun
Atëherë kjo na çon te doktrina e Trinisë si e vetmja rrugë për t’i shpjeguar të gjitha faktet që na paraqiten mbi Perëndinë në Bibël. Ka vetëm një Perëndi, i cili ekziston përjetësisht në tre Persona; Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë. Ka tre Persona në një Perëndi. Ka një Qenie hyjnore, e cila ekziston në tre Persona. Këta tre Persona përbëjnë Hyjninë ose Qenien e Perëndisë.
Përsëri, nuk themi se e kuptojmë këtë doktrinë plotësisht. Por kjo nuk do të thotë që, thjesht meqë nuk e kuptojmë plotësisht, ose nuk arrijmë ta konceptojmë këtë gjë në mendjen tonë, duhet ta mohojmë atë. Nëse e mohojmë, atëherë thjesht po mohojmë ato që Bibla na i thotë mjaft qartë për Qenien dhe natyrën e Perëndisë. Nëse mohojmë Trininë, atëherë duhet ta mohojmë hyjësinë e Krishtit gjë të cilën nuk mund ta bëjmë se kjo na jepet mjaft qartë në Bibël. Megjithëse fjala ‘trini’ nuk gjendet në Bibël, doktrina e Trinisë na zbulohet mjaft qartë në të.
DJ-të besojnë se Ati (Jehovai siç thonë ata) krijoi Jezuin Birin, një perëndi. Për ta Jehovai është një Perëndi jotrini. Në fakt, Bibla mëson se Jehovai është Perëndia triun. Jehovai është trini! Ja pse Ati quhet Jehovai, ja pse edhe Biri Jezu (Filizi, ose Mesia) quhet Jehovai te Jer. 23:5-6, ja pse Fryma e Shenjtë quhet Fryma e Jehovait, ose Fryma e Zotit (Isa. 61:1). Kjo na shpjegon pse Bibla i referohet engjëllit të Zotit si Zoti (Jehovai) dhe jo thjesht si engjëlli i Zotit (Gjyq. 6:11-12,14,16,18,20). Na shpjegon edhe se pse Jehovai mundi t’i paraqitej
Abrahamit në formë njeriu dhe të fliste me të para çadrës së tij (Zan. 18:1-2,10,13-14,17-33), e kështu me radhë.
Arianizmi dhe Kuvendi i Nicës
Doktrina e Trinisë gjithmonë është pranuar si e vërtetë biblike nga kishat historike të krishtere nëpër shekuj. Doktrina u formua për herë të parë gjatë mbledhjes së njëri prej Kuvendeve të Kishës së hershme, në Nicë në shekullin e 4-t. Arsyeja pse nuk ishte formuar para kësaj kohe ishte se kjo doktrinë nuk ishte kundërshtuar më parë.
Pikërisht në këtë kohë, një njeri i quajtur Ari u ngrit dhe i bëri një sfidë mësimit se Jezui kishte natyrë hyjnore. Drejtuesit e hershëm të Kishës u detyruan të mblidhen së bashku për të shqyrtuar me hollësi këto doktrina dhe të formulonin atë që Kisha besonte. Ishin njerëz si Athanasi, ata që, me anë të Shkrimeve argumentuan fuqimisht dhe bindshëm se Jezui kishte natyrë hyjnore dhe që vërtetuan mësimet e Shkrimeve përballë mësimeve të gabuara të njerëzve si Ariu. Në fakt, nëse studjojmë mësimet e Ariut (për sa u përket mësimeve të tij të gabuar për natyrën e Krishtit), do të shohim se duket mjaft qartë që ato janë të ngjashme me mësimet e DJ-ve të ditëve të sotme. Nuk ka asgjë të re nën diell! Mësimet e DJ-ve janë thjesht një ridalje në dritë e mësimeve të njerëzve të tillë si Ariu në kishën e hershme.
Për ta lexuar të gjithë librin dhe për të mësuar më shumë rreth kësaj teme, mund ta merrni atë FALAS në: https://ibsh.al/product/pergjigjet-per-deshmitaret-e-jehovait/