Kujdes me (keq)përdorimin e autoritetit!
| 22 Mars, 2024
Si populli i Zotit ne e kemi të qartë se Perëndia ka vendosur shërbëtorë të Tij në kishë, Ef 4:11 dhe u ka dhënë atyre autoritet shpirtëror. Cilado qoftë pozita e dikujt në drejtim, modeli ynë është Zoti Jezu Krisht dhe autoritet Bibla Fjala e Tij. Sa herë që udhëheqësit në kishë ndjekin mësimet dhe shembullin e Jezusit përfitimet e autoritetit të tyre janë të çmuara, me ndikim të madh e të përjetshëm. Por kur e kundërta ndodh, autoriteti i keqpërdorur mund të sjellë dëm të madh me pasoja të përjetshme.
Sa shumë kam përfituar unë dhe të gjithë ne nga ushtrimi i duhur i autoritetit në kishën tonë! Duke na mësuar të vërtetën, me shërbim e me dashuri, me këshillim, me paralajmërim madje edhe me ndreqje e qortim që ka sjellë fryt të mirë, pasi synonte përtëritjen tonë. Pastorë, pleq dhe anëtarë të kishës e përdorin kështu fuqinë e Ungjillit, të udhëhequr nga Fryma e Shenjtë për të sjellë jetë, për të transformuar dhe për të sjellë liri aty ka skllavëri të mëkatit. Po ashtu për të përgatitur të rinj për martesë, apo udhëheqës të rinj apo deri edhe për të na mbrojtur nga mësimet e rreme të kultistëve mashtrues. Çfarë pune e madhe dhe fisnike për udhëheqësit!
Sa mirënjohës jemi për ata që rrinë zgjuar në lutje për shpirtrat tanë, ashtu siç i ka urdhëruar Jezusi, Kryebariu dhe Zoti i kishës! Heb 13:17. Të tillë shërbëtorë kanë vetëm Biblën për autoritet, Krishtin dhe lavdinë e Tij në qendër të jetës dhe shërbesës. Dashuria për Zotin, për kishën, përkushtimi, zelli, sakrifica, dashamirësia ndaj kishave të tjera, por edhe dëshira për të parë shpirtra të shpëtuar dhe mbretërinë e Perëndisë të përparojë, janë një bekim i madh. Nderimi ynë për këta udhëheqës nuk duhet të mungojë, as bindja dhe po ashtu lutjet tona dhe mbështetja jonë për ta dhe veprën e tyre. Vetëm Perëndia është shpërblyesi i vërtetë i barinjve të kishës dhe në qiell do ta shohin ata plotësinë e veprës së tyre të mundimshme këtu në tokë. Faleminderit Zotit për shërbëtorë të tillë! Mateu 25:14-23, 34-40
Megjithatë shembujt negativë nuk mungojnë. Në 3 Gjoni 9,10 Diotrefi duke (keq)përdorur autoritetin e tij ishte aq krenar dhe arrogant saqë jo vetëm fliste keq për apostullin Gjon por edhe e refuzonte vizitën e tij. Çfarë marrëzie! Zakonisht abuzuesit me autoritetin përdorin pozitën, Biblën, financat apo edhe dhuntitë e tyre për të kontrolluar, manipuluar njerëzit, për motive egoiste dhe pushtet personal. Udhëheqës që thonë se: “Zbulesa ime është si Bibla apo më lart se ajo” apo: “Nëse nuk bën çfarë të them unë do të shkosh në ferr”, apo: “Nëse nuk ndjek vetëm mësimet e mia do të dështosh keq”, apo: “Nëse nuk më bindesh të dorëzoj në duart e satanit”, apo: “Kush ikën nga kisha jonë nuk i përket më Krishtit” e të tjera si këto, tregojnë qartë se ata janë në qendër të veprës së tyre dhe jo Krishti; kultura, familja e tyre janë udhërrëfyesja dhe jo Bibla. Një udhëheqësi e tillë sjell një kishë të pashëndetshme, pa doktrinën e shëndoshë, pa shembuj frymëzues madje mund të përjetojë abuzime të cilat nuk ndreqen pa llogaridhënie biblike.
Të tillë udhëheqës krenarë e hipokritë Zoti i thërret në pendesë, të ndreqen, të kthehen te bindja ndaj Biblës, me qëllim që të ndjekin e reflektojnë shembullin e Zotit dhe të apostujve të Tij të shenjtë dhe të kenë një ndikim pozitiv në kishë e shoqëri. Fjala e Zotit na paralajmëron se të gjithë ne do të përgjigjemi për fjalët e kota, Mat 12:36; do të dalim para Krishtit për të dhënë llogari për ato gjëra që Ai na ka besuar, 2Kor 5:10. Sa serioze janë këto fjalë për ne udhëheqësit, mësuesit e Biblës dhe për çdo shërbëtor të Zotit! Në një kulturë turpi dhe nderi, ku krenaria kultivohet si vlerë, ku shumëkush dëshiron të jetë i pari dhe jo shërbëtor kisha shqiptare dhe drejtuesit e saj rrezikohen jo pak.
Disa udhëheqës të vjetër kanë nevojë për llogaridhënie, përshpirtshmëri, dorëzim te Zoti që të përfundojnë garën mirë si Pali. Disa udhëheqës të rinj kanë nevojë për mentorë dhe shembuj të perëndishëm. Të gjithë kemi nevojë që të sigurohemi se nuk ka asgjë tjetër veç Fjalës së Zotit që na drejton dhe që ne po i bekojmë të tjerët dhe nuk po e keqpërdorim Biblën dhe autoritetin. Zoti ynë do të jetë i ashpër me shërbëtorët abuzues, ashtu siç do të jetë shpërblyes i atyre që e përdorin drejt autoritetin me Fjalën e Tij në bindjen e tyre. Luka 12:46-48
Është lutja dhe përkushtimi ynë që Perëndia të ngrejë udhëheqës të perëndishëm për kishën e Tij në Shqipëri. Udhëheqës që janë burra dhe gra që e njohin dhe e zbatojnë Fjalën e Zotit dhe janë të zellshëm për të qenë me Atin në lutje. Udhëheqës që i refuzojnë modelet negative dhe mëkatin e shoqërisë sonë dhe që e kanë frikën e Zotit në zemrën e tyre. Udhëheqës me autoritet shpirtëror ndërtues, të veshur me përulje dhe shërbëtorë si Jezusi. Të tillë do të na frymëzojnë të ndjekim shembullin e tyre ndërsa ata ndjekin atë të Krishtit, 1Kor 11:1. Lutemi që në kishat tona do të ketë më shumë barinj dhe jo rrogëtarë. Kisha të lutet, të nderojë, të mbështesë këta udhëheqës dhe barinj me qëllim që vepra e tyre të jetë edhe më e dobishme për lavdinë e Zotit.
Përgatiti Pëllumb Ranxha