Jini të zellshëm!
| 29 Tetor, 2021Prandaj, të dashur duke i pritur këto gjëra, jini të zellshëm të jeni përpara Tij të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe. 2Pjetri 3:14
Çfarë gjërash na vijnë në mendje kur mendojmë për ardhjen e Zotit? Çfarë mendojmë ne se duhet të jemi duke bërë kur Zoti të vijë? Fryma e Zotit përmes apostullit Pjetër i mëson të krishterët që në lidhje me ardhjen e Zotit mes të tjerash duhet të jemi të zellshëm.
Zelli përshkruhet si një dëshirë e përqendruar që karakterizohet nga pasioni dhe përkushtimi.
Nga fillimi deri në fund të Fjalës së Zotit populli i Tij mësohet të jetë i zellshëm. 1Mbr 19:10, 2Kor 8:22, 2Tim 2:15, Heb 4:11, Rom 12:11. Pjetri vetë ishte i njohur për zellin e Tij për Zotin dhe shumë besimtarë të kohës së tij dhe po ashtu shumë të tjerë në histori dhe në të tashmen. Zelli për Zotin dhe gjërat e mbretërisë së Tij është dashuri dhe bindje ndaj Perëndisë. Zelli për Zotin na vendos afër Tij, që Ati të na transformojë dhe të na përdorë. Ai na ndihmon që bota të mos hyjë në kishë por që kisha të jetë dritë në botë.
Ne i kujtojmë zemrës sonë zellin për të qenë me Zotin vazhdimisht në lutje ashtu si profetët, si psalmistët apo plot të tjerë në Bibël dhe histori. Mendojmë për ta njohur Perëndinë, zellin për të njohur, zbatuar dhe shpallur Fjalën e Tij. Zellin për të përmbushur përgjegjësitë tona në familje, punë, shërbesë, shoqëri duke përdorur çdo gjë dhe aftësi që Zoti na ka dhënë.
Zelli bën që dhuntitë tona të përdoren për ndërtimin e kishës dhe lavdinë e Zotit. Zelli ynë për Zotin i bën ata që nuk e njohin Krishtin të kenë interes për ta njohur Atë. Mungesa e tij në jetën tonë do të thotë se këto gjëra do të mungojnë në një masë dhe me shumë gjasa do të ketë mëkat dhe dembelizëm duke mos lejuar që të jemi të frytshëm për Zotin. Rom 12:11
Zelli i ushtruar pa të vërtetën dhe pa dashuri ka pasoja të mëdha në jetën e krishterë.
Ka shumë rëndësi që jeta dhe shërbesa e udhëheqësve të krishterë të shoqërohet me një zell të madh për Zotin dhe gjërat e mbretërisë. Do të mësojmë dhe do të nxisim kështu zemrat e atyre që ju shërbejnë. Përfshirja në një jetë me disiplina frymërore si: lutja, adhurimi, studimi, agjërimi, shërbimi, dhënia e të tjera do të na ndihmojë që të rritemi në zellin tonë që e kënaq zemrën e Atit qiellor. Po ashtu zelli për Zotin nuk do të lejojë të bëhemi përtacë apo të humbasim gëzimin e Tij ndërsa i shërbejmë Atit. Zelli ynë do të frymëzojë dishepujt tanë, udhëheqësit e rinj ashtu siç bëri Pali me Timoteun. 2Tim 3:10-11. Zelli ynë do të na ndihmojë të përfundojmë garën tonë ashtu siç bëri Pali. 2Tim 4:7-8.
Si do ta përshkruaje zellin tënd Zotin dhe për gjërat e Tij? Çfarë na pengon që të jemi dhe më të zellshëm? Cilët janë disa shembuj frymëzimi për të qenurit të zellshëm për ne sot?
Le të mendojmë rreth këtyre pyetjeve sot dhe në lutje të kërkojmë Perëndinë.
Lutje: Zoti ynë, ti na ke krijuar për veten tënde dhe zemra jote gëzohet nga zelli ynë sipas së vërtetës. Nxite zemrën tonë vazhdimisht të ketë zell ashtu si shërbëtori yt Elia, po zell për gjërat e tua dhe mos lejo dembelizmin të zërë vend te ne. Shqyrtoje zemrën time dhe më bind për çdo gjë që më pengon të kem zell që të pendohem.
Ndize për çdo ditë zjarrin për Ty në zemrën tonë dhe bëj që zelli ynë për ty të bekojë të tjerët dhe t’i sjellë ata që nuk të njohin të vendosin besimin e tyre në Ty. Bashkoje zellin tonë me njohuri, me dashuri, me të vërtetën për ndërtimin e kishës dhe lavdinë Tënde! Amen!
Përgatiti Pëllumb Ranxha