FUQIA JETËSHNDËRRUESE E FJALËS SË PERËNDISË
| 9 Shkurt, 2026
Bibla është Fjala e Perëndisë për ne, e frymëzuar nga Fryma e Shenjtë
“I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.” (2 Tim. 3:16- 17)
Në këto vargje, apostull Pali nënvizon rolin qendror dhe kyç që fjala e Perëndisë luan në jetën tonë. Shkrimet janë të frymëzuara, ose “të fryra” nga Fryma e Shenjtë, dhe kjo do të thotë që Bibla në tërësinë e saj është fjala e vetë Zotit për ne, hyjnisht e frymëzuar. Njerëzit që e shkruan atë ishin të zënë dhe të shtyrë nga Fryma e Shenjtë, ndërsa po shkruanin:
“…njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.” (2 Pjetri 1:21)
Kjo do të thotë që fjala e Perëndisë është libër i pashoq, i veçuar nga gjithë librat e tjerë. Ai është libri mbi gjithë librat, nëpërmjet të cilit Perëndia e zbulon vetveten dhe flet në jetën tonë. Është regjistrimi i shkruar i planit të tij për shpengimin e njerëzve përmes Jezu Krishtit, si edhe udhëzuesi mësimor i Zotit për jetën e përditshme frymërore të besimtarëve. Nëpërmjet saj ne mësojmë urdhërimet e Perëndisë, udhët e tij, urtësinë e tij, si dhe premtimet e tij për ne. Atje mund të lexojmë për jetën e besimit të shumë besimtarëve përgjatë kohërave dhe për marrëdhënien që ata kishin me Zotin, mësojmë se si ai u foli, i përdori ata dhe si ata e panë atë të vepronte për ta.
Nga ne pritet që ta lexojmë këtë libër dhe të meditojmë rregullisht mbi fjalën e Perëndisë, me qëllim që të arrijmë ta kuptojmë atë, të vëmë në zbatim mësimet dhe urtësinë e saj në jetën tonë të përditshme, si dhe të ndërtojmë jetën tonë personale mbi themelin e saj. Do të ishte mirë të ndiqnim shembullin e Ezdras në lidhje me këto. Ai e studioi fjalën e Perëndisë me devotshmëri dhe i vuri në jetë mësimet e saj. Në këtë mënyrë ai e zotëroi mirë fjalën e Perëndisë dhe, për rrjedhojë, ishte në gjendje t’ua mësonte atë të tjerëve (Ezdra 7:6,10).
Fjala e tij në tërësinë e saj është mjeti plotësisht i efektshëm që Perëndia përdor për të na mësuar, trajnuar, qortuar dhe korrigjuar si besimtarë në udhët e tij të drejtësisë. Këtë ai e bën me qëllim që ne të piqemi në besim si dhe që të pajisemi siç duhet për të pasur jetesën e krishterë dhe për t’i shërbyer Zotit sipas planit që ai ka për ne.
Ne lindim sërish përmes fuqisë së fjalës së Perëndisë
Kur dikush pendohet për jetën e tij të vjetër dhe pranon Jezuin si shpëtimtarin e zotin e jetës së tij, ai/ajo lind sërish. Shprehja “të lindurit sërish” përshkruan punën që Fryma e Shenjtë bën brenda nesh ndërsa na e ripërtërin jetën frymërore. Para se të pranonim Jezuin, ne ishim të ndarë nga jeta e Perëndisë dhe, për rrjedhojë, ishim “të vdekur në faje dhe në mëkate” nga ana frymërore. Por tani Zoti “na dha jetë me Krishtin”. Në hirin, mëshirën, dashurinë dhe mirësinë e tij ai vepron për të na sjellë në këtë jetë të re frymërore (Efes. 2:1-5).
Ngjizja e jetës së re frymërore brenda nesh ndodh ndërsa dëgjojmë dhe pranojmë farën e fjalës së të vërtetës:
“Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi njëfarë fryti i parë të krijesave
të tij.” (Jak. 1:18)
“…të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet
përjetë.” (1 Pjetri 1:23)
Kjo farë e gjallë e fjalës së Perëndisë mbillet brenda nesh ndërsa dëgjojmë mesazhin e ungjillit. Kështu, përmes kësaj fare, ngjizet brenda nesh nga Fryma e Shenjtë një jetë e re frymërore ndërsa i përgjigjemi ungjillit me besim (Luka 8:11, Rom. 10:17). Pra, të lindurit sërish është një përvojë e vërtetë dhe personale e ripërtëritjes të përbrendshme frymërore. Apostull Pali thotë:
“[Perëndia] na shpëtoi me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëitjes së Frymës së Shenjtë.” (Titi 3:5)
Perëndia nuk përpiqet ta rinovojë apo ta reformojë jetën tonë të vjetër e të mëkatshme. Këtë ai na e heq dhe e zëvendëson me jetën e re në Krisht. Kjo jetë e re është e fuqizuar nga Fryma e tij që na sjell në një sferë krejt të re të jetuari. I krishteri i vërtetë nuk është një njeri i reformuar apo thjesht i përmirësuar. Ai nuk është dikush që, si të thuash, “e ka nisur përsëri që nga e para”, por është dikush, i cili është i ripërtërirë nga ana frymërore dhe është bërë njeri i ri me anë të Frymës së Shenjtë. Ne jemi çliruar nga jeta jonë e vjetër, dhe kemi hyrë në një jetë të re dhe të begatshme në Krisht.
Pra të qenët të rilindur do të thotë që jemi bërë krijesa të reja, që jemi ringjallur bashkë me Krishtin nga jeta jonë e vjetër (2 Kor. 5:17, Gal. 6:15, Ef. 2:5). Jemi sjellë ne një jetë të re që ka për bazë përjetimin përbrenda nesh të fuqisë së ringjalljes së Krishtit (Rom. 6:4-5,8).
Fjala e Perëndisë është themeli mbi të cilin ne ndërtojmë jetën tonë
“Kushdo, pra, që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i bën, do ta krahasoj me një njeri të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë e vet mbi shkëmb.” (Mateu 7:24)
Te Mateu 7:24-27, Jezui e përdori shembullin e mirënjohur të dy njerëzve të cilët po ndërtonin shtëpi: njëri ndërtoi mbi shkëmb, kurse tjetri ndërtoi mbi rërë. Kur u goditën nga stuhitë e jetës, që të dyja këto shtëpi u vunë në provë. E para mbeti dhe qëndroi, sepse ishte ndërtuar mbi themel solid, në shkëmb dhe stuhitë nuk mundën ta shkatërronin, kurse e dyta u shkatërrua pikërisht për arsye se themelin e kishte mbi rërë që u fshi lehtë nga faqja e dheut.
Jezui e krahasoi njeriun e mençur që ndërtoi mbi shkëmb me njeriun që e ndërton jetën e vet duke e vënë në zbatim fjalët e tij (d.m.th. ato të Jezuit). Budallallëku nuk ka të bëjë me faktin se njeriu nuk e njeh fjalën e Perëndisë, por me atë se ai e dëgjon atë (dhe deri diku e njeh atë), mirëpo ai nuk e zbaton atë në praktikë. Pra, urtësia e vërtetë e njeh fjalën e Perëndisë si dhe e zbaton në praktikë atë. Vetëm në këtë mënyrë besimi ynë dhe ecja jonë me Zotin nuk kanë për t’u shkatërruar nga stuhitë e jetës ngaqë, duke zbatuar në praktikë mësimet dhe parimet e fjalës së Perëndisë, ne po e ndërtojmë jetën tonë mbi të vetmin themel që mund t’i bëjë ballë forcës dhe trysnisë së stuhive.
Kuptohet vetvetiu nga përvoja e jetës se shtëpia që e ka themelin të dobët ose të shtrembër, do ta ketë të vështirë të qëndrojë dhe se do të jetë e nevojshme që, shpejt a vonë, themeli t’i riparohet. Edhe pse nuk është diçka e pamundur, prapëseprapë kjo është punë tepër e vështirë, për të cilën kërkohet shumë kohë dhe financa. Po ashtu, themeli (dhe, për rrjedhojë, vetë shtëpia) nuk do të jetë i sigurt nëse është ndërtuar mbi tokë të butë. Themeli duhet ndërtuar mbi tokë të fortë e solide, e cila nuk ka për të pasur rënie nën themel, pra duhet ndërtuar mbi shkëmb.
Dhiata e Re përdor disa metafora ndërtimi në lidhje me Jezuin. Mësimet e tij janë shkëmbi mbi të cilin ndërtohet shtëpia e besimit tonë (Mat. 7:24-27, shih edhe 1 Kor. 3:12-15). Ai është themeli i vetëm i besimit tonë (1 Kor. 3:11). Ai është guri i kulmit dhe guri i qoshes (Efes. 2:20, 1 Pjetri 2:6-7), etj. Kështu, që të mund të ndërtojmë një jetë të krishterë e cila është në gjendje për t’u bërë ballë sfidave të stuhive dhe vërshimeve të jetës, jo vetëm që duhet të ndërtojmë një themel të fortë, por duhet të sigurohemi edhe që këtë themel ta ndërtojmë mbi shtrat shkëmbor, pra mbi personin, punën dhe mësimet e Jezu Krishtit.
Ky motiv i “të ndërtuarit” përdoret edhe në pjesë të tjera të Dhiatës së Re për të përshkruar rritjen e jetës sonë të krishterë. Për shembull, Perëndia përshkruhet si ai që ka ndërtuar gjithçka (Heb. 3:4). Si besimtarë ne së bashku jemi quajtur ndërtesa e Perëndisë (1 Kor. 3:9). Si gurë të gjallë ne ndërtohemi për të qenë një shtëpi frymërore (1 Pjetri 2:5), që të bëhemi tempulli i Perëndisë (2 Kor. 6:16), në të cilin banon Perëndia dhe që është ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve (Efes. 2:19-22). Punën e tij si apostull dhe mësues Pali e krahasoi me atë të një arkitekti të urtë, apo me atë të një kryemjeshtri ndërtimi. Ai hodhi themelin e besimit në jetën e besimtarëve dhe më pas do të vinin mësues të tjerë të ndërtonin mbi atë themel (1 Kor. 3:10).
Kështu, pra, fjala e Perëndisë na nxit që të hedhim themele solide në jetën tonë frymërore duke i ndërtuar këto mbi shkëmbin e zbatimit në praktikë të mësimeve të Krishtit. Nuk është thjesht të dëgjuarit (apo të lexuarit) dhe për rrjedhojë të diturit e fjalëve të Krishtit ajo që na e ndërton jetën si besimtarë, por është të zbatuarit e tyre në praktikë ajo që faktikisht na e transformon jetën dhe na ndihmon t’u bëjmë ballë sfidave të jetës dhe t’i kapërcejmë ato. Pra, së pari, duhet të dëgjojmë fjalën e Perëndisë; së dyti, duhet të pranojmë në jetën tonë atë që kemi dëgjuar dhe pastaj, së treti, duhet ta zbatojmë këtë në praktikë.
Kur Luka tha që besimtarët e hershëm “ishin ngulmues në mësimin e apostujve”, ai nuk po thoshte që këta besimtarë thjesht uleshin dhe dëgjonin rregullisht ato gjëra që mësonin apostujt. Fjala greke që përkthehet si “ngulmues” do të thotë “të jesh i sinqertë”, “të këmbëngulësh”, “të tregohesh i zellshëm në vazhdim”, ose “t’iu përmbahesh ngushtë”. Pra, kjo fjalë na sugjeron që këta besimtarë mësuan të zbatonin në praktikë këto mësime për jetën e tyre të përditshme (Vep. 2:42-45).
Po ashtu, mësimet e apostujve nëpër letrat e tyre gjithmonë lidhen me jetën dhe marrëdhëniet tona të përditshme. Dishepullimi i vërtetë, i lidhur siç duhet dhe në mënyrë praktike me jetën tonë të përditshme si ndjekës të Jezuit, gjendet tek “të qëndruarit” në mësimet e tij apo “të përmbajturit” ndaj tyre (d.m.th. të besuarit dhe të zbatuarit të tyre në praktikë, pra, si një mënyrë jetese):
“Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi.” (Gjoni 8:31)
Gjithashtu edhe Jakobi e thekson nevojën që ne të ngulmojmë në shqyrtimin e fjalës së Perëndisë dhe të zbatojmë në praktikë ato gjëra që kemi kuptuar prej saj, në vend që thjesht të ecim më tej dhe ta harrojmë atë. Thjesht të dëgjuarit e fjalës së Perëndisë pa bërë asgjë me të në jetën tonë, duke bërë kështu që njohja e fjalës nga ana jonë të ngelet teorike, do të thotë që ne thjesht po mashtrojmë veten. Gjithsesi, ndërsa mësojmë ta zbatojmë në praktikë fjalën e Perëndisë, atëherë do të jemi të bekuar në ato çka bëjmë:
“Sepse, nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e vështron fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai vështron veten dhe ikën dhe menjëherë harron si qe. Ndërsa ai që do të përkulet për të parë në ligjin e përsosur të lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lum në veprimtarinë e vet.” (Jak. 1:22-25)
Fjala e Perëndisë është si pasqyrë
Pasazhi i mësipërm nga letra e Jakobit na tregon edhe që fjala e Perëndisë është si pasqyrë. Kur shikojmë para pasqyrës e shohim veten saktësisht ashtu siç jemi. Njeriu që vërtet dëshiron ta shohë veten ashtu siç është në të vërtetë, ka nevojë thjesht ta lexojë Biblën me sinqeritet. Kjo gjë na e tregon hapur e çiltër të vërtetën e thjeshtë. Kjo ka dy anët e saj, si anën pozitive ashtu edhe atë negative.
Kur shqyrtojmë jetën si dhe veprimet e personazheve në Bibël, e shohim natyrën njerëzore të shprehet ashtu sikurse është në jetën e përditshme dhe, për arsye se nuk ka asgjë të re nën diell, ne shohim edhe vetveten (ose potencialin e asaj se çfarë mund të jemi apo të bëjmë) në jetën tonë. Në shembujt e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, na kujtohen gënjeshtrat dhe mashtrimet tona (Zan. 12:11-13, 26:7, 27:6-41). Në sjelljen e tepruar të Noeut na kujtohet turpi i dehjes (ose mbase ato raste të dehjes sonë në të kaluarën) (Zan. 9:20-27). Në rastin kur Davidi shkeli kurorën shohim potencialin tonë për të kryer imoralitet si dhe kuptojmë pasojat e tij shkatërruese (2 Sam. kap.11-12). Ne ndiejmë empati për Elian kur e shohim të dekurajuar dhe të zhytur në mendime negative (1 Mbr. 19:9-14). Ndërsa lexojmë Fjalët e Urta, bëhemi të vetëdijshëm për potencialin që ne kemi ta bëjmë jetën në një mënyrë të tillë që, në të vërtetë, tregon marrëzi.
Këta njerëz (si dhe gjithë të tjerët jetët dhe veprimet e të cilëve janë regjistruar në fjalën e Perëndisë) janë të gjithë shembuj që janë regjistruar për të na mësuar dhe paralajmëruar (Rom. 15:4, 1 Kor. 10:11). Nga ne pritet që të nxjerrim mësimet e duhura nga gabimet dhe mëkatet e tyre, me qëllim që të mos biem në të njëjtat gracka si dhe të mos vuajmë të njëjtat pasoja. Shkrimet na janë dhënë të na mësojnë, të na bindin, të na ndreqin si dhe të na edukojnë në drejtësi në atë se si do ta bëjmë jetën përpara Perëndisë dhe se si do të jemi në marrëdhëniet që kemi më të tjerët (2 Tim. 3:16-17). Herë pas here Shkrimet na kujtojnë se në natyrën tonë të rënë prej Adamit, gjendet një potencial negativ për mëkate (madje edhe për mëkate të rënda). Shkrimet na nxitin që të ecim denjësisht sipas thirrjes sonë në Krisht (Efes. 4:1-3).
Në kontrast më këtë, ne edhe forcohemi në besim ndërsa shohim se si njerëzit besonin Perëndinë në situatat sfiduese me të cilat përballeshin dhe se si ai vepronte fuqimisht në favor të tyre. Gjithashtu ne frymëzohemi të besojmë që Perëndia mund të bëjë të njëjtat gjëra ose gjëra të ngjashme edhe për ne sot! Ne lexojmë për mënyrën e tyre të jetesës, për lutjet e tyre, për besimin e tyre, për ndershmërinë e tyre, për përkushtimin e tyre, për agjërimet e tyre, për kohët kur e përjetuan nga afër praninë dhe lavdinë e Perëndisë, si dhe mund të lexojmë se si Perëndia i mori dhe përdori për të kryer gjëra të mëdha për mbretërinë e tij, e kështu me radhë.
Kështu edhe ne si Hana, për shembull, nuk dorëzohemi kur jemi të dekurajuar. Në vend të kësaj, ne ngrihemi dhe e derdhim zemrën tonë në lutje dhe shohim se si Perëndia na përgjigjet (1 Sam. 1:9-10). Edhe ne si Kalebi i zëmë besë Zotit se ka për të përmbushur premtimet e tij, dhe shpallim me guxim: “Prandaj ma jep këtë mal…” (Joz. 14:12). Edhe ne, si gruaja shunamite nuk lejojmë që situata e vështirë të na mundë dhe vijmë me besim tek Zoti për të marrë shpëtimin (2 Mbr. 4:18-37). Ne shohim shembujt e shumtë të përkushtimit dhe vendosmërisë, dhe duam të njëjtin bekim dhe të njëjtat fryte në jetën tonë që këta njerëz përjetuan (Rom. 12:1-3). Sikurse besimtarët e hershëm, edhe ne duam që Zoti të na përdorë në mënyrë të fuqishme, e kështu me radhë.
Le ta shohim këtë nga një këndvështrim disi i ndryshëm, ju për vete, çfarë shihni kur dilni para pasqyrës së fjalës së Perëndisë? Ose më mirë, tek çfarë zgjidhni të fokusoheni? A fokusoheni tek natyra juaj e vjetër, tek mëkatet, gabimet dhe dështimet tuaja që ju mbajnë në robëri e nën dënim? Apo e lejoni Zotin të merret me këto gjëra për t’jua pastruar dhe pastaj fokusoheni te natyra juaj e re në Krisht dhe tek ajo që Zoti do që ju të bëheni në të? A e shihni vetveten akoma siç ishit dikur para se të njiheshit me Krishtin, apo e shihni si atë krijesë të re që Perëndia ju ka bërë në Krisht?
Kur shohim në pasqyrën e fjalës së Perëndisë, letrat e Dhiatës së Re na kujtojnë herë pas here se çfarë jemi dhe çfarë jemi bërë në Krisht. Ato na nxitin që ta pranojmë këtë dhe ta përmbushim potencialin e asaj se çfarë mund të jemi, çfarë mund të bëhemi dhe çfarë mund të bëjmë për Krishtin. Ne jemi bijtë dhe bijat e Perëndisë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, të mbushur dhe të vajosur me Frymën e Shenjtë, të thirrur që të ngrihemi, të kapërcejmë çdo pengesë dhe që të arrijmë gjëra të mëdha për mbretërinë e tij në këtë jetë!
Kur John G. Lake qëndronte përpara pasqyrës çdo mëngjes ndërsa vishej, ai e kishte zakon që t’ia kujtonte vetes se tek ky njeri që ai shihte në pasqyrë, Perëndia banonte. Ai lutej të kishte hirin dhe fuqinë e duhur që të mos e harronte këtë gjë si dhe që, atë ditë, ta përmbushte thirrjen e tij në Krisht duke jetuar siç duhej, si bir i Perëndisë.1
Fjala e Perëndisë është ushqimi dhe pija jonë frymërore
1 Shihni tek artikulli i Penney-it “The Habitation of God” në Voice of Praise (qershor 1998) që gjendet tek http://hpministries.org/Articles/1998-06%20The%20Habitation%20of%20God.pdf.
Prezenca e përbrendshme e Frymës së Shenjtë në jetën tonë na mbush me dashurinë e tij për fjalën e Perëndisë, dhe kjo dashuri na tërheq që ta lexojmë dhe të meditojmë mbi këtë fjalë. Pra, të lexuarit e Biblës është një burim që na e ushqen jetën frymërore. Fjala e Perëndisë është ushqimi ynë frymëror dhe ushqimi që ajo na jep është i domosdoshëm për rritjen tonë frymërore. Fjalët e Perëndisë janë jeta jonë:
“Merrni me zemër tërë fjalët me të cilat kam dëshmuar sot kundër jush. Do t’ua lini porosi bijve, që ata të kenë kujdes të zbatojnë tërë fjalët e këtij ligji. Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj.” (Ligji i P. 32:46-47)
“Fjalët që unë po ju them janë frymë dhe janë jetë.” (Gjoni 6:63)
Ashtu sikurse trupi ynë duhet ushqyer disa herë në ditë, në të njëjtën mënyrë duhet që ne të ushqejmë jetën tonë frymërore në mënyrë të shpeshtë me fjalën e Perëndisë. Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë, në mënyrë të paevitueshme, jeta jonë frymërore do të vuajë kequshqyerje, do të jetë e dobët, anemike, madje “kockë e lëkurë”. Do të fillojë të mpaket dhe të vdesë, ashtu siç do të ndodhte edhe me trupin tonë fizik po të mos merrnin ushqimin dhe pijet e nevojshme.
Besimtarët të cilët nuk ushqehen rregullisht me fjalën e Perëndisë, nuk janë në gjendje t’iu bëjnë ballë tundimeve apo sulmeve frymërore. Ata nuk e mposhtin dot mëkatin për të dalë fitimtarë mbi të dhe nuk janë në gjendje as të dallojnë dot mësimet e rreme. Ky lloj besimtarësh nuk rriten siç duhet dhe ngelen foshnja nga ana frymërore, janë vazhdimisht të lëkundur dhe hidhen sa andej-këndej nga çdo erë doktrine dhe nuk janë të aftë të marrin përgjegjësinë për rritjen e tyre frymërore.
Në të kundërt, po të ushqehemi rregullisht me një dietë të mirë e të shëndetshme nga fjala e Perëndisë, si dhe po të zbatojmë në praktikë e në jetën e përditshme ato gjëra që jemi duke mësuar, atëherë jeta jonë frymërore dhe rritja jonë si besimtarë do të bëhen të shëndetshme, të forta dhe madje të fuqishme. Ne do të dalim fitimtarë mbi tundimin e mëkatin dhe do të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Rritja e vërtetë e jetës frymërore matet me zbatimin në praktikë dhe vënien në jetë të njohurisë së fjalës së Perëndisë.
Në përputhje me këtë metaforë, fjala e Perëndisë përshkruhet edhe në mënyra të ndryshme si p.sh. qumësht, bukë, mjaltë dhe ushqim i fortë, ndaj ne duhet ta hamë e ta pimë atë çdo ditë:
“Si foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij, nëse vërtet keni shijuar se Zoti është i mirë.” (1 Pjetri 2:2-3)
“…njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron nga çdo fjalë që del nga goja e Zotit.” (Ligji i P. 8:3)
“Gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ar i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.” (Ps. 19:9-10)
“…keni përsëri nevojë që t’ju mësojë dikush gjërat elementare të fillimit të thënieve të Perëndisë dhe keni nevoje për qumësht dhe jo për ushqime të forta. Sepse kushdo që ushqehet me qumësht është pa përvojë në fjalën e drejtësisë, sepse është foshnjë; kurse ushqimi i fortë është për të përsosurit, të cilët, meqë janë mësuar, i kanë ndjesitë të stërvitura për të dalluar të mirën dhe të keqen.” (Heb. 5:12-14)
Në mënyrë të ngjashme me këtë, Zoti i urdhëroi profetët që ta hanin fjalën e tij, që ajo t’u hynte në frymë dhe për rrjedhojë të mund t’ua shpallnin atë njerëzve:
“Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe hareja e zemrës sime….” (Jer.
15:16, shih edhe Ezek. 2:9 – 3:4, Zbulesa. 10:8-11)
Perëndia na fton t’i afrohemi atij, që të mund të blejmë e të hamë lirisht pa para dhe pa paguar. Ai na nxit që ta dëgjojmë me kujdes dhe të hamë atë që është e mirë (d.m.th. fjalën e tij) dhe, si rrjedhojë, shpirti ynë do të kënaqet me ushqim shumë të shijshëm (Isa. 55:1-2).
Mesazhi dhe e vërteta e fjalës së Perëndisë janë fara e mbjellë në jetën tonë
“Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë… Por ato që u mbollën në dhe të mirë janë ata, të cilët dëgjojnë fjalën, edhe e presin, dhe japin fryt, një tridhjetë, një gjashtëdhjetë dhe një njëqind.” (Luka 8:11, Marku 4:20)
Në shëmbëlltyrën e mbjellësit, Jezui e krahasoi fjalën e Perëndisë me farën. Ky motiv i farës përdoret edhe në disa prej shëmbëlltyrave të tjera rreth mbretërisë së Perëndisë (shih tek Mateu kap.13). Fara e fjalës së Perëndisë mund të mbillet në tokën e zemrës së njerëzve përmes predikimeve, ungjillëzimit, leximit, mësimdhënies, apo nëpërmjet çfarëdolloj mënyre tjetër komunikimi njerëzor. Ashtu si fara që përmban jetë në vetvete fillon të mbijë, të rritet dhe të prodhojë fryt pasi është mbjellë në tokë, në të njëjtën mënyrë Perëndia synon që fjala e tij, pasi është mbjellë në jetën tonë, të rritet deri në pjekuri dhe të prodhojë fryte. Mbjellja e shpeshtë me përhapje e farës së fjalës së tij është mënyra se si Perëndia realizon synimin e tij që të ketë të korra të bollshme në jetën e njerëzve, zemrat e të cilëve janë të gatshme dhe të përgatitura ta pranojnë fjalën e tij.
Është e rëndësishme që ne të bëhemi gjithnjë e më shumë të hapur ndaj fjalës së Perëndisë në zemrën dhe mendjen tonë. Kjo nuk do të thotë thjesht që zemra jonë të jetë e hapur ndaj vetë mesazhi i ungjillit, që të shpëtojmë e të bëhemi besimtarë në fillim. Do të thotë edhe që, pasi jemi bërë besimtarë, të jemi të hapur ndaj mësimeve të fjalës së Perëndisë në çdo pjesë të jetës sonë. Fjala e Perëndisë është jetë për ne dhe qëllimi i saj është që të prodhojë jetë tek ne (Gjoni 6:63). Mirëpo, fakti që jemi bërë besimtarë nuk do të thotë që me patjetër zemra jonë është e hapur ndaj Perëndisë në çdo pikë të fjalës së tij. Për shembull, a jemi të gatshëm që t’i falim ata që na kanë ofenduar, ose që të lutemi me besim për shërim fizik kur ndonjë besimtar është i sëmurë, apo që të tregohemi bujarë në dhënien tonë financiare në kishë?
Të qenët të hapur ndaj fjalës së Perëndisë në tërësinë e saj është diçka që ne duhet të kujdesemi që të rritet përbrenda nesh ndërsa arrijmë ta njohim atë. Kjo është pjesë e rritjes sonë frymërore si besimtarë. Në qoftë se jemi të ngurtësuar në zemër në ndonjë pikë, atëherë sigurisht që do të kemi rezistencë ndaj fjalës së Perëndisë në po atë pikë. Kjo do të thotë që fara e fjalës së Perëndisë nuk mund të mbijë tek ne dhe, për rrjedhojë, ajo nuk mund të japë fryt në jetën tonë.
Për më tepër, Jezui përshkroi disa gjëra të cilat kanë potencialin të jenë si barëra të këqija në jetën tonë frymërore. Në qoftë se ne si besimtarë nuk tregohemi mjaft vigjilentë dhe nuk i shkulim këto që nga rrënjët duke i larguar nga jeta jonë, atëherë këto do ta mbysin fjalën e Perëndisë dhe, kështu, do ta pengojnë që të mos rritet e të japë fryt tek ne. Ai përmendi konkretisht shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë, lakmitë për gjëra të tjera si dhe kënaqësitë e kësaj jete (Mat. 13:22, Marku 4:18, Luka 8:14). Këto janë ato që pengojnë rritjen, zhvillimin dhe pjekurinë që fara e fjalës së Perëndisë synohet të arrijë në jetën e besimtarit (Luka 8:14).
Si pastor, nga përvoja e shumë viteve në shërbesë kam arritur të kuptoj që shumë besimtarë, edhe pse dëshirojnë që të jenë tokë të mirë për fjalën e Perëndisë, në fakt nuk i takojnë kategorisë së tokës së mirë, për arsye se nuk janë marrë me këto barëra të këqija në jetën e tyre. Në vend të kësaj, ata i takojnë kategorisë së tokës me gjemba e barëra të këqija. Toka e mirë që mund të prodhojë fryte të pjekura, është tokë për të cilën është punuar për ta përgatitur dhe për të cilën është treguar kujdesi i duhur. Ajo është pluguar dhe i janë hequr si gurët ashtu edhe barërat. Për më tepër, që fara të rritet siç duhet deri në pjekuri, toka duhet ekspozuar si ndaj diellit ashtu edhe ndaj shiut. Në kuptimin figurativ, dielli nënkupton sfidat e jetës, të cilat na japin mundësi të hedhim në praktikë parimet e fjalës së Perëndisë, dhe shiu nënkupton veprimtarinë e Frymës së Shenjtë në jetën tonë.
Parimet kyçe të cilat duhet të praktikojmë në jetën tonë që fjala e Perëndisë të mund të rritet dhe të prodhojë fryt, janë si më poshtë:
(1) të dëgjuarit e saj;
(2) të pranuarit e saj;
(3) të kuptuarit e saj;
(4) të mbajturit fort pas saj, që të mos humbasë apo të mos hiqet prej nesh;
(5) të lejuarit e saj që të zërë rrënjë brenda nesh;
(6) të qëndruarit me ngulm në të;
(7) të hequrit e atyre barërave në jetën tonë që mund t’ia mbysin rritjen.
Ndaj ne duhet të sigurohemi që të marrim rregullisht nga shërbesa e mirë e fjalës së Perëndisë, me qëllim që ajo të hyjë në mendjen dhe zemrën tonë. Duhet të jemi të hapur ndaj saj dhe të mos i bëjmë rezistencë, duke u afruar ndaj saj me qëndrimin e përulësisë së një nxënësi, si dhe ta lejojmë atë të mbillet në zemrën tonë (Jak. 1:21). Ndërsa kalojmë kohë duke medituar mbi fjalën e Perëndisë dhe duke u lutur rreth saj, ne jemi duke e vaditur farën e fjalës së Perëndisë brenda nesh dhe, për rrjedhojë, arrijmë ta kuptojmë atë më mirë. Në jetën tonë të përditshme ne duhet të jetojmë me bindje ndaj atyre gjërave që kemi kuptuar prej saj. Gjithashtu, herë pas here duhet të rifreskojmë të vërtetat të ndryshme nga fjala e Zotit, në mënyrë që mësimet e saj të mbeten të freskëta në jetën tonë dhe ne të mos braktisim apo harrojmë ato çfarë kemi mësuar.
Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm që të merremi pikërisht me ato lloj barërash që përmendi Jezui. Në të kundërt, ato barëra, që janë kaq të zakonshme në jetën njerëzore, kanë për ta mbytur fjalën brenda nesh dhe, për rrjedhojë, do të pengojnë edhe pjekjen e fryteve. Kështu pra këto barëra janë:
(1) tendenca jonë për t’u merakosur për situata të ndryshme, në vend që të mësojmë t’i lutemi Zotit dhe t’ia
hedhim barrën atij (Ps. 55:22, Fil. 4:6-7);
(2) dëshira për kënaqësi, në vend që në radhë të parë në jetën tonë ta duam Zotin (1 Gjoni 2:15-17);
(3) lakmia për pasuri tokësore e materiale, në vend që të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij, duke besuar se ai ka për të na i plotësuar nevojat që kemi në jetë (Mat. 6:24,33; 1 Tim. 6:6-10).
Vetëm në këtë mënyrë, fara që është mbjellë tek ne vërtet që mund të mbijë, të rritet dhe të prodhojë llojin e frytit që Perëndia ka për qëllim që ajo të prodhojë.
Për më tepër, ashtu si bujku del për të mbjellë farën në tokën e tij, duke besuar që ajo një ditë do të prodhojë të korra të shumta, edhe ne si besimtarë (dhe pastorë) gjithmonë duhet të tregohemi të gatshëm për të mbjellë në jetën e njerëzve mesazhin e ungjillit si dhe të vërtetat e fjalës së Perëndisë. Nëse nuk mbjellim farën (duke e lënë atë, si të thuash, në qeskë aty në ndonjë raft), nuk kemi për të pasur kurrë të korra (Fj.e U. 24:30-34). Do të kemi të korra vetëm nëse është mbjellë fjala e Perëndisë. Në qoftë se bujku nuk tregohet i gatshëm për të investuar me durim orë të tëra duke pluguar tokën djerrë dhe pastaj të mbjellë farën e të kujdeset për rritjen e saj, ai nuk mund të ketë të korra më vonë. Kurse, po të ngulmojmë e të vazhdojmë me durim të mbjellim farën e Zotit, atëherë është e sigurt që një ditë, herët a vonë, kemi për të pasur edhe të korra:
“Le të mos ligështohemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e vet.”
(Gal. 6:9)
Ne gjithmonë duhet të inkurajojmë besimin dhe pritjet tona me premtimin e Perëndisë se fjala e tij kurrë nuk ka t’iu kthyer bosh. Duke prodhuar fryte ajo do t’ia arrijë qëllimit për të cilën është dërguar (Isa. 55:10- 11).
Fjala e Perëndisë na i gjykon mendimet dhe qëndrimet e përbrendshme
“Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. Dhe nuk ka asnjë krijesë që është e padukshme para tij, por gjithçka është lakuriq
dhe e zbuluar para syve të Atij, të cilit ne duhet t’i japim llogari.” (Heb. 4:12-13)
“Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh… Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia; dhe shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.” (Ps. 139:1,23-24)
Fjala e Perëndisë është frymëzuar nga vetë Fryma e Shenjtë, pra ajo është fjala e vetë atij (2 Tim. 3:16). Kështu që, kur e lexojmë, ai na flet përmes saj duke na e bërë të gjallë dhe të fuqishme. Fjala thjesht e shkruar e Perëndisë (pra, logos-i) bëhet fjala e fuqizuar e Zotit e folur në zemrën tonë (pra, rhema) dhe, në këtë mënyrë ajo bëhet fjala e gjallë dhe vepruese e Perëndisë për ne.
Ndërsa Perëndia e flet fjalën e tij të gjallë e të fuqizuar në jetën tonë, kjo shpatë e mprehtë me dy tehe depërton brenda nesh duke sjellë efektet dhe ndikimet e saj ne çdo pjesë të gjithë qenies sonë. E vërteta e saj depërton në frymën, mendjen e zemrën tonë. Kjo e vërtetë shpesh bie në kontrast, në një mënyrë të qartë dhe jo të rehatshme, me mendësinë tonë, me mosbesimin dhe dyshimet tona, me qëndrimet dhe mendimet e mëkatshme apo të gabuara që kemi brenda vetes, si dhe me motivimet mishore dhe egoiste të zemrës sonë. Ndërsa drita e fjalës së Perëndisë ndriçon brenda nesh dhe na heton, ajo zbulon gjithçka që është fshehur atje, edhe në pjesët më të thella dhe më të imëta të qenies sonë, pra, në çdo skutë të vogël. Për rrjedhojë ne fillojmë të shohim dhe të kuptojmë vetveten ashtu siç jemi në të vërtet në sytë e Perëndisë. E zbulojmë, e njohim dhe e kuptojmë veten në tërë thellësinë e brendësisë sonë.
Në këtë kuptim, fjala e Perëndisë vepron si gjykatëse ndaj nesh. Ndërsa e bën këtë gjë, qëllimi i Perëndisë është të na sjellë tek pika e rrëfimit, pendimit, pastrimit dhe lirisë, duke e lejuar atë të na ndryshojë në vendet më të thella të mendjes dhe zemrës, në mënyrë që të mund të fillojmë të mendojmë dhe të jetojmë sipas të vërtetës dhe vullnetit të tij dhe, si rrjedhojë, të korrim bekimin e tij në jetën tonë.
Fjala e gjallë e Perëndisë na e rifreskon dhe forcon besimin “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.” (Rom. 10:17)
Një nga arsyet më të rëndësishme se përse duhet të ushqejmë veten rregullisht me fjalën e Perëndisë, është sepse Fryma e Shenjtë e përdor këtë për të frymëzuar dhe forcuar besim të gjallë në zemrën tonë. Ndërsa e lexojmë fjalën e tij, ai na flet përmes saj dhe përbrenda nesh ndodhin efektet e saj jetë ndryshuese.
Kështu pra, zemra na ngrohet dhe digjet nga përbrenda (Luka 24:32). Besimi na rifreskohet duke na e ngushëlluar dhe forcuar zemrën e duke na sjellë paqe të brendshme dhe duke na larguar shqetësimet e ankthet tona. Ndërsa lexojmë fjalën e Perëndisë, Fryma e Shenjtë ia zbulon te vërtetat e saj frymës sonë. Kështu ne i kuptojmë ato dhe, për rrjedhojë, mendësia jonë ndryshon e vjen në harmoni me vullnetin, udhën dhe qëllimet e Perëndisë (Efes. 1:17, Rom. 12:2).
Për më tepër, ndërsa meditojmë në veçanti mbi jetët e besimtarëve, përvojat e ndryshme të të cilëve janë regjistruar në fjalën e Perëndisë, Fryma e Shenjtë na frymëzon besim në zemër, që edhe ne të mund të besojmë që Perëndia ka për të vepruar për ne, në rrethanat dhe situatat e jetës sonë, ashtu sikurse bëri edhe për këta besimtarë në Bibël. Ndërsa besimi ngjallet dhe forcohet në këtë mënyrë përmes fjalës së Perëndisë, ne kapërcejmë dyshimet dhe mosbesimin tonë. Dobësia jonë frymërore ndryshon dhe ne bëhemi të fortë përbrenda (Heb. 11:33-34). Ne mund të qëndrojmë në fjalën e Perëndisë dhe të veprojmë sipas të vërtetave të saj duke pritur që Perëndia të plotësojë premtimet e tij ndaj nesh dhe të veprojë për ne sipas parimeve që ai ka dhënë në fjalën e tij.
Fjala e Perëndisë është dritë në shtegun tonë
“Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.” (Ps. 119:105)
Fjala e Perëndisë e sjell dritën e tij në jetën tonë. Përmes Krishtit i cili është drita e botës, Zoti ka bërë që drita e tij të ndriçojë në mendjen dhe zemrën tonë të errët e të verbër, që ta kemi “dritën e njohurisë së lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Kor. 4:4-6). Ai është drita dhe shpëtimi ynë, kështu që ndërsa i qëndrojmë me besnikëri atij, nuk kemi për të ecur kurrë në errësirë frymërore (Ps. 27:1).
Fjala e Perëndisë është udhërrëfyesi dhe mësuesi ynë. Përmes kësaj ne marrim dritën e udhërrëfimit dhe urtësisë së tij ndërkohë që ecim me të, në mënyrë që të mund të qëndrojmë në udhën e tij të ngushtë pa rënë në ndonjë grackë të djallit, si edhe të mos dalim prej saj e të përfundojmë në ndonjë rrugë pa krye të të jetuarit në marrëzi dhe gjithë pasojat shkatërruese që kjo shkakton (2 Tim. 2:26).
“Stabilizoji hapat e mi sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.” (Ps. 119:133)
Përmes fjalës së Perëndisë, ne arrijmë të kuptojmë qartë vullnetin e tij për jetën tonë dhe mësojmë të bëjmë atë që i pëlqen atij. Vërtet, nëpërmjet fuqisë dhe premtimeve të tij, ne kemi gjithçka që na nevojitet për jetë dhe perëndishmëri (2 Pjetri 1:3). Kështu, ndërsa përulemi para tij, ndërsa dëgjojmë zërin e urtësisë së tij dhe zbatojmë në praktikë ato që po mësojmë nga fjala e tij, ne gjejmë bekim dhe begatohemi në ato çka bëjmë:
“Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.” (Fj. e U. 3:1-2)
Fjala e Perëndisë është si zjarr
“Fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia… A nuk është fjala ime si zjarr?” (Jer. 20:9, 23:29)
Pasi ishte ringjallur, ndërsa ecte me dy dishepuj rrugës për në Emaus, Jezui po u shpjegonte shkrimet atyre. Ata vunë re që zemrat e tyre po digjeshin përbrenda ndërsa ai fliste me ta:
“Nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?” (Luka 24:32)
Për arsye se Perëndia vetë është zjarr që përpin, nga kjo rrjedh që, ndërsa Fryma e Shenjtë flet me ne, atëherë zemra jonë ka për t’u ndikuar nga zjarri i pranisë së tij. Kështu pra, kur Zoti flet me ne përmes fjalës së tij (si dhe kur po dëgjojmë predikime që janë të vajosura me fuqinë e Frymës), fjala e tij vepron si zjarr përbrenda nesh. Ky zjarr na e ngroh zemrën duke na ngushëlluar dhe forcuar, ai na pastron nga skorjet e mëkatit që kemi përbrenda.
Fjala e Perëndisë është si çekiç
“<<A nuk është fjala ime si zjarri?>>, thotë Zoti, <<dhe si një çekiç që thyen gurin?>>” (Jer. 23:29)
Gjithashtu, fjala e Perëndisë është si çekiç. Kur Zoti flet, fjala e tij është mjaftueshëm e fortë për të thyer çfarëdolloj rebelimi, ngurtësimi apo kokëfortësie në jetën tonë si besimtarë, diçka kjo që na e zbut zemrën, duke na bërë të nënshtruar dhe të bindur ndaj Zotit. Gjithashtu, ajo është mjaftueshëm e fortë, me peshë dhe e fuqishme për të thyer rezistencën dhe fortësinë e sundimit të Satanit si dhe ngurtësimin e zemrave të njerëzve. Pra, fjala e tij mund të hyjë tek fryma e njerëzve dhe të sjellë efektet e saj jetë ndryshuese:
“Do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.” (Ezek. 36:26)
Fjala e Perëndisë është si ujë
Një motiv tjetër për të përshkruar fjalën e Perëndisë është uji. Meqë veprimtaria e Frymës së Shenjtë i ngjet një burimi uji të freskët, kjo do të thotë se kur ai flet me ne përmes fjalës së Perëndisë, fjala e tij do të jetë si ujë për shpirtin tonë të etur (shih tek Gjoni 7:37-39). Ndërsa kalojmë kohë duke lexuar dhe medituar rreth fjalës, ne freskohemi përbrenda dhe largohet dekurajimi apo rraskapitja që mund të ndiejmë:
“Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.” (Ps. 107:9)
Ashtu si me zjarrin, një punë tjetër që uji bën është edhe të pastrojë. Ndërsa jetojmë në këtë botë, të rrethuar nga gjërat që shohim dhe dëgjojmë përditë, e kemi të pamundur të mos ndikohemi nga të gjitha këto. Kështu që Perëndia e përdor fjalën e tij për të na pastruar zemrën ndërsa ne e lexojmë dhe meditojmë rreth saj:
“…që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës.” (Efes. 5:26)
Fjala e Perëndisë ka fuqi krijuese dhe na sjell jetë, shëndet dhe shërim
“Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa ujitur tokën, pa e bërë pjellore, pa e bërë që të mbijë, në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime, që del nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.” (Isa. 55:10-11)
Kur Perëndia flet, fjala e tij e fuqizuar nga Fryma e vet ka fuqinë krijuese t’i transformojë si dhe t’i sjellë jetë të re dhe frytshmëri çdo situate në të cilën ai flet. Kur flet, ai flet me qëllimin që të sjellë ndryshim. Kur ai foli që në fillim e tha: “U bëftë drita!”, drita u bë (Zan. 1:3). Fjala e Perëndisë nuk është e pajetë, shterpë apo e vdekur. Ajo është e gjallë, vepruese dhe jetëdhënëse, dhe sigurisht që do t’ia arrijë qëllimit për të cilin është dërguar:
“Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që unë po ju them janë frymë dhe janë jetë.” (Gjoni 6:63)
“…një fjalë Perëndie, që edhe vepron në ju që besoni.” (1 Sel. 2:13)
“Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese…” (Heb. 4:12)
Kjo duhet të përforcojë besimin e çdo besimtari që lexon fjalën e Perëndisë si dhe mediton rregullisht rreth saj. Sigurisht që kjo do të na e transformojë jetën për mirë dhe për bekim. Përpos kësaj, ndërsa i pranojmë dhe u bindemi të vërtetave të saj, ato do të na brumosin dhe dalëngadalë, por në mënyrë të sigurt, do të na çojnë drejt ripërtëritjes në imazhin e Krishtit (Kol. 3:10).
Kjo duhet edhe t’i japë siguri çdo predikuesi të fjalës së Perëndisë. Zoti gjithmonë ka për të nderuar shërbesën e atyre që mësojnë dhe predikojnë me besnikëri fjalën e tij duke sjellë një masë transformimi, ndryshimi dhe frytshmërie në jetën e atyre që e dëgjojnë.
Për më tepër, fuqia jetëdhënëse e fjalës së Perëndisë jo vetëm që ndikon frymën, zemrën dhe mendjen
tonë, ajo mund t’u sjellë shëndet dhe jetë edhe trupave tanë fizikë:
“Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, vëru veshin thënieve të mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.” (Fj.e U.
4:20-22)
“Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi.” (Ps. 107:20)
“…por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.” (Mateu 8:8)
Rëndësia dhe fuqia e meditimit rreth fjalës së Perëndisë
Meditimi i qetë dhe i shpeshtë rreth fjalës së Perëndisë dhe në prezencën e tij është një disiplinë frymërore e fuqishme që na ndihmon ta forcojmë besimin tonë si dhe të përvetësojmë efektet jetëdhënëse të fjalës së tij. Ndërsa lexojmë fjalën e Perëndisë, është e rëndësishme që ne të reflektojmë me kujdes dhe të meditojmë rreth asaj që po lexojmë, në vend që ta lexojmë thjesht siç mund të bëjmë me ndonjë libër tjetër.
Perëndia ia theksoi Jozueut lidhjen midis meditimit rreth fjalës së tij dhe bindjes ndaj saj, në njërën anë, dhe suksesit në arritjen e qëllimit për të cilin Zoti e kishte thirrur, në anën tjetër:
“Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.” (Joz. 1:8)
Kështu pra, njeriu që mediton rregullisht ditë e natë rreth fjalës së Zotit, është ai që ka për të çarë përpara dhe ka për të qenë i suksesshëm. Këtë të vërtetë e shprehu edhe psalmisti kur tha:
“…por [ai] gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një dru i mbjellë përgjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e vet në stinën e vet dhe që gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.” (Ps. 1:2-3)
Ndërsa meditojmë rreth fjalës së Perëndisë si dhe jetojmë në bindje ndaj saj, ne përjetojmë efektet e saj jetëdhënëse brenda nesh. Jeta jonë frymërore vaditet rregullisht si një pemë pranë ujërave dhe, kështu, ne rritemi, qëndrojmë të shëndetshëm, pa u vyshkur e pa u tharë, japim fruta dhe begatohemi, si edhe përparojmë, si në jetë, ashtu edhe në qëllimet që Perëndia ka për ne.
Fjala hebraike që përkthehet me foljen “meditoj” do të thotë “të murmuritësh herë pas here”, në kuptimin që të mendohemi për diçka. Ndërsa zhvillojmë zakonin personal të të menduarit me kujdes dhe të luturit rreth asaj që po lexojmë në fjalën e Perëndisë, ne po e lejojmë atë të depërtojë thellë në mendjen dhe zemrën tonë. Në vend që thjesht ta lexojmë në mënyrë të përciptë dhe pastaj ta harrojmë atë që kemi lexuar, ne arrijmë ta kuptojmë atë dhe, kështu, mund ta kemi të qartë se çfarë po na thotë Zoti përmes saj (Jak. 1:23- 25).
Ndërkohë fokusohemi në këtë mënyrë në fjalën e gjallë dhe vepruese të Perëndisë, si dhe ndërsa i kushtojmë asaj vëmendjen tonë të plotë e të pashpërndarë, ajo fillon të zërë rrënjë dhe të qëndrojë përbrenda nesh. Për rrjedhojë, fuqia e saj jetëdhënëse fillon të ketë ndikim dhe sjellë transformim në gjithë qenien tonë. Ajo i jep zbulesë frymës sonë dhe ndriçim mendjes sonë. Ajo na forcon besimin dhe ne shohim si Perëndia u përgjigjet lutjeve tona (Heb. 4:12, Rom. 10:17, Gjoni 15:7).
Njeriu i cili del i suksesshëm dhe çan përpara me bekimin e Perëndisë, është besimtari që e do Zotin, që kënaqet dhe gjen gëzim ne fjalën e tij, që gjen kohën e duhur të meditojë rregullisht rreth saj, dhe që pastaj jeton me bindje ndaj saj duke vënë në jetë ato që ka arritur të kuptojë prej saj.
Fjala e shpallur e Perëndisë është armë që duhet ta përdorim
“Merrni edhe… shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë.” (Efes. 6:17)
Tek Efesianët 6:17 apostull Pali e përshkruan fjalën e Perëndisë si shpatë. Në fakt ajo është më e mprehtë sesa ndonjë shpatë me dy tehe (Heb. 6:12). Ajo është e vetmja armë sulmuese që përmendet në listën e pjesëve të armatimit tek Efesianët 6:14-17. Fjala e Perëndisë është “shpata e Frymës”. Fjala greke që përdoret këtu është rhema, që do të thotë “fjala e folur” e Perëndisë. Pra, fraza që Pali e përdor mund të përkthehet si “shpata që Fryma e përdor është fjala e folur e Perëndisë”.
Shembulli më i spikatur i përdorimit të fjalës së shkruar të Perëndisë si shpatë gjendet në historinë e tundimeve në shkretëtirë kur që Jezui përjetoi tri herë tundim nga Satani. Në çdo rast, ai iu përgjigj duke shpallur të vërteta nga libri i Ligjit të Përtërirë (shih tek Luka 4:3-12). Ai e mundi Satanin duke shpallur me zë të lartë fjalën e Perëndisë si shpatë kundër tij: “Është shkruar…”
Ashtu siç pamë më sipër, fjala e Perëndisë është frymëzuar nga Fryma e Shenjtë dhe ajo është e vërtetë (2 Tim. 3:16, Gjoni 17:17). Kështu, ajo përmban në vetvete autoritet frymëror hyjnor dhe Satani e njeh këtë autoritet. Ndaj kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne ta njohim thellësisht fjalën e Perëndisë, të vërtetat, parimet, urtësinë, premtimet dhe urdhërimet e saj. Këto duhen rrënjosur në mendjen dhe zemrën
tonë si themeli për ecjen tonë me Perëndinë. Ne kemi për t’u rritur nga ana frymërore ndërsa ushqehemi me fjalën e Perëndisë. Herë pas here ne duhet që të rinovojmë mendjen tonë që kjo të mbetet në udhën e duhur sipas mësimeve të fjalës së Zotit dhe, për këtë, duhet që ta rifreskojmë mendjen tonë për sa i përket asaj se çfarë thotë fjala e Perëndisë. Perëndia vepron sipas mësimeve dhe parimeve të fjalës së tij, ndaj ne duhet të aftësohemi që ta kujtojmë dhe ta citojmë atë, të qëndrojmë me besim në të dhe ta shpallim atë, si në jetën tonë personale, ashtu edhe në lutjet tona, apo edhe kur jemi përfshirë në ndonjë shërbesë. Pra shpatën tonë duhet ta mbajmë të mprehtë, le të mos ndryshket ajo për shkak se nuk e përdorim!
Të vetmet pjesë të fjalës së Perëndisë që do të jemi në gjendje t’i përdorim si shpatë kundër armikut tonë frymëror, janë ato pjesë që na janë ngulitur në brendësi të zemrës sonë. Kjo mund të arrihet përmes meditimit rreth saj, të mësuarit përmendësh të saj, si edhe vënies së saj në jetë. Fjalën e Perëndisë duhet ta ruajmë në brendësi të zemrave:
“E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” (Ps. 119:11)
Kur u tundua prej Satanit, Jezui u tregua i gatshëm për t’iu bërë ballë tundimeve me shpatën e tij frymërore. Shpatën e kishte të mprehtë dhe gati. Ai ishte i gatshëm për ta shpallur me gojë fjalën e Perëndisë, sepse e kishte të ngulitur në zemër. Dhe për arsye se i ishte ngulitur në zemër, Fryma e Shenjtë e kishte të lehtë për t’i kujtuar vargjet apo të vërtetat e duhura dhe, për rrjedhojë, ai mund të përdorte vargjet e duhura pikërisht atëherë kur kishte nevojë që të mposhtte Satanin.
Për më tepër, është kyçe për rritjen tonë frymërore që të arrijmë të dallojmë se çfarë na flet në zemër, për situata të posaçme, Fryma e Shenjtë nga Shkrimet. Ashtu sikurse bëri me Jezuin në shkretëtirë, Fryma e Shenjtë shpeshherë do të fuqizojë frymën tonë me vargje apo pasazhe specifike për sa kohë që jemi duke qëndruar në praninë e tij. Fjalë të tilla (rhema) të fuqizuara nga Fryma e Shenjtë na frymëzojnë nga brenda nesh me hirin, besimin dhe forcën që na nevojiten në situatën në të cilën ndodhemi. Vetëm nëse e marrim fjalën e Zotit dhe qëndrojmë në të, ne mbetemi të fortë në besim dhe mund të kapërcejmë çdo dyshim, sulm apo tundim që forcat e errësirës përpiqen të përdorin kundër nesh. Ndërsa flasim me gojë dhe shpallim fjalë (rhema) të tilla, në situatën e rrethanat ku ndodhemi çlirohet si besimi ynë, ashtu edhe autoriteti i Perëndisë dhe, kështu, ne e mposhtim Satanin.
© 2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara. Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.
Autori: Michael A. Brown, Angli. Redaktuesi: Holger Dashi, Korçë.
Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga © 2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip, përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.



